SHËNIM: Tre… arsye të mira për të festuar

Alqi Koçiko July 11, 2015 13:24

SHËNIM: Tre… arsye të mira për të festuar

Pse duhet të përbëjë një çështje aq të rëndësishme sa për të zënë kopertinën e një gazete kombëtare, vendimi i një gjykate sportive për një ndeshje futbolli, qoftë dhe e kombëtares? Një pyetje të kësaj natyre mund ta bëjnë shumë qytetarë të vendeve evropiane apo dhe më larg… nëse nuk janë nga Ballkani. Aq më tepër pastaj nga vende të Ballkanit perëndimor, e aq më shumë kur palët në lojë janë shqiptarët dhe serbët.

Me logjikë “të ftohtë” nuk duhej të ishte kështu. Por ja që futbolli u kapërcye prej kohësh atë mbrëmje të 14 tetorit 2014, kur sherri që nisi për një banderolë fluturake përmes një droni të telekomanduar mbi fushën e stadiumit Partizan në Beograd, kaloi në agresion të gjithanshëm ndaj lojtarëve të kombëtares shqiptare, e më tej në përplasje direkte politike mes dy vendeve. U kujdes për shtimin e pikave të benzinës në këtë “zjarr” të ri ballkanik edhe vendimi fillestar i UEFA-s pro Serbisë, pasi futbollistët tanë nën kërcënimin e hapur për jetën, qenkëshin treguar frikacakë për të vazhduar lojën pjesën e dytë…

Për hir të së vërtetës, politika është sërish brenda. Edhe me vendimin e CAS-it që i jep tre pikët në tavolinë Shqipërisë. Çdo dashamir, e jo më tifozët e thekur, arsyetonin prej kohësh se nëse Serbia mbetet jashtë shanseve të kualifikimit, fitorja do t’i jepet Shqipërisë. Në të kundërt, “do të na e fusin”. Por këtë radhë gjasat janë që politika ta përdorë, dhe jo të përdoret prej emocioneve sportive që kësaj ane shndërrohen sa hap e mbyll sytë në ethe nacionaliste.

Kësisoj, përtej rastësive ironike (për shqiptarët) ku një bashkëkombas i yni me emrin Ballist ngriti banderolën e dronit mbi stadiumin me emrin Partizan, me këtë vendim të instancës së lartë gjyqësore të futbollit europian ne kemi disa arsye të mira për të festuar.

E para, sepse për të gjithë njerëzit me sens logjike, sportdashës ose indiferentë, këto tre pikë janë një vënie e drejtësisë në vend. Qoftë dhe me vonesë, qoftë dhe me kombinacion politik në llogaritje. Nuk mund të ndodhë vazhdimisht dhe në jetë të jetëve, që shqiptarët të dëmtohen padrejtësisht dhe në dalin rregullisht fajtorë, dhe kjo jo vetëm për futbollin.

E dyta, sepse këtë herë ngjan se politika, përkatësisht kryeministrat Rama e Vuçiç, kanë vendosur të dalin mbi emocionet e turmës, dhe duke ndjekur ndeshjen e kthimit së bashku në Shkodër, do përçojnë mesazhin se sporti është motiv përbashkues dhe një zbukurues i jetës dhe përjetimeve të popujve, jo një tjetër arsye për sherr dhe përplasje. Kjo pavarësisht se kush do fitojë në fushën e blertë.

Dhe e treta, sepse ëndrra për “t’u anëtarësuar” në një klub anëtarësh cilësorë të Europës, qoftë edhe me futbollin, vazhdon ende. Jemi më afër se kurrë, dhe bash për këtë arsye, duhet të jemi më me këmbë në tokë, dhe më të kujdesshëm se kurrë. Neve edhe na lejohet të “fluturojmë” herë pas here, çunave të kombëtares jo. Por ta lëmë futbollin: Tek e fundit, a nuk jemi në të njëjtën situatë ëndërrimtare dhe delikate njëherësh, edhe në hapat tanë si vend drejt BE-së?

Le të festojmë pra, por këtej e tutje t’i lëmë ca mënjanë partizanët dhe ballistët…

Alqi Koçiko July 11, 2015 13:24
Komento

2 Komente

  1. Arben July 11, 14:44

    KY VENDIM ESHTE NJESOJ

    SIKUR TE JAPIN ATE QE TE TAKON, POR PASI TE KENE FSHIRE NJEHERE BYTHEN ME TE.

    O MILET.

    1. GJOBA ESHTE E PADREJTE, PASI FEDERATA SHQIPETARE NUK KA PATUR
    FARE ROL NE ORGANIZIM DHE MBARE-VAJTJEN E NDESHJES.

    2. VENDIMIN E DHANE PASI SERBIA ESHTE ME 1 PIKE, DHE NUK E NDIHMON FARE
    3-PIKESHI I MUNDSHEM ME SHQIPERINE.

    3. TE JENI 100% TE BINDUR, SE TE ISHTE NE GARE SERBIA PER KUALIFIKIM
    KISHTE 0 SHANCE TE NA JEPNIN 3 PIKET.

    NE KETO KUSHTE GJEJENI VETE, CFARE ESHTE AI QE GJEN ARSYE PER
    FESTIME TEK KY VENDIM I DEGJENERUAR.

    Reply to this comment
  2. luli i vocerr July 11, 20:58

    Mire i ke thene ,or ti opinionist por kur e mbyll me dy shkronjeshin BE i bere m….tere shkrimit.
    More me gjithe mend e ke ti dhe po qe se PO sa shqipetare besojne akoma ne nje fantazem BE kur ne me parametrat politike ekonomike shtetit te se drejtes jo vetem brezi i Xenit dhe kalit nuk futen ne Europe por as mosha e Zahos.Vetem politika miope e antishqipetare kerkon te futet ne BE me ligje me pika e me presje e me Bregu,Meksi,Shqina e Gjosha pa bere asnje reforme.
    Edhe kryeministri me i pa afte gjene e pare qe do bente mbas 25 vjetesh do hiqte nga qeverrija nje ministri si ajo e ‘integrimit’ se eshte bere sa qesharake aqe edhe tragjike e duket sikur shqipetaret jane femije e do i mari Bregu apo ShQina e ti shpjere shetitje ne Europe.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*