Shkarkohet prokurori që nxorri 6 herë fajtorë të vdekurit në miniera

October 16, 2019 16:57

Shkarkohet prokurori që nxorri 6 herë fajtorë të vdekurit në miniera

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi prokurorin Hysni Vata, pasi gjeti shkelje në dy prej kritereve të rivlerësimit. Vendimi i arsyetuar i KPK-së zbardh një skemë të përsëritur në hetimet për aksidente në punë, pas të cilave faji u mbetet viktimave.

Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e prokurorit Hysni Vata hedh dritë mbi një procedurë gati rutinë të mbylljes së hetimeve për aksidentet në punë, në kohën që ai punonte në Prokurorinë e Dibrës.

Gjashtë dosje të studiuara prej Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit tregojnë se hetimet pushoheshin pa verifikime të plota, pa pyetur të plagosurit dhe gjithmonë duke ia lënë fajin viktimave.

Hysni Vata ka qenë oficer në Policinë e Shtetit, përpara se të emërohej prokuror. Ai e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2008 nga Tropoja, për t’u transferuar më pas në prokuroritë e Dibrës. Në vitin 2017, Vata u emërua drejtues i Prokurorisë së Matit.

Dosjet tregojnë po ashtu se prokurori shpesh kishte për referencë vetëm dëshmitë e punëdhënësve, që njëkohësisht ishin edhe të dyshuarit për “shkelje të rregullave të sigurisë në punë”. Në vendimin e zbadhur të KPK-së vihet në dukje se hetimet në këto raste ishin të cekëta dhe viktimat bëheshin me faj se kishin shkelur urdhra të eprorëve, edhe pse këto urdhra nuk gjendeshin.

“Vdekja e punonjësit erdhi prej fajit të viktimës, sepse ai dhe kolegët e tij, sipas urdhrit të administratorëve të kompanisë, nuk duhet të kishin punuar të shtunave dhe të dielave, por ata dolën në punë me iniciativën e tyre,” citohet prej KPK-së vendimi i pushimit të hetimeve për vdekjen në minierë më 17 dhjetor 2011.

Një nga rastet e hetuar nga ONM përkon me atë të Bajram Pjetrit. E intervistuar nga BIRN në një investigim të janarit 2018 (Vdekje “të papritura”, Autoriteti fajëson viktimat e aksidenteve në minierën e Bulqizës) bashkëshortja e tij, Drita Pjetri tregonte se si ishte lënë në errësirë për rrethanat e vdekjes së bashkëshortit dhe kishte humbur shpresën se do mund t’i mësonte ato. “Nuk dimë si ndodhi as nuk ka ardhur ndonjë nga shteti që të na tregojë se si qëndronte puna,” tha atëherë Pjetri.

Komisioni, i përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Pamela Qirko anëtare dhe me vëzhgues ndërkombëtar Elka Ermenkova, shprehet në vendimin për shkarkimin e Vatës në shtator 2019, se veç një bilanci negativ në analizën financiare dhe pamjaftueshmërisë së deklarimeve, ai kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia, duke marrë vendime me “arsyetim të dobët dhe të pambështetur në prova”, për të cilat kishte “dyshime për favorizim të personave nën hetim”.

Vata i kundërshtoi gjetjet e KPK-së. Ai pretendoi në fjalën e tij se ishte bazuar në ekspertizë për të vendosur pushimin e çështjeve. “Në çdo rast janë kryer gjitha veprimet e duhura verifikuese dhe hetimore, përfshirë këtu edhe akt-ekspertimet tekniko-minerare, me grup ekspertësh”, citohet ai në vendimin e KPK-së.

Vata është prokurori i dytë që shkarkohet nga KPK se ndër të tjera kishte neglizhuar vdekjet dhe plagosjet gjatë aksidenteve në punë. Më herët, prokurori Ramadan Troci po ashtu u shkarkua me një motivim të ngjashëm.

 

d.a. / dita

October 16, 2019 16:57
Komento

2 Komente

  1. Adih October 16, 17:29

    O derr prokurur e pesofsh mbi kurrizin tend.

    Reply to this comment
  2. mirel October 16, 19:23

    Fytyra e shtetit ne Shqiperi
    Qelbesira

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim