Shijet e vjeshtës

Entela Resuli September 5, 2014 12:23

Shijet e vjeshtës

Çdo kohë ka ushqimet e veta, ndaj dhe ato sezonalet nuk duhen lënë pas dore. Vjeshta është gjithmonë e vështirë për t’u përballuar, së paku emocionalisht, pasi shpesh na kujton afrimin e dimrit të gjatë e të ftohtë. Por, kjo nuk vlen për çdokënd. E gjitha varet edhe nga mënyra në të cilën ne përballemi me të.

Andaj, që ta përballoni sa më lehtë këtë kalim, nga temperaturat e nxehta në kohë me shi, ne ju sugjerojmë disa rregulla që mund t’ju ndihmojnë për ta përjetuar më mirë ndryshimin gjatë këtij sezoni.

Mendoni pozitivisht, pasi vjeshta sjell edhe shumë gjëra të mira: Rrushin, gështenjat, shëtitjet e gjata, kërpudhat…

Me ndryshimin e stinëve, trupi ka nevojë për përshtatje, si fizike ashtu edhe psikike. Sidomos, nisur nga fakti se tashmë ditët janë më të shkurtra, dhe jo të gjitha aktivitetet fizike që i kemi kryer gjatë verës, mund t’i kryejmë edhe tani në orar të njëjtë.

Nuk duhen hequr nga opsioni edhe vitaminat, pasi është koha kur mund të na trokasin në derë edhe dhimbjet e fytit dhe skuqja e hundës. Por, për t’ua u bërë disi më të thjeshtë, kemi folur me një dietologe, e cila na ka bërë një guidë në ushqimet që duhet të konsumohen në këtë periudhë, dhe po ashtu ka dhënë sugjerimet e saj. Enkeleida Ferrollari, është në kulmin e punës këto kohë, me përgatitje dietash, njerëz që kujdesen për ushqimin e tyre, por edhe sugjerime për një ushqim më të mirë. Në një bisedë me “Ditën” ajo tregon se nuk ka asnjë ushqim që nuk duhet ta konsumojmë në mënyrë kategorike, qoftë në dimër qoftë në verë, pranverë apo vjeshtë, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me ndonjë patologji ku më ekstremet janë alergjitë. Kryesorja është të kontrollojmë yndyrat shtazore dhe kripën. Në këtë intervistë, Ferrollari na bën një shëtitje në shije dhe na rrëfen sekretet e vjeshtës në ushqim.

 

 

Enkeleda Ferrollari

Enkeleda Ferrollari

Enkeleida, a ndryshon mënyra jonë të ushqyerit me ndryshimin e stinëve?

Në çdo stinë duhet të orientohemi nga një mënyrë e shëndetshme të ushqyeri, që do të thotë: Vakte të rregullta dhe larmia. Ushqimi duhet të shkojë në harmoni me stinën, pra duhen konsumuar produkte të freskëta. Vendin kryesor në menynë tonë ditore duhet ta zënë frutat dhe zarzavatet duke konsumuar të paktën 5 racione në ditë dhe sa më shumë larmi të tyre të të gjitha ngjyrave, sepse janë të pasura me shumë vlera mikroushqyese, vitamina, kripëra minerale, elementë antioksidues. Çdo stinë ka frutat, zarzavatet dhe ngjyrat e veta. Nuk duhet të mungojë asnjëra prej tyre në tryezën tonë.

 

Ku duhet të kemi kujdes gjatë kësaj periudhe?

Duhet të jemi të kujdesshëm të kontrollojmë sasinë e kalorive që konsumojmë. Kontrolli i sasisë së kalorive bëhet qoftë duke kontrolluar sasinë e ushqimit, qoftë duke kontrolluar përbërjen. Duhet të konsumojmë vakte të rregullta pa kapërcyer asnjërin, as vaktet kryesore, as ato të ndërmjetme, por duhet edhe të kufizojmë konsumin e ushqimeve dhe të pjatave kalorike të ngarkuar me yndyrna dhe kripëra.

Cilat janë produktet që duhet të konsumojmë më tepër?

Përveç ujit, që është hidratues i drejtpërdrejtë i organizmit (duhet të konsumojmë të paktën 2 litra ujë në ditë), një pjesë e mirë e lëngjeve sigurohet edhe nga ushqimet. Frutat dhe zarzavatet kanë në përbërjen e tyre rreth 80 për qind ujë, çka i bën ato hidratues shumë të mirë. Por janë edhe shumë të pasura me elementë antioksidues. Zarzavatet me ngjyrë të fortë kanë sasira të konsiderueshme elementësh mikroushqyes në formën e antioksidantëve të cilat ndihmojnë në arraaaeliminimin e radikale të lira në organizëm duke e mbrojtur atë.

 

Qarkullon një thënie në rrjetet sociale, që të marrësh ushqim me vete është “trendy”. Sipas jush më mirë të hahet në restorant apo të merret ushqimi me vete?

Kjo varet nga ajo se çfarë përzgjedhim të porositim në restorant, por gjithsesi, restoranti na bën që të konsumojmë sasi të mëdha ushqimi, shpeshherë të ngarkuara me shumë kalori dhe yndyrna. Nëse do të bëhej fjalë për një vakt të përditshëm, një alternativë e shëndetshme do të ishte përgatitja në shtëpi dhe marrja me vete. Nuk duhet të mungojnë frutat. Por një vakt i marrë me vete në çantë duhet të jetë edhe një vakt që mund të transportohet lehtë. Një alternativë e shëndetshme mund të ishte një sallatë e bollshme me të gjitha zarzavatet dhe me gjoks pule të pjekur, me peshk ton, një sallatë orizi apo makaronash të ftohta. Një alternativë praktike mund të ishin edhe sanduiçet e përgatitura në shtëpi me zarzavate, pak proshutë pule ose krudo pa dhjamë të dukshëm, me djathë të bardhë, ose gjizë pa kripë.

 

Çfarë nuk duhet të konsumojmë në mënyrë kategorike?

Nuk ka asnjë ushqim që nuk duhet ta konsumojmë në mënyrë kategorike qoftë në dimër qoftë në verë apo vjeshtë apo pranverë, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me ndonjë patologji. Më ekstremet janë alergjitë. Duhet të kontrollojmë yndyrnat shtazore (dhjamin e dukshëm të mishit të kuq) dhe kripën.

 

Flasim gjithmonë për ushqimin, dhe pak për pijet, ku përveç ujit gjejmë edhe shumë lëngje frutash. Sa të rëndësishme janë ato?

Ajo që do të rekomandoj shumë fortë është uji si hidratuesi më i mirë dhe i shëndetshëm. Por mund të konsumojmë edhe nga një gotë lëngjesh frutash të freskëta gjithmonë duke kontrolluar sasinë dhe jo si zëvendësues ekskluziv i frutave, pasi kanë më shumë kalori dhe mungojnë fibrat e frutave. Të eliminojmë lëngjet e gatshme me sheqer dhe me gaz. Por duhet të kontrollojmë edhe sasinë e alkoolit që konsumojmë. Mbrëmjet e gjata të pushimeve në plazh shpesh janë të shoqëruara me sasi të konsiderueshme alkooli. Duhet të kontrollojmë sasinë e konsumit dhe të përzgjedhim verën ose birrën ndaj koktejeve alkoolike klorike. Konsumin e alkoolit duhet ta shoqërojmë me sasi të konsiderueshme uji pasi na dehidraton.

***

 

borronicaUshqimet

Cilat janë ushqimet më të mira për t’u konsumuar në vjeshtë në mënyrë që të jeni në formë të shkëlqyer?

Kungujt – Kungujt janë të stërmbushur me karrotenoide, të cilat ndihmojnë në luftën kundër radikaleve të lira të dëmshme. Përveç kësaj, janë të pasur me hekur, zink dhe fibra.

Mollët – Klasike absolute kur bëhet fjalë për ushqimin e shëndetshëm. Mollët përmbajnë kalcium dhe vitaminë C, të cilat janë të domosdoshme për shëndetin e eshtrave dhe forcimin e imunitetit për motin më të ftohtë. Fibrat e kësaj frute ndihmojnë në procesin e një tretjeje të shëndetshme, ndërsa mollët janë edhe plot me antioksidantë.

Arrat – Arrat janë të mbushura me yndyra të cilat janë të mira për zemrën tonë dhe po ashtu janë shumë të ushqyeshme.

Boronica e kuqe – Këto fruta të vogla janë burim fantastik i antocianineve, antioksidantëve të cilët ndihmojnë shëndetin e zemrës. Antocianinet gjenden edhe te vera e kuqe dhe çaji.

Fiqtë – Fiqtë përmbajnë shumë fibra, të cilat do t’i nxjerrin toksinat nga trupi ynë. Janë përplot edhe me kalium, i cili ndihmon në kontrollimin e tensionit të lartë të gjakut.

 

***

Katër zakone që mund t’i ndryshoni për të qëndruar në formë

Me ardhjen e stinës së vjeshtës duhet të ndryshoni edhe dietën tuaj, duke qenë se edhe trupi pëson ndryshime të vogla, por të rëndësishme. Reduktimi i sasisë së dritës në vjeshtë, ndikon si te humori, ashtu edhe te ritmet kardiake dhe për pasojë personat kanë gjasa të lëvizin më pak dhe të asimilojnë më shumë. Po ju rendisim katër këshilla të dobishme për të ndihmuar trupin që të përshtatet me ndryshimet e stinës dhe për të mbajtur nën kontroll peshën edhe gjatë fazës “letargjike” me afrimin e dimrit:

Shtojcat e vitaminës D

Vitamina D është normalisht vitamina të cilën ne e gjenerojmë falë diellit. Një plotësim i vitaminës D ndihmon në ruajtjen optimale të niveleve të gjakut dhe në përgjithësi ajo është shumë e rëndësishme për shëndetin e kockave, ndërsa parandalon edhe disa tumore. Ndërkaq, kjo vitaminë kontribuon në humbjen e peshës dhe rrit funksionin imunitar, faktor më se i nevojshëm për sezonin e ftohtë, kur rreziku për t’u prekur nga gripi është më i madh.

Vazhdoni të merreni me ndonjë lloj sporti

Gjatë vjeshtës dhe dimrit, shumica e njerëzve janë më pak të gatshëm për të bërë vrap apo çdo lloj tjetër sporti. Në fakt, përpjekja për të praktikuar një aktivitet fizik është thelbësore qoftë për humorin ashtu edhe për gjendjen fizike në përgjithësi.

Monitoroni peshën

Një studim tregon se gjatë disa muajve të vitit, ose më saktësisht në shtator-tetor dhe shkurt-mars, njerëzit shtojnë mesatarisht një kile nga pesha e tyre. Kjo mund të shmanget duke vëzhguar çdo javë peshën trupore për të mos u larguar shumë nga standardi juaj fizik. I njëjti studim tregoi se ata të cilët peshohen shpeshherë arrijnë të mbahen më shumë në formë.

Rrisni karbohidratet

Për shkak të shkurtimit të ditëve, ju mund të “vuani” nga një lloj depresioni i lehtë i njohur ndryshe si çrregullim emocional sezonal, i cili mund të parandalohet me konsumimin e disa ushqimeve të posaçme. Kështu, shtimi i karbohidrateve në ushqyerjen tuaj të përditshme mund t’ju ndihmojë në përmirësimin e gjendjes shpirtërore, sepse këto ushqime shkaktojnë një rritje të serotoninës, e njohur pikërisht si “hormoni i humorit të mirë”.

Entela Resuli September 5, 2014 12:23
Komento

3 Komente

  1. Pëllumb zaimi September 5, 14:05

    Entela qënka dhe piktore e shkëlqyer!? I ka dhënë të gjitha ngjyrat dhe nuancat e vjeshtës vetëm me një shkrimpikturë? Nderime! E bleva pikturën tuaj?

    Reply to this comment
  2. Komiti September 6, 00:20

    Ma shit mua këtë pikturë të Entelës pëllumb? Ja u blej dyfish? Prsh!

    Reply to this comment
  3. Kompozitor September 6, 00:25

    Vërtet ky shkrim(intervistë) është muzikë? Respekt për autoren por të varfrit nuk i konsumojnë dot gjithë këto gjera. Prandaj unë po kompozoj sonetin “vjeshta borgjeze”!?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*