Shkojnë në 40 për qind, bizneset që nuk paguajnë detyrimet

December 6, 2014 09:46

Shkojnë në 40 për qind, bizneset që nuk paguajnë detyrimet

Duket që biznesi po vijon të ketë problem në likuditet. Këtë fakt e dëshmojnë dhe të dhënat më të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku numri i bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet tatimore është rritur me 40 për qind gjatë vitit 2014.

Lista zyrtare me biznesët borxhlinj është shtuar edhe me 4803 kompani këtë vit, duke e çuar listën e zezë të tatimpaguesve në 11 350 subjekte deri në fund të nëntorit 2014.

Shumica e bizneseve që kanë borxhe ndaj tatimeve, me rreth 50 për qind të totalit të borxhlijve deri në fund të nëntorit 2014, ose 6330 subjekte, i përkasin qarkut të Tiranës.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shpjeguar se këto subjekte përfaqësojnë listën e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve administrata tatimore, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë.

Kjo për shkak të ekzekutimit të detyrimeve duke nisur procedurën e mbledhjes me forcë të tyre.

Njoftimi i publikuar në faqen e tatimeve bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë​ detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksionev​e për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.

Nga ana tjetër sipas Ministrisë së Financave, kompanitë janë në aktivitet ekonomik dhe nuk konsiderohen të falimentuara, por për arsye të ndryshme që lidhen edhe me mungesën e likuiditetit në periudha të caktuara ato nuk mund të shlyejnë detyrimin tatimor.

Burimet në Ministrinë e Financave pohojnë se, kriza nuk po e favorizon shlyerjen e detyrimeve që bizneset i kanë shtetit, përkundrazi po ndikon në rritjen në mënyrë të konsiderueshme të detyrimet tatimore të papaguara.

Në të njëjtat shifra në mos më të larta biznesi u detyrohet edhe bankave. Ndërkohë që mundësitë për shlyerjen e këtyre detyrimeve do të jenë të pakta për aq kohë sa rritja ekonomike do të jetë në këto nivele.

Nuk paguan detyrimet? “Bllokohet” llogaria bankare

Një mënyrë tjetër për të mbledhur borxhin tatimor, është dhe masa që po ndiqet në ligjin e ri të procedurave tatimore.

Në ndryshimet që po diskutohen në ligjin e procedurave tatimore, në nenin 13 të projektligjit propozohet ndryshimi i pikës 1, të nenit 90, të ligjit në fuqi, duke përcaktuar se “nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin në datën e caktuar, administrata tatimore do t’i kërkojë çdo banke tregtare që të bllokojë shumën më të vogël ndërmjet shumës që kërkohet të mbahet dhe shumës që rezulton në atë çast në llogarinë e tatimpaguesit”.

Sipas relacionit, ndryshimi i propozuar konsiston në zëvendësimin e fjalës “mban” me fjalën “bllokon”. Ky ndryshim është në përputhje me titullin e kësaj dispozite e cila bën fjalë për urdhërin e bllokimit të llogarisë bankare të tatimpaguesit në rastet e mbledhjes me forcë të detyrimit.

Nga praktika është vënë re që përdorimi i fjalës mban ka sjellë një rritje artificiale të burokracisë për bllokimin e llogarisë bankare të tatimpaguesit, pasi bankat nuk e kalonin shumën e kërkuar nga administrata tatimore sipas kësaj dispozite por vetëm bllokonin llogarinë bankare të tatimpaguesit.

Për këtë arsye, propozohet të shtohet një fjali sipas së cilës shuma e bllokuar kalon për llogari të administratës tatimore sipas procedurës së përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave.

Në kuadër të këtij ndryshimi është bërë edhe ndryshimi në nenin 129 të ligjit, në të cilin zëvendësohet fjala “mban” me fjalën “bllokon”, shpjegojnë financat

December 6, 2014 09:46
Komento

1 Koment

  1. Arben December 7, 06:47

    SHTET PIRAMIDAL DHE HAJDUT.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*