Shkollë e ëndrrave të mia

June 12, 2018 13:37

Shkollë e ëndrrave të mia

Intervistë me “Mësuesen e Vitit”, Dhurata Myrtollari

Dhurata është mësuese në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” në Tiranë. Ka një përvojë të gjatë në arsim dhe është aktive në trajnimet e mësuesve. Është anëtare e Akademisë së Mësuesit (School Education Gateway), koordinatore e rrjetit eTwinning Albania, mësuese inovatore në Microsoft me titullin “Master Tranier” dhe ambasadore e rrjetit europian Scientix për Shqipërinë. Pjesëmarrëse në Konferenca e trajnime ndërkombëtare për arsimin. Fituese e disa çmimeve në fusha të ndryshme të arsimit dhe edukimit të brezit të ri: Përfaqësuese e Shqipërisë në Forumin Global të Arsimit, Budapest, Hungari në 2016. Fituese e çmimit të parë në projektet më të mira të zhvilluara në hapësirën e përbashkët të shkollave europiane eTwinnng, në tetor të vitit 2015, Tiranë. Fituese e çmimit të dytë për projektet më të mira të zhvilluara në hapësirën e përbashkët të shkollave europiane eTwinnng ,në vitit 2016 për Shqipërinë. Fituese e Çmimit të Madh “Mësuese e Vitit” në tetor 2017 në Shqipëri. Fituese e Çmimit të “Mirënjohjes” në fushën e arsimit dhe mësimdhënies, ICT AWARDS 6  (konkurs mbarëkombëtar për inovatorët e rinj në fusha të ndryshme).

-Në ka befasuar Çmimi “Mësues i Vitit”që morët. Urimet e mia më të mira për suksese të reja në punën tuaj. Po ç’është ky çmim, që dëgjohet për të parën herë?

Faleminderit për intervistën. Çmimi qe vërtetë një gëzim i paparë për mua. Në Shqipëri ky çmim jepet për të parën here, ndërsa në shumë vende të tjera ai ka vite që zhvillohet. Përpara se të arrija te ky gëzim i madh kam marrë pjesë në disa veprimtari ndërkombëtare në fushën e arsimit ku kam konkurruar  në emër të Shqipërisë.

 -Ju lutem, edhe një pyetje në lidhje me këtë konkurrim. Pse nuk është dhënë më parë ky çmim?

Të interesuarit, sidomos rrethet arsimore, duhet të dinë se vetëm në muajin maj 2017, u hap për herë të parë në Shqipëri procesi i konkurrimit për të përzgjedhur “Mësuesin e Vitit”. Ministria jonë e hapi konkurrimin pasi u lidh një marrëveshje me Koalicionin për Arsimin në Shqipëri gjatë muajve maj, qershor, korrik, gusht 2017. Juria e përbërë nga figura të shquara të jetës akademike dhe publike bën vlerësimin e aplikuesve gjatë muajit shtator 2017. Mua titulli “Mësuesi i Vitit”m’u dorëzua në shkollën”Kushtrimi i Lirisë” në një ceremoni surprizë dhe të paharruar. Kjo ndodhi në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit.

 Lexuesit besoj kanë të drejtë të dinë se nga cili rreth e keni origjinën dhe si arritët të fitoni një superçmim sipas meje?

Faleminderit për pyetjen. Mes njëqind e pesë fshatrave që ka Skrapari ndodhet dhe Visocka, vendlindja ime e shtrenjtë. Aty kalova fëmijërinë time. Aty lindën ëndrrat e para dhe “flenë” njerëzit e mi të rrallë…

 -Mbase është pyetje e tepërt, por dua të di, a të pëlqen profesioni i mësuesit?

Jo vetëm që më pëlqen, por më duhet të them se nuk mund të ketë profesion më të bukur. Është thënë se shkrimtarët janë inxhinier të shpirtit, e pranoj. Po mësuesit inxhinierët e kujt janë?

Mësuesi është drita që ndriçon botën shpirtërore të fëmijëve. Ai, për nga ndërgjegjja, është një mjek i vërtetë. Pa u zgjatur, dua të theksoj se shtyllat kryesore të shoqërisë janë dy: familja dhe shkolla!
Po sot, këto shtylla kanë problem të mëdha, sidomos familja. Po kjo është një temë e veçantë.

-Dhurata, më thuaj diçka më konkrete për figurën e mësuesit? Ju keni përvojë dhe tashmë po bëheni emër i njohur në fushën e arsimit kombëtar.

Mendoj se është herët për mua të nxjerrë përfundime, e aq më pak të jap këshilla për të tjerët. Fare telegrafisht mund të them diçka. Mësues nuk duhet të bëhet çdo njeri. Mësuesi duhet të  jetë një nxënës i përjetshëm. Ai që dremit, e ca më keq, fle nën hijen e diplomës, nuk mund të përballojë kërkesat e shkollës në përputhje me  kohën që jetojmë. Mësuesi i vërtetë të mëson nga zemra, pastaj nga libri!

Është i dyshimtë mësuesi që s’punon me pasion, që nuk i do nxënësit e profesionin, por hiqet zvarrë korridoreve të shkollave tona për të marrë një rrogë.

-Si mësuese e Gjuhës-Letërsisë a mund të na jepni një mendim për problemet e gjuhës dhe të librit në ditët tona?

Mikja ime, unë kam lindur një vit pas Kongresit të Drejtshkrimit. Po ai kongres, me vendimet që miratoi zuri vend nderi në mbarë historinë e gjuhës sonë. Personalitetet e atij kongresi si dhe 87 delegatët e tij meritojnë nderimin e pakufishëm të mbarë botës shqiptare, tej e këtej kufirit shtetëror.

Sot, njësi e gjuhës nuk është njësi e kombit, siç thoshte me të drejtë Xhuvani i pavdekshëm. Sot sikur të mos na mjaftonin orientalizmat e sllavizmat e shekujve në robëri, Europë e vjetër dhe e re, me barbarizmat e saj, po ndikon drejtpërdrejt në gjuhën tonë. Ndërsa nga brenda, nën maskën e modernizimit, nga njëra anë dhe të lirisë së individit nga ana tjetër, gjuha jonë e bukur po sakatohet pa mëshirë. Kudo e ngado, gabime të rënda drejtshkrimore. Që njeriu të bindet përsa them, mjafton të dëgjojë diskutimet në parlament dhe t’u hedh një sy gazetave. Sa për librin bashkohem me mbarë opinionin se për të ka rënë interesi, si presion nga koha, teknologjia, interneti e mjete të tjera të informacionit. Po vlera e librit është e padiskutueshme; libri mbetet libër.

Shteti sipas meje duhet të vërë dorë urgjentisht për të frenuar dukuritë negative ndaj gjuhës së shkruar.

-Ç’mendon Dhurata për sistemin tonë arsimor, për mësimdhënien etj?

Shkolla jonë përpiqet të përafrohet me sistemin europian dhe ka suksese. Punohet vazhdimisht. Bëhen reforma, kualifikime etj. Por reformë mbi reformat qëndron mësuesi, ai i jep tonin shkollës. Shkolla ka qenë, është dhe do të mbetet pasqyra besnike e mësuesit.

Pa u futur  më tutje dua të vë në dukje pakënaqësinë time, lidhur me vlerësimet. Mësuesit i është hequr e drejta tradicionale e vendosjes së notës në regjistër. Kjo, sipas meje, hap shteg për falsifikime…
Një ndryshim rrënjësor në arsim do të sillte dhe vendosja e drejtuesve të shkollave sipas një konkurrimi të hapur, ku aplikuesit duhet të shpalosnin platformat e tyre rreth zhvillimit që do t’i sillnin shkollës  përpara komunitetit të prindërve të shkollës. Drejtuesit duhet të jenë lidera në udhëheqjen e shkollave të tyre drejt sfidave të kohës  dhe jo menaxher të shkollës.

-Feja dhe politika, zonja Dhurata, ç’raporte kanë me shkollën?

Nuk mund të mos them se, kush më shumë dhe kush më pak, herë direkt e herë indirekt, të dyja palët ndërhyjnë në jetën e shkollës.

Sipas jush, a bën dhe a duhet të bëjë propagandë shkolla për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila është një faqe e ndritur në historinë tonë pas Rilindjes?

Familja ime në Visockë e ka paguar me gjak lirinë që sollën partizanët më 29 Nëntor 1944. Xhaxhai im, Ali Hysni Mehmetasi, ish-partizan i Brigadës së 7-të Sulmuese, ra dëshmor në Vishegrad të Jugosllavisë më 2 Shkurt 1945. Fshati i vendlindjes sime liroi shtëpitë dhe ngriti aty spitalin ku mjekoheshin partizanët e plagosur etj. E them plot keqardhje se shkollat tona, kush më shumë e kush më pak, bëjnë shumë pak për dëshmorët dhe heronjtë. Përgjegjësinë e mban shteti dhe askush tjetër. Komentet nuk kanë vlerë për këtë çështje.

-Më së fundi, dy fjalë për familjen tuaj.

Jam martuar  në vitin 1993 dhe kam tre fëmijë. Vajza ime, fëmija e parë, vazhdon masterin shkencor për Informatikë-Ekonomike. Djali i madh studion në vitin e dytë për Inxhinieri Pyjesh. I vogli është në klasën e parë në shkollën time, ku punoj prej njëmbëdhjetë vitesh. Më vjen keq që e them, por  asnjëri nuk e pëlqen mësuesinë!

-Sipas jush, ka titull apo dekoratë  më të lartë për mësuesin se “Mësues i Popullit”?

Po. Çdo gjë e tepërt është e dëmshme. Besoj se më kupton ku e kam fjalën. Sipas mendimit tim, dekorata më e lartë, dekoratë mbi çdo dekoratë, është ajo që nxënësit dhe prindërit e tyre, i japin mësuesit. Këta mësues janë të lumtur, por të rrallë. Janë shumë, por po përmend disa që ua kam dëgjuar historinë nga më të vjetrit si: Nizaete Caka nga Berati, si Elsa Xinxo (Vakëflliu) apo Lumnie Sheketila nga Elbasani që rrojnë edhe pas vdekjes, se emrat e tyre i mbajnë nxënësit me mburrje dhe krenari.

– Pyetja e fundit: Sikur të bindeshe e ta  thyeje me varé ”Gurin e nxehtë” të Arkadi Gajdarit dhe ta filloje jetën përsëri nga e para, çfarë profesioni do të zgjidhje?

Atë gur unë nuk e thyej, sepse nuk dua ta nis jetën nga e para. Le ta thyejë kush të dojë. Por edhe qindra herë ta filloja nga e para, do të zgjidhja profesionin më të bukur të kësaj bote, atë të mësuesit.

Intervistoi: Dallëndyshe Lirëza

 

June 12, 2018 13:37
Komento

3 Komente

  1. Dhimiter ,Xhoga June 12, 17:53

    ENDERRAT tone NGADHNJOFSHIN…
    E nderuar Dhurata Myrtollari.

    Me ne fund nje nga stimujt me frutdhenes per MESUESIN dhe MESUESINE.ky stimul,do te thoja une, mesues 82 vjecar,nje jete te dyte, mesues aktiv,mbetur i tille dhe ne PENSION. (Nderuar me dy Urdhera e pune, “Naim Frasheri”e tje tituj vleresues.,Po Ky stimul vleresues, per “Mesuesin e VITIT”, mendoj se eshte me produktiv dhe nxites .Mire qe u aplikua ani se von .Si thote populli-me mire VON se KURRE.”. Suksese e nderuar MESUESE; Dhurata Myrtollari,per me teper njohur frutet e punes suaj si banor pesionist ish mesues i asaj lagjeje me emer “Ali Demi”,sa biseda bere aty me nxenesit ne vite,qe na ben krenar per emrin qe mban ajo shkolle, Ju nderuar ate, me punen mesues nxenes te asaj shkolle me emer ne Tirane..
    .Bejuni Ju shkas,nder per emrin e asaj shkolle “Kushtrimi Lirise”e,jepni “kushtrimin” per nderimin e figures,”Ali Demit”,ti vihet BUSTI si ka qene, ne hyrie te lagjes, atij Herroi Kombetar ALI DEMI,vite hequr..(.Si “Pasus Veterani” po ju lutem ju ta kerkoni, mua sa veteraneve te Lagjes “Ali Demi”,injoruar kjo kerkese, bere ne vite pas heqies se atij BUSTI,shkaterruar dhe Kinemaja me te njejtin emer “Ali DEMI”.Faleminderit kolektivit mesues -Nxenes te shkolles “Ali Demi” vendosur ate bust, ne oborin e shkolles. Nga tej oqeani ju letem,une 82 vjecar MESUES,,qe me ka zene goja lesh, perseritur kete kerkese,deri organeve kopetente, sa permes shtypit ditor. Po kujt tia thuash..
    .Bejeni ju si shkolle problem,ndoshta ju degjojne.
    Me konsiderate mesuesi nje jete me Ju
    82 vjecari- Pesinist mesues-Dh Xhoga.

    Reply to this comment
  2. Me June 12, 18:57

    Nuk paska mesuese te tjera Tirana, vetem kjo koordinatore gjithandej, ne cdo event nderkombetare vetem po kjo, kudo vetem kjo ……dhe titullin kjo, cfare ka bere kjo per nxenesit dicka ndryshe pervcse paska tituj pa fund… … si ka mundesi, nuk ka te tjere vetem kjo qenka nje ne mijera ne Tirane!!!!!!!!!!!!! . Kur hapen komkurse dhe per tituj dhe per kpnferenca nderkombetare etj…. duhet informacion ne cdo shkolle dhe te kete konkurs te vertete,.,,,,,,

    Reply to this comment
  3. Gjergji June 16, 16:36

    Bravo Dhurata. Neve ne vend qe ti japim mbeshtetje dhe te stimulojm te tjeret qe te punojn me shum per arsimin. Marrim guximin dhe te komentojm titujt dhe mirnjohjen qe ja kan dhen nderkombetaret. Meritokracia duhet te funksionoj ne cdo fushe. Shoqja komentuese “KJO” nese nuk je dakord me ngjarjet e fundit. Mubd te dalesh ti neper Televizione dhe intervista. Suksese njerzve qe e duan arsimin dhe brezin e ri te shqiperise.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*