Shkodra në shtetrrethim për Shqipëri-Itali, zbresin në fushë edhe shërbimet sekrete

October 8, 2017 14:12

Shkodra në shtetrrethim për Shqipëri-Itali, zbresin në fushë edhe shërbimet sekrete

 

Në pritje të zhvillimit të ndeshjes së fundit kualifikuese të Botërorit “Rusi 2018”, mes Shqipërisë dhe Italisë në “Loro Boriçi” të Shkodrës, Policia e Shtetit ka bërë publik planin e masave për mbarëvajtjen sa më normale të kësaj sfide, që do të luhet të hënën në orën 20:45.

Policia njofton tifozët dhe sportdashësit që kanë siguruar një biletë se hyrja do të nisë prej orës 17 të së hënës.

Tifozët duhet të kenë me vete biletën dhe kartën e identitetit, ose pasaportën. Nga ana e policisë kërkohet mirëkuptimi i tifozëve që të mos e lënë për në minutat e fundit futjen në stadium.

“Nuk do të lejohet asnjë person që të hyjë në stadium me fishekzjarre, flakadanë, sende të forta, sende metalike, monedha apo çelësa, parulla që janë të ndaluara etj”, shkruhet në komunikatën e Policisë së Shtetit.

Një paralajmërim i fortë vjen nga shërbimet e policisë, nga ana e të cilave nuk do të lejohet hyrja në stadium e asnjë banderole dhe asnjë personi nga tifogrupi “Illyria Elite”, të cilëve nuk u janë shitur bileta nga Federata Shqiptare e Futbollit, pasi kanë krijuar probleme në ndeshjen Itali-Shqipëri në Palermo, më 24 mars të këtij viti 2017.

Ndërkohë, nga Italia pritet të ndjekin ndeshjen në stadium rreth 1.200 tifozë italianë.

Prej tyre, rreth 500 pritet të vijnë enkas nga vendi fqinj, ndërsa rreth 700 tifozë pritet të jenë shtetas italianë me banim të përkohshëm në Shqipëri.

Shërbimet sekrete

Policia e Shtetit, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe interesimin e shumtë të tifozerisë vendase, asaj nga Kosova dhe asaj italiane për të qenë të pranishëm në stadium, ka hartuar një plan masash që synojnë garantimin e rendit dhe qetësisë publike, para, gjatë dhe pas 90 minutëshit.

Fokusi i uniformave blu do të jetë evidentimi i individëve apo grupeve ekstremiste të dhunshme dhe me tendenca kriminale e terroriste, që mund të cënojnë rendin dhe sigurinë publike.

Për këtë arsye, Policia e Shtetit do të bashkëpunojë me Shërbimin Informativ Shtetëtor, Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, dhe Gardën e Republikës, por edhe me policitë e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Policia e Shtetit synon edhe monitorimin e faqeve në rrjetet sociale dhe burimet e hapura, për identifikimin e individëve dhe grupeve që bëjnë thirrje për nxitjen e fenomenit të ekstremizmit.

Mes objektivave janë edhe goditja e veprimtarisë kriminale, kapja e autorëve të dyshuar të veprave penale në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, kontrolli fizik i të gjithë personave të pajisur me bileta për ndeshjen, si dhe për moslejimin e futjes në stadium të sendeve dhe materialeve të ndryshme të paligjshme.

Sipas asaj që njofton Policia e Shtetit, do të bëhet mbikëqyrja e trafikut rrugor në akset e qytetit të Shkodrës, aksi nga Tirana drejt qytetit veriperëndimor, si dhe shoqërimi i personaliteteve të larta shtetërore, ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe Italisë, si dhe stafeve dhe tifozerive përkatëse. Masa do të ketë edhe për sigurimin dhe mbikëqyrjen e objekteve të përfaqësive diplomatike.

Në vëmendjen e Policisë së Shtetit është dhe kontrolli kufitar. Në pikat e kalimit kufitar në Morinë, Muriqan, Hani i Hotit, Qafë Thanë dhe Durrës, një specialist i Drejtorisë Antiterror do të vendoset për të verifikuar, intervistuar dhe vlerësuar lejimin ose jo të kalimit në territorin e Republikës së Shqipërisë, gjatë periudhës 6-9 tetor 2017, të individëve me prirje radikalizmi ose ekstremizmi të vendosur në listën e kontrollit “Njoftim në kufi”.

Ndërsa për kufizimet në lëvizjen apo bllokimin e qarkullimit në disa akse të brendshme të qytetit të Shkodrës, pritet një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, për oraret dhe rrugën e bllokuara. Kontrolle në akset rrugore do të ketë edhe me radarë për matjen e shpejtësisë, apo kontrolle për të identifikuar drejtuesit e automjeteve që konsumojnë alkool.

October 8, 2017 14:12
Komento

1 Koment

  1. MH October 8, 18:42

    Nji garanci do ishte mbajtja nen kontroll mbrendesin e stadiumit dy jave para ndeshjes qe te mos levizin asgja para syve vigjilente te vendosur nga institucionet e kesaj detyre.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim