Shkodra, Lezha dhe Vlora, me rritjen më të lartë të papunësisë në vitin 2020

April 6, 2021 18:14

Shkodra, Lezha dhe Vlora, me rritjen më të lartë të papunësisë në vitin 2020

Shkodra, Lezha dhe Vlora panë rritjen më të madhe të normës së papunësisë në vitin 2020, në raport me qarqet e tjera të vendit.

Varësia nga shërbimet dhe turizmi, të cilat ishin më të ndikuara nga pandemia Covid -19, i ka goditur më shumë qytetet bregdetare.

Sipas të dhënave të INSTAT, normën më të lartë të papunësisë e shënoi Lezha me 22.7%, por rritjen më të madhe vjetore në tremujorin e fundit të vitit 2020 e shënoi Shkodra me 5.5 pikë përqindje. Në Qarkun e Lezhës papunësia u rrit me 5.3 pikë përqindje për të njëjtën periudhë, ndërsa në Vlorë shkalla e papunësisë shënoi 18.7% me një rritje vjetore 3.8 pikë përqindje.

Dy prefekturat e tjera të mëdha ajo e Tiranës dhe Durrësit, ndonëse kanë shkallë të lartë të papunësisë me përkatësisht 13.8 dhe 12.7% shënuan ulje të lehtë në tremujorin e fundit të vitit 2020, në raport me të njëjtën periudhe te vitit 2019. Kjo për faktin se tërmeti i 26 nëntorit 2019 paralizoi ekonominë e dy qarqeve në fund të vitit 2019, duke bërë që papunësia në këto dy qarqe të përmirësohej një vit më vonë.

Gjithsesi në pesë qarqe të vendit, Lezhë, Vlorë, Shkodër, Tiranë dhe Durrës, papunësia në tremujorin e fundit të vitit 2020 ishte më e lartë se mesatarja në shkallë kombëtare prej 11.8 %.

Papunësia në këto qarqe në realitet është më e lartë, por INSTAT i klasifikoi si “joaktivë” një pjesë të personave të papune në bashkitë bregdetare. Jo aktivët nuk përfshihen në forcën e punës e për pasojë, nuk përllogariten si të papunë.

Numri i personave joaktivë (Persona 15-64 vjeç që nuk kërkojnë punë) u rit me mbi 36 mijë në tremujorin e fundit të vitit 2020 në raport me tetor-dhjetor 2019. Ashtu si edhe të papunët, personat joaktivë ishin të përqendruar kryesisht në qytetet bregdetare të vendit.

Pandemia Covid -19 u shfaq si një krizë punësimi për shkak të masave kufizuese në lëvizje dhe në disa aktivitete ekonomike kryesisht shërbime.

Të dhënat nga statistikat afatshkurtra tregojnë se më të goditura nga pandemia ishin bizneset e lidhura me turizmin, si transporti ajror, agjencitë e udhëtimit, hotelet, baret dhe restorantet.

Pritshmëritë në drejtim të punësimit paraqiten të zbehta edhe në tremujorin e parë të vitit 2021 për shkak të intensifikimit të pandemisë dhe rikthimit të masave të ashpra kufizuese në lëvizje në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian. / Monitor

m.m/ dita

April 6, 2021 18:14
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim