Shkencat Albanologjike në “reanimacion”

July 13, 2016 12:25

Shkencat Albanologjike në “reanimacion”

 

Nga Dr.Hasan BELLO*

 

Provokimi i një “historiani” turk, i cili në rolin e një ciceroni e krahasonte Skënderbeun me një terrorist dhe veprimtarinë e tij me luftën guerrile të Partisë Komuniste Kurde ndaj Republikës Turke, me dhe pa të drejtë, shkaktoi një valë zemërimi në shtyp dhe në rrjetet sociale. Kjo tregoi se historia, historiografia apo shkencat albanologjike në përgjithësi janë dhe do të mbeten “thembra e Akilit”. Megjithë nivelin e diskutueshëm të studiuesve, institucioneve dhe albanologjisë, vihet re një lloj nihilizmi. Ky reflektohet në dy aspekte kryesore: e para në aspektin e politikave dhe planifikimit shkencor që shteti shqiptar tregon ndaj financimit të institucioneve që janë të specializuara në shkencat albanologjike; e dyta, në mendësinë që ka kapluar një kategori individësh se shkencat albanologjike, e sidomos historiografia me gjuhësinë, kulmin e tyre mund ta arrijnë vetëm jashtë Shqipërisë dhe nga studiuesit e huaj.

 

Kontributi i historianëve, gjuhëtarëve, etnologëve dhe arkeologëve shqiptarë anatemohet dhe sulmohet, me apo pa të drejtë, duke mos ndjekur asnjë kriter objektiv, shkencor e racional. Kjo e fundit në kuptimin partiak, klanor dhe jo ideologjik. Në Shqipëri nuk ka ide dhe ideologji, në kuptimin politik, e për rrjedhojë as pikëpamje marksiste apo djathtiste. Neglizhenca e shtetit shqiptar për 25 vjet ndaj albanologjisë është reflektuar dhe ka dhënë frutet e saj. Nuk është e rastit që një pjesë e studiuesve të Qendrës së Studimeve Albanologjike nuk kanë kushtet më minimale për të ushtruar veprimtarinë kërkimore shkencore si: zyra, tavolina, kompjutera, pa folur për buxhet dhe financim të konferencave, botimeve apo specializimeve në fusha të ndryshme jashtë vendit. Një pjesë e brezit të ri, ku bëj pjesë personalisht, na është dashur të kualifikohemi me kontributin e prindërve. Ky “investim” familjar, më tepër se nga vetëdija dhe dashuria për albanologjinë, ka ardhur për shkak të mirëarsimimit që prindërit shqiptarë kanë dashur t`u japin fëmijëve. Edhe kjo kategori, vjen kryesisht nga shtresa e mesme dhe e varfër, pasi shtresa e pasur e shoqërisë shqiptare nuk investon tek fëmijët e tyre për të studiuar histori, gjuhësi, letërsi, etnografi apo arkeologji. Në Shqipëri, këto degë, konsiderohen si fusha “pa bereqet”.

Madje, vihet re një fenomen i çuditshëm, i ndryshëm nga ai që ka ndodhur në Europë. Ndërsa para disa qindra vitesh në këto shtete, me histori, gjuhësi, letërsi, arkeologji dhe etnografi merreshin kryesisht ata që vinin nga shtresa e pasur, tek ne, që jemi dyqind vjet pas Europës, me këto fusha merren kryesisht (jo për fajin tonë, por të shtetit), ne, bijtë e shtresës së varfër dhe të mesme.

 

Sigurisht që pjesa dërrmuese e studiuesve dhe albanologëve janë të ndërgjegjshëm për mundësitë e kufizuara të shtetit shqiptar. Por nuk mund të justifikohet fakti, që kushtet materiale (zyra, rroga, karrike, tavolina) të kësaj kategorie ishin më të mira para viteve 1990 se sa sot. Nuk mund të justifikohet fakti se nga buxheti i shtetit shqiptar dalin me qindra miliona për reklama, njoftime dhe rrugica fshati dhe qytetesh, që nuk lexohen e nuk shkelen kurrë. Një gol i shënuar nga skuadra kombëtare, nuk mund të justifikohet me një milion euro, ndërkohë që shkencat albanologjike ndodhen në “reanimacion”. Arritjet e këtyre shkencave, pavarësisht se nuk u bëhet reklamimi i duhur për shkak të neglizhencës, është produkti më origjinal që mund të prodhohet në Shqipëri. Konsolidimi i institucioneve shkencore përbën një emergjencë kombëtare. Ato janë pararojë e ideologjive të shpërbërjes, të ruajtjes, forcimit dhe kultivimit të kulturës kombëtare shqiptare.

 

Identiteti dhe vlerat tona historike, gjuhësore, letrare, arkelogjike dhe etnografike është e vetmja pasuri që ne kemi, dhe mund të kemi. Rrugë, hidrocentrale, termocentrale dhe kulla ka në gjithë botën. Prandaj, albanologjia dhe trashëgimia kulturore duhet të jenë prioritet për shtetin. Investimi në këto fusha nuk kërkon shpenzime të papërballueshme. Mjafton një sasi shumë e vogël të ardhurash, e shpërndarë kjo në bazë të planifikimit paraprak të studimeve dhe suksesi është i garantuar. Madje, kërkimet dhe studimet shkencore mund të realizohen edhe në bazë të nevojave të institucioneve shtetërore. Kështu, Ministria e Punëve të Jashtme në përputhje me prioritetet, problematikat dhe çështjet e diskutueshme që ndesh herë pas here, ka plot arsye që të bashkëpunojë dhe koordinojë veprimtarinë e saj me këto institucione shkencore. Planifikimi dhe orientimi i punës kërkimore, pse jo edhe i doktorantëve të rinj, mund të bëhet në përputhje me nevojat e shtetit. Në këtë institucion, ashtu si në shumë institucione të tjera, siç është Ministria e Integrimit, etj., ka një sërë drejtorish për vendet e Ballkanit, Europës, etj. Specializimi dhe kualifikimi i punonjësve që punojnë në këto dikastere mund të bëhet fare mirë nga institucionet shkencore. Studimi i marrëdhënieve shqiptaro-greke, serbe, italiane, turke, franceze, gjermane, amerikane, etj, etj., do ta rriste në mënyrë të ndjeshme nivelin dhe përgjegjësinë e një vendimmarrjeje, por edhe të kuadrit të këtyre dikastereve. Nuk ka marrëveshje, traktat apo akt i nënshkruar midis dy shteteve, pa marrë në konsideratë historikun e marrëdhënieve, problematikat dhe bisedimet e zhvilluara më parë. Prandaj, koordinimi i punës kërkimore shkencore është dhe do të jetë i lidhur ngushtë me nevojat që kanë institucionet vendimarrëse të shtetit.

 

Mospërputhja dhe moskoordinimi i mekanizmave të specializuar, mungesa e konsulencës mes punonjësve të institucioneve shtetërore me specialistët përkatës, ka krijuar shpesh herë situata që e kanë vendosur në pozitë inferiore, pse jo dhe qesharake shtetin shqiptar. Ndërsa “armata” diplomatike e Millosheviçit ishte e mbushur me njohës të specializuar të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, diplomatë dhe historianë të kualifikuar, ne ia kishim ngarkuar këto përgjegjësi individëve me profesione të tilla (të nderuara) si: agronomë, mjekë, inxhinierë, etj.

 

Një nga premtimet e qeverisë shqiptare, në fillim të mandatit të saj, ishte shtimi i organikës së institucioneve shtetërore me redaktorë gjuhësorë. Ky premtim u mirëprit nga një numër i madh kolegësh që merren me gjuhësi. Kjo për faktin se shkresat e nëpunësve shqiptarë nga pikëpamja e zbatimit të normave drejtshkrimore përbëjnë një skandal të vërtetë. Nuk ka turp më të madh se sa alfabetin e gjuhës shqipe me 36 shkronja ta reduktosh me 30 e më pak gërma. Këtu kemi parasysh shkresat e institucioneve nga niveli bazë e deri te më i larti. Kjo tregon se gjuhën shqipe si gjuhë e parë zyrtare e shtetit shqiptar, si gjuhë amtare në bazë të Kushtetutës, duhet ta vendosim si lëndë të detyrueshme në çdo fakultet dhe në provimet e rekrutimit të nëpunësve të administratës. Përndryshe, administrata do të mbushet me “analfabetë funksionalë”. Ky proces, kërkon një edukim të vazhdueshëm, koordinim me institucionet shkencore albanologjike. Kjo, sepse gjuha shqipe përballet çdo ditë me një “agresion” të gjithanshëm, me probleme dhe rreziqe nga më të ndryshmet, si: injorancën e kulturës gjuhësore, hyrjen e fjalëve të reja, etj, etj.

 

Probleme të ngjashme vihen re edhe në shkencat e tjera albanologjike. Kështu, nga pjesa dërrmuese e filmave dhe dokumentarëve të prodhuar brenda dhe jashtë vendit, nga shqiptarë dhe të huaj, për mungesë informacioni dhe keqdashje, ekzistenca e kanuneve dhe e drejta zakonore shqiptare, në shumicën e rasteve pasqyrohet si simbol mesjetar dhe i prapambetjes kulturore. Ndërkoh që është krejtësisht e kundërta. Kanuni i Lek Dukagjinit, Kanuni i Labërisë, Kanuni i Dibrës, Kanuni i Skënderbeut, etj., përbëjnë një pasuri origjinale të kulturës kombëtare shqiptare. Mbledhja dhe botimi i korpusit të së drejtës zakonore përbën një domosdoshmëri të institucioneve tona shkencore dhe shtetërore. Ajo është një argument i fuqishëm, që tregon se shqiptarët, në kundërshtim me pretendimet e fqinjëve tanë, kanë aftësi shtetformuese. Këto kanune përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme juridike dhe etnologjike, që duhet studiuar dhe interpretuar brenda kontekstit. Ato, ashtu si veshjet e krahinave të ndryshme, përbëjnë gjymtyrët e identitetit dhe kulturës shqiptare.

 

E njëjta gjë vlen edhe për arkeologjinë, gërmimet, pasurimin dhe ruajtjen e fondeve arkeologjike. Pse duhet të vijë një vizitor i huaj në Shqipëri? Vetëm për hotelet dhe resortet turistike që ofron katrahura e bregdetit shqiptar? Turizmi kulturor është një aspekt i pazëvendësueshëm në këtë drejtim. Prandaj, shteti shqiptar nuk duhet ta lërë “jetim” albanologjinë. Qendër Studimesh Albanologjike, Akademi Shkencash, apo le ta quajë si të dojë… Vetëm kështu mund t’u bëjmë ballë sharlatanëve, brenda dhe jashtë vendit, përbaltjes së historisë sonë kombëtare. Kjo nuk mund të bëhet në/dhe vetëm në rrjetet sociale. Nuk janë çështje euforie dhe “sedre” kombëtare. Por probleme të koklavitura shkencore, që kërkojnë kërkime nëpër arkiva, hulumtime, literaturë, stabilitet, mbështetje financiare, morale dhe shtetërore.

Albanologjia nuk mund të jetë ekskluzivitet i institucioneve private. Ajo është detyrë ligjore, morale dhe politike e shtetit shqiptar. Nuk përbën asnjë barrë financiare për shtetin. Të kursehet një rrugicë, një urëz, një mbikalim, dhe Shkencat Albanologjike të nxirren nga “reanimacioni”.

 

 

*Studiues, Instituti i Historisë-Tiranë

July 13, 2016 12:25
Komento

1 Koment

  1. Arber July 16, 16:06

    I nderuar Bello, pse nuk e permend faktin se Akademine e Shkencave, ku perfshiheshin institutet e Albanologjise e shkaterroi Sali Berisha, dhenderri i Serbise?! Pse nuk thua se drejtori i Albanologjise e ka mbrojtur doktoraturen me Kamus-in ne France dhe u katapultua nga Berisha ne postin e drejtorit te Shkencave Albanologjike?! Pse nuk i permend milionat e dollarve qe derdhi Berisha per financimin e Konferences se Monarkise dhe ngritjen e permendoreve te agjentt dhe bashkepuntorit te Serbise Ahmet Bej Zogollit? Pse nuk thua qe drejtuesit e sotem te Alb. e kundershjtojne shkrirjen e aparatit te ish-Akademise se Shkencave me aparatin e Qendres se Studimeve Albanologjike? Pse e kundershtojne, nuk e di ti? Pse nuk e publikon doktoraturen tende qe ta marrim vesh se cfare niveli ke ti si studiues? Pse nuk i deklaron rrogat mujore qe shteti u jep nga taksapaguesit shqiptare mbi 120 e ca punonjesve shkencore te QSA-se, shumica e te cileve shkojne ne pune ne oren 10 dhe ikin ne oren 13?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*