Shkëlzeni, kulla në Viçidol dhe një gënjeshtër

September 30, 2016 10:30

Shkëlzeni, kulla në Viçidol dhe një gënjeshtër

 

Nga Bedri Islami

 

Nga të gjitha pallavrat që kam dëgjuar për mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sigurisht për luftën e saj, ajo më e çuditshmja, njëkohësisht më e paturpshmja, më erdhi ditët e fundit, kur “historisë me zhurmues” të Berishës, për kullën e tij që paska qenë bazë e luftës në Kosovë, iu shtua, kaq papritur edhe “historia” tjetër se, pikërisht atë kullë paskan granatuar ushtarët serbë, si hakmarrje për bazën logjistike të atyre djemve që kishin vendosur të luftonin.

Nuk e di pse e bën këtë ai. Edhe kështu, me aq sa ka folur e kanë shkruar të tjerët për të, mjerisht një taraf mediatistësh të lidhur fort me botën udbashe në Kosovë, ka qenë e mjaftueshme për të krijuar një mit të rremë, i cili dalëngadalë, po fillon e lëshon gjethet e tij dhe, pas saj, del një e vërtetë që nuk mund të fshihet.

Ndoshta Ai e bën gjithë këtë pasi, edhe ashtu, dërmueshëm, ndjen në vete fajin që  bëri në kohën e presidentllëkut të tij, kur, me gjithë çfarë kishte në duart e tij dhe në rrethin e afërt pranë tij,bëri atë që kishte mundur të bënte për të ndaluar një lëvizje çlirimtare. Ndoshta me kalimin e viteve, ai si shumë të tjerë, e ndjen mëkatin për atë që ndodhi, dhe, duke dashur të qetësojë veten, skenarit të mëhershëm i shton detaje të tjera, për ta bërë, të paktën deri diku të besueshme një histori, në të cilën ai u ndodh jashtë.

Ndoshta tashmë, ashtu si njeriu që përpiqet të gjejë rreth vetes vendin e tij në një periudhë piku historie, edhe ai me aq sa mundet, përpiqet ta krijojë këtë vend, përpiqet të gjejë lehtësim rrethanash dhe krijim ëndrrimtar, përmes të cilave, edhe ai vetë do të mund të ndjehet më i qetë se askund tjetër.

“Mos e pvet, se kallzon vetë”, thonë në Drenicë, dhe, për krijimin e një historie të tillë, zhurmuese, askush nuk e pyeti se kush ia rrënoi kullën, askush nuk e pyeti se me cilat para të vjedhura ia ringriti i biri kullën që nga fillimi, e në fund, askush nuk e vendosi para ndëshkimit për atë periudhë kur mund të ishte i adhuruar, por u zgjua gjynahqar.

“Kulla” e Berishës, në atë Viçidol, që e ngritën njerëzit, nuk është as më shumë e as më pak se sa një kullë e zakonshme e viseve tona malore, në të cilën njerëzit kanë jetuar, në të mirë e në të keq. Vitet e braktisjes e rrënuan atë, si mund të kenë rrënuar edhe sot e kësaj dite dhjetra e qindra të tjera, që ndjehen të braktisura.

Më shumë se nga të gjitha banesat e tjera, një kullë duket sikur frymon përmes njerëzve dhe, kur ata mungojnë, kullat asfiksohen në vetminë e tyre, deri sa fillon edhe rrënimi.

Kjo ka ndodhur edhe me kullën e Berishajve në Viçidol.

Megjithatë, si qëndron e vërteta?

Nuk kam asnjë merak se kush ka bujtur në atë kullë në vitin 1944 apo më herët e më pas. Këto janë hamendje të cilat nuk më pëlqejnë dhe nuk janë pjesë të mendimit tim.

Por e di fare mirë se çfarë ndodhi në vitet 1996 deri në verën e vitit 1999, sidomos në atë pjesë të Tropojës, përmes së cilës, kalonte, si të thuash “buka” e UÇK-së, megjithëse ishte e hekurt.

Do të jenë disa familje në Tropojë, të cilat do të bëhen bazat e para të logjistikës së UÇK-së, përmes së cilave do të kalonin, ditën e natën, më shumë netëve të dimrit gjithë dëborë, disa djem të vendosur, të cilët kishin marrë përsipër të vendosnin jetën e tyre në atë rrugëkalim. Disa prej tyre u vranë, mes të cilëve edhe Ilir Konushevci, Adrian Krasniqi, Hazir Malaj; të tjerë, si grupi i njohur si “Grupi i Gani Nuhës”, vazhdues të strukturës së logjistikës pas rënies së Ilirit, vazhduan edhe më tej.

Dyert në Tropojë u hapën nga Sulejman Krasniqi dhe djemtë e tij, të cilët, jo vetëm se ishin në lidhje gjaku me Adrianin, por edhe se i vlonte shpirti për Kosovën, u bënë, me të gjitha mjetet e tyre, baza e parë e luftës. Dyert i hapi Sulejman Berisha, me djalin e tij Gëzimin dhe të tjerët, kushërinj të largët të Sali Berishës; dyert i hapën fisi i Malajve, i Haklajve, i Haxhiajve, të cilët kurë nuk rrahën gjoksin e nuk kërkuan shpërblim, por edhe dhanë nga vetja.

Ku ishte Sali Berisha në atë kohë?

Askund e gjithëkund. Askund për të mirë e gjithkund për të keq.

Në Shqipëri, në harkun e tij presidencial, do të ndodhnin disa burgime të rrezikshme, mes të cilëve edhe Zahir Pajaziti, i cili pas kalimit të kufirit, megjithëse kohë tjetër dhe pushtetarët e kishin marrë pushtetin duke premtuar bashkimin kombëtar, iu dorëzua policisë serbe; në burg ishte Hashim Thaçi, iu bë e pamundur kalimi në Shqipëri Adem Jasharit, dhe gjithë kjo sepse asaj kohe, ashtu si ndodhte në prishtinë, presidenti i vendit amë preferonte lëvizjen paqësore dhe kërcënonte lëvizjen e armatosur.

Vetëm në fundin e vitit 1996, herën e parë përmes Demaçit, dhe, herën e dytë përmes Hydajet Hysenit, atë kohë nënkryetar i LDK-së, ish i burgosur politik dhe prijës i demonstratave të vitit 1981, ai, Berisha, kërkoi të radikalizonte lëvizjen paqësore të Prishtinës, në mënyrë që furtuna që pritej të vinte e shembjes së piramidave financiare, të kishte koston e saj edhe në Kosovë.

Të heshtësh, do të thotë të kesh zënë mend. Berisha i shtoi “historisë” së tij edhe granadimet e posaçme të ushtrisë serbe mbi kullën e tij, të cilët ia paskan bërë të papërdorshme. Gati sa nuk thotë se i duhet shtetit të ma dëmshpërblejë këtë “dëmtim”, sepse ai qenka bërë në emër të patriotizmit.

Serbia edhe mund të sulmojë një kullë, sidomos kur ajo është bazë e luftës, mund ta sulmojë edhe për të fshehur një të vërtetë që e di vetëm ajo, por në këtë rast, mjerisht, nuk ka ndodhur as njëra e as tjetra.

Ka ndodhur tjetra: Njerëzit e Berishës dhe të Azem Hajdarit, për fat të keq, kanë qenë ndër grabitësit më të rrezikshëm të logjistikës së UÇK-së, kanë qenë ndër ata që kanë gjymtuar luftëtarë e kanë qëlluar mbi to, dhe, akoma më e rëndë kur, jo si ishte menduar, në majin e vitit 1998, bashkë me ta u bënë edhe disa shtetarë të dorës së dytë, të cilët edhe bukën e furrave të Tropojës desh e ndaluan për rreth 3000  luftëtarë që prisnin për armë dhe flinin nën qiell.

Serbia vrau mbi 50 vetë në anën e këtejme të kufirit dhe deri tani, të gjithë ata që e përjetuan këtë dhimbje, nuk u mburrën se bënë diçka të pashoqe. Ata e përceptuan luftën si luftë.

Berisha e përcepton si justifikim për heshtjen e tij, kur pritej të mos heshtte. Veç të tjerave ai ngriti edhe alibinë e bombardimit serb për të justifikuar harbimin e të birit.

Kulla është dëshmi e dyfishtë: E braktisjes dhe e harbimit financiar e politik. Njeriu i papunë, thjesht i punësuar si djali i kryeministrit, ndërton një kullë qindramijra eurosh dhe e bën për “inat” të bombardimit serb.

Përse bëra këtë shënim kaq të gatë?

E vërteta rreth faktorit Berisha në luftën e Kosovës është e qartë për shumëkënd. Ajo periudhë ishte vetmia e madhe e tij. Nuk mund të gjesh asnjë takim të tij me liderët e UÇK-së, edhe pse ai nuk ishte më faktor, edhe pse struktura jashtë Shqipërisë nuk ua këshillonin. “Përrallat”e lindura më vonë, që erdhën në formë përshendetjesh nga liderë të politikës matanë kufijve për kontributin e tij, të zbehin ndjenjën ndaj politikës dhe të saktës.

Edhe në këtë rast, njeriu i vetëm që reagoi ishte Nasim Haradinaj, njëri ndër njerëzit e afërt të Ramush Haradinajt, të tjerët heshtën.

Dhe bënë mirë që heshtën. Dhe do të bënin mirë të heshtnin edhe më tej. Ajo kohë që shkoi, ashtu si ka ngjarjet e saj, ashtu ka edhe dëshmitë e veta.

Shënimin e bëra jo thjesht për saktësimin e një të vërtete, në të cilën kam qenë më shumë se pjesë, por edhe për të përcjellë mesazhin tek ata që kanë ende mundësinë për të bërë diçka të vyer.

Të mos jenë të vonuar. Që nesër të mos sajojnë “histori me zhurmues” për të thënë se edhe ne ishim aty.

Nesër do të jetë tepër vonë.

 

September 30, 2016 10:30
Komento

8 Komente

  1. paci September 30, 11:02

    Shum qarte dhe besueshem shkruan z.Bedri i cili ka qene pjese e ksaj lufte . Me habit fakti i difektit qe kemi si popull ndoshta ne gen qe te genjehemi me sy hapur e te besojme irealitetin , kurse te verteten dhe sakrificat e njerezeve te i perçmojme duke demtuar historine .
    Berisha dihet se nuk e njihte UçK po mbante afer Bujar Bukoshin .

    Reply to this comment
  2. Votren September 30, 12:24

    Vetem nje sugjerim i vogel:-Sulejmani nuk eshte kusheri i larget(nga gjaku),i Saliut po shume i afert.

    Reply to this comment
  3. Mark uk September 30, 14:48

    Shkelzeni,kulla ne Vicidol si dhe nje genjeshtar,po edhe nje spiun i sigurimit te shtetit ne kohen e komunizmit,kur ishte gazetar te gazeta jeta e re ne Shkoder.Bedri Islamabat e dine mire se kush eshte.

    Reply to this comment
  4. Tradiat September 30, 16:58

    Bedri, si nje njerai me mentalitet komunist, kjo nuk ka nevoje per vertetim ti quan te punesuar vetem punen ne shtet. Djali i Berishes eshet madhor dhe ka biznesin e tij privat . Nuk je i beaueshem kur flet per Berishin. Dihet se ju komunistet e urreni ate dhe nuk e di se pse. Ishte ai qe ju shpetoj kur ne Shkoder ishin gati t’ju varnin ne litar, ty dhe takemin tend. Nese duhet te imjeni mirenjohes ndonje njeriu ai eshte Berisha. Ai foli: te fjithe bashkevuajtes dhe te gjithe bashkefajtor. Edhe ti e di mire kete. Ti shkruan thjesht. per honorae.

    Reply to this comment
  5. Fanol Bardhi September 30, 23:27

    Sa per te plotesuar artikullin e sakt te ztr.Islamit do shtoja mbi gjendjen e mjerueshme te asaj kulle qe dukej edhe ne fillim te vitit 98′ sikur te ishte vertet e granatuar . Kulla e len pas dore sikur gjith ajo krahin nga doli S.Berisha qe e trajtoi sikur dikush qe nuk don dhe i vjen turp te identifikohet nga rrenjet . Burrnin , besen dhe ngrohetesin qe dhan familjet e permendur nga ztr.Islami jan te paaritshme per Salen e Shkelzenin e qe nuk blihet as me paret e kesaj bote !

    Reply to this comment
  6. Mark uk October 1, 09:35

    Bedri: A je perseri aktiv tani qe ne pushtet jan komunistet.Ne komunizem ju quheshit spiuna ,bile edhe fuksa.Kur ishit gazetar te gazeta JETA E RE organ i komitetit te partis Shkoder nuk ke lan gja pa spiunue bile edhe shoket tuaj.Po deshe ti themi me emra.Shko e mshifu dikun e te mos shofin njeri se je ba i bezdishem ma keq se kur spiunoje.Tani te kan dhene zanatin e .enit te cilin po e kryeni ma se mire,po ndoshta servilizmi ju mundon ma shume more pukjan.Mos thuaj tjeter here se jam nga Shkodra.Ne Shkoder ke punuar po nga Fush Arrzi jeni.

    Reply to this comment
  7. dhori October 1, 10:13

    Me shkrimet e tij per luften e Kosoves z. Bedri Islami me ka ndihmuar te njoh shume te verteta, por edhe te mos ndiem mire ngaqe nuk pata asnje mundesi te beja dicka per clirimin e nje pjese te rendesishme te kombit tim.

    Reply to this comment
  8. Laci October 2, 14:35

    Bedri,mire qe i shkruan keto probleme per Sali Berishen e shoket e tij,por kur keto nuk merren per baze nga drejtesia nuk kane asnje vlere per popullin vetem per historine ne te ardhmen e larget per te argetuar publikun sepse keto gjera nuk vlejne per te permiresuar gje ne jeten e tyre.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*