Shenja jo të mira për tregtinë botërore

March 19, 2017 09:24

Shenja jo të mira për tregtinë botërore

As “Po“ tregtisë së lirë dhe as “Jo” proteksionizmit. Ministrat e Financave të 20 vendeve më të industrializuara arritën vetëm një konsensus minimal në Baden-Baden. Shenja jo të mira për tregtinë botërore?

Ministrat e Financave të G20-s nuk e arritën ujdinë  e pritur për t’i thënë “Po” tregtisë së lirë në takimin e tyre në Baden-Baden dhe përkushtimit për mbrojtjen e klimës. As refuzimi i qartë i proteksionizmit nuk u bë pjesë e deklaratës përfundimtare. Ajo që u arrit ishte një konsensus minimal dhe shtyrja e problemeve në samitin e G20-s në korrik në Hamburg në Gjermani.

Duket se vendet më të industrializuara dhe ato në ekspansion futen kështu në udhën e një konflikti tregtar dhe monetar, shkruan agjencia e lajmeve, dpa. Delegacioni amerikan pengoi arritjen e një ujdie të përbashkët në takimin dy ditor në Baden-Baden, megjithëse ministrat e Financave të G-20 vendeve më të industrializuara dhe atyre në ekspansion kërkuan rrugën e kompromisit në grindjen tregare me SHBA. Në deklaratën përfundimtare shkruhej vetëm se vendet duan të forcojnë kontributin e tregtisë për ekonominë.

Schäuble: Bashkëpunimi forcohet

Megjithatë ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble (CDU) e vlerësoi takimin si të suksesshëm, megjithë grindjen delegacionin e SHBA. Bashkëpunimi mes vendeve të industrializuara dhe atyre në ekspansion (G20) “është forcuar më shumë dhe nuk është dobësuar”, tha Schäuble, si mikpritësi i konsultimeve dyditore të shtunën (18.03). Megjithëse ujditë “konkretisht nuk na çojnë shumë përpara”, theksoi Schäuble ka pasur një ujdi të përgjithshme, që nuk duhet “të ndërhyjmë me manipulime të valutës…dhe konkurrencë jo të ndershme”. Ministrat e Financave të G20-s janë të bindur tha ministri gjerman, se „tregtia botërore sjell rritjen e ekonomisë globale dhe të ekonomive popullore në veçanti.

Fillimisht shpresohej të shtunën, se ministrat e Financave të 20 vendeve të fuqishme ekonomie dhe krerët e bankave më të rëndësishme do të arrinin një kompromis për mënyrën e të shprehurit në deklararën përfundimtare të takimit të G20. Grindja kishte të bënte me marrëdhëniet tregtare globale. Në fund të takimit është traditë që grupi i G20-s del me një deklaratë të përbashkët, ku konfirmohet vullneti për tregtinë e lirë dhe kundërshtohet politika e izolimit ekonomik dhe proteksionizmit. Por që nga ardhja në pushtet e presidentit amerikan, Donald Trump, duket se SHBA do të ndjekë një rrugë tjetër. Trump ka theksuar disa herë, se ai do të vendosë në politikën tregtare dhe tatimore, interesat amerikane para gjithçkaje.

Gjermania mban kryesinë e radhës së G20-s dhe synon që deri në verë, në samitin e krerëve dhe shteteve të G20-s në fillim të korrikut në Hamburg të çojë përpara tema të rëndësishme si forcimi i ekonomive popullore, partneritetin me Afrikën në investime, shanset dhe rreziqet e digjitalizimi dhe luftën kundër larjes së parave. Kryesinë e radhës pas Gjermanisë në G20 e merr Argjentina./DW

March 19, 2017 09:24
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*