Shkodër, “kërkoj mëshirë, por ma bëri borxh”

October 7, 2014 21:28

Shkodër, “kërkoj mëshirë, por ma bëri borxh”

Tregtari i akuzuar për ekzekutimin me 7 plumba të ish-punëtorit të tij të dyqanit të fruta-perimeve tek tregu në lagjen “Dobraç”, ish-SMT-ja, kërkon mëshirë para trupit gjykues dhe pendohet për veprimin e kryer. Por pavarësisht pendesës paraditen e djeshme gjatë masës së sigurisë me dyer të mbyllura në Gjykatën e Rrethit Shkodër, Ilir Hoxha i tha gjyqtarit të gatshëm se nuk kishte zgjidhje tjetër, pasi viktima Dedë Xhakaj ia kishte bërë borxh dhe nuk mund ta duronte më shumë. Në rrëfimin e tij të shkurtër, 40-vjeçari konfirmoi se nuk ka pasur probleme ekonomike me viktimën apo borxhe, por shkak është bërë fyerja e rëndë nga ish-punëtori, duke e quajtur atë “legen” në sy të kolegëve të tjerë.
Ilir Hoxha ka pranuar krimin në gjykatë, ndërsa Ndrekë Rukaj, avokati mbrojtës tha se klienti i tij kishte vepruar në një konflikt të çastit në gjaknxehtësi dhe jo me paramendim. Sipas tij, debatet vijonin prej disa ditësh dhe viktima e ofendonte të dyshuarin rëndë. Por Prokuroria akuzoi Hoxhën se ka zbrazur pothuajse dy karikatorë pistolete ndaj babait të dy fëmijëve, me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe. Ai ka qëlluar nëntë herë ndaj 50-vjeçarit dhe në fund tre të shtëna ishin për t’u siguruar se tjetri kishte vdekur. Por Hoxha deklaroi se ka vepruar në gjaknxehtësi në ato momente dhe nuk e ka kontrolluar dot veten pas fyerjes së rëndë. Hoxha i ka qëndruar rrëfimit të tij që prej ditës së parë dhe për të verifikuar këtë dëshmi do të pyeten edhe tregtarët e tjerë dëshmitarë në vendngjarje. “Unë nuk i kam pasur asnjë borxh Dedës. Kam punuar më të më parë në tregtinë e fruta-perimeve, ai punonte në dyqanin tim, por asnjëherë s’i jam detyruar”, dëshmoi i dyshuari.

Pasi ka dëgjuar të dyja palët në sallën e gjyqit, gjyqtari e gatshëm ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” për të akuzuarin Ilir Hoxha, për veprën penale “vrasje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Fakti i sherrit mes dy burrave u konfirmua edhe nga prokurorja e çështjes, Edlira Cufi, e cila theksoi se “50-vjeçari Xhakaj ishte i punësuar tek Hoxha dhe një javë përpara ngjarjes e ka pushuar nga puna, por në këtë moment kishin nisur edhe konfliktet, pasi ky i fundit kishte pretendime për një sasi lekësh”. E vetmja përplasje ka qenë se Hoxha mohon që t’i kishte lekë borxh viktimës. I dyshuari këmbënguli se vetëm fyerjet e përsëritura të Dedës e detyruan në aktin ekstrem. Edhe sipas dëshmive të tregtarëve të tjerë në momentet e para pas ngjarjes, mes dy burrave ka pasur konflikt të ashpër në fjalë ditën e krimit, por edhe më parë. Policia dhe prokuroria deklaruan se Hoxha është vetëdorëzuar pas krimit dhe se vjehrri i tij i ka çuar agjentët te banesa ku edhe qëndronte.

October 7, 2014 21:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*