Shenjat paralajmëruese të autizmit sipas grupmoshave

Pranvera Kola March 28, 2016 10:15

Shenjat paralajmëruese të autizmit sipas grupmoshave

Mjekja Ilda Xhelili bën me dije se prindërit fillojnë të vërejnë shenja specifike të autizmit në dy vitet e para të jetës së fëmijës

Ekspertët e shëndetit e klasifikojnë autizmin në grupin e çrregullimeve autistike (ASD), të cilat çojnë në dëmtim të zhvillimit nervor të fëmijës. Tre janë sinjalet që tregojnë se fëmija është autik. Kështu, me kalimin e muajve të parë të jetës, shumë prindër konstatojnë tek fëmijët e tyre dëmtimi të komunikimit dhe imagjinatës, dëmtim të ndërveprimit social, si dhe përsëritje të sjelljeve të kufizuara. Mjekja Ilda Xhelili, detajon në vijim format se si shfaqen simptomat e autizmit tek grupmosha të caktuara, si dhe çfarë mund të bëhet në drejtim të menaxhimit dhe integrimit social të personave autikë. Sipas ekspertëve të shëndetit, eksperienca ka treguar se trajtimi më i mirë i personave me autizëm është edukimi i hershëm dhe i specializuar, i cili synon përshtatjen e ambientit rrethues me nevojat e këtyre individëve. Lidhur me qëndrimet që mbahen ndaj trajtimit të këtyre personave, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë se: “Familjarët mbajnë dy lloj qëndrimesh, disa kërkojnë një kurë për autizmin dhe të tjerët mendojnë se ai duhet të pranohet si një ndryshim dhe të mos trajtohet si një çrregullim. Për fat të keq, ende në shumë vende, fëmijët autikë nuk marrin kujdesin e duhur shëndetësor dhe social, për shkak të mungesës së shërbimeve të përshtatshme, por edhe për diagnostikimin jo të saktë dhe të vonë të këtyre fëmijëve”. Ndërkohë më prag të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin (2 prill), specialistët e shëndetit apelojnë për më shumë kujdes në zbulimin e hershëm të këtij çrregullimi, me qëllim që edhe fëmijës t’i ofrohet kujdes më i specializuar në drejtim të mjekësor dhe integrimit social.

Çfarë është autizmi?

Në kohët e sotme moderne, autizmi është një fenomen jo i rrallë. Që prej vitit 2010 e në vijim,  numri i personave të prekur nga autizmi vlerësohet një deri në dy raste për 1000 persona në mbarë botën. Ky fenomen prek katër deri në pesë herë më shumë djemtë se vajzat. Rreth 1.5 për qind e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (1 në 68 persona) janë të diagnostikuar me autizëm në vitin 2014, një rritje prej 30 për qind që nga viti 2012. Shkalla e autizmit në mes të rriturve të moshës mbi 18 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar është 1.1 për qind. Numri i njerëzve të diagnostikuar me autizëm është rritur në mënyrë dramatike që nga vitet 1980. Kjo ka ardhur pjesërisht edhe për shkak të praktikave të avancuara diagnostikuese, si edhe nga subvencionet financiare që japin qeveritë e vendeve të zhvilluara për diagnostikimin sa më të hershëm të kësaj patologjie. Autizmi përkufizohet si një çrregullim i marrëdhënieve sociale, komunikimit verbal (gojor) dhe jo verbal, i kufizuar në sjellje të përsëritura. Prindërit zakonisht vërejnë shenja specifike në dy vitet e para të jetës së fëmijës së tyre. Këto shenja shpesh zhvillohen gradualisht. Megjithatë, disa fëmijë me autizëm arrijnë të zhvillohen me një ritëm normal deri në një farë kohe dhe pastaj pësojnë regres. Kushtet e sotme diagnostike tregojnë që simptomat fillojnë të bëhen të dukshme në fëmijërinë e hershme, zakonisht para moshës 3 vjeç. Autizmi ndikon në përpunimin e informacionit në tru, por edhe në rrugët e transmetimit të sinjaleve apo mesazheve. Shumica e fëmijëve me autizëm nuk janë të pavarur pasi arrijnë moshën madhore. Në kohët e sotme me përparimin e shkencave mjekësore autizmi synon të pranohet si një ndryshim dhe jo të trajtohet si një çrregullim. Padyshim që këta persona për situata të caktuara marrin edhe mjekime specifike.

Cilat janë karakteristikat e këtij problemi?

Njerëzit që vuajnë nga autizmi mund të jenë të dëmtuar rëndë në disa aspekte, por në disa aspekte të tjera mund të kenë zhvillim normal. Simptomat e dukshme fillojnë gradualisht pas moshës 6 muaj, për t’u kompletuar plotësisht rreth moshës dy ose tre vjeç, duke tentuar të vazhdojnë në moshën e rritur edhe pse shpesh me ritëm më të ngadaltë. Karakteristikat kryesore të autizmit janë dëmtimet në marrëdhëniet sociale, dëmtimet në komunikim, si edhe sjelljet e përsëritura dhe të kufizuara. Zhvillimi i pazakontë social bëhet i dukshëm në fillim të fëmijërisë.

Duke u ndalur konkretisht tek mosha, si ndodh shfaqja e këtyre karakteristikave identifikuese të autizmit?

Foshnjat me autizëm tregojnë më pak vëmendje ndaj buzëqeshjeve, tingujve, ngjyrave, nuk kanë dëshirë të përgjigjen kur i thërrasin me emër dhe dëshirojnë të merren më tepër me veten e tyre. Rreth moshës 5-vjeçare vihet re mungesa mirëkuptimit shoqëror, tërheqja në vetvete dhe jo rrallë reagimi me agresivitet në ambiente shoqërore. Fëmijët me autizëm më të shprehur vuajnë nga vetmia e thellë dhe mos-shoqërimi me moshatarët e tyre. Krijimi i miqësive është i vështirë për këta persona. Dallimet në komunikim mund të jenë të pranishme që nga viti i parë i jetës, duke filluar me një vonesë në të folur, apo mungesë reagimi për fenomene të ndryshme. Këta fëmijë janë të kufizuar në kërkesat dhe interesat që ata kanë, kanë mangësi të shkëmbejnë përvojat dhe eksperiencat me bashkëmoshatarët. Në vend që të flasin dhe të thonë mendimin e tyre, ata shpesh përsërisin fjalët e të tjerëve. Fëmijët me autizëm të avancuar rreth moshës 8-15 vjeç kanë problem me fjalorin e gjuhës dhe drejtshkrimin. Karakteristikë për këta janë sjelljet e përsëritura, si për shembull ata dëshirojnë të shohin vetëm një program të vetëm televiziv, të luajnë vetëm më një lodër, ose vetëm më një lojë në kompjuter. Gjithashtu e kanë të vështirë të ndryshojnë modelin e objekteve në shtëpi, kryejnë të njëjtat rituale të përditshme, duke shkuar deri atje sa të kërkojnë edhe të njëjtën menu ushqimore për çdo ditë. Në rastet e rënda, kanë si ritual edhe veprime të tilla që mund të dëmtojnë persona të tjerë, si për shembull pickimi, goditja e kokës pas murit, apo edhe veprime të tjera të rënda. Shumë individë më autizëm tregojnë aftësi superiore në fusha të ndryshme në krahasim me popullatën e përgjithshme. Pikërisht këto aftësi janë shfrytëzuar në trajtimin e autizmit për ta bërë sa më të lehtë integrimin e tyre me botën sociale. Shumë persona të tillë shfaqin talente të veçanta në degë të ndryshme të artit, por jo rrallë edhe në degët e shkencave, kryesisht botës së numrave.

Cilët janë shkaktarët e autizmit?

Ka një kohë të gjatë që supozohet se autizmi ka një bazë të fortë gjenetike, edhe pse gjenetika e autizmit është mjaft komplekse dhe e paqartë. Ajo shpjegohet më shumë me mutacione (modifikime gjenetike) të rralla, por me efekte të mëdha. Kompleksiteti lind për shkak të ndërveprimit midis geneve të shumta dhe faktorëve të mjedisit, por që janë të trashëgueshëm dhe ndikojnë në paraqitjen e re të geneve tek pasardhësit. Studimet tregojnë se vëllezërit e motrat e atyre që janë të prekur nga autizmi, kanë një rrezik rreth 25 herë më shumë për t’u prekur, sesa popullata e përgjithshme. Ekspozimi ndaj ndotjeve të ajrit gjatë shtatzanisë, veçanërisht me grimcat e metaleve të rënda, pesticidet mund të rrisë rrezikun e autizmit. Po ashtu ndikojnë alkooli, duhani, drogat, si dhe stresi. Kohët e fundit qarkullon edhe teoria që fajësonte vaksinat e ndryshme gjatë moshës së fëmijërisë, por kjo teori rezultoi pa mbështetje shkencore. Edhe pse këto teori nuk kanë prova bindëse shkencore dhe janë biologjikisht të pambështetura, shqetësimi i prindërve për një lidhje të mundshme të vaksinës me autizmin ka çuar në uljen e vaksinimit të fëmijëve, duke shtuar rrezikun e sëmundjeve, të cilat mund të parandalohen nëpërmjet vaksinimit.

Si trajtohet ky çrregullim?
Autizimi konsiderohet si një problem botëror dhe merr një vëmendje të veçantë nga njerëz të specializuar. Sa më herët të trajtohet problemi, aq më mirë integrohen autikët në jetën sociale, duke u bërë të vlefshëm për jetën e tyre dhe për shoqërinë. Ndërhyrjet arsimore mund të jenë efektive në shkallë të ndryshme në shumicën e fëmijëve. Trajtimi intensiv që në moshën parashkollore ka rezultuar me përmirësimin e performancës intelektuale të fëmijëve të vegjël. Kjo është realizuar nëpërmjet programeve të veçanta dhe mësuesve të kualifikuar, duke çuar në përmirësimin e aftësive sociale të komunikimit të fëmijëve të vegjël. Po ashtu, u është kushtuar vëmendje e veçantë zhvillimit të prirjeve të tyre individuale. Në bazë të problematikave individuale me këshillimin e mjekëve specialistë përdoren medikamente specifike për përmirësimin e simptomave të autizmit. Kujdesi për autizmin kërkon natyrisht edhe investime të mëdha. Pas fëmijërisë çështjet kryesore të trajtimit përfshijnë kujdesin rezidencial, trajnimin për punë, seksualitetin dhe aftësitë sociale. Sot në botë zhvillohen shumë aktivitete dhe lëvizje sociale për ta pranuar autizmin si një diferencë në vend të një sëmundjeje. Ka shumë individë me autizëm që janë të suksesshëm në fusha të ndryshme të artit dhe shkencës. Autizmi nuk ka shërim të njohur, por ka përpjekje për t’i integruar ata dhe për t’i trajtuar me përparësi.

Pranvera Kola March 28, 2016 10:15
Komento

3 Komente

  1. pp March 28, 17:00

    Nje pyetje per mjeken.
    Pse nuk kishte autic ne socializem,?
    Pse ka kaq shume autic ne shba?
    Po pergjigjem vete.
    Sespse vaksinat e forta te injektuara demtojne teurin. Dhe pergjigja zyrtare e mjekeve eshte, me mire nje perqindje e ulet autikwsh sesa semundje masive.
    Tmerrohesh sa shume auric ka amerika dhe me kujtohet qe kur isha ne shqiperi kurrw nuk kisha pare autic

    Reply to this comment
  2. autizmi March 28, 20:33

    Pyetja eshte se perse ritmi i rritjes se numrit te autikeve shtohet nga 1980 e ne vazhdim?
    Besoj se duhen analizuar cilet elemente mund te jene ata qe kane ndjekur ritem te shtuar apo te pakesuar gjate ketyre koheve? Keshtu mund ti afrohemi shkaktarit te semundjes dhe te analizojme ate per ta reduktuar

    Reply to this comment
  3. Darius March 28, 21:17

    PP…….
    Metalet e renda si Merkur,Fluror,Alumin…etj qe ndodhen me shumice ne Vaksinat qe u behen femijeve te detyrushme,gjenden gjithe andej,ne uje te ambalazhuar ku substanca qe mbron ujin eshte armiku kryesor per zemren gjithashtu ka dhe alumin,pastat e dhembeve,fruta te modifikuara,dhe me me shumice keto lloj perberesish gjenden ne “buke” ku farat e grurit,misrit,sojes…etj jane modifikuar qe ne vitet 1970.
    Keto jo se nuk jane verifikuar shkencerisht por BIG FARMA,dhe Qeverite qe komandohen prej saj nuk mund ti dalin kunder,sic tentoi Robert De Niro se fundmi ku terhoqi dhe filmin e tij mbi kete ceshtje.
    mgjth kjo eshte nje teme shume e gjate…!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*