Shkodrani që “përmbysi” kampin austriak

Vehbi FISHTA* November 17, 2014 13:21

Shkodrani që “përmbysi” kampin austriak

Qazim Adem Cirilami lindi në Shkodër më 30 qershor 1922. I ati, Adem Cirilami, ishte shumë i varfër, jeta i kalonte më shumë pa punë se me punë, nuk kishte me se të përballonte as bukën e fëmijëve. Zimi, siç e thërrisnin në familje e në shoqëri, bridhte Fushës së Bunës, Zallit të Kirit e Bregut të Ranës. Verës, tërë ditën e kalonte nëpër kopshtije e pemëtore, duke shuar urinë me pemë. U rrit i ashpër nga vuajtjet, nga të ftohtit e nga uria.

Xhandarët filluan ta ndiqnin Zimin “rrugaç”. Djaloshit “rebel”, me ardhjen e fashizmit në Shqipëri, iu ndez urrejtja për pushtuesit e tradhtarët. Një ditë fashistët e futën në burg si “i pabindur”.

Në burgun e madh të Shkodrës, Zimi ra në kontakt me shokë revolucionarë dhe antifashistë. Të burgosurit politikë, bënin planet për arratisjen, për shpërthimin e burgut. Ata aktivizuan për këtë edhe Zimin, si djalë trim dhe i zgjuar që ishte. Puna kishte filluar dhe çdo gjë po ecte mbarë.

Në mëngjesin e 24 marsit 1943 shokët njoftuan njëri-tjetrin se çdo gjë ishte në rregull. Kanali i nëndheshëm ishte hapur. Arratisja do të bëhej në mes të ditës, se rojet ishin më “vigjilentë”.

Shokët filluan të zvarriteshin nëpër kanalin e hapur, që të nxirrte në oborrin e një shtëpie të vjetër. Zimi, pasi u sigurua se të gjithë shokët ishin larguar, iku edhe ai vetë. Kur e morën vesh fashistët ishte vonë. Ata që dolën nga burgu shkuan në bazat e luftës dhe pastaj në çetën partizane. Prej asaj dite Qazimi u vu në shërbim të LANÇ.

Në çetën partizane të zonës së Mbishkodrës, Zimi u shqua për shkathtësi, trimëri e guxim. Shpesh komanda e caktonte Zimin të hynte ilegalisht në qytet për të mbajtur lidhje me Qarkorin e Partisë. Disa herë ai bënte edhe aksione brenda në Shkodër dhe u kallte tmerr armiqve.

Një ditë kur po kthehej nga qyteti, rruga e nxori Qazim Cirilamin nga Ura e Mesit mbi lumin Kir. Jo larg kishte roje e fortifikime ushtarake gjermane. Hyri në lumë dhe kaloi fshehurazi përtej urës. Kur po vishte këpucët, pa një ushtarak që ishte shtrirë në breg të lumit. Hodhi vështrimin përreth. Nuk kishte tjetër njeri. Me revolver dhe bomba në duar, fshehurazi, iu afrua dhe e thirri lehtas: “Hej, ti!”. Ushtaraku u ngrit menjëherë. Zimi i drejtoi revolverin dhe i bëri me shenjë që të ecte përpara. Ishte një oficer gjerman. Rrugës për në Drisht, me ndihmën e një fshatari, Zimi e lidhi me rrip ushtarakun gjerman dhe e çoi tek partizanët. Kur e panë Zimin, komandanti qeshi dhe u habit për gjahun që i kishte sjellë.

Nëntor 1943. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të LANÇ, batalioni partizan “Perlat Rexhepi” marshonte drejt Veriut (Plavë, Guci, Malësi të Tropojës). Shtabi i batalionit e ngarkonte Zimin me detyra të rëndësishme për ndërlidhje, për të komunikuar me malësorët në zona të vështira, për veprime të guximshme.

Në betejën e 13-14 shkurtit 1944, Zimi luftoi trimërisht kundër forcave gjermano-tradhtare. Ai i pa të rridhte në dëborën e bardhë gjaku i shokëve, i Nexhipit, i Ruzhdiut, i Fahriut, i partizanit internacionalist, italianit Galdo Galderizi etj. Prandaj, gjithë urrejtje, qëllonte mbi armiqtë.

Por nga të ftohtit e madh, Zimit i ngrinë këmbët. Me urdhër të shtabit partizan, së bashku me disa shokë, Zimi hyri në Gjakovë ilegalisht ku u strehua në një bazë të luftës dhe do të qëndronte aty deri sa të shërohej.

Por tradhtarët ranë në gjurmë të kësaj baze. Dhe një natë shtëpia ku ishte strehuar ai, u rrethua. Lufta midis Zimit dhe armiqve u zhvillua e ashpër. Zimit iu mbaruan fishekët dhe bombat dhe i kishte mbetur vetëm thika. Partizani kishte vendosur të vriste edhe një armik e pastaj të vdiste. Kur njëri nga armiqtë kishte hyrë te porta e dhomës, Zimi përmblodhi gjithë forcat dhe e shtriu përtokë. Ndërkohë, të tjerët, iu hodhën sipër, e kapën dhe e dërguan në xhandarmëri.

Tri javë e morën xhandarët e çetnikët jugosllavë me Zimin në burgun e Gjakovës, por nga goja e partizanit trim nuk nxorën asgjë.

Zimin e transferuan në burgun e Prizrenit. Në burg kishte një celulë komuniste. Aty ishte biseduar me shumë fshehtësi ideja e arratisjes. Kishin vendosur që organizimin e këtij aksioni do t’ia ngarkonin Zimit, megjithëse ai nuk ishte në parti. Pasi të gjithë shokët kishin rënë dakord që Zimi të udhëhiqte deri në fund planin e arratisjes, filloi puna përgatitore për zbatimin e tij: sigurimi i daltave, lugëve, gozhdëve etj., të nevojshme për hapjen e një tuneli në kaushin numër 6.

Ndërkaq filloi hapja e tunelit. Tuneli ishte gati. Zimi provoi të dalë dhe u kthye te shokët. Ai do t’i nxirrte dy e nga dy dhe vetë do të dilte i fundit… Por… tradhti! Një kriminel i burgosur, në çastin kur po bëheshin gati të hynin në tunel, i bëri me shenjë rojes, që të vinte. Në burg u dha alarmi. U njoftua me të shpejtë komanda gjermane. Filluan breshëritë e mitralozave.

Në burg erdhi vetë komandanti gjerman i forcave të qytetit të Prizrenit, me pseudonimin “Kisha”.

“Kisha”, si i xhindosur, thirri: “Nxirrni inxhinierin që projektoi këtë tunel!” Ndërkohë urdhëroi të kërkonin listat e të burgosurve dhe profesionet e tyre. Por tradhtari Ndrecë, që tashmë e ndjente veten të sigurt në mes të rojeve gjermane dhe të xhandarëve, foli: “Ai Zimi është inxhinieri, ai e projektoi dhe e zbatoi tunelin”.

Pas kësaj filluan torturat dhe kërbaçët dhe ia bënë trupin gjithë plagë. Nga plagët e nga goja i rridhte gjak. Tetëmbëdhjetë ditë e netë qëndroi në tortura, me peshat 18 kilogramëshe në këmbë. Dhe pasi nuk ia dolën dot as me këto mënyra barbare, e çuan në kampet e përqendrimit të shfarosjes. Stacioni i parë për Zimin dhe disa shokë të tjerë që u nisën nga burgu i Prizrenit, ishte kampi famëkeq i Prishtinës.

22 korrik 1944. Nën britmat histerike të SS-ve, qindra të burgosur, sikur të ishin kope bagëtish, i futën në vagona të mbyllur të një treni të posaçëm. Treni filloi të lëvizë. Të internuarit, të ulur ngjitur njëri pas tjetrit, e ndienin veten të rënduar nga mungesa e ajrit. Vetëm dy dritare të vogla të mbyllura me hekura kishte çdo vagon. Zimi ndodhej midis një grupi të internuarish me kombësi të ndryshme.

Kaloi dita. Në mbrëmje të internuarve u shpërndanë nga një copë bukë thekre. Dhe përsëri u dëgjua fishkëllima e lokomotivës, që jehonte si një sinjal i çjerrë që ndillte frikë, vdekje!

“Edenburg!” Ky emër i ushtoi në veshë Zimit, sapo treni qëndroi dhe rojet të nevrikosur filluan duke qëlluar të internuarit me kërbaçë e qyta pushkësh. “Austri!”, plotësoi i internuari që dinte gjermanisht dhe shtoi: “Zonë ushtarake!”

“Një gjë është e sigurt”, u tha Zimi shokëve të tij shqiptarë, “po të kishin qëllim të na vrisnin, do të na pushkatonin diku më afër. Gjermanët kanë nevojë për punëtorë dhe për shërbime të tjera”.

Ndodheshin në periferi të Vjenës. Zimi me një grusht shqiptarësh dhe me një numër të madh të internuarish me kombësi të ndryshme, u përqendruan në kampin Breitenfurt.

“Breitenfurt!” Emër i urryer. Emër që mbart me vete tortura, plagë, vdekje. Me këtë emër të urryer është i lidhur edhe emri i trimit Qazim Cirilami. Edhe pse nuk dinte gjuhë tjetër veç shqipes, Zimi ishte i aftë për të komunikuar me njerëzit. Emrin e tij e mësuan shumë të internuar dhe e shqiptonin me respekt e buzëqeshje: Zimi! Zimi!

Çdo ditë Zimin me një grup të internuarish e caktonin për të ngarkuar e shkarkuar makinat që sillnin materiale në kamp. Një ditë Zimi arriti të vulosë në parafangon e një makine një drapër dhe çekan me ngjyrë të kuqërremtë. Të nesërmen erdhi po kjo makinë ushtarake në kamp. Makina shoqërohej nga një toger dhe një nënoficer, të cilët u ankuan te oficeri i kampit për skandalin e ditës së kaluar. Oficeri i kampit ngulte këmbë: “Kjo nuk ju ka ngjarë këtu në kamp, shikoni në qytet, komunistët austriakë ua kanë punuar!”

“Jo, këtu në kamp”, përsëriste me zë të lehtë togeri.

Pas disa ditësh ngjau ajo që nuk e prisnin SS-të. “Vulat” drapër e çekan u gjendën nëpër disa makina. U bë zhurmë e rrëmujë. Disa të internuar i veçuan. Midis tyre ishte edhe Zimi. Në grupin e të internuarve që do të ndërtonin për gjermanët, ishte edhe Zimi. Me të ishin disa komunistë austriakë, që ishin miqësuar me djalin trim nga Shqipëria. Ata u morën vesh midis tyre për sabotimin e ndërtimeve. Sabotimet filluan nga tuneli në muraturë duke lënë boshllëqe, dhe në vend të çimentos të vinin baltë të lyer me çimento për të mos rënë në sy të teknikëve. Fruti i “punës” u duk dy muaj pas dorëzimit të godinës. Gjatë natës u bënë bombardime në periferi të Vjenës. Lëkundjet e tokës bënë që godina të shembej dhe të dëmtonte administratën e kampit gjerman.

Mëngjes i tmerrshëm! Filloi mitralimi i kapanoneve të të internuarve në të gjitha drejtimet. Ç’po ngjiste? Të internuarit ishin strukur pas mureve sepse plumbat hynin nga dritaret. Breshëritë e plumbave pushuan. Në kapanone hynë gjermanët duke u çjerrë si zakonisht. Në oborrin e rrethuar nga rojet zbret nga makina lagerfyreri dhe iu drejtohet të internuarve, duke thërritur disa emra, midis të cilëve: Cirilami Qazim!

Asnjë përgjigje! Atëherë, i egërsuar si bisha, nxori revolverin e qëlloi disa herë në ajër dhe diçka urdhëroi. Në kamp nisi kontrolli i imtë në kapanone, në magazina, në sektorët e punës, në stalla… Por… Zimi ishte arratisur! Këtë gjë e dinin dy-tre shqiptarë dhe dy-tre komunistë austriakë të besuar, të cilëve u kishte treguar planin e arratisjes.

Tani ai vepronte në Vjenë! Në Breitenfurt u bë e mundur të vendosen ndërlidhje me komunistët që vepronin jashtë. Këtë ndërlidhje e siguroi Zimi, i ngarkuar nga komunistët e internuar. Zimi dinte ku punonin të internuarit jashtë kampit. Dinte orarin e regjimit, etj. Për të gjitha këto e kishte informuar një punëtor komunist në Vjenë dhe së bashku me të koordinonin planin e veprimit, në çatinë e shtëpisë ku ishte strehuar. Zimi bënte planin, ai punonte për ta zbatuar atë.

Në disa kampe përqendrimi u vendos ndërlidhja. Ishte dora e djaloshit shqiptar, që ishte strehuar diku në Vjenë, ku kishte rënë në kontakt me komunistë dhe njerëz përparimtarë. Zimi kishte arritur deri atje sa të hynte vetë fshehtaz në kamp dhe t’u jepte udhëzime të internuarve për arratisjen e tyre.

Dhjetëra të internuar hapnin llogore në kodrat e qytetit. Të internuarit nuk kishin nga të iknin. Faqja e kodrës ishte e rrethuar mirë. Zimi me borsalinë kishte zënë vend në cep të rrugës. Aty pranë kalonin të internuarit me karrocat e dorës që transportonin dheun. Mbi një grumbull dheu Zimi kishte lënë një letër dhe disa paketa cigare. Kur e pa që shoku i tij u afrua, Zimi nisi të largohej, duke kënduar një këngë me këto fjalë: “Cigaret për shokët. Letrën për Verën. Kujdes…!”

Vera ishte një e internuar, nëpërmjet të cilës Zimi i mbante lidhjet me antifashistët në kamp. Këto lidhje u mbajtën edhe kur Zimi ndodhej jashtë kampit, pas arratisjes. Zimi e kreu disa kohë detyrën e ndërlidhësit. Por tradhtia e bëri të veten. Një ditë, kur Zimi po shkonte për një takim ndërlidhjeje, “ustashët”, agjentë të Hitlerit, që i kishin futur pas arratisjes së Zimit si të internuar me qëllime zbulimi, e diktuan. Njëri prej tyre edhe e njihte për së afërmi. Ata i zunë pritë. Tre “ustashët” të shtrirë rrëzë rrugës, sapo Zimi i kaloi pranë, u hodhën. E shtrinë përtokë. Dhe ai nuk u dha. Me shkathtësi nxori thikën. Dhe njërit prej tyre i preu faqen e majtë, deri në qafë. U përpoq, por e pamundur. Zimin e copëtuan “ustashët” kriminelë. E kërkuan Zimin. Më vonë shokët arritën të bien në gjurmët e tij, në gjurmët e kriminelëve.

Kështu ra revolucionari dhe antifashisti i shquar Qazim Cirilami. Toka austriake u skuq me gjakun e këtij djaloshi trim shqiptar.

*Kryetar i Komitetit të Veteranëve të Rrethit Shkodër

Vehbi FISHTA* November 17, 2014 13:21
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*