“Ndëshkim audiovizual” në burgje?!

June 20, 2014 12:30

“Ndëshkim audiovizual” në burgje?!

Nuk dihet se sa e vërtetë është ajo që në burgjet tona, të dënuarit kanë gjithçka veç lirisë, çdo lloj komoditeti. Asgjë nuk u mungon. Kanë fjala vjen televizorë, por kjo është hiçgjë para faktit se kanë dhe aparate satelitore (gjithnjë, sipas fjalëve në qarkullim), me kanale të ç`koduara seksi, ku 24 orë në 24 shohin syzgurdulluar skena tipike të viteve `90, që shumë shqiptarë i dispononin dhe në versionin stop-kamera ne letra bixhozi.

Por nëse për një çast ideojmë një formë ndëshkimi audiovizual për të dënuarit, çfarë duhej t`u  ndalohej e lejohej njëherësh nga produktet aktuale? Sigurisht, t`u ndalohej çdo lloj produkti me efekt provokativ sensual, nga ato që shkaktojnë jargë, të ngjashme me të zagarit kur shkon mbas një buçe, e sigurisht dhimbje kyçesh; e nga ana tjetër t`u lejohej shikimi i vetëm një pjese të programeve të TVSH-së, por assesi ai i mëngjesit i titulluar “Mirësevjen”, një ndër më cilësorët në 15 vite asfiksi grinte televizive; t`u servirej një debat televiziv me moderator një asoj tipi me pamje kambisti, nga ata që tund shukun e parave para hundëve të çdo kalimtari, si dhe një asoj emisioni interaktiv në një televizion të lashtë me emër province, ku një biondeshë e kolme diskuton parreshtur me gjindjen, në një komunikim që zgjat prej vitesh si një zgjidhje në kushte falimenti programativ e financiar, mbi luftën që i duhet shpallur korrupsionit.

Po punime parlamenti, do pyes ndokush?! Po, dhe ato mund t`u serviren si ndëshkim, vetëm në rast se të dënuarit janë aq të fisëm, aq të qibartë, aq namuzlinj, sa kur t`u shfaqet Berisha, t`u bie pika!

E.H

June 20, 2014 12:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*