Shesheli, nxitësi i venitur i idesë së një “Serbie të madhe”

March 29, 2016 12:10

Shesheli, nxitësi i venitur i idesë së një “Serbie të madhe”

Në vitet në 1980, askush nuk mund ta mendonte se një akademik i tillë i shkëlqyer do të përfundonte në bankën e të akuzuarve të një gjykate ndërkombëtare.

Por këtë javë, fanatiku nacionalist, i cili ëndërronte një “Serbi të madhe” etnikisht të pastër, pret të dëgjojë nëse do të shpallet fajtor për krime lufte.

Pasi doli në gjyq për 13 vjet, Vojisllav Shesheli më në fund do të dëgjojë vendimin e tij të shkallës së parë të enjten.

Pas një sërë ndërprerjesh në çështje të shkaktuar nga greva urie, skandale që përfshinin gjyqtar, kanosje të dëshmitarëve dhe probleme procedurale, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë do të vendosë nëse Shesheli është fajtor për krime lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci gjatë viteve të para të konfliktit.

Shesheli, një ish-deputet që mbetet lideri i Partisë së ekstremit të djathtë Radikale Serbe, lindi në vitin 1954 në kryeqytetin boshnjak Sarajevë.

Pas diplomimit për drejtësi si studenti më i mirë i klasës së tij dhe pasi mori doktoraturë, ai u bë një nga asistentët më të rinj mësimorë në Fakultetin e Drejtësisë në Sarajevë në vitin 1980 para se të përjashtohej nga universiteti në vitin 1984 për deklaratat e tij nacionaliste. Një gjykatë në Sarajevë e dënoi atë me tetë vjet burg, por dënimi u reduktua në dy vjet burg.

 

Shesheli ishte një nga asistentët më të rinj në Fakultetin e Drejtësisë në Sarajevë në vitet 1980. Foto: Facebook/Vojisllav Shesheli.

Shesheli ishte një nga asistentët më të rinj në Fakultetin e Drejtësisë në Sarajevë në vitet 1980. Foto: Facebook/Vojisllav Shesheli.

Pas lirimit nga burgu, Shesheli u shpërngul në Beograd, ku u zhyt në qarqet nacionaliste serbe, që kundërshtonin regjimin komunist jugosllav.
Ai filloi të kalonte drejt ideve të çetnikëve, ndjekësit e Luftës së Dytë Botërore të oficerit të ushtrisë nacionaliste Draza Mihajloviç. Grupet çetnike u ndaluan gjatë sundimit komunist për shkak të bashkëpunimit me Gjermaninë naziste të Luftës së Dytë Botërore, por në vitin 1990, pasi sistemi një-partiak u shpërbë, Shesheli themeloi Lëvizjen e tij Çetnike Serbe.

Atë vit ai u arrestua dhe u burgos se u përpoq të shkatërronte “Shtëpinë e Luleve”, mauzoleun e udhëheqësit të vjetër komunist të Jugosllavisë, Josip Broz Tito.

Gjatë kohës që ishte në burg, ai qëndroi si kandidat presidencial në zgjedhjet e para multi-partiake në ish-Jugosllavi dhe mori rreth 90,000 vota – shumë pak për të fituar. Por kjo nuk e pengoi atë nga qëllimi i tij për t’u bërë një figurë e rëndësishme në jetën politike serbe.

Ai themeloi një grup të ri të ekstremit të djathtë, Partinë Radikale Serbe, në vitin 1991. Në të njëjtin vit ai u bë deputet në Asamblenë Kombëtare të Serbisë.

Shefi i fushës së luftës

Gjatë luftërave, Shesheli u bë i njohur për përdorimin e retorikës së tij ekstreme për të mobilizuar serbët. Foto: Facebook/Vojisllav Sheshel.

Gjatë luftërave, Shesheli u bë i njohur për përdorimin e retorikës së tij ekstreme për të mobilizuar serbët. Foto: Facebook/Vojisllav Sheshel.

Më pas Jugosllavia filloi të shpërbëhej, pasi konflikte të armatosura u përhapën nga Sllovenia në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Shesheli kapi momentin dhe krijoi një njësi vullnetare paraushtarake, të njohur me nofkën “Sheshelvci”, që do të thotë “Burrat e Sheshelit”, e cila së bashku me njësitë e tjera të armatosura, u përfshi në konfliktet në palën serbe.

Karakteri i njësisë së tij mbetet i diskutueshëm, pasi Shesheli pretendon se pati mbështetje – trajnim, armë dhe para – nga shteti serb, ndërsa Sllobodan Millosheviçi dhe bashkëpunëtorët e tij, si në ushtri dhe në aparatin shtetëror, mohuan të kenë pasur ndonjë lidhje me veprimet e paraushtarakëve të tij.

Megjithatë, gjyqi i Sheshelit në Hagë tregoi se njësia e tij, së bashku me forca të tjera serbe, pushtuan qytete dhe fshatra të shumta në të gjithë Kroacinë lindore dhe Bosnjë e Hercegovinë, duke vrarë, plaçkitur dhe torturuar civilë jo-serbë.

Gjatë luftërave, Shesheli u bë i njohur për retorikën e tij ekstreme, të cilën ai e përdori për të mobilizuar serbët në rajon.

Ai haptazi mbrojti idenë e krijimit të disa zonave mono-etnike nëpërmjet shkëmbimeve dhe dëbimeve – ajo që është referuar si “spastrim etnik” – dhe kërkoi dëbimin në masë të kroatëve, të cilët ai i quajti “ustashë”, një referencë për regjimin pro-nazist të Luftës së Dytë Botërore në Kroaci.

Gjatë një vizite në vitin 1991 në qytetin lindor kroat të Vukovarit, i cili ishte nën rrethimin e forcave të Beogradit, ai njoftoi luftëtarët e tij dhe mediat se “asnjë ustash” do të lejohej të largohej i gjallë nga qyteti.

Megjithatë, përpjekjet e tij për të dëbuar jo-serbët nuk mbetën vetëm në Kroaci.

Në një fjalim në qytetin e Apatin në provincën veriore serbe të Vojvodinës në vitin 1992, ai tha se të gjithë kroatët e mbetur duhet të dëboheshin gjithashtu nga Serbia.

“Ne nuk do të vrasim asnjë, thjesht do t’i hipim nëpër autobusë dhe do t’i çojmë në kufirin kroat,” tha ai.

Ideologu politik

Gjatë viteve 1990, ai përkrahu idenë e një “Serbie të madhe”. Foto: Facebook/Vojisllav Shesheli

Gjatë viteve 1990, ai përkrahu idenë e një “Serbie të madhe”. Foto: Facebook/Vojisllav Shesheli

Në të njëjtën periudhë ai hodhi idenë e “Serbisë së madhe”. Sipas Sheshelit, parimi ishte: “Aty ku ka varre serbe, duhet të jetë tokë serbe”.

“Serbia e madhe” e Sheshelit përfshinte të gjithë Serbinë dhe Kosovën e sotme, plus Maqedoninë, Bosnjën dhe Malin e Zi, si dhe shumicën e Kroacisë.

Ideja e bashkimit të serbëve në një shtet e udhëhoqi atë dhe ushtarët e tij gjatë të gjithë periudhës së konfliktit dhe, sipas aktakuzës së Gjykatës së Hagës, ai ishte përgjegjës për dëbimin e dhjetëra mijëra jo-serbëve dhe vrasjen e të paktën 905 boshnjakëve dhe kroatët.

Shesheli i ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij: “Ata nuk kanë prova që kam marrë pjesë, kam nxitur, fshehur apo urdhëruar kryerje krimesh lufte,” tha ai.

Ndërsa “Sheshelvcit” ishin në fushën e betejës, lideri i tyre bashkëpunoi ngushtë në arenën politike me liderin e ardhshëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviçin, dhe me presidentin serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç.

Shesheli pati një marrëdhënie të fortë me Millosheviçin dhe Karaxhiçin, duke kritikuar dhe u kritikuar nga të dy ata, por në fund të viteve 1990 ai u bë pjesë e qeverisë serbe.

Në vitin 1998, partia e tij formoi një koalicion në Serbi me Partinë Socialiste në pushtet të Millosheviçit – trashëgimtarët e Lidhjes se vjetër Serbe Komuniste – dhe partinë e gruas së Millosheviçit, Mirjana Markoviç, E majta e Bashkuar Jugosllave.

Në bazë të marrëveshjes me Millosheviçin, Shesheli u bë zv/presidenti i qeverisë serbe.

Sipas disa analistëve, Shesheli mori pjesë në mënyrë aktive në krijimin e politikës së Millosheviçit “Operacioni Patkoi” në Kosovë, qëllimi i të cilës ishte dëbimi i shqiptarëve etnikë nga ajo që në atë kohë ishte provinca e saj jugore. Megjithatë, Shesheli e mohoi këtë.

Në vitin 1999, NATO filloi një fushatë sulmesh ajrore për të detyruar forcat serbe të tërhiqeshin nga Kosova. Një muaj para se të fillonin bombardimet, Shesheli tha në një tubim të partisë se shqiptarët e Kosovës do të vuanin më shumë nga veprimet e NATO-s.

“Nëse NATO-ja vendos të na bombardojë, nëse Amerika vendos të vazhdojë me këtë agresion, serbët do të vuajnë, por në Kosovë nuk do të ketë më shqiptarë,” tha ai.

I akuzuari për krime lufte

 Shesheli gjatë një tubimi pas lirimit të tij nga Haga. Foto: BETA.

Shesheli gjatë një tubimi pas lirimit të tij nga Haga. Foto: BETA.

Pasi revolucioni i tetorit 2000 rrëzoi regjimin e Millosheviçit, Shesheli dhe partia e tij kaluan në opozitë, por mundën të siguronin vetëm disa vende në parlament.

Tre vjet më vonë, Gjykata e Hagës ngriti akuza kundër Sheshelit, duke e akuzuar atë për persekutim me baza politike, racore dhe fetare, dëbime dhe akte të tjera çnjerëzore, si dhe shkeljen e ligjeve të luftës gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi nga viti 1991 deri në vitin 1993.

Ai u dorëzua vullnetarisht po atë vit, por gjyqi i tij nuk filloi deri në vitin 2007, pas një sërë vonesash dhe pengesash, përfshirë edhe një grevë urie.

Para se të dorëzohej, ai mbajti një fjalim sfidues duke këmbëngulur se do të pastronte emrin e tij: “Me akuzat e tyre idiote kundër meje, ata kanë dalë kundër mendjes më të madhe juridike serbe që jeton ende. Do t’i shkatërroj!”, tha ai.

Libri i gazetarit Julian Borger, “Gjyqi i Kasapit”, i cili flet mbi gjuetinë e të arratisurve të luftës jugosllave, kujton edhe dorëzimin plot vetëbesim të Sheshelit: “Një ditë në shkurt të vitit 2003, ai u paraqit në avanpostën e ICTY-së në Beograd me valixhen e tij në dorë, duke pyetur se kush do ta paguante biletën e tij për në Hagë.”

Gjatë gjyqit të tij, Shesheli është mbrojtur vetë, duke refuzuar ndihmë ligjore nga gjykata e OKB-së dhe duke tallur ofertën e gjykatës për t’i ofruar atij një avokat mbrojtës.

“Ma sollët sa për sy e faqe këtë njeri me një fole zogjsh në kokë si avokatin tim mbrojtës. Ai nuk do të jetë kurrë avokati im mbrojtës. Sollët këtu aktorë që të hiqen si avokatët e mi mbrojtës, por ata nuk do të jenë kurrë avokatët e mi mbrojtës. Ata janë spiunët tuaj,” tha ai në gjykatë.

Ai ka refuzuar të pranojë se ka marrë pjesë në ndonjë krim për të cilin ICTY-ja e ka akuzuar, por nuk është tërhequr pas nga idetë e tij politike.

“Po gjykohem për krime të tmerrshme lufte që thuhet se i kam kryer nëpërmjet gjuhës time të urrejtjes ndërsa predikoja ideologjinë time nacionaliste, për të cilën jam krenar,” tha Shesheli gjatë një paraqitje në Gjykatën e Hagës.

Prokuroria ka kërkuar 28 vjet burg, duke thënë se është vërtetuar që ai ka kryer krime lufte dhe se nuk ka treguar pendim.

Gjatë gjyqit të tij, Shesheli është dënuar gjithashtu për shpërfillje të gjykatës pasi ai zbuluar identitetin e një dëshmitari të mbrojtur.

Ndërsa çështja vazhdonte, ai shpesh e akuzoi Gjykatën se ka shkelur të drejtat e tij gjatë mbajtjes së tij në paraburgim dhe madje paraqiti edhe një mocion duke kërkuar dy milionë euro dëmshpërblim.

Ai ka shkruar më shumë se 15 libra gjatë mbajtjes së tij në paraburgim, në të cilët ai është shprehur se gjykata po përpiqet ta vrasë dhe se ajo është e njëanshme kundër serbëve.

Pacienti i pa penduar

Shesheli duke organizuar tubime në të gjithë vendin ndërsa partia e tij bën fushatë elektorale që të kthehet në parlament. Foto: BETA.

Shesheli duke organizuar tubime në të gjithë vendin ndërsa partia e tij bën fushatë elektorale që të kthehet në parlament. Foto: BETA.

Vendimi në gjyqin e tij maratonë u zgjat përsëri në vitin 2013, kur ai kërkoi që njëri nga gjyqtarët e tij të  largohej nga çështja me dyshimin se mund të ishte i njënashëm.

Megjithatë, ndërsa afronte marrja e vendimit, ai u diagnostikua me kancer dhe pas disa kërkesave të bëra në gjykatë, ai u lejua të kthehej në Beograd në nëntor 2014.

Që atëherë ai është bërë përsëri një figurë e përhershme në jetën politike në Serbi – duke organizuar tubime, mbajtur fjalime dhe duke dhënë intervista me retorikën e ashpër të viteve 1990 që kanë ofenduar viktimat e luftës.

Disa nga ish-anëtarët e partisë së  tij tani janë në pushtet – presidenti Tomislav Nikoliç dhe kryeministri Aleksandër Vuçiç ishin të dy aleatë të ngushtë para se të largoheshin nga Partia Radikale Serbe. Shesheli i ka quajtur ata të dy tradhtar se u larguan për të ngritur Partinë Progresive Serbe dhe se hoqën dorë nga filozofia e tij nacionaliste për retorikën pro-europiane.

Por edhe pse deklaratat e tij nxitëse ende tërheqin vëmendjen e medias, ylli i tij politik është zbehur.

Në vitin 1992, partia e tij fitoi 101 nga 250 vende në parlament, duke e bërë atë të dytën më të madhe pas partisë së Millosheviçit: në zgjedhjet e fundit në Serbi në vitin 2012, partia e tij nuk arriti të siguronte as edhe një deputet të vetëm.

Sondazhi më i fundit nga agjencia “Faktor Plus” sugjeroi se radikalët e tij tani preferohen nga 6.1 për qind e votuesve të Serbisë, mjaftueshëm që ai të marrë pjesë në votimet e prillit, por shumë larg mbështetjes që ai kishte gjatë viteve të luftës.

Por ai ka ende pushtet për të shkaktuar skandale. Gjykata e Hagës i kërkoi atij të rikthehej në paraburgim vitin e kaluar, por Serbia refuzoi ta kthente atë, duke pretenduar se kjo do të vinte në rrezik gjendjen e tij shëndetësore, ndërsa Shesheli e sfidoi qeverinë e Beogradit ta kthente atë në Hagë me dhunë.

Përfundimisht, në atë që Shesheli e quajti një triumf personal, Gjykata u tërhoq nga kërkesa e saj dhe u shpreh se ai mund të rrijë në Serbi dhe ta ndjekë vendimin e tij më 31 mars nëpërmjet një lidhjeje me video, nëse dëshironte.

Shesheli e përdori këtë si një tjetër mundësi për të tallur gjykatën që ai e përçmon.

“Nuk kam ndërmend ta ndjek vendimin,” tha ai, duke këmbëngulur se ka gjëra më të rëndësishme për të bërë – të organizojë fushata në të gjithë vendin që partia e tij të kthehet në parlament muajin e ardhshëm./BIRN

March 29, 2016 12:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*