Shfaqje teatrale në Kamëz?! Shqipëria po ndryshon!

February 1, 2014 11:11

Shfaqje teatrale në Kamëz?! Shqipëria po ndryshon!

Eshtë një lajm vërtet ngazëllyes, por që është mbytur nga zhurmnaja e gjetjeve të “fijeve ndezëse” të tritoljadës shqiptare në vite, e sidomos javëve të fundit: në Kamëz, është shfaqur një komedi, ku sipas Kiço Londos, i cili drejton një kompani teatrore të quajtur ‘Teatri Shëtitës’, në sallë ishin prezent rreth 400 adoleshentë kamziotë, që nuk kishin parë kurrë teatër. Ja pra që paska një tjetër Kamëz, në përpjekje për të rigjetur një tjetër Shqipëri, ku nuk luhen skena bajate të politikës rurale; ku nuk luajnë vetëm të “fortët’ duke diktuar ligjin e tyre të xhunglës, ku e përditshmja dhe e përnatshmja, nuk dominohen nga vatra të nxehta jete, ku injoranca, harbutllëku, parazitizmi e mizerja, kanë qelbur çdo gjë; e kanë zhveshur realitetin nga çdo sens normaliteti për ta shkrirë me barbaren. Mungesa e jetës kulturore e sportive në çdo cep të Shqipërisë, në terma argëtimi dhe edukimi, është një prej shkaqeve të degradimit të jetës shoqërore, ku tallavaja bën kërdinë, duke shpërfytyruar sidomos brezin e ri. Në një qytet-provincë të Shqipërisë, kam hasur një pllakat mermeri ku shkruhej se aty, afro 100 vjet më parë, djelmëria e qytetit kishte vënë në skenë pjesën teatrale “Dashuri e Mëmëdheut”, duke qenë pra kjo një ngjarje monumentale; ndërsa sot, pas 100 vjetësh, pasardhësit e asaj “djelmërie” po në atë qytet, të pllakosur nga një injorancë e skajshme, qelben era hashash, duhan e alkol; dhe si vizion maksimalist jete kanë një xhiro me X5 nga Gjimnazi, në një rrekje bajate e të dëshpëruar për t`u afirmuar si qenie, nëpërmjet shfaqjeve të babëzisë për seks, që më pas “pasurohen” me detaje që çojnë në përdorim thikash. Po, në Kamëz është luajtur teatër! Duket e pabesueshme, po aq sa Shqipëria mund të ndryshojë.

P.S. Do ishte shumë interesante që në Opinion t`i kushtohej një debat këtij fakti, për të ditur se ç`mendojnë për këtë ndodhi dyshja e “patinatorëve” të pyetsorit politik Hoxha-Rakipllari! /E.H

February 1, 2014 11:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*