PORTRET: Shkëlzeni që na duhet…

June 7, 2016 10:58

PORTRET: Shkëlzeni që na duhet…

Nga Entela Resuli

Rrallë ndodh që në Teatrin e Operas dhe Baletit pas një shfaqje, njerëzit të dalin pothuajse të gjithë me një buzëqeshje të fiksuar në fytyrë. Ndihet një kënaqësi në ajër!

Këtë efekt e shkaktoi Shkëlzen Doli mbrëmjen e së shtunës në Tiranë.  Dihet se kur jep shpirtin në diçka e do shumë atë. Dhe ajo çka u pa atë mbrëmje është se Doli e do shumë muzikën e tabanit shqiptar, të cilën e përcolli me aq mjeshtëri në sallën e madhe të Operas.

Ishte lajmëruar qysh një vit më parë prezenca e tij në kryeqytet nëpërmjet një koncerti me perlat e muzikës popullore shqiptare. Më përpjekjet e Ministrisë së Kulturës dhe Këshillit të Qarkut Tiranë, u bë i mundur realizimi i këtij koncerti.

Mbrëmja u hap me Bareshën, një nga emblemat e këngës shqiptare. Mes tingujve që herë të zbraznin dhe herë të mbushnin me frymë u kalua në mënyrë origjinale nga një motiv në tjetrin duke përfshirë të gjitha trevat e Shqipërisë.

Mes të tjerash u luajt, “Pranvera filloi me ardh”, “Margjelo”, e kompozuar nga Prenk Jakova, “M’ka shku mendja me u fejue”. Po ashtu një tjetër kolazh ishte ai arbëresh me “Moj e bukura Arbëri” Avni Mula, “Lule lu” (tradicionale arbëreshe), Valle arbëreshe nga Shkëlzen Doli dhe orkestra dhe kori i ansamblit popullor.

Pjesa më e madhe e melodive emblematike të këngës shqipe ishin përpunuar për violinë e orkestër  nga kompozitori  Gerti Druga, i cili aktualisht mban postin e Drejtorit Artistik të Ansamblit Popullor pranë Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Mjeshtëri Doli u shoqërua në skenë nga instrumentistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të cilët përcollën atë çka muzikën shqiptare e  bënë ndryshe nga të tjerat.

Ajo që e bëri të veçantë këtë organizim ishte udhëtimi në të gjitha trevat shqiptare. Kushdo në atë sallë u ndje i përfaqësuar. Muzika u nis nga skaji më verior e deri poshtë në jug.  U dëgjua dhe kërcye valle dhe këngë nga arvanitasit, aty u këndua për shqiptarët e Çamërisë dhe Kosovës. Në skenë nuk munguan si të ftuar as vëllezërit Zena, të cilët kënduan këngë tradicionale të Elbasanit.

Kulmi u arrit kur në skenë erdhi Hekuran Xhambali, klarinetisti i famshëm, i cili, paçka moshës, në  bashkëpunim me Dolin, arritën të “qajnë” me instrumentet e tyre kabanë e jugut.

shkelzeni me gerti drugen“Ka qenë një ëndërr fëminore, por ideja nisi pas realizimit të Bareshës, që e vumë vjet në skenë me Gerti Drugën. Këtu nisi gjithçka që muzikën shqiptare nga të gjitha trevat t’i perfomojmë në skenë,” tha Shkëlzen Doli. Ai shtoi se nuk mjafton vetëm violina klasike, por edhe shpirti popullor si artist. “Të luash Brams, Moxart etj,. në stilin që e do kompozitori është një gjë, ashtu është edhe muzika shqiptare, sepse çdo pjesë duhet të ruajë origjinalitetin. Është veçori që një klasik të luajë edhe pjesë popullore të tabanit. Për mua ka rëndësi që një klasik të dijë patjetër veprat e vendit nga është ndaj edhe unë kam shumë pjesë shqiptare”.

Sipas Dolit për të ka rëndësi ta ndjejë repertorin shqiptar. “Është të jesh brenda artit shqiptar, edhe unë e ndiej veten komod. Çdo trevë ka të bukurën e vet. Jam rritur me muzikën e Jugut dhe të Shqipërisë së Mesme, pasi mamaja ime është nga jugu,”tha ai.

Një gjë u pa në përfundim të këtij koncerti, që nga do të vërtitemi, serish gjaku na vlon kur dëgjojmë muzikë tabani. Atje kemi qoshen tonë dhe veç kur na ndjen veshi  ata tinguj ndjejmë zemrën të na rrah fort. Këtë pasuri të çmuar, nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta ruajmë me fanatizëm dhe të mburremi përball botës me të.  Nuk shkojmë asgjëkund me komerçalizma. Origjinaliteti të bën unik!

Kush është Shkëlzen Doli

Violinisti Shkëlzen Doli është i lindur me 9 gusht 1971 në Elbasan, ndërsa më prejardhje është nga Gjakova në qytetin ku jetoj për shumë vite deri sa u shpërngul për të jetuar në Vjenë. Ai është shqiptari i parë në Filarmoninë e Vjenës.

Koncerti i Filarmonisë së Vjenës i cili shfaqet çdo vit, në fillim të vitit, përkatësisht më  1 janar, siç dihet është shfaqja madhore  e muzikës klasike më e ndjekura në botë. Në këtë koncert ekzekutohen veprat më të njohura klasike si nga: Bachu, Beethoveni e të tjerë.

Doli është  ish-student i profesoreshës legjendare të violinës Evgenia Chugaeva, Shkëlzen Doli ka një pozicion unik të një muzikanti i cili është i aftë të kombinojë virtuozitetin e shkollës ruse të violinës me stilin e veçantë dhe tingullin e orkestrës së famshme të Vjenës.

13406730_1728316290782284_7143185136054073790_nTalenti i tij është zbuluar nga disa muzikant profesionistë të cilët e ftuan të studionte në Akademinë e njohur Muzikore të Novi Sad, e cila në atë kohë ishte shkolla më e mirë e violinës në vend. Në moshën 17 vjeçare, ai fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Muzikantëve të Rinj në Jugosllavi. Shumë shpejt  Vjena u kthye në shtëpinë e tij të re artistike dhe aty vlerësohet jo vetëm për shkathtësinë e tij me instrumentin e violinës, por gjithashtu për njohurit e tij të gjera mbi muzikën autentike Ballkanike dhe të pjesës lindore të Mesdheut.

Pjesëmarrja në ansamble të ndryshme filharmonike të muzikës së dhomës, si p. sh. te “Toyota Master Players”, “Virtuozët Vjenezë” dhe Rene Staars “Ensemble Wiener Collage”, “The Philharmonics”, e ndihmoi Shkëlzen Dolin të zinte një vend të përhershëm dhe të suksesshëm në skenën muzikore vjeneze. Ka qenë në shumë turne si solist dhe anëtar i grupeve të muzikës së dhomës në shtete të ndryshme evropiane, në Amerikën Veriore, Afrikë, Izrael dhe Japoni. Ai bën pjesë edhe në një grup të saporiformuar të muzikës së dhomës, në ansamblin “Philharmonisches Ensemble – Vienna”.

DITA

June 7, 2016 10:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*