Shenjtorja që ia mbath nga parajsa

September 6, 2016 12:01

Shenjtorja që ia mbath nga parajsa

Nga Donika Omari*

 

Personalitete të mëdha të shekullit XIX, ndër ta një nga majat më të larta V.Hygoi, e kanë quajtur shekullin XX si një të ardhme ku, falë përparimit të jashtëzakonshëm në fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, arsyeja do të triumfonte mbi paragjykimet. Në shumë drejtime ata qenë profetë. Ndër të tjera, që një grua të arrinte një njohje e vlerësim ndërkombëtar siç është rasti i Nënë Terezës, kjo mund të ndodhte vetëm në shekullin XX, falë natyrisht përparësive të komunikacionit që ofron koha jonë. Shekulli XX ka shënuar zhvillime, zbulime të papërfytyrueshme në shkencat, në teknologji, në mendimin njerëzor.

Falë këtyre arritjeve jeta e njeriut është bërë më e gjatë dhe më e lehtë.  Shoqëria e konsumit e shtyn njeriun të priret për të arritur me çdo kusht e sa më shpejt mirëqenien e lumturinë. Të gjithë lakmojnë të jetojnë mes rregullit, pastërtisë, shëndetit. Të jenë të rrethuar me gjëra të bukura. Të shijojnë përparësitë materiale të kohës sonë. Mirëpo ja ku del një grua e thjeshtë dhe i lë mënjanë të gjitha këto e, duke iu përgjigjur thirrjes së idealit të saj, zgjedh përkundrazi të jetojë mes varfërisë më të skajshme, mes sëmundjeve e fatkeqësive, erërave mbytëse të plagëve, lodhjes deri në rraskapitje, vetëm një hap larg vdekjes, dhe kjo zgjedhje e saj ka vlerën e një revolucioni.

Natyrisht që figura të mëdha të njerëzimit kanë bërë zgjedhjet e tyre të mahnitshme: shkencëtarë të mëdhenj, burra shteti të shquar, artistë që na mrekullojnë. Njerëzimi u është mirënjohës për ndihmesën që kanë dhënë për kultivimin e pasurimin e tij shpirtëror. Por ajo që na duket unikale te Nënë Tereza është veçantia e zgjedhjes së saj! Ai mohim total i vetvetes për t’u vënë në shërbim të të tjerëve në rrethana aq të skajshme e gjatë një jete të tërë!

Kushtet që bënë të mundur dukurinë Nënë Tereza qenë ndjeshmëria e saj e thellë, brumosja me mësimet e larta të fesë së saj e me traditat e familjes, si edhe…India. Gonxhe Bojaxhiu, një vajzë gazmore që u rrit e rrethuar nga dashuria e harmonia familjare, e mësoi qysh në vogëli se vuajtja e të tjerëve i përkiste edhe asaj. Po as ajo vetë nuk do ta merrte me mend se deri në ç’shkallë flijimi do ta shpinte më vonë të kuptuarit se vuajtja e të tjerëve i përkiste krejtësisht asaj. Për të arritur në këtë absolutizim të përkushtimit e ndihmoi India. Askund tjetër nuk shfaqej vuajtja në pamje më tronditëse e më poshtëruese për njeriun. Nga ana tjetër, ajo rronte në një vend, udhëheqësi shpirtëror i të cilit, Gandi, thoshte: “Unë dhe ti jemi një gjë e vetme. Po të bëra keq ty, kam lënduar veten.”

India e kuptoi përshpirtërinë e Nënë Terezës. Ajo ia hapi dyert dhe zemrat. Si me magji përpara kësaj gruaje të vogël binin të gjitha pengesat. Të gjithë bëheshin më të mirë përpara saj, tërhiqeshin, kujtoheshin ku bie mëshira e dhembshuria, dhe jepnin, jepnin. Ka një kulturë të të dhënit, që motivohet me përsiatje intelektuale. Psh. një arsye për të dhënë është që të mbushësh zbrazëtinë shpirtërore që mund të të krijohet nga të pasurit tepër.

Por ç’quhet të kesh tepër? Thoshte Shën Jeronimi: “Në gjithçka që në të veshur a në të ngrënë kapërcen të domosdoshmen, ne jemi borxhlinj”. Ndërsa Nënë Tereza nuk kishte nevojë të shpjegonte se pse duhet dhënë. Shembulli i asaj që e kishte dhënë vetveten pa asnjë kusht – dhe në ato kushte – fliste vetë. Por Nënë Tereza jonë kishte edhe një shpirt poetik. Të thjeshta e plot ndjenjë, poezitë e lutjet e saj kanë cilësinë thelbësore të artit: janë të vetvetishme, burojnë natyrshëm.

Si një nënë e vërtetë e njerëzimit merr në mbrojtje bujkun e ushtarin e të burgosurin. Falënderon zotin që pranë saj ka myslimanë e indu e që ka miq aq të shtrenjtë mes tyre. Lutet që të jenë të bekuara paratë që harxhohen për të veshur të zhveshurin e për të ushqyer të uriturin. Lutet për paqen. Falënderon për dashurinë. Cili poet tjetër do të guxonte të përmendte paratë në poezi pa iu trembur rënies në prozaizëm? Është e dhimbshme të kujtosh se më vështirë se kudo Nënë Tereza e pati në vendin e vet. Kam pasur fatin të isha e pranishme në disa nga ardhjet e saj në Shqipëri. E paharruar më ka mbetur në kujtesë ceremonia e dhënies së Çmimit të Republikës. Sa pak e kuptonin Nënë Terezën ata që po ia jepnin çmimin. Dy mendësi që rrinin në skaj të njëra-tjetrës Njëra e mbyllur, mosbesuese, armiqësore dhe përjashtuese ndaj të tjerëve. Tjetra e hapur, plot dashuri e solidaritet ndaj të tjerëve, e gatshme të flijohej për ta. Nga njëra anë kulti i vetvetes, nga ana tjetër kulti i një dashurie pa kufi.

Por sot a kemi arritur ta kuptojmë ne më në fund Nënë Terezën? Ta kuptosh do të thotë të bëhesh i ndërgjegjshëm për mesazhin shpëtimtar të saj, që është: mëshira, si edhe për filozofinë e saj të thjeshtë, që është: dashuria në veprim. Stili i punës së saj është: pak fjalë, shumë veprime konkrete pozitive. Te ne më shumë se kurdoherë është i domosdoshëm ky stil pune i saj. Se, siç thoshte ajo: “Shqipëria bëhet duke punuar së bashku.” Në ditët e përkujtimit të Nënë Terezës një skenë faustiane e punës së përbashkët njerëzore do ta kënaqte më shumë atë sesa ceremonitë përkujtimore. Ajo la posaçërisht për bashkatdhetarët një porosi largpamëse: “Po të doni më shumë njëri-tjetrin do të doni kombin”.

Vetëm kur kjo e vërtetë e thjeshtë të prekë ndërgjegjen tonë mund të quhemi komb i shpëtuar, njerëz të shpëtuar. “Njeriu i heshtur, që punon pa u lodhur, rrallëherë qëllon të ketë biografi tërheqëse”, thotë diku Cvajgu. Ndërsa biografia dhe vepra e Nënë Terezës nuk pushon së na tërhequri, nuk pushon të na habisë dhe emocionojë. Sepse e gjithë jeta e saj është një betejë e paparë, e përmasave të asaj të Shën Françeskut, kundër egoizmit, për të arritur harrimin e vetvetes, përuljen. Ndërsa lexon për jetën e saj, të krijohet përshtypja se as ajo vetë nuk ia njihte vetes ato cilësi të jashtëzakonshme që i lejuan të bëhet Nënë par excellence e njerëzimit. Me një zemër të apasionuar, e mençur, praktike, këmbëngulëse, e aftë për flijim, por mbi të gjitha e thjeshtë dhe e përulur, të gjitha këto cilësi pati rastin t’i vërë në provat më të pamundura, duke mos kërkuar mirënjohje ose, aq më pak, lavdi për vete. Ajo nuk e kërkoi lavdinë. Ia dhanë të varfrit e saj dhe ia njohëm ne, njerëzit e pjesës tjetër të botës, të lidhur fort pas rehatit e egoizmit tonë, që na hyn tmerri vetëm ta mendojmë se si mund të pastrohen plagët e një lebrozi.

“As për një milion dollarë nuk do ta bëja këtë,”- I tha njëherë një gazetar. “As unë”, iu përgjigj ajo me dy fjalë. Asnjë fjalë të tepërt nuk gjen në këshillat që u jep motrave të urdhrit. Ato këshilla janë sentenca të vërteta. Kundër pesimizmit i pëlqen të përdorë fjalën e urtë: “Më mirë të ndezësh një qiri se të mallkosh errësirën.” Për t’iu kundërvënë apatisë dhe disfatizmit këshillon: “Duhet vepruar sikur gjithçka të varet nga ne…të tjerat lërja Zotit.” Kundër mendjemadhësisë: “Po të gjunjëzohesh në lutje, do ta ndiesh veten më pak të përfryrë, pra më të lehtë.” Kundër papërgjegjësisë dhe përtacisë: “Gjithkush bëhet i shenjtë kur kryen mire detyrën e vet.” Me një qartësi të habitshme, e ndihmuar nga një intuitë e thellë, di të kapë kuptimin e fshehtë të gjërave. Spiritualiteti i Nënë Terezës nuk harron kurrë kërkesat e trupit: “Më parë u duhet përgjigjur nevojave trupore të njerëzve, pastaj t’u ofrohet Krishti.” Na kujton materializmin latin: Primo vivere deinde filosofare. Këshillat e saj shërbejnë si terapi për një shëndet të mirë: „Po të buzëqeshësh e ndien veten më mirë. Po të ecësh ruan freskinë tënde. Po ta ushqesh fenë tënde me lutje të vijnë prapë fuqitë”. Ajo e di që nuk mund të bëjë kushdo gjëra të mëdha, dhe këshillon motrat të jenë besnike në gjërat e vogla. Nuk harron kurrë të jetë realiste, të njohë e të kuptojë kufijtë e secilit: Një gruaje indu, që ndërsa ofrohej të punonte si vullnetare, i rrëfehej se nuk bënte dot pa sarit luksozë dhe se muaj për muaj blinte nga një sari që kushtonte 800 rupi, i sugjeron: “Herën tjetër bli një me 500 rupi dhe me 300 të tjerët bliju sari të varfrave.” Pas ca kohësh ajo grua filloi të blinte sari me 100 rupi dhe pjesën tjetër ta falte për bamirësi.

Dhe iu rrëfye Nënë Terezës se jeta e saj kishte ndryshuar kryekëput. Ne po mbajmë sot këtu një konferencë shkencore për Gonxhe Bojaxhiun. Por mund të pyetet: Ç’lidhje ka me shkencën një grua që nuk bëri ndonjë zbulim shkencor, që nuk pati lidhje me mjedise e personalitete të mirëfillta shkencore, por që bëri pjesë në atë kategori shoqërore që ka zgjedhur t’i shërbejë njerëzimit e frymëzuar nga e mbinatyrshmja? E, megjithatë, kjo grua e thjeshtë, pa ndonjë përgatitje e kulturë të veçantë, diti ta njohë shpirtin njerëzor më mirë se psikologët më të shquar. Pa qenë mjeke e madhe diti të shërojë njerëz. Pa qenë poete e madhe shkroi poezi me një ndjenjë njerëzore të thellë. Pa qenë financiere diti të menaxhojë miliona. Pa qenë diplomate mundi të hapë të gjitha dyert. Pa qenë dietologe mësoi si rrohet me përkorje një jetë e gjatë. Pa qenë specialiste e edukimit fizik na mësoi dobinë e të ecurit…Ndërsa ecja e saj do të vazhdojë në përjetësi. Mendoj se njerëzimi ndien nevojë herë pas here për shfaqjen e personaliteteve të tilla. Pyetjet e vështira ekzistenciale, që nuk gjejnë përgjigje, përballimi i idesë së pafundësisë së universit, përpara të cilit njeriu ndien pafuqinë, vogëlsinë, kotësinë e vet, ankthet, frikërat dhe pasiguritë përpara së panjohurës, të gjitha këto e shtyjnë të kërkojë një strehë për t’u mbrojtur, të krijojë pra zotin. Por që të vazhdojë të besojë në të, i duhen dëshmi konkrete, herë pas here. Prandaj kemi figurat e Mojsiut, të Krishtit e të Muhametit, që, gjatë shekujve, frymëzojnë përtëritës të besimit. Thoshte Nehruja: “Të ishin të gjithë të krishterët si Nënë Tereza të gjithë do të bëheshin të krishterë.” Zoti do të ekzistojë sa kohë të ekzistojnë figura të tilla që e dëshmojnë atë (pra idenë e dashurisë, të mëshirës) me një dashuri e mëshirë totale.

Është interesante të vihet re se edhe vetë Nënë Tereza përmend më shumë të dytin e Trinisë së Shenjtë, Jezuin, njeri të gjallë, pra, me mish e kocka, sesa zotin, që është një ide, një parim. Siç del nga njëri prej botimeve të fundit: “E  fshehta e Nënë Terezës”, në ndonjë prej letrave të saj, ajo rrëfehet se ia tundon shpirtin ndonjëherë mendimi i mosqenies së zotit. Te Krishti, ama, nuk dyshon kurrë. Atë e ka si njeri shumë të dashur të familjes. Me të shkëmben mendime, i kërkon këshillë. E jashtëzakonshmja e shoqëroi Nënë Terezën edhe pas vdekjes. Në varrimin e saj, për këtë të krishtere u krye, bashkë me ritin katolik, edhe ai mysliman, budist, induist si edhe grupimesh të tjera fetare, çka ndodh për herë të pare në historinë shumëshekullore të feve. Edhe me praktikat e shenjtërimit ajo po tregon se madje edhe në radhën e shenjtorëve është e jashtëzakonshme. Sepse lumnimi që ka zgjatur më pak deri më sot, ai i themeluesit të urdhrit Opus Dei: H. E. de Balaguer, ka qenë 17 vjet pas vdekjes. Për Shën Terezën dë Lisië, nga e cila mori emrin Tereza e Kalkutës, u desh të pritej 25 vjet. Por le të dëgjojmë ç’thotë vetë Nënë Tereza për shenjtërinë e saj: “Në u bëfsha ndonjëherë shenjtore, me siguri do të jem një shenjtore që bën mungesa: se do t’ia mbath vazhdimisht nga parajsa që të shkoj e t’u ndez dritën atyre që janë në errësirë.”

Kur ne shqiptarët të fillojmë ta ndiejmë si një vuajtje vetjake të përditshme përçarjen tonë, mosmarrëveshjet tona, atëherë do të ndërgjegjësohemi për tunelin e errët të jetës sonë. Do të jetë fillimi i katarsisit. Uroj që veprimtari të tilla, që përkujtojnë këtë Nënë të Madhe, të mos jenë nga ato që na prekin një çast e pastaj rinisim jetën e përditshme pa një ndryshim brenda nesh. Uroj të lënë gjurmë në ndjeshmërinë tonë.

 

*Kumtesë e mbajtur në Konferencën Shkencore të Akademisë së Shkencave me rastin e lumnimit të Nënë Terezës. Marrë nga libri “Kulturë e ndërprerë”.

September 6, 2016 12:01
Komento

2 Komente

  1. Riko September 8, 08:29

    Mire jemi me kumtesat, por sjelljet ne jeten tuaj jane deshmi e te kundertave te atyre qe ke ligjeruar,Turp,
    vetem kastes tuaj nuk i takon te flase per SHEN TERZEN

    Reply to this comment
  2. Kasandra September 8, 14:37

    Kumtesa shkencore
    M’u duk sikur lexova kumtesën e një prifti që shfrytëzon rastin për të propaganduar, krahas disa këshillave të dobishme praktike të Nënë Terezës për jetën, ide fetare antishkencore dhe shterpë siç është mëshira si shpëtim nga mjerimi (“Mjerimi s’ don mëshirë. Por don vetëm të drejt”-Migjeni). Gjatë mijëra vjetëve mëshira dhe bamirësia fetare u kthyen në institucion për të edukuar njerëzimin si të fashojë e mbajë me shpresa plagët e padrejtësisë shoqërore, varfërinë dhe mjerimin. Me idealin fetar mjerimi vazhdon. Me idealin shoqëror, përpjekjet për barazi e drejtësi shoqërore varfëria kufizohet gradualisht dhe deri në zdukje në përfundim.
    Autorja pranon se nevoja e shtynë njerëzimin të kërkojë një strehë për t’u mbrojtur nga pafundësia e universit, ankthet dhe frika para të panjohurës, të krijojë zotin (që në fakt i përket periudhës fillestare të njerëzimit) dhe që njerëzit të besojnë në të, shkruan ajo, duhen herë pas here dëshmi të tilla…” si figurat e Mojsiut, Krishtit, Muhametit, Nënë Terezës dhe arrin në konkluzionin se “Zoti do të ekzistojë sa kohë të ekzistojnë figura të tilla…” Jo, nuk është ashtu, por sa kohë që njerëzit do të besojnë në figura që i krijojnë vetë. Atëhere përse duhen ato për t’u mbrojtur nga padituria për universin që është kaq larg kur nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve në shoqëri këtu në tokë, por e mbajnë shoqërinë në stanjacion në rastin më të mirë?!
    Përkushtimi total i Nënë Terezës ndaj idealit të saj deri në vetëmohim në përkujdesje të varfërve më të varfër pavarësisht nga frymëzimi fetar është një vepër e lavdërueshme humanitare dhe nder për ne dhe gjithë njerëzimin në kushtet aktuale shoqërore dhe për këtë mori Çmimin Nobel, ndërsa në kuadrin e kishës katolike ajo merr vlerësimin më të lartë e të merituar në moralin fetar, shenjtërimin.
    Edukimi fetar frymëzon besimtarin e përkushtuar që të përpiqet në maksimum për të arritur lavdinë e amshuar në parajsë deri në ëndërrimin për t’u bërë shenjt që “t’u ndez dritën atyre që janë në errësirë”. Nga kjo dritë pret kumtesa shkencore të ndërgjegjësohen shqiptarët për “tunelin e errët të jetës sonë” e të mos grinden më mes tyre. Mungon fjala “Amin”. Kasandra.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*