Shkëlqimi dhe rënia e Cërrikut

Artur Qoraj December 1, 2013 16:29

Shkëlqimi dhe rënia e Cërrikut

Vendosur mes dy lumenjve, Shkumbin dhe Devoll, ka nisur nga ndërtimi mbi 60 vjet më parë. Fillimisht nga rusët, duke marrë zhvillim sidomos me ndërtimin e Uzinës së Punimit të Naftës. Gjatë periudhës së regjimit komunist, do të ishte qyteti i të persekutuarve, ndërsa në demokraci do të mbahet mend për betejën e qytetarëve me Gardën në 1997, e quajtur edhe “Masakra e Cërrikut”. Por Cërriku nuk është vetëm kaq. I rrethuar nga një sipërfaqe e madhe tokash tashmë në shfrytëzim, edhe në vreshtari rezervon resurse të mëdha bujqësore. Sot ky qytet numëron mbi 15 mijë banorë dhe me një popullsi relativisht të re, por që ka si problematikë kryesore papunësinë. Qyteti ka një popullsi të përzier fetare ku mbizotëron harmonia.

 

Emri nga fusha

Emri i Cërrikut sipas banorëve më të vjetër vjen nga emërtimi i një fushe me këtë emër që ndodhet në largësi të barabartë midis lumenjve Shkumbin e Devoll. Pas vitit 1912 banorët e fushës së Cërrikut përmenden se kanë luftuar kundër serbëve e më pas italianëve. Në shenjë hakmarrjeje sipas gojëdhënave të tyre, serbët masakruan dhe shkatërruan shumë fshatra si Allajbeg e Xherije. Në atë periudhë në fushën e Cërrikut ka pasur rreth 111 familje. Emri i fushës u bë edhe emri I qytetit të ri që u formua pas çlirimit.

 

 

Uzina krijoi qytetin

Uzina e Naftës duket se ka qenë edhe pikënisja e ndërtimit të qytetit të ri. Ndërtimi i Uzinës së përpunimit të Naftës filloi në vitin 1952 dhe u përurua në 8 nëntor të vitit 1956.

Uzina e Naftës u projektua fillimisht me aftësi 500 tonë përpunimi nafte bruto në 24 orë. Në vitin 1957 pas një përpunimi konstruktiv, u rrit aftësia përpunuese e naftës bruto në 800 tonë për 24 orë. Në vitin 1961 u realizua rikonstruksioni i uzinës duke rritur sërish aftësinë përpunuese në 1500 tonë në 24 orë. Gjatë periudhës së funksionimit prodhonte benzinë, gazoil, vajguri për ndriçim, bitumen, solar e mazut. Në vitin 1962 filloi prodhimi i vajrave lubrifikuese për automjete avtol 18 dhe DP 14 si dhe vajguri tip TS1 për aeroplanët. Në vitin 1965 filloi dhe prodhimi i sapunit naftanik dhe acideve naftanike.

Furnizimi me naftën bruto bëhej me ndihmën e linjës së tubacioneve nga Kosova. Në këtë periudhë ekzistojnë pretendime nga kompani të ndryshme për të marrë në koncesion atë çfarë ka mbetur. Kompania Kurum u shpall fituese për ta kthyer sërish në një uzinë përpunuese të naftës ndërsa ekzistojnë edhe pretendime të tjera për ta kthyer në fabrikë të prodhimit të materialeve ndihmëse në ndërtim. Ndërkohë Radiostacioni ende funksional, por me personel të kufizuar dhe Instituti i Duhanit ishin dy burime të tjera punësimit për banorët e Cërrikut, por sot janë jashtë funksioni.

 

Problemet

Ky qytet, megjithëse i vogël në numër banorësh, në vite në historinë e tij ka nxjerrë shumë figura të shquara si artistë dhe personalitete të shquara në fusha të ndryshme. Kryetari i bashkisë Servet Duzha, shprehet se emra të shquar në të shkuarën e afërt dhe në të tashmen e ngrenë lart qytetin e Cërrikut.

“Unë mund të përmend disa prej tyre, si artistin e merituar Astrit Çerma, Rajmonda Bulkun, Arjan Gicin Salsano Rrapin, kompozitorin e mirënjohur Edmond Rrapin por kemi edhe figura të tjera të pozicionuar në institucione me rëndësi, si rektori i Universitetit të Elbasanitn Liman Varoshin dhe kryetarin e gjykatës Elbasan Arben Vrionin profesorin e matematikës Agron Tato”, thotë kryebashkiaku.

Megjithëse i ri në moshë, Cërriku ka një prodhimtari vlerash artistike dhe kjo i atribuohet shkollës së mesme që kishte edhe mësuesit më të mirë ndoshta edhe të vetë qytetit të Elbasanit. «Qyteti i Cërrikut është shquar sepse ka pasur periudhën e shkëlqyer të zhvillimit të tij. Shkolla e mesme ka pasur nga pedagogët dhe mësuesit më të mirë që kanë dhën mësim për arsye të ndryshme dhe një ndër to ishte largimi nga qyteti i Elbasanit i emrave të shquar në fusha të ndryshme që përfunduan në mësimdhënie për shkak se regjimi I shikonte të rrezikshëm të grumbulluar në qytet. Ka pasur një largim të madh pas viteve 90-të, sidomos drejt kryeqytetit apo qytetit të Elbasanit të figurave të shquara disa prej të cilave janë renditur më sipër”, vijon ai.

E në fakt sot Cërriku nuk ka jetë kulturore dhe jo vetëm për mungesën e këtyre artistëve por edhe për shkak se kinemaja e vetme tashmë është e djegur. “Ne ndodhemi në vështirësi pasi kinemaja e qytetit ka rreth një vit që është djegur. Ishte i vetmi ambient për artin në qytet. Ne kemi kërkuar fonde për rikonstruksionin e saj për ta vënë në jetë këtë kinema por për shkak të mungesës së fondeve nga ana e bashkisë godina ka mbetur në qiell të hapur. Unë i bëj thirrje ministries së Kulturës për të mundësuar ndonjë fond për kinemanë e qytetit të Cërrikut. Unë do t’i bëja thirrje të gjithë intelektualeve të vijnë në Cërrik duke organizuar herë pas here për ti dhënë jetë e gjallëri këtij qyteti duke I shërbyer vazhdimësisë së jetës artistike”, shton ai.

 

Si të krijojmë vende pune

Qyteti i Cërrikut në historinë e tij u ndërtua në shërbim të Rafinerisë së naftës kryesisht. Pas viteve 90-të , uzina ndaloi dhe nga mbyllja dolën shumë të papunë. Një pjesë e mire punonin në ish-NB dhe tokat u ndanë.

Një pjesë e mirë ende nuk është vënë në funksion. Pjesa e rëndësishme dhe më energjike e qytetit është rinia dhe për fat të keq mundësitë e punësimit janë zero. “Një fluks i madh të rinjsh largohen çdo ditë për arsye ekonomike. Ne po shikojmë projekte për të gjetur mundësi punësimi. Duhet të pranojmë që këta qytetar duhet ti rikthehen bujqësisë si një vend ku mund të vetëpunësohet”, thotë Duzha.

Cërriku ka shkollën e vetme në Shqipëri në fushën mekaniko-bujqësore të nivelit të mesëm. Qyteti i Cërrikut ka edhe nivelin më të lartë të papunësisë në qark me mbi 40% të papunë. Këtë fenomen mjaft shqetësues e vuajnë sidomos të rinjtë që i sheh të shumtë në rrugë dhe lulishte. Aktualisht 459 familje trajtohen me ndihmë ekonomike, por numri i kërkesave sa vjen e shtohet.

 

Dukuritë negative

Sipas vetë banorëve, vjedhjetnë qytet janë të shpeshta, si pasojë e varfërisë dhe mungesës së një perspektive. Largimet gjithashtu janë të shumta edhe pse terreni i Cërrikut është optimal. Cërriku numëron 14800 banorë dhe është një qytet që i krahasuar me të tjerët, është krijuar vonë si rezultat i përqendrimit të një industrie që edhe sot duhet të riaktivizohet, që Cërriku të mos mendohet më si vend që duhet braktisur.

 

 

Raimonda Bulku

Aktorja Rajmonda Bulku vjen shpesh në Cërrik. E ftuar në festën e themelimit të këtij qyteti ajo flet për kujtimet e rinisë të lidhur edhe me tragjedinë e Drita Çomos, për të cilën ajo ruan kujtime që u diktuan nga sistemi komunist. Në vendosjen e bustit për nder të vajzës që pësoi një fund tragjik për shkak edhe të persekutimit, Bulku kujton.

 

“Të them të drejtën, mbase pjesa më e rëndësishme dhe më atraktive është rinia dhe ajo rini që e kemi vuajtur duke e kaluar në një qytet të vogël. U munduam të merrnim më të mirat nga ky qytet i vogël dhe më e mira ishte shoqëria. Kur ndeshesha me Dritën në trotuar, kur ulte kokën për të mos më folur, i thoja njeriu edhe përshëndet dhe ajo qeshte nën buzë me kokë të ulur. Por shoqëria me Dritën ishte në oborrin e shkollës, në aksione e zbore. Me dhimbjen që unë kam që ajo nuk është. Ajo vetëm një vepër la shpirtin e saj, ditarin e saj dhe poezitë që buronin nga dhimbja. Më vjen mirë që Cërriku e nderon Dritën. Është vlerë të kujtosh”, shprehet aktorja. Për Rajmondën, këta fëmijë nëse lexojnë Dritën, do të ketë një impuls shumë të bukur Brenda vetes së tyre.

Artur Qoraj December 1, 2013 16:29
Komento

4 Komente

  1. Tosi December 2, 05:40

    Me vjen mire qe shkruhet per qytetin e Cerrikut. Dua te kujtoj lexuesve , kryesisht atyre nga Cerriku, qe NE GJIMNAZIN E CERRIKUT NDODHET NJE MUZEUM, dhe do ishte me shume interes per shume nga ata qe kthehen mbas nje kohe te gjate ne qytet.Shume nga gjerat e permendura ne kete shkrim jane te dokumentuara me fotografi dhe shkrime ne kete muzeum. Nje stend e vecante eshte per Drita Como.Ne perurimin e muzeumit une bera te gjitha perpjekjet qe te ishte e pranishme dhe Liri Belishova, por ato dite ajo ishte ne spital. Muzeumi eshte ngritur ne 2008 me punen e grupit te mesuesve te gjimnazit.

    Reply to this comment
  2. Amant December 2, 13:16

    Me ka rene rasti qe te lexoj nje shkrim perle te Aleko Likajt per Drita Çomon, dhe te them te drejten jam mrekulluar. Une nuk e kam njohur kete vajze dhe gjate asaj kohe nuk kam qene asnjehere ne ate qytet, por emocionet qe me dha ai perjetim i shkruar mjeshterisht nga nje njeri qe e kishte pasur komshij i shijoj edhe sot.

    Reply to this comment
  3. Berti October 7, 21:02

    Artikullshkruesi (gazetaruci fshatar!) ka “redaktuar” pa te drejte emrat qe ka paraqitur Kryetari i Bashkise dhe kjo eshte nje veper e pamoralshme.
    Lavdia e Cerrikut nuk ka qene kurre Liri Belishova e as funderrinat e tjera te kuqe, por te tjere burra e gra, djem e vajza qe i dhane emer atij qyteti.
    Sa per “historianin- gazetaruc” fusha ku eshte ngritur qyteti eshte quajtu “belik” (emer te cilin e mban edhe sot nje lagje e eperme, mbi magazinat.

    Reply to this comment
  4. lato October 7, 21:49

    Gazetari ka dhene nje veshtrim kalimthi mbi Qytetin e Cerrikut,aq sa i lejon edhe gazeta,por nje pasqyre me te gjere te sotmes dhe te kaluares se ketij qyteti,mund ta gjini ne librin e shkrimtarit dhe gazetarit Aleko Likaj mbi Cerrikun.Aleko Likaj,Agron Tato,Astrit Cerma,Nexhip Trungu,jane femijet e pare te ketij qyteti,qe u rriten bashke me te dhe lane gjurme sado vite kane kaluar.Ne kete qytet kaloi vitet e fundit shkrimtari Kin Dushi.Ketu kaloi nje pjese te mire te jetes ish ministri i brendshem Hekuran Isai,anetari i byrose politike Qiriako Mihali.Ketu ka qene ushtar poeti i pushkatuar Genc Leka.Nje uzine e beri nje qytet.Pas reduktimit te kapacitetit te uzines,qyteti filloi degradimin.Sot nuk ka nje aktivitet prodhues qe te punesoje qytetaret.Shihet edhe nga numuri banoreve qe nuk ka ndryshuar qe nga vitet 60.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*