Shifrat e larta/ Bankat nxjerrin paratë jashtë, ja ku shkon kredia

September 30, 2017 20:56

Shifrat e larta/ Bankat nxjerrin paratë jashtë, ja ku shkon kredia

Bankat private vijojnë të kreditojnë në nivele më të larta biznesin, i cili vepron jashtë vendit se sa atë vendas. Në 6 mujorin e parë të vitit, kredia për bizneset vendase ka shënuar tkurrje, ndërsa për bizneset jorezidente është rritur.

Kredia, e cila ka dalë jashtë vendit është në vlerën e 59 miliardë lekëve, duke rritur peshën e saj në portofolin e totalit të kredisë. Kjo shumë përbën 11,6 për qind të totalit të kredive, por kjo është e përqendruar në disa banka. Në Kosovë është shpërndarë 50 për qind e kredisë, që bankat e nivelit të dytë kanë nxjerrë jashtë vendit.

Të dhënat u bënë publike nga Banka e Shqipërisë, në takimin me gazetarët për prezantimin e raportit të stabilitetit financiar për 6-mujorin e parë të vitit. Banka e Shqipërisë pohon ekzistencën e fenomenit të rritjes së kredimit për bizneset jorezidente, por sipas saj, nuk mund të konsiderohet me risk të lartë.

Por nga ana e Bankës së Shqipërisë, janë marrë masa për kufizimin nivelit të kredive që del jashtë, për shkak të riskut dhe mungesës së kontrollit, sidomos kur flitet për kreditë e jorezidentëve jo në Kosovë, pasi kredia në Kosovë monitorohet dhe trajtohet sikur të ishte brenda vendit. Kufizimi që bën Banka e Shqipërisë është te zbritja e kapitalit rregullator, në rast se tejkalohet kufiri, dhe nuk konsiston në peshën e koeficientit të rrezikut.

Arsyeja e rritjes së kredisë që del jashtë vendit janë normat më të larta të interesit që ka kjo kredi kur jepet jashtë vendit. Banka e Shqipërisë shpjegoi se kredia e dhënë është kryer sipas kushteve të vendit ku është dhënë kredia, ku normat e interesit për biznesin janë më të larta, si në rastet e Kosovës.

Kredia është shpërndarë edhe për kompani të vendeve të origjinës së bankave, por që punojnë në vende të tjera si Afrika, Anglia apo Gjermania. Por Banka e Shqipërisë vlerëson se fenomenit i duhet dhënë peshë brenda një kuadri të caktuar, pasi kur vendi kishte rritje më të shpejtë ekonomike gjatë periudhës 2003-2007, bankat që operonin në vend, kishin flukse më të larta hyrëse nga bankat mëmë, ku kredia e shpërndarë zinte dyfishin e depozitave.

Në rast se flitet për një treg të hapur, në rast se një vend ka rritje më të ulët se rajoni, daljet e flukseve, sipas Bankës së Shqipërisë, janë më të larta. Raporti i Bankës së Shqipërisë vlerëson se kredia për biznesin vendas u tkurr me 3 për qind, si në termat e 6 mujorit, ashtu dhe në terma vjetorë. Në të kundërt, teprica e kredisë për bizneset jorezidente u zgjerua me 15.5 për qind ndaj një viti më parë dhe rreth 2.1 për qind gjatë periudhës për 6 muajt e 2017.

September 30, 2017 20:56
Komento

1 Koment

  1. Dn October 1, 10:50

    Dmth kurzimet e shqiptare nuk i sherbejne shqiptareve.
    Pra na duhet nje bank qe me ligj te kete kushte investimet ne Shqiperi

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*