Shkodra dhe motet, traditë, ngjarje, njerëz

July 6, 2015 17:15

Shkodra dhe motet, traditë, ngjarje, njerëz

Ky është titulli  i librit të Mësuesit të Popullit Hamdi Bushati, botuar pas vdekjes nga i biri i tij, mësuesi i njohur, Nexhmi Bushati. Në këtë libër në një aneks prej 120 faqesh me titull “Pamje gjenealogjike familjesh shkodrane” jepen të dhëna mbi origjinën e familjeve shkodrane.

Më poshtë po botojmë disa fragmente që janë shkëputur nga kapitulli VI “Familjet shkodrane me prejardhje te huej” (faqe 283-312):

“Siç dihet historikisht, kur Sulltan Mehmeti II pushtoi Shkodrën, shumë familje kristiane e lanë vendin dhe u larguan nga qyteti. Shtëpitë që lanë kristianët ua dhanë myslimanëve. Nga kjo kuptohet mirë se ata myslimanë, të cilëve iu dorëzuan shtëpitë e kristianëve të ikur nuk ishin të gjithë shqiptarë të konvertuar në islam, ndër ato vite të okupacionit, ata ishin turq ose me kombësi të tjera jo shqiptare. Instalime myslimanësh me prejardhje të huaj kanë vazhduar të vërtetohen deri në kohet e fundit të pushtimit osman të Shkodrës. Krahas myslimanëve erdhën edhe kristianë.

Nga pikëpamja etnografike dhe historike duhet ditur prejardhja e familjeve të shqiptarizuara si myslimane ashtu kristiane. Me gjithë gjurmimet tona mbi këto familje që ekzistojnë sot në Shkodër, duhet të kenë mbetur pa u përmendur edhe të tjera, por shpresojmë të zbulohen më vonë.  Krahas interesit historik ky proces paraqet edhe vlerë shoqërore, sepse evidenton psikologjinë e shkodranit, bujarinë dhe tolerancën e tij ndaj “jabanxhinjve”. Duhet ditur se në Shkodër ka edhe familje të shuara, sidomos në periudhën e sëmundjeve epidemike, si murtaja, kolera, etj. të shekujve 18, 19. Me rast edhe këto familje duhet zbuluar.

Për prejardhjen e familjeve që jemi duke i përshkruar nuk kemi dokumente konkrete, përveç të dhënave tradicionale të vetë pjesëtarëve të atyre familjeve, të cilët kanë dëgjuar nga pleqtë e tyre.

1.Të ardhur nga Turqia, Egjipti, Arabia, Dardanelet, Maroku, Tunizia, Algjeria, Siria, Dagistani, Sudani etj: Familjet e ardhura nga këto vende përbëjnë numrin më të madh të familjeve të ardhura në Shkodër.

84423870Në këtë studim nuk përmenden të gjitha familjet e ardhura nga këto vende, por vetëm ato familje që janë më të njohura, si familja Raxhimi (imam nga Egjipti), familja Djepaxhija (tregtar nga Konje e Anadollit), familja Berdicaj (të ardhur nga Anadolli qysh në fillim të invazionit osman dhe të vendosur në fshatin Bërdicë), familja Dërguti (nga Vilajeti i Ajdinit në Anadoll të vendosur në lagjen Dërgut), Çukejt (artilier nga Turqia), Çakejt (personalitet zyrtar nga Çanak-Kalaja-Dardanele), Kashejt (nga Spanja mbas shkatërrimit të dinastisë islame), Sheh Muhamet Magribi (imam nga Maroku), Dilaverit (ushtarak nga Turqia), Bilanët (prëgatitës ilaçesh nga krahina Bilan e Anadollit), Kalajajt (oficerë jeniçerësh të ardhur që në kohët e para të invazionit osman), Abdurrahmanët (oficerë turq nga Egjipti), Rust (nëpunes), familja Kalact, familja Shehi (shehlerë me origjinë arabe), familja e Nelit te Molla Dautit (origjinë egjiptane), familja Dizdart (dizdar në kalà i ardhur nga Izniku i Bruzes së Anadollit), fisi i Sheh Qazim Hoxhës (ushtarak nga qyteti i Kastamonit të Anadollit), familja Axhemi (ushtarak nga Trabzuni i Azise së Vogal), familja Boksejt (ushtarak nga Anadolli), familja Muhamet Shehu (hoxhë nga viset e Azisë së Vogël), familja Jenishehri (nga qyteti i vilajetit Hudaveqindar të sanxhakut Ortugal), familja Hysejt (oficer nga Izmiri i Anadollit), familja Xhemil Tulejmani (tekstilist nga qyteti Humus i Sirisë), familja Mexhidi (me prejardhje nga Degistani), familja Behrej (ushtarakë që nga fillimi i pushtimit osman), familja Allajbegve (kolonel me origjinë turke), familja Hadrejt (mytevli-administrator kujdestar), familja Sala-Isuft (grek i bërë mysliman). Zezakët e shqiptarizuar (të mbiquajturit Harapët) në Shkodër, që formojnë një numër të vogël, janë përgjithësisht me origjinë nga Sudani egjiptian. Janë sjellë si skllevër nga tregtarët, sidomos nga detarët ulqinakë. Këtë janë blerë ndër tregjet e Algjerisë, të Tunizisë, të Sirisë etj…. Këto përmenden veçanërisht pranë vezirëve Bushatllinj….Familjet katolike dhe orthodhokse nuk kanë mbajtur kurrë harapë ose harapesha…. Keto kanë shërbyer vetëm ndër familjet borgjeze e aristokrate myslimane, të cilat i kanë trajtuar si bashkëfamiljarët e shtëpisë ku kanë jetuar.

2.Familjet e ardhura nga Armenia, Greqia, Austria, Italia:

– nga Armenia: të dëbuar prej turqve nga Mustafa Qemal Ataturkut, si familja Johanexhan (punonjës zorrësh bagëtish), familja Hagopi (teknik dhe përpunues mëndafshi), familja Muzali (mjek).

nga Greqia: familja Kacarosi (nëpunes depoje duhani), familja Ronkali (rrobaqepës), familja Idromeno (arkitekt e piktor).

nga Austria, Vjena: familja Ingriz (këpucar dhe një nga sindikalistët e parë në Shkodër)

nga Italia: familja Scanietti (artist), familja Zamputti (mjek), familja Tedeschini (mjek që nga 1760), familja Benussi (farmacist).

Edhe rreth këtyre familjeve jepen të dhëna të vlefshme historike. Numri i tyre nuk është i ndjeshëm.

3.Podgoriçajt të ardhur nga Mali i Zi: Emigrantët Podgoricanë u dyndën drejt Shkodrës në 4 periudha: a)Gjatë sundimit të Bushatllinjve, b) Mbas Kongresit të Berlinit, c) Gjatë Luftës I Botërore, d) Gjatë Luftës II Botërore”. Podgoricajt janë sllavë myslimanë nga Podgorica, Shpuza, Nikshiqi dhe në përgjithësi nga Mali i Zi. Familjet podgoriciane më të hershme, sidomos ato të dyndjes së parë, e ndjejnë veten shqiptarë dhe mjaft prej tyre kanë bërë shqiptarizimin e emrave duke hequr prapashtesën sllave “iq“, “iç”. Familja me e hershme dhe më e përmendur në këtë studim është familja Alivoda (Alivodoviq), prej nga rrjedh sot familja Podgorica, familja Bajri, e cila dikur quhej Muxhiq, familja Mandia (Mandiq), familja Osmani (Osmanagiq), familja Haveri (Haveriq), familja Uruçi (Uruçeviq), familja Bebeziq, familja Sykaj (Sykniq), Juka (Jukniq), Llukaqi (Llukaqeviq), Halluni (Hallunoviq), familja Striniq. Familja Boshnjaku nga Bosnja etj.

4.Të ardhur nga tokat shqiptare, Ulqini, Tuzi, Kraja: Ka pasur emigracion shqiptarësh në Shkodër edhe nga tokat shqiptare në Mal të Zi, si Ulqini, Tuzi, Kraja. Duhet thënë se emigracioni i podgoricajve, i ulqinakve, etj, i ka dhënë shkas ndryshimit të disa zakoneve tradicionale shkodrane.”

Hamdi Bushati

Hamdi_bushatiHamdi Bushati është një ndër personalitet më të shquara të arsimit shqiptar. Tepër aktiv në punën kërkimore dhe i angazhuar në jetën intelektuale të elitës së qytetit të Shkodrës, Hamdi Bushati jep një kontribut të madh si mësues, historian, përkthyes e studiues. Si mësues dhe drejtues shkolle ai shquhet për përgatitjen me përkushtim të brezave të tërë nxënësish, hartimin e mjaft teksteve shkollore dhe studimin e historisë së shkollës dhe mendimit pedagogjik shqiptar. Si historian, ai boton nëpër organet e shtypit të kohës, artikuj e studime si “Gjenealogjia e Bushatlinjve”, botuar në revistën “Dituria”, punimin “Lufta e Miletit” të botuar në vitin 1928 në “Kalendari Kombtar”, e si dhe mjaft studime e punime të tjera që u përfshinë më pas në kryeveprën e tij “Shkodra dhe Motet”. Si përkthyes ai përveç dokumenteve të shumta në turqisht, si dhe mbishkrimeve mbi objekte kulti, përktheu dhe vepra të plota siç janë” Fjalori Historik” dhe “Fjalori Etnografik” nga “Enciklopedia” e Sami Frashërit, “Psikologjia” e Hasan Tahsinit, “Xhibali” e J. Davvenport, “Mbrojta e Shkodrës” nga Nazif-Karamentin etj. Ai pasuroi bibliotekën e tij personale me vepra të larmishme si fjalorë, gramatika e manuale gjuhësore të gjuhëve që njihte, me vepra letrare e historike, me krijime folklorike etj.

Indeksi evropian të Lumturisë, Shqipëria e fundit në Evropë

Dy vendet e Europës Juglindore, Shqipëria dhe Bullgaria janë listuar si shtetet më të palumtura në Kontinentin e Vjetër. Shqipëria me një popullsi që llogaritet në rreth 3 milionë banorë ka marrë pikët më të larta, që në renditje nënkupton vendin e fundit ( 29). Ky është përfundimi i arritur sipas të dhënave të Indeksit evropian të Lumturisë për vitin 2015 (Happiness Equality Index Europe 2015) publikuar këto ditë.  Një total prej 29 vendesh u morën në analizë nga Instituti i Kërkimeve mbi Lumturinë. Franca u rendit e nënta, ndërsa Mbretëria e Bashkuar në vendin e 14. Hartuesit e raportit e shpjegojnë rënien e nivelit të lumturisë me ndikimin që ka media sociale në jetën e njerëzve, të cilët bombardohen me lajme nga më të ndryshmet e që kanë ndikim tek të gjithë.  Sipas të dhënave të fundit të Indeksit, Finlanda, Holanda, Norvegjia, Danimarka dhe Islanda (Evropa Veriore) janë vendet më të lumtura, në kontinentin tonë përsa i përket barazisë sociale, ndihmës së madhe për nënat, nivelit të ulët i krimit, kujdesit të lirë shëndetësor dhe natyrisht nivelit të ulët të taksave. Por, lumturia shoqërohet edhe me trishtim, pasi janë këto vende që kanë nivelin më të lartë të rënies në depresion apo të vetëvrasjeve. Shkalla e lartë e vetëvrasjeve mbetet një shqetësim i lartë. Norma është 18 persona për 100,000 banorë, krahasuar me Bullgarinë që ka një raport 19/100,000 dhe Suedinë me 11/100,000.

 

Përshtypje nga udhëtimi i një të huaji në disa vise shqiptare

Jal - RolexALGazeta sllovene “Delo” ka botuar një artikull për Shqipërinë ku shkruan: “Shqipëria nuk është më një vend i varfër në Ballkan, ku njerëzit luftojnë për mbijetesën e tyre. Në të kundërt, shumë shqiptarë janë kthyer nga jashtë, me arsim dhe të holla, duke u përpjekur për të realizuar në Shqipëri ëndrrat e tyre. E kaluara e vështirë dëshmohet vetëm nga bunkerë të shpërndarë nëpër fusha, të ndërtuar në paranojën e Luftës së Ftohtë por, që tashmë, një pjesë e tyre janë kthyer në atraksione turistike, që tërheqin masivisht turistët evropianë.

Në Bllok, zona qendrore e kryeqytetit, duket mes hekurave shtëpia e vjetër e diktatorit komunist E.Hoxha, i cili gjatë sundimit, që nga viti 1945 e shndërroi Shqipërinë një vend krejtësisht të izoluar nga bota, në një nga vendet më të varfra, në atë periudhë. Duket sikur nuk ka njeri ndër mend që ta prishë këtë shtëpi, duke e lënë aty ashtu siç është, të pa-ndryshuar, thjesht të harruar që ti mbijë bari. Hoxha e la vendin në një recesion të thellë, dhe që filloi ta marrë veten në mesin e viteve nëntëdhjetë, dhe veçanërisht, në vitet e fundit.

Shqipëria sot është larg nga imazhet stereotipe të një Ballkani të pa-zhvilluar. Fjala shqiptar, edhe pse tek ne, vjen me një tjetër konotacion, në fakt e ka burimin e shpjegimit tek shqiponja, vendi i shqiponjave dhe shqiptarët e quajnë veten bij të shqiponjës.

Një tjetër çudi e braktisur arkitektonike frymëzuese në mes të Tiranës është piramida e ndërtuar nga familjarët e Hoxhës, pas vdekjes së tij, si muze, por që më vonë u ndryshua destinacioni. Sot, ndërtesa monumentale e mbushur me mbishkrime përdoret nga fëmijët për argëtim. Duke folur për arkitekturën, një ndërtesë moderne është Skytoëer nga ku duket Tirana dhe fshatrat përreth e që i lë vend imagjinatës dhe shijeve të individëve. Ky këtë sfond panoramik një ndërtesë bardhë e blu, duket mjaft tërheqëse e që me siguri ndonjë ditë do të përfundojë në Lonely Planet.

Largohemi nga Tirana, ku është pak e vështirë të ecësh mes turmave, duke u përpjekur të kapësh rritmin e lëvizjes, dhe me trafik të madh, drejt Rivierës Shqiptare, drejt Durrësit, Dhërmiut dhe Himarës, në një autostradë të re, me hapësira të mjaftueshme për të gjitha llojet e lëvizjeve.

Ajo që bie në sy në këtë zonë janë ndërtimet e reja, hotelet fantastike, ndërtimi i të cilave përfundon në një kohë rekord. Përgjatë bregdetit shqiptar vijojnë ndërtimet. Uji i Detin Jon është si kristali.

Gjuha shqipe është e mrekullueshme. Ajo është gjuhë e vjetër ilire që nuk ngjason me asnjë gjuhë tjetër. Ka disa fjalë që për ne tingëllojnë të njëjta si “plazh” e “autoshkollë”. Fjalët që i dëgjon shpesh janë “faleminderit” dhe “mirupafshim”.

Me sa duket pija tradicionale e shqiptarëve është rakia. Gjithashtu shqiptarët pijnë shumë kafe, të zezë, të shkurtër, cilësore, që kushton më pak se 50 cent. Kafenetë i gjen kudo.

Në brendësi të vendit ndodhet një tjetër qytet i veçantë, Gjirokastra, qytet i lashtë me arkitekturë tipike turke, që është në listën e UNESCO-s. Në Gjirokastër kalojmë një pjesë të mirë të ditës, në kështjellë, në rrugët e ngushta prej guri, mes njerëzve të shumtë. Banorët flasin me krenari për qytetin e tyre, traditat, artizanatin e trashëguar brez pas brezi që e ruajnë akoma si burim të ardhurash dhe që e përdorin kryesisht për edukimin e fëmijëve të tyre.

Kafenetë në Tiranë janë mjaft moderne të dekoruara sipas stileve të fundit, plot lule, me muzikë pop, koktejle, të rinj të veshur sipas modës së fundit. Mbrëmjen e fundit takohemi me një mik nga Gjermania i cili na tha se vjen shpesh në Shqipëri pasi ka miq vendas. Së bashku me të dhe gjermanë të tjerë shkojmë të zbulojmë klubet e natës. Ndërkohë që shohim se ka shumë galeri për ekspozita dhe filma. Pra, nga gjithçka që pamë, për një moment, na u duk vetja si të ishim në Berlin ose në ndonjë tjetër kryeqytet evropian. Edhe pse pimë pije të këndshme dhe birrë Heineken, unë dëshiroja të gjeja diçka Ballkanike, psh. raki që të më rrëzonte përtokë dhe të më bënte që të këndoja me zë të lartë … Por, jo! Ky është një tjetër stereotip që mesa duket unë duhet ta fshi nga koka!

Si, çfarë dhe sa? Deri në Tiranë është më lehtë të fluturosh nga aeroporti i Lubjanës, Bernik, për shkak se një fluturim i mirë merr vetëm një orë dhe bileta kushton nga 98 euro. Udhëtimi në Shqipëri me transportin publik mund të jetë pak i vështirë, kështu që është më mirë të marrësh një makinë me qira me çmimin nga 20 ero në ditë.

Në këtë vend gjen një racion ushqimi me qofte, salcë kosi, simite dhe birrë me çmimin 3 euro për person. Ushqim tipik shqiptar janë byreku, qoftet, lloje të ndryshme të mishit, kryesisht qengji dhe viçi. Ndjehet ndikimi nga kuzhina greke. Ndër ëmbëlsirat tipike është bakllavaja dhe akullorja shtëpiake. Dhomat dyshe në shtëpitë dhe hotelet kushtojnë rreth 25 euro për natë, me mëngjes. Dhomat janë të pastra, organizimi i mirë, njerëzit janë shumë miqësorë dhe ndihmues.

ATA

 

 

 

 

 

 

 

July 6, 2015 17:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*