Shkup: Arrestimi i parë lidhur me përgjimet

March 31, 2016 23:31

Shkup: Arrestimi i parë lidhur me përgjimet

Në gjykatë në Shkup i caktoi masën e paraburgimit prej tridhjetë ditësh, Goran Grujevskit, shefi i drejtorisë së pestë të ministrisë së Brendshme, i arrestuar një ditë më parë nën dyshimet për shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit.

Ai është personi i parë i cili arrestohet në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme e themeluar pas aferës së përgjimeve në Maqedoni e cila çoi në krizën politike në vend.

Kjo prokurori ngriti të mërkurën hetime në lidhje me dyshimet për shkatërrimin e pajisjeve për përgjim, në kuadër të procesit të njohur si “Kështjella”, ku përfshihen edhe katër persona të tjerë, në mesin e të cilëve edhe ish-ministrja e rendit Gordana Jankullovska, për të cilën është kërkuar “masa paraprake”, përkatësisht marrja e pasaportës.

Sipas prokurorisë, mjetet e shkatërruara i kanë shkaktuar vendit një humbje prej 10 milion eurosh. Të gjithë këta dyshohen për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe autoritetit dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Kjo është hera e parë kur një gjykatë themelore pranon kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të paraburgosur një zyrtar të lartë të policisë.

Rasti “Kështjella” si dhe rasti tjetër i njohur si “Titanik”, burojnë nga skandali i përgjimeve të publikuara vitin e kaluar nga opozita maqedonase, e cila pretendon se posedon materiale ku mijëra njerëz janë përgjuar nga shërbimi sekret maqedonas, në mesin e tyre edhe bartës funksionesh shtetërore, drejtues politikë, biznesmenë, gazetarë, etj.

Skandali detyroi madje partitë kryesore të vendit që të arrijnë një marrëveshje për reforma në disa fusha për t’i dhënë fund krizës politike që kishte përfshirë vendin.

Së këndejmi dhe u formua Prokuroria e Posaçme Publike që do të merret me rastet e dyshuara nga ky skandal. Si rezultat i krizës edhe kryetari i VMRO-së Nikolla Gruevski u detyrua të japë dorëheqje nga posti i kryeministrit bashkë me disa ministra të tjerë.

Kriza çoi në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për mbajtjen e zgjedhjeve ë parakohshme, data e të cilave ende mbetet e paqartë./VOA

March 31, 2016 23:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*