Shmanget ligji i koncesioneve për rrugën e Arbrit

March 16, 2015 18:58

Shmanget ligji i koncesioneve për rrugën e Arbrit

Qeveria shqiptare ka kërkuar në parlament miratimin e një ligji që synon thjeshtë anashkalimin e legjislacionit aktual për koncesionet publike në rastin e ndërtimit me koncesion të segmentit më të vështirë të Rrugës së Arbrit, projekti që synon të lidhë Tiranën me Dibrën përmes ndërtimit të dy tuneleve në Qafën e Murrizit në kufirin natyror ndarës mes Tiranës dhe Matit.

“Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, së bashku me ministritë e linjës, përkatësisht, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, duke vlerësuar rëndësinë e këtij projekti, kanë ndërmarrë iniciativën e përcaktimit të një procedure të veçantë me qëllim mundësimin e realizimit në një kohë të shpejtë dhe në mënyrë të efektshme për negociimin dhe lidhjen e kontratës për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “China State Construction Company””, thuhet në relacionin shoqërues të projektligjit të publikuar në faqen e Kuvendit.

“Ky përjashtim do të mundësojë lidhjen e kontratës dhe fillimin e ndërtimit të këtij segmenti rrugor në një kohë më të shkurtër, duke mundësuar kursimin e kohës së udhëtimit dhe kursimin e kostove operacionale të mjeteve”, thuhet në relacionin e ligjit.

Kontrata kolegjiale
Komisioni do të punësojë një konsulent të huaj për të vlerësuar propozimin e paraqitur nga koncesionmarrësi. Kontrata do të hartohet në negociim me koncesionmarrësin dhe ligji specifikon se ajo do të bashkëfirmoset nga tre ministra, pra do të jetë një vendim kolegjial. Më pas kontrata do të kalojë për miratim në parlament.Sipas projektligjit, nuk do të ndiqen procedurat aktuale të përcaktuara në ligjin për koncesionet por ministria e Transportit do të krijojë një komision negocimi me përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokaturës së Shtetit.

Rruga e Arbërit

Rruga e Arbërit është një shteg historik që lidh Tiranën me Dibrën dhe brendësinë e Ballkanit përmes një trajektoreje të shkurtër prej pak më shumë se 100 kilometrash. Në kohët e lashta ky shteg është përdorur më së shumti për transport me mushka dhe vetëm gjatë muajve të verës për shkak se Qafa e Murrizit gjendet në lartësi të mëdha dhe mbulohet nga dëbora për një pjesë të madhe të vitit.

Aktualisht qeveria e shkuar projektoi dhe komisionoi punime për një segment të shkurtër nga fshati i Brrarit në periferi të Tiranës deri në Shkallën e Tujanit si dhe një tunel që çan shkëmbin pranë kanionit të lumit të Tiranës. Rruga e ndërtuar deri tani ka mbetur e paasflaftuar. Në anën e Matit janë komisionuar punime të cilat janë ndërprerë për një tunel nën Qafën e Buallit si dhe për përmirësimin e segmentit rrugor nga Bulqiza deri në kufi me Maqedoninë.

Segmenti që pritet të jepet me koncesion, sipas relacionit shoqërues të ligjit, është 26.8 kilometra i gjatë, me gjerësi 10.5 m, me dy korsi të asfaltuara me gjerësi nga 3.75 m dhe me shpejtësi të projektuar 50-60 km/orë.

Në këtë segment parashikohet ndërtimi i 15 urave të mesme dhe të mëdha, me gjatësi totale rreth 1 500 metra linearë, ndërtimi i dy tuneleve, me gjatësi respektive prej 2 600 dhe 560 metra linearë. Rruga kalon në një terren të thyer malor dhe për krijimin e shtratit të saj parashikohet ndërtimi i mureve mbajtëse dhe veprave shoqëruese për stabilizimin e shpateve me përmasa të konsiderueshme.

Kompania kineze

Bisedimet për koncesion do të zhvillohen me kompaninë shtetërore kineze të ndërtimit, “China State Construction Company”. Qeveria shqiptare pati marrë fillimisht interesimin e kompanisë kineze në vitin 2013. Sipas njoftimit të qeverisë në atë kohë, propozimi mbart “asnjë kosto ose kosto të vogël” në borxhin publik të vendit.

Nuk bëhet e qartë nga projektligji se cila do të jetë formula e financimit të rrugës në rast se trafiku nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar kostot. Zakonisht rrugët me dy korsi konsiderohen si me leverdi ekonomike kur në to qarkullojnë mesatarisht 7 mijë makina në ditë ndërsa rrugët me 4 korsi konsiderohen ekonomike kur qarkullojnë më shumë se 12 mijë makina në ditë.

Popullsia përfituese e projektit e përqendruar në rrethet Mat dhe Dibër vlerësohet në rreth 140 mijë banorë sipas Censusit 2011.

March 16, 2015 18:58
Komento

1 Koment

  1. Prologu i një vjedhjeje tjetër “në emër të kombit” March 17, 09:32

    Sipas të gjitha gjasave “Rruga e Arbërit” do të jetë një vjedhje e ngjashme me “Rrugën e Kombit”, por me formulë të re.

    Projekti i “Rrugës së Arbërit” është bërë nga një studjo shqiptare mbi 10 vite më parë. Ajo ka një gjatësi 64km dhe është shumë e rëndësishme për zonat e harruara të Matit e Dibrës dhe lidhjen me Maqedoninë.

    Deri më tani janë ndërtuar dhe po vazhdojnë punimet me financim nga buxheti i shtetit për 3 nga 5 segmentet e saj ose në një distancë 37km. Segmentet më të vështira të saj janë ai i 2-të dhe i 3-të, që sipas projektit parashikohen të jenë rrugë malore që arrin deri në lartësinë mbi 900m. Këto 2 segmente kanë një gjatësi 26,8 km, gjerësi rruge 7,5m, një tunel mbi 2,6 km në Murriz (i ngjashëm me një nga tunelet e Krrabës), një tunel 560m në Gurin e Bardhë dhe disa ura.

    Projekti i “Rrugës së Arbërit” i aprovuar nga Qeveria Nano u përkrah fuqimisht nga Qeveria Berisha dhe për këtë hynë në negociata me kompaninë kineze China State Construction Engineering Corporation (CSCEC – http://english.cscec.com/), që ta ndërtonin me koncesion dhe të përfitonin financim nga Kina.

    Pa hyrë në vlerësime për cilësinë shumë të diskuteushme të vetë projektit si dhe vlerësimin e tij ekonomik, po ju bëjmë me dije perpjekjet e qeveritarëve shqiptarë se përse duan të përfshijnë kinezet në këtë projekt, që shumë mirë mund të vazhdonin t’i bënin edhe 26km e mbetura me fondet e buxhetit të shtetit si dhe segmentet e ndërtuara deri më tani.

    I inspiruar nga “suksesi i vjedhjes” me “Rrugën e Kombit”, idenë e përfshirjes së kinezëve në këtë koncesion e pati Sali Berisha dhe grupet e interesit rreth tij. Ai jua paraqiti fillimisht këtë projekt kinezëve dhe ra “në ujdi” me kompaninë CSCEC, e cila menjëherë hapi zyrat në Tiranë dhe bëri një “marrëveshje bashkëpunimi” me një kompani pranë Berishës. Disa muaj më vonë CSCEC bëri edhe një “marrëveshje bashkëpunimi” edhe me kompaninë “Megatek” të Lulzim Bashës. Qëllimi i dhënies “me koncesion” dhe paraqitja si një ofertë e pakërkuar qe thjeshtë që të mos bënin transparent koston e ndërtimit.

    Me ardhjen e socialistëve në pushtet në takimin e parë që Edi Rama pati me kinezët e CSCEC dhe në prezencë të autoriteteve diplomatike kineze, Rama ju prezantoi kinezëve superdeputetin Koço Kokëdhima dhe ju tha shprehimisht kinezëve: “KY JAM UNË”. Natyrisht socialisti Koço nuk e pati fare problem që të bënte një ujdi të shpejtë me kinezët dhe me ortakun demokrat të Lul Bashës, Dionis Teqja (Megatek), pasi “Dionisi nuk është më me Lulin”.

    Pasi Koço ra në ujdi me kinezet e CSCEC (me dorëzani të Ramës) i vuri në rreshtore ministrat e transportit dhe të ekonomisë, dhe po mundohet të neutralizojë edhe atë të financave (me kërcënime “shkarkimi” në gazetën e tij).

    Po ku qëndron problemi më serioz me “Rrugën e Arbërit”?

    Tek formula inovative e financimit (e vjedhjes) “KONCESION ME GARANCI TRAFIKU”. Që do të thotë që “në se në “Rrugën e Arbërit” nuk kalojnë X numër makinash në vit, qeveria Shqiptare do të paguajë diferencën e trafikut të munguar”. Sipas standarteve europiane që një rrugë me 2 korsi prej 27 km (ndërtuar me kosto mesatare) do të duhen të kalojnë 7’ooo makina në ditë, që ajo të jetë rentabël. Sa makina mendoni që mund të kalojnë në “Rrugën e Arbërit”? Në “Rrugën e Kombit” kalojnë rreth 4’000 makina në ditë. Pra nuk do shumë përllogaritje të kutohet që “Garancia e Trafikut” që do të garantojë të paguajë Qeveria Shqiptare është thjeshtë një “Këst Kredie i Fshehtë”.

    Atëherë përse Qeveria Shqiptare vazhdon të zbatojë një skemë vjedhjeje të ngritur nga Berisha e Basha?

    Pse nuk ndiqet procedurë tenderimi për ndërtimin e 2 segmenteve të “Rrugës së Arbërit”, deri sa kjo është një kredi e pastër, që do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë?

    Në se thonë që është një propozim kinez i pakërkuar, gënjejnë. Ky është projekt i Qeverisë Shqiptare.

    Në se thonë se firma CSCEC e financon vetë, gënjejnë. Gjithë investimet kineze me kredi të buta në 16 vendet e Europës Qëndrore e Lindore i financon China Exim Bank (http://english.eximbank.gov.cn/en/), që jua jep qeverive me kusht që përfitues të jenë firma kineze. Në çdo vend që kjo bankë ka financuar të tilla projekte, ato kanë kaluar në procese tenderimi nga qeveritë respektive. Evitimi nga Qeveria Shqiptare i procedurave të tenderimit bëhet me të vetmin qëllim, që të mos ketë transparencë për koston e fryrë të ndërtimit të rrugës, që sipas thashethemeve të besueshme varion nga 260 milionë euro deri më 500 milionë euro për një distancë rruge 26km aq sa nga Tirana në Dajt !!!! Kjo rrugë s’mund të kushtojë kurrsesi më shumë se 100 milionë euro (përfshi bakshishet standate).

    Të gjitha veprimet e deritanishme të Qeverisë Shqiptare kanë kulmuar me “Projektligjin që ajo ka përgatitur javën e shkuar dhe dërguar në Kuvend, nëpërmjet të cilit kërkon një procedurë të veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e “Rrugës së Arbrit”, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “China State Construction Company”.

    Kjo NUK ËSHTË ASPAK TRANSPARENTE.

    Me këtë projektligj Qeveria don të mbulojnë një kredi të fshehtë, që po merr nga Exim Bank e Kinës, që sipas gjithë gjasave do të përfundojë në pjesën më të madhe në xhepat e pushtetarëve (të pozitës dhe opozitës) dhe në dëmin tonë si shtetas. Kjo do të rrënojë edhe më tepër krizën ekonomike të Shqipërisë. Prandaj ne si qytetarë kemi të drejtë të informohemi dhe të bëhet çdo gjë transparente dhe sipas Ligjit “Për Prokurimin Publik” dhe të mos stisen ligje për të përligjur veprime të paligjshme.

    Pra sipas gjithë gjasave ky është prologu i një vjedhjeje tjetër “në emër të kombit”, vjedhje e financimeve kineze të “Rrugës së Arbërit” me ekzekutor primar tutorin e Edi Ramës Koço Kokëdhimën.

    Nga veprimtaria e deritanishme e kësaj qeverie, ku nuk ka asnjë investim serioz në ekonomi, bile nuk ka asnjë projekt serioz ose vision ekonomik (perveç palmave 6’000 euroshe), po shofim vetëm skema vjedhje të llojeve të ndryshme me ekzekutorë të ndryshëm, që kanë emër dhe mbiemër:
    – Vjedhja klasike për ditën me diell e naftës dhe rentave minerare të Albpetrolit nga kryeekzekutori socialist i vjedhjeve Koço Kokëdhima (me lejen e Edi Ramës);
    – Vjedhja me tenderin e “check-up” që de-facto përfitues pas figurantes Vilma Nushi është ish ortaku i saj Arben Ahmetaj (ekzekutori numër 2 socialist i vjedhjeve);
    – Vjedhjet konstante në shëndetësi nga Ilir Beqja (ekzekutori numër 3 socialist i vjedhjeve);
    – Tentativa e vjedhjes me “Rrugën e Arbërit” me kryeekzekutor Koço Kokëdhima, etj.

    Këto tregojnë që Qeveria Rama nuk është një qeveri ndryshe dhe nuk ka asnjë program ekonomik, por është një “qeveri e vazhdimësisë së vjedhjeve publike” 25 vjeçare të bëra nga Berisha, Nano, Meta, Meksi, etj. Natyrisht Rama është i mirënjohur për korrupsionin 10 vjecar në Bashkinë e Tiranës dhe përfitimet nga lejet e ndërtimit, betonizimin e Tiranës, etj. Por sa më sipër janë fakte të forta që tregojnë që Edi Rama nuk ka ndryshuar. Ai ende nuk është ngopur së vjedhuri, por po vazhdon të vjedhë në një nivel edhe më të lartë me anën e ekzekutorëve të tij të vjedhjeve. Dhe fotografia më e saktë e vjedhjeve të tij janë vetë kostumet e tij “Brioni su-misura” nga 20 mijë euro që i ndërron cdo ditë.

    Pra kultura politike në Shqipëri mbetet ajo e plaçkitjes së çdo gjëje dhe e vazhdimit të rrënimit ekonomik dhe moral të vendit.

    Nga “RAPORTUESI SHQIPTAR I KORRUPSIONIT”
    [email protected]

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*