SHËNIM: Shëndeti i pari… edhe në gjinj!

October 24, 2014 14:42

SHËNIM: Shëndeti i pari… edhe në gjinj!

Dy muaj më parë, një fat fare i pakëndshëm, trishtues madje, më çoi të isha në varrimin e një gruaje që kishte ndërruar jetë nga kanceri në… fshikëzën e urinës. Eshtë kjo një parantezë në funksion të krahasimit me formën e zgjedhur promocionale për apel kundër kancerit të gjirit, ku kjo pjesë e kurmit femëror, serviret vizualisht pa asnjë autoçensurë, pa llogaritur namuzin e askujt në shoqëri. Sigurisht që ka një dallim: Në faktin se gjatë të ushqyerit me qumësht të foshnjës, gjinjtë e një gruaje dhe mund të duken; ndërsa kur ajo sjell foshnjën në jetë nuk ndodh e njëjta gjë.

Megjithatë, kjo nuk e bën të patjetërt që krahas zërit, të ketë dhe figurë në apelin e lëshuar për vajzat, gratë dhe nënat, që t`i dalin para së keqes. Se ja, mjaftoi një batutë e zonjës Bregu dhe të gjithë iu turrën gjinjve dhe komenteve të saj mbi to, më shumë se të mallkuarës sëmundje. “Gjiri i gruas është bukuri!” – është sllogani i zgjedhur nga Rama, për të feksur në një lojë dritash e hijesh në fasadën e kryeministrisë. Por gjiri i gruas është dhe funksionalitet, sidomos për gojët dhe organizmin e një foshnjeje. Më shumë se një dëmtim estetik, kanceri godet gjinjtë e gruas në shëndetin e tyre dhe të saj. Por njeriu ka shëndetin të parin, pastaj vijnë të tjerat. Një realitet i “ç`dekoltekuar” për shkak të kancerit të gjirit, sidomos në fasadën e godinës qeveritare, rrezikon të promovojë më tepër hire femërore se sa belanë që mund t`i gjejë ato prej asaj dreq sëmundjeje.

p.s. Propaganda komuniste diktoi përdorimin e mëshumtë të fjalës gjoks në vend të gjinjve, për shkak të vokacionit proletar të së parës: “T`i vemë gjoksin punëve”, “gjokset tona rinore…”, “idealet në gjoksin tonë…”, “qëllo në objektivin-gjoks”, etj. Dhe ndodhi atëkohë, që një shitëse djathi diku në një qytet, lë për pak çaste të shoqin në dyqan, pasi do shkonte t`i jepte fëmijës të pijë. Dhe kur një klient e pyet se pse nuk është gruaja në punë, i shoqi përgjigjet: “ka shkuar t`i japë fëmijës gjoks!”/E.H

October 24, 2014 14:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*