Shifrat/ Sa ju kushton sjellja në jetë e një fëmije në Shqipëri

May 22, 2016 15:15

Shifrat/ Sa ju kushton sjellja në jetë e një fëmije në Shqipëri

Në mes të kostove spitalore, produkteve të përkujdesit për nënën dhe më pas për beben, ushqimit dhe mjeteve të nevojshme, një fëmijë është padyshim një kosto shtesë për çdo familje…

Po sa kushton sjellja në jetë e një fëmije në Shqipëri? Vlerësohet mbi 100 mijë lekë totali i shpenzimeve…

Është një vendim i rëndësishëm në jetë, që padyshim ka dhe një fature nga pas.

Për të llogaritur koston e sjelljes në jetë të një fëmije duhet të kemi parasysh se kemi të bëjmë me shpenzime të ndryshme, të cilat mund të grupohen në: kosto e paralindjes, kosto spitalore, kosto e mjeteve të nevojshme, si për nënën dhe për beben, të llogaritur deri në përgatitjet e fundit në momentin që fëmija vjen në jetë. Prindër: përgatituni, një rrugë ende më e gjatë vjen pas kësaj dite…

Kosto e paralindjes

Gjatë shtatzënisë deri në momentin e sjelljes në jetë të një fëmije vlerësohet të harxhohen shuma të konsiderueshme.

Kostoja e parë që numërohet për “hir të një fëmije” është testi i kontrollit shëndetësor, çmimi i të cilit varion nga 150-700 lekë në varësi të markës, në farmaci të ndryshme në vend. Më pas ajo që i shtohet shportës është takimi i parë me mjekun gjinekolog/obstetër dhe në vijim ndjekja e 9 muajve të shtatzënisë në një klinikë të caktuar, spital apo në konsultore, por që diferenca qëndron në çmimin që paguan për vizitë.

Në rastin e vizitave në Qendrën e Gruas apo ndryshe konsultoret e lagjes, çmimi i një të tille mbulohet nga sigurimet shoqërore e shëndetësore në rast se nëna është në marrëdhënie pune. Në të kundërt, vizitat kushtojnë mesatarisht 1000 lekë.

Në klinikat private, kostoja e një vizite (edhe eko) shkon mesatarisht 2500 lekë, ndërsa në spitalet private deri në 3500 lekë. Por, në vizita të tilla nuk përfshihen kostot e analizave apo e vizitave të avancuara që kanë kosto të tjera.

Gjatë shtatzënisë është e rekomandueshme nga mjekët që nëna të bëjë të paktën pesë vizita (një pjesë e të cilave analiza) dhe të paktën 5 eko (për 9 muaj). Ndërsa ekzaminimet e tjera përfshijnë: analizat e tremujorit të parë të shtatzënisë, që konsiderohen me peshë të rëndësishme për treguesit kryesorë të shëndetit dhe që në spitalet private kushtojnë nga 25 – 30 mijë lekë.

Analiza rutinë gjatë tremujorëve të tjerë që kushtojnë rreth 5000 lekë në spitalet private (gjak, urinë, teste për streptokok, INR, ECG, APTT), ndërsa në laboratorët privatë pranë Spitaleve Shtetërore shkojnë rreth 2500 lekë.

B-test (analiza e sindromave të mundshme të foshnjës), një tjetër analizë që kryhet në shtatzëni, por që nuk është e detyrueshme, në klinika private kushtojnë 5000 lekë, ndërsa në spitalet private 12 mijë lekë, analiza e glicemisë mesatarisht 4000 lekë në të dyja këto dhe Eko-ja morfologjike, një vizitë e hollësishme e zhvillimit të organeve të foshnjës që kushton 5000 lekë.

Një tjetër kontroll i rekomandueshëm gjatë shtatzënisë është ai dentar, që në klinika private kushton mesatarisht 1500 lekë, kontroll rutinë, pastrim etj. (në raste që s’ka ndërlikime).

Nga vëzhgimet në disa familje që kanë mirëpritur anëtarin e ri në shtëpinë e tyre në harkun kohor të 3 viteve të fundit, tregojnë se me qëllimin për të pasur një cilësi sa më të mirë të analizave dhe vizitave, shumica preferojnë klinikat private, në krahasim me ato shtetëroret.

Ato madje shtojnë se në vizitat në qendrat shtetërore, shumica e analizave nuk kryhen. Rastet e mungesës së mbështetjes financiare detyrojnë shumë femra që të vizitojnë gjatë gjithë periudhës Qendrën e Gruas, që edhe në rastin e mungesës së sigurimeve shëndetësore për nënën, kostoja është dukshëm më e ulët.

Si total i përllogaritur në klinikat private apo spitale, kostoja e analizave, vizitave e ekove shkon mesatarisht 40-45 mijë lekë. Në rastin e vizitave në qendrën shtetërore, kostoja qëndron vetëm në analiza që kryhen në laboratorë jashtë qendrës dhe që nuk e kalon shifrën e 15 mijë lekëve në total. (Nuk përllogariten metodat e fertilizimit in-vitro për çiftet që hasin vështirësi për të pasur një fëmijë, kostoja e tyre në Shqipëri shkon deri në 2500-3000 euro.)

Nëna duhet të marrë edhe ilaçet e nevojshme që mundësojnë një zhvillim më të mirë të fëmijës, të cilat janë: acid folik që kushton mesatarisht 350 lekë (3 muajt e parë), vitaminat prenatal që kushtojnë mesatarisht 2000 lekë (nevojiten për 6 muajt pasues dhe në periudhën e gjidhënies), me rekomandim omega që kushtojnë mesatarisht 1100 lekë apo hekur/kalcium, 20 tableta rreth 1000 lekë.

Nga ana tjetër, në një fazë të dytë, një grua shtatzënë fillon t’i kushtojë shumë më tepër rëndësi mbarëvajtjes së shëndetit të saj. Mjekët këshillojnë të konsumohen më tepër fruta e perime të freskëta, bulmetra, mish, peshk e më pak brumëra e ëmbëlsira. Ndaj çdo femre i duhet të ndryshojë dietën në favor të ushqimeve më të bollshme, më të shëndetshme, shpesh për rrjedhojë edhe më të kushtueshme.

Pas muajit të katërt të shtatzënisë fillojnë edhe shpenzimet për veshjet e nënës, ndonëse një pjesë e madhe e tyre preferojnë që të mos shpenzojnë shumë.

Megjithatë, në rastet kur shndërrohet në një domosdoshmëri për shkak të ndryshimeve radikale në peshë, të gjithë femrat drejtohen drejt dyqaneve.

Veshjet rekomandohen të merren të lirshme, me format trupore tashmë të ndryshuara, që të mos dëmtojnë shëndetin e nënës dhe fëmijës. Vitet e fundit në Shqipëri ka sektorë të caktuar të veshjeve të tilla, që duke qenë “sezonal” sikurse përcaktohen edhe nga përfaqësuesit e shitjeve, ka kosto më të larta se sa veshjet normale.

Sipas vëzhgimeve në tre dyqane të tilla, dy marka turke të njohura dhe një italiane (De Facto, LC Ëaikiki, Mothercare) një fustan dimëror kushton mesatarisht 3000 lekë, një fustan veror rreth 2500 lekë, pantallonat nga 2000-4000 lekë, streçet 1000-1500 lekë, pizhama rreth 3000 lekë, kosto më të larta kanë veshjet dimërore si pallto, xhaketa, etj.

Duke marrë minimumin e kërkesave për ndërrim gardërobe, një femre i duhen të paktën 20 mijë lekëshpenzim për periudhën e dimrit dhe 10 mijë lekë shpenzim në veshje për periudhën e verës.

Kosto spitalore të lindjes

Për lindjet në spitalet shtetërore në Shqipëri, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor teorikisht mbulon kostot, në rast se nëna ka sigurime shëndetësore prej 11 muajve deri në datën e përfitimit të paralindjes, sipas ligjit nr. 104, të vitit 2014.

Ajo çfarë ndodh praktikisht është një skemë e njohur për të gjithë. Doktori që ndjek lindjen merr 10 mijë lekë për lindje natyrale dhe shifrat e lindjes çezariane shkojnë deri në 50 mijë lekë, pavarësisht se nëna mund të jetë e siguruar. Shpenzimet e tjera në ditën e lindjes “shpërndahen” për mamitë, infermieret, pediatret etj.

Kostoja e shtrimit që shkon nga 2 deri në 5 ditë është pjesë e përfshirë e kësaj skeme. Për vizitorët gjatë këtyre ditëve, në oraret që nuk lejohet, gjithmonë do të ketë njerëz që me 200-500 lekë do kryejë funksionin e check-in dhe check-out.

Ndërsa spitalet private në vendin tonë operojnë me paketat e ndjekjes së periudhës së paralindjes dhe lindjes, kostoja e të cilave shkon 1000-1300 euro në varësi të spitalit.

Ndërsa vetëm lindja, në spitalet private, kushton 600-800 euro dhe kjo shumë nuk parashikon ndërlikimet që mund të vijnë nga lindjet çezariane.

Aty ku nëna zgjedh të kryejë procesin e lindjes, kostoja që paguan bën edhe diferencën e trajtimit. Në rastin e spitaleve shtetërore, kjo kosto shkon minimalisht 300 mijë lekë (në të dyja rastet e lindjes) dhe në ato private rreth 700 euro mesatarisht vetëm lindja (përjashtim bën kur nëna është ndjekur që në fillim të shtatzënisë me paketat e plota 1000-1300 euro që lindja përfshihet).

Kostot e produkteve për fëmijën

Fëmija e porsalindur ka nevojë për një ambient të rehatshëm dhe për shumë pajisje, të cilat kushtojnë shumë. Diferenca e shpenzimeve për të nis që nga zgjedhja e krijimit të një dhome të posaçme për të, për rrjedhojë: krevat, dollap, perde, tapet, komodinë, pajisje larjeje.

Po të marrim në konsideratë kostot e secilës prej tyre, mesatarisht (blerje në dyqane firme apo në treg pakice ndryshon), një dhomë e arreduar për fëmijën kushton rreth 50-70 mijë lekë.

Megjithatë, shumica e prindërve shqiptarë zgjedhin që të blejnë krevatin që e inkorporojnë si pjesë e dhomës së tyre, me një kosto mesatare 20 mijë lekë. Pajisjet e larjes për fëmijën shkojnë deri në 3000 lekë.

Një kosto shumë e lartë për prindërit janë edhe karroca dhe koshi i bebes, të cilat në tregjet e pakicës në kryeqytet dhe në Durrës kushtojnë mesatarisht 30-40 mijë lekë, ndërsa po të hedhim një vështrim nga firmat e njohura të fëmijëve si PegPerego, Lorelli, Chicco, Prenatal, Carter’setj, çmimet variojnë nga 50 mijë deri në 200 mijë lekë (përfshijnë shpeshherë edhe pajisjen e vendosjes së fëmijës në makinë).

Rrobat janë një tjetër temë delikate e kostove të shtuara, duke qenë se janë artikuj të domosdoshëm dhe që shpeshherë, tejkalohen në blerje, sidomos për prindër të rinj. Nga familjet që revista ‘Monitor’ ka kontaktuar, jo të gjithë kanë shpenzuar për këto artikuj, duke qenë se ka ekzistuar mundësia e dhurimit nga të afërm ose për familjet në nevojë, donacione nga shoqata të ndryshme. Pjesa tjetër vlerëson se kostoja e veshjeve paraprake për fëmijët 0-3 muajsh (pa përmendur në detaje çdo veshje) arrin deri në30 mijë lekë.

Por, domosdoshmëri për fëmijën e sapolindur është edhe kozmetika që përdoret për to, e cila këshillohet dhe rekomandohet që në fillimin e shtatzënisë së nënës. Ajo përfshin: krem për bebe, krem për skuqje, krem fytyre, krem për duart, vaj për trupin, shampo për kokën dhe trupin, pudër, sapun, krem kundër diellit, letra të lagura për bebe, çmimi i të cilave ka diferencë të madhe sipas markave.

Nis me rreth 3500 lekë me emra jo shumë të dëgjuar e marketuar, e deri në 10 mijë lekë me produktet e Mustela, Chicco etj. Shportës paraprake të bebit i shtojmë edhe biberonët me kosto mesatare (një set me 3 copë) 1000 lekë. Kosto padyshim e mjeteve të fëmijëve, që blihet paraprakisht, janë edhe pelenat, që kushtojnë mesatarisht 2000 lekë/60 copë./Monitor

May 22, 2016 15:15
Komento

1 Koment

  1. kaenavalet e korces May 23, 00:38

    jeta eshte llogari olimbi,
    dhe nikollaqi nuk e martoji vajzen
    ku vemi
    o shendetesi falas
    riprodhimi i familjes eshte ekzistenca e nje kombi
    po tenderat e beqos,nuk mendojne kane per vete

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*