Dëshmia: “Shkëlqimi e vrau gruan për xhelozi, teksa po hanin bukë”

August 21, 2015 08:52

Dëshmia: “Shkëlqimi e vrau gruan për  xhelozi, teksa po hanin bukë”

Masa e sigurisë për Shkëlqim Dishën, i cili akuzohet se sulmoi dhe më pas mbyti për xhelozi me rripin e pantallonave gruan e tij Resmie Disha, nënë e katër fëmijëve, është shtyrë për ditën e sotme.

Prokuroria e Tiranës njoftoi dje se dërgoi dosjen në Gjykatën e Rrethit për masën “arrest me burg”, ku ka shpjeguar me detaje ngjarjen e ndodhur, e pranuar edhe nga 36-vjeçari në rrëfimin e tij.

Dyshimi më i fortë mbetet fakti se 31-vjeçarja i ka pranuar burrit të saj se e kishte tradhtuar gjatë kohës që kishin qenë të ndarë për disa vjet.

Por këtu ka nisur dyshimi i fortë se Shkëlqimi ka menduar se edhe fëmija i katërt mund të mos ishte i tiji. Mbi të gjitha vrasja ka ndodhur teksa ata kanë qenë duke pushuar dhe ngrënë drekën në fshatin Urëz, pasi po udhëtonin në këmbë drejt Librazhdit, tek miqtë e tyre.

Çifti ishte ribashkuar 4 vite më parë dhe kishte emigruar në Greqi, por kohët e fundit ishin rikthyer në Bregu i Lumit, Shëngjergj, ku edhe jetonin.

Ngjarja sipas Prokurorisë

Prokuroria shpjegoi se telefonata për ngjarjen është bërë nga vetë Shkëlqim Disha rreth orës 15:30, në sallën operative të policisë, ku ka shpjeguar se kishte sulmuar bashkëshorten dhe kërkonte ndihmë mjekësore, duke dhënë vendndodhje fshatin Urëz-Shëngjergj.

Në vendngjarje ka shkuar Policia e Komisariatit nr. 4, ekspertët dhe shërbimi mjekësor me ambulancë. Atje është gjetur 36-vjeçari dhe pranë tij trupi i pajetë i bashkëshortes. Më herët Disha kishte telefonuar edhe të afërmit dhe vëllanë e tij për krimin.

Sipas rrëfimit të të dyshuarit pas arrestimit, ishte nisur pasdite nga fshati Vrinë bashkë me gruan e tij Resmie Disha (Murtini), për në Gurakuq të Librazhdit. Pikërisht në vendin e quajtur “Shpellëz” (Maje Lungj), të fshatit Urëz, çifti ka ndaluar për të pushuar dhe drekuar.

“Në këto momente midis tyre ka lindur një debat për motive të dobëta dhe në konflikt e sipër Shkëlqim Disha fillimisht ka qëlluar me dru pas koke bashkëshorten e tij dhe më pas e ka shtrënguar me rrip pantallonash në qafë, duke i shkaktuar vdekjen”, tha prokuroria.

Hetimet e kryera

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është sekuestruar një dru i thatë, i ndotur me njolla të kuqe si ato të gjakut, si dhe një rrip pantallonash dhe sende personale që i përkasin viktimës, çantë grash, për të cilat është marrë vendim për kryerjen e ekspertimeve përkatëse biologjike.

“Shkëlqim Disha në cilësinë e personit nën hetim ka pranuar autorësinë dhe mekanizmin e kryerjes së krimit. Ai ka shpjeguar se në vendin “Shpellëz” kanë ndaluar për të ngrënë diçka dhe pas debatit për dyshimet e lidhjes intime të Resmies e ka goditur me dru dhe mbytur me rrip.

Megjithëse është përpjekur t’i japë ndihmë, gruaja kishte ndërruar jetë”, tha prokuroria për hetimet.

Sipas ekspertit mjeko-ligjor, vdekja ka ardhur nga goditja në kokë dhe asfiksia mekanike pas shtrëngimit në qafë.

August 21, 2015 08:52
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*