Shijak, i shpëton atentatit objektivi, vdes shoku

Evelina Hoxha August 27, 2013 22:37

Shijak, i shpëton atentatit objektivi, vdes  shoku

Një person është ekzekutuar me  automatik dhe pistoletë , ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e një atentati të ndodhur mbrëmjen e së hënës në qytetin e Shijakut. Ngjarja e rëndë është regjistruar në qendër të qytetit, përpara godinës së Albtelekomit. Viktimë e atentatit ka mbetur Elvin Kërtalli, 37 vjeç, banor i qytetit, ndërsa është plagosur shoku i tij Dorian Zotaj, lindur në Shijak e banues në Tiranë. Sipas policisë e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, Kërtalli, nën shoqërinë e të vëllait dhe shokut të tij Dorian Zotaj, sapo kishin dalë nga një  pikë “Euroloto”, dhe gjatë kohës që po lëviznin në këmbë për të shkuar pranë automjeteve janë qëlluar me një breshëri armësh zjarri, nga tre persona të cilët po lëviznin me një automjet tip “Audi” pa traga, duke lënë një të vdekur dhe një të plagosur. Menjëherë pas atentatit, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, në drejtim të paditur, ndërsa të dëmtuarit janë transportuar drejt spitalit rajonal të Durrësit nga kalimtarë të rastit. Elvin Kërtalli, 37 vjeç, babai i tre fëmijëve mësohet të ketë ndërruar jetë rrugës për në spital, ndërsa personi që ka mbetur i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve. Fatmirësisht si pasojë e atentatit nuk ka pësuar lëndime vëllai i viktimës, i cili ndodhej vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes, duke shpëtuar mrekullisht. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë së Shijakut e Durrësit, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nga dëshmitarë në vendngjarje,policia ka mësuar se autorët lëviznin me një automjet tip “Audi” pa targa e me xhama të errët, të cilët edhe më herët ishin parë nga banorë të zonës, duke lëvizur me shpejtësi në qytet. Pasi ka mbledhur dëshmi të shumta në vendngjarje, grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e vrasjes në Shijak, bën me dije se objekt i sulmit ka qenë Dorian Zotaj (Beqiri), 32 vjec, ndërsa viktima dyshohet që të jetë kapur aksidentalisht nga breshëria e armëve të zjarrit.  Personi i mbetur i plagosur, sipas policisë rezulton me dy identitete, ku mësohet se ka ndërruar mbiemrin nga Dorjan Zotaj, në Beqiri, pa precedent të mëparshme penale në Shqipëri, ndërsa viktima nuk njihej si person problematik.
Non Grata
37-vjeçari babai i tre fëmijëve, më herët emigrantë në Itali, nuk njihej si person problematik nga drejtësia shqiptare, por as nga banorët e qytetit ku jetonte. Sipas bashkëqytetarëve të tij, ai ishte kthyer nga Italia prej më shumë se 10 vitesh  dhe që prej asaj kohe nuk ishte larguar, duke ndërtuar jetën e tij në qytetin e lindjes. Por, nga ana tjetër policia bën me dije se Elvin Kërtalli, ishte i padëshiruar në shtetet evropiane, që prej kthimit të tij nga emigrimi. Ai nuk kishte një pune fikse, por merrej me aktivitet të ndryshme, me qëllim mundësimin e një jetese sa më të mirë familjarëve të tij.
Dëshmia
Policia e Durrësit ka mundur të zbardhë ngjarjen dhe të bie në gjurmët e autorëve, vetëm pas dëshmisë së dhënë nga vetë i dëmtuari. Sipas policisë Dorian Zotaj, ka pranuar se ka pasur konflikte me persona të tjerë, por pa dhënë shumë detaje mbi motivin. Ka qenë dëshmia e të riut, e cila ka orientuar dhe hetimet e uniformave blu e prokurorisë së rrethit Durrës. “Ndodhesha në një lokal “Euroloto” dhe në momentin që dolëm në rrugë për të hipur në automjet, dëgjuam të shtëna armësh që vinin drejt nesh. Autorët po lëviznin me një automjet tip “Audi”, nuk arrita të identifikoj fytyrat pasi ishte shumë errësirë dhe makina ishte me xhama të errët. Pas, kësaj rashë në tokë, nuk e di çfarë ka ndodhur më tej”, mësohet të ketë thënë për hetuesit Zotaj. Gjithashtu hetuesit e çështjes kanë marrë informacione konfidenciale mbi aktivitetin e të riut të mbetur të plagosur por edhe mbi autorët e mundshëm. I plagosuri Dorian Zotaj, mësohet të ketë jetuar në emigrim prej më shumë se 15 vitesh. Sipas policisë i riu me identitet të dyfishtë, nuk qëndronte në një shtet fiks, por ishte në lëvizje gjatë gjithë kohës, si Itali,Spanjë, Austri, Greqi, Turqi etj. Të njëjta burime policore konfirmojnë se 32-vjeçari kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri, por pa identifikuar pikën e kalimit të kufirit ku ka kaluar, pasi nuk rezulton deri më tani i regjistruar në sistemin TIMS.

Hetimet
Policia e  Durrësit në bashkëpunim me prokurorinë e Rrethit po heton në disa pista, ku parësore mbetet ajo e atentatit për larje hesapesh. Sipas policisë dyshohet që Dorian Zotaj të jetë i përfshirë në një rrjet trafikimi ndërkombëtar të lëndëve narkotike si dhe shfrytëzim të qenieve njerëzore për prostitucion,  dhe se konflikti me persona të ndryshëm të ketë nisur gjatë kohës që jetonte në Spanjë e Itali. Ndërkohë, policia bën me dije se tre autorët e dyshuar të atentatit nuk janë banorë të qytetit të Durrësit apo Shijakut, por të ardhur nga kryeqyteti apo jashtë tij.  Sipas policisë në vendin e ngjarjes janë sekuestruar e administruar në cilësinë e provës materiale,  25 gëzhoja armë zjarri, të qitura nga tre armë të ndryshme si pistoletë e automatik, duke hedhur dyshimet për një atentat të mirë menduar dhe një konflikt të çastit.

Dëshmitarë
Edhe pse ngjarja ka ndodhur pak minuta para mesnatës, kanë qenë të shumtë personat që janë bërë dëshmitarë në vendin e ngjarjes, përfshirë dhe vëllanë e viktimës. Mbi 10 persona kanë dëshmuar në polici, se personat që kanë qëlluar me armë zjarri, janë parë të lëvizin edhe më herët në qytet. Makina pa targa,  me xhama të zinj, e cila lëvizte në qytet me shpejtësi që prej orës 21;30 minuta  sipas tyre ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve., por pa mundur të identifikojnë personat që ndodheshin brenda saj. Njëri prej dëshmitarëve në vendngjarje, i cili ka parë të gjithë skenën e krimit, ka pohuar se viktima po ecte pranë të plagosurit, në momentin e atentatit, ndërsa personi i tretë i cili rezulton vëllai i viktimës, ndodhej pak metra me larg. Gjatë kohës që është qëlluar ata kanë shpjeguar se vëllai i viktimës, është fshehur parapa motorit të tij, ndërsa dy të tjerët janë kapur në befasi duke rënë pre e atentatit.

Dyshimet
Sipas policisë së Durrësit ekziston një informacion mbi arrestimin nga agjentët e seksionit të krimit të huaj të Dorian Zotaj, në vitin 2000, ku autoritetet zvicerane gjyqësore kishte lëshuar një urdhër arresti  ndërkombëtar, nën akuzën e vrasjes.  Ndonëse një informacion i pakonfirmuar në rrugë zyrtare, policia bën me dije se në atë vit Zotaj është akuzuar për vrasjen e Krenar Murtisi, 20 vjeç, në vitin 1999, por që më pas është lënë i lirë për mungesë provash. Ndalimi i Zotajt, në vitin 2000, u bë në Torino, ndërsa ishte nën shoqërinë e tre bashkatdhetarëve të cilët u arrestuan me akuzat për bashkëpunim kriminal.

Evelina Hoxha August 27, 2013 22:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*