Shndërrimi i KQZ në dispeçer

Redaksional i numrit te sotem January 13, 2013 11:46

Shndërrimi i KQZ në dispeçer

Ajo që po ndodh me KQZ-në është e rëndë. Praktikisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po nxirret jashtë loje dhe vendimet që duhet të marrë ai, po i merr në rastin e parë Kolegji Zgjedhor dhe tashmë Kuvendi. Përfaqësuesit e opozitës në këtë KQZ po vihen përpara një alternative dhune të hapur: Ose miratoni atë që duam ne, ose ne e çojmë për miratim diku tjetër. Madje edhe me firmën e rojes së institucionit nëse ju nuk pranoni të firmosni dërgimin diku tjetër. (dhe pastaj del edhe një lepur nga kapelja e magjistarit kryeministër që i thotë publikut: “ky është mësim për bllokimin që bëni”.

Kjo dhunë që nxjerr nga loja institucionet dhe fut në lojë forcën e kartonit mund ta shkatërrojë tërësisht procesin zgjedhor të 2013-s nëse nuk ndalet. Shenjat janë të qarta që zgjedhjet edhe nëse nuk fitohen nga Berisha, do ndeshen me marifete të tilla. Përfytyroni vendimin e KQZ-së për përfundimin e zgjedhjeve. Ta zemë se rezultati është X në favor të opozitës dhe Lefteria me të tjerët thotë JO nuk është kështu. Përballë përplasjes normale që do vijë mes anëtarëve të KQZ, – del një sekretar i këtij institucioni dhe dërgon një shkresë ku i thotë ta zemë Flamur Nokës:  Meqë nuk po merret vesh KQZ-ja, vendimin  për rezultatin e zgjedhjeve ta shpallë… Ministria e Brendshme.

Skandali është se Kolegji Zgjedhor në vendimin e mëparshëm dhe Kuvendi me këtë që ka ndodhur dy ditë më parë –  i heqin KQZ-së detyrimin për të marrë vendime konsensuale. Ligji detyron KQZ për vendimmarrje minimale me 5 vota pro, çka do të thotë se e detyron të marrë një vendim konsensual.
Precedenti i rrezikshëm në rastin e Kolegjit ishte që Kolegji ka detyrimin të rishikojë ligjshmërinë e vendimeve të KQZ dhe jo të shkruajë vendime që KQZ nuk i ka marrë. Kurse delegimi i ndarjes së mandateve nga KQZ në Kuvendin ku 71 votat mjaftojnë për ti ndarë si të dojë Berisha është edhe më e rëndë. Praktikisht
asgjësohet KQZ si institucion që merret me zgjedhjet dhe e kthe atë në një dispecer, pasi në vend të tyre mund të vendos Kolegji, Kuvendi apo kushedi kush tjetër nesër. Kjo zhbën rëndësinë e pesë votave për rezultatin, rëndësinë e pesë votave për rregulloren dhe administrimin e zgjedhjeve dhe mbi të gjitha në parim zhbën rëndësinë e KQZ si institucioni që merret me zgjedhjet.

Dhe me siguri, shndërrimi i KQZ-së në një dispeçer, është  diçka e paramenduar mirë dhe nuk është e rastit. Opozita duhet të lerë urgjentisht çdo impenjim tjetër dhe të merret vetëm me këtë çështje.

Redaksional i numrit te sotem January 13, 2013 11:46
Komento

1 Koment

  1. Chris January 13, 11:55

    Hiqni Berishen pa qene vone!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*