Shënime për një revistë

April 6, 2018 02:31

Shënime për një revistë

Moikom Zeqo

Në 15-18 korrik 1993 në Sofje të Bullgarisë u takova dhe bisedova gjatë me intelektualin e njohur nga Kosova Shkëlzen Maliqin.Isha takuar edhe më parë me të në Romë para gati një viti e më kish bërë përshtypje për tipin dhe kulturën.Në Sofje në hollin e hotelit “Vitosha” në sallën e konferencave, ku zhvillonte punimet një tubim botëror i Partisë Radikale i Markos Panelës, që emblemon lëvizjen për paqe, kundër dhunës, duke universalizuar gandizmin (fytyra e Gandit është simboli i kësaj partie transkontinentale e transnacionale).

Anëtarë të kësaj Partie qenë edhe afro 50 parlamentarë të parlamentit të Shqipërisë dhe të Kosovës.Diskutimet e Sh. Maliqit me mua lidheshin me temat e kohës, sidomos për gjendjen në Ballkan e posaçërisht në Kosovë. Këto diskutime u fokusuan në diçka më konkrete: në botimet për ndërgjegjësimin kulturor po edhe filozofik për historinë aktuale dhe të ardhmen. Shkëlzeni më dha një revistë të quajtur “Thema” nr. 11, të porsadalë nga shtypi.

Në Parafjalën e revistës Shkëlzen Maliqi (i cili është edhe kryeredaktor) shpjegon një vijimësi e botimit mbas një hiatusi (ndërprerjeje): “Pas një ndërprerje disavjetëshe që dukej e pakapërcyeshme, me këtë numër “Thema” po vazhdon të dalë. Këtë mund ta quanim dhe një rifillim… Qëllimi ynë është modest të nxirret më në fund një revistë korrente, që mbështetet në kriteret teorike, prezanton frymën e kohës dhe flet me kohën, që mbahet me forcën që kemi, rreh problemet e vërteta, kap shqetësimet e njëmendta, merret me rishqyrtimin e mashtrimeve dhe të humbjeve historike, ose “histerike”, nuk i romantizon as i hyjnizon gjërat, ballafaqimet me kundërthëniet, çelet dhe nuk mbyllet ndaj botës dhe përvojave të të tjerëve njëqind herë pyet e kërkon para se të japë përgjigje”.

Revista është e një formati të madh, me një dizenjo bashkëkohore, me faqosje estetike. Të tëra shqimet janë të shoqëruara nga një rezyme në anglisht.Botimi në fjalë paraqet lëndën e tri rubrikave.Në rubrikën “Identiteti, kombi, konfrontimet” janë botuar shkrimet “Në vorbullën e botës jetësore të shqiptarëve sot” (Gani Bobi) “Shtetësia dhe identiteti nacional” (Jyrgen Habarmas), “Shqiptarët dhe Evropa juglindore” (Rexhep Smajli), “Vetënjohja në joviolencë” (Shkëlzen Maliqi) “Profecia në gjuhën gjermane” (Petër Sloterdijk), “Identiteti dhe konfrontimi: shqiptarët dhe serbët” (Isuf Berisha) “Policentrizmi subjektor i kombit shqiptar në Ballkan” (Gazmend Zajmi) “Malësorët dhe malazezët nga destruksioni deri te sjelljet simbiotike” (Anton Kolë Berishaj).

Në rubrikën “Vështrime” cikli nis me shkrimin ‘Kufijtë e sundimit totalitar” (Claude Lefort), pasohet nga “Demokracia dhe totalitarizmi” (Muhamedin Kuilashi), “Realiteti etnik – demografik i Kosovës dhe aspiratat serbe” (Hivzi Islami) “Premisa mbi kategori zhanri në romanet “Oh” dhe “Zanoret e humbura” (Rexhep Murtez Shala).

Kurse rubrika e tretë “Gjendja postmoderne” ka shkrimet „Identiteti kulturor evropian (Edgar Morin), „Fundi i iluzioneve të mëdha“ (Astrit Salihu) “Arkitektura postmoderne” (Majkëll Grejvi)

Rubrika e fundit “Katalogu i Themës“ mbyllet me „Në dimensionin e skulptorit (Arben Xhaferi). „Për kë shkruajmë?“ (Ali Podrimja) „Shpërnguljet e shqiptarëve“ (Ymer Jaka), Thomas Paine, doktrina e të drejtave të njeriut“ (Gjyljeta Mushkollaj), „Sezoni teatror 1992-1993 në skenat e Prishtinës“ (Haqif Mulliqi), „Tri novela të Kasem Trebeshinës“ (Mufail Limani) „Të gjitha idetë e kulturës“ (Teuta Arifi) dhe „Shqiptarët dhe Megali Ideja greke“ (Ymer Hysa).

Një lexim i thelluar të bind për një nivel të lartë të lëndës dhe të formësimit të saj intelektual. Revista „Thema“ është e llojit të vetëm sot për sot në gjithë trevat etnike shqiptare, ajo padyshim plotëson mungesa të ndjeshme kulturore dhe filozofike, estetike e sociologjike. Nisma e kësaj reviste të kujton botimin e revistës „Përpjekja shqiptare“ të filozofit dhe intelektualit shqiptar të viteve ‘30 Branko Merxhanit, i cili duhet të dimensionohet me profilin e tij në historinë tonë të kulturës e të mendimit.

Si në vitin ’30 dhe tani në vitet ’90 problemet ekzistenciale të individit, kombit dhe shekullit janë të mprehta, disa herë emergjente. Në këto dy skaje kohore mendimi i specializuar filozofik është thirrur në skenë që nga prapavija e publicistikës vulgare politike duke u ngritur mbi tribunat partiake dhe mediokritetin e politikës së ditës.Konkretisht lexuesi ka si të lexojë dhe çfarë të lexojë të pyesë pse dhe të thotë përse, të ballafaqohet, të rikonceptojë vetveten dhe të tjerët, Revista është një tërësi mendimesh intelektuale për të reflektuar mendime e diskutime të bashkëkohësisë së fundit të mijëvjeçarit të tretë e fillimit të mijëvjeçarit të tretë. E tashmja si potencë e së ardhmes është dhe realitet, edhe filozofi edhe përjetim edhe abstragim përtej kufijve kohorë të kufizimeve dhe të pengesave historike.

Revista „Thema“ është një ngjarje kulturore e dorës së parë. Ajo tregon mundësitë e mëdha të inteligjencës shqiptare, bashkëkohësinë e saj të mendimit, të hulumtimit, të simboleve mendore të domosdoshme dhe të kohës.

Lënda përmbajtësore jepet për lexuesin si problematikë, pra në vetëlëvizje, në dialogim të shumëfishtë. Tema të tilla si nocioni i kombit (etniciteti) dhe nocioni i shtetit, kombi si subjekt më vete i papjesëtueshëm dhe si subjekt i komunitetit të popujve etj., represioni si dhunë primitive e popullit që shtyp një popull tjetër dhe një „kamikazë“ për vetveten, konotacionet e totalitarizmit dhe të demokracisë, karakteri historik i formave të tyre dhe aktualiteti i rëndë dhe shpresa e Evropës së Re, arti e posaçërisht arkitektura e urbanistika postmoderne e socialiteti i tyre, gandizmi kosovar si vetëdije dhe protestë, shqetësimi për një apokalips të mundshëm ballkanik, struktura gjeopolitike e kombit dhe fataliteti i trukeve prokustiane të trashëguara nga historia, fundi i iluzioneve të mëdha e utopive si një rritje e dijes historike dhe emancipimi etj., etj., janë shpalosur me shkathtësi dhe erudicion, indikacionet janë të shumta polivalente po ajo që ka më tepër rëndësi është karakteri realist, dyshues dmth kartezian, europoperëndimor i eseve dhe shkrimeve të mozaikut të revistës.

Ne shqiptarëve na duhet patjetër dhe një letërsi filozofike, një filozofi historike, një histori intelektuale e mirëfilltë, sepse në këto rrafshe kemi disa vonesa gati të pajustifikuara ose të vetëkuptueshme deri në atë masë sa shpjegojnë vonesat e karakterit të historisë nga vetë neve dhe padyshim dhe prej të tjerëve që kanë përcaktuar dyzimin e kombit tonë me kufijtë shtetërore politikë etj.

Revista „Thema“ është një përpjekje e suksesshme dhe serioze për të spikatur mbi shpërdorimet e lumpenshtypit vulgar dhe t’i drejtohet një apeli të ndërgjegjes kombëtare dhe njëkohësisht, të zhveshur nga arkaizmi nacionalist i tipit ballkanik dmth të një ndërgjegjeje thellësisht njerëzore, larg komplekseve të madhështisë së rreme dhe inferioritetit absurd.Shtoj se një stolisje e revistës grafikisht ishin riprodhimet e skulpturave të artistit të njohur nga Kosova Agim Çavdarbashkës duke bërë një simbiozë të artit me filozofinë të paktën sipas konceptit aristotelian.

(Ribotim në Dita. Botuar tek “Kombi” 5.7.1993)

April 6, 2018 02:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*