Shoku Stalin pyeti se çfarë feje kishin Koçi Xoxe dhe Pandi Kristo

July 22, 2014 10:56 Updated

Shoku Stalin pyeti se çfarë feje kishin Koçi Xoxe dhe Pandi Kristo

Hoxha deklaron se letrat e KQ të PK (b) të BS demaskuan qëndrimin armiqësor të

trockistëve jugosllavë. Sikur të mos ishin këto letra, komunistëve të ndershëm shqiptarë do t’u duhej herët apo vonë të dilnin përsëri maleve për të bërë një luftë të re

 

Dokument i Arkivave Ruse

Ky takim i Enverit me Stalinin 65 vjet më parë nuk është fare i panjohur në Shqipëri. Në librin me kujtime “Me Stalinin” në vitet 1980 Enver Hoxha ka sjellë momente nga ky takim, por në atë kohë nuk ishin hapur arkivat ruse dhe, për më tepër, Shqipëria nuk kishte asnjë lloj marrëdhënie me ish-Bashkimin Sovjetik. Dokumenti që po botojmë është marrë nga arkivat ruse dhe ka një vërtetësi tronditëse lidhur me faktin se si është zhvilluar kjo bisedë dhe porositë që i ka dhënë udhëheqësi i Kremlinit Enver Hoxhës për të ardhmen e Shqipërisë.

Ishte marsi i vitit 1949. Vetëm pak muaj më parë ishte mbajtur Kongresi i Parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, i cili u m bajt në frymën e letrave të KQ të PK (b) të BS kundër Titos dhe planeve të Jugosllavisë. Kongresi dënoi Koçi Xoxen dhe disa bashkëpunëtorë të tij si agjentë të titistëve dhe shënoi prishjen përfundimtare të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe kalimin e PKSH totalisht në krahun e Stalinit…

Por ka edhe mjaft elementë të tjerë nga vëmendja jashtëzakonisht e madhe që tregonte Stalini për gjithçka ndodhte në Shqipëri dhe që të venë në mendime se punët mund të kishin rrjedhur ndryshe po të ishin zbatuar ato porosi.

Teksti i kësaj bisede është nxjerrë nga libri në dy vëllime, me titull: “Europa Lindore në dokumentet e arkivave ruse, 1944-1953”. Ky është një botim i përbashkët i pesë institucioneve shkencore më prestigjioze të Rusisë, në fushën e arkivave historike-shkencore: Akademia e Shkencave të Rusisë, Instituti i Studimeve Sllave, Shërbimi i Arkivave të Rusisë, Qendra e Ruajtjes dhe Studimit të Dokumentave të Historisë Bashkëkohore, Arkivi Shtetëror i Federatës Ruse.

Në këtë material, lexuesit do të gjejnë disa këshilla e vlerësime befasuese të Stalinit, lidhur me politikën e brendshme e të jashtme të Shqipërisë së asaj kohe.

Përktheu nga rusishtja dhe përgatiti për botim: Ymer Minxhozi

***

Dokument nr.16

23 mars 1949

Ora 22.00
SEKRET

Janë të pranishëm:
Nga pala sovjetike, A.J.Vishinskij, i dërguari i BRSS në Shqipëri D.S.Çuvakin dhe V. I. Erofejev (përkthyes); Nga pala shqiptare, kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit të Shqipërisë Spiro Koleka dhe i dërguari shqiptar në BRSS M.Prifti.

Pas këmbimit të përshëndetjeve të ndërsjellta shoku Stalin pyet në se delegacioni shqiptar mbërriti mirë.

Hoxha përgjigjet se delegacioni shqiptar mbërriti shumë mirë. Hoxha thotë se është ngarkuar para së gjithash t’i transmetojë shokut Stalin, në emër të partisë dhe të popullit të Shqipërisë, ndjenjat më të thella të dashurisë dhe të mirënjohjes për gjithçka që është bërë dhe po bëhet për Shqipërinë. Shoku Stalin falënderon. Shoku Stalin pyet nëse ka mbërritur në Shqipëri çdo gjë që është premtuar. Hoxha përgjigjet në mënyrë pohuese. Shoku Stalin thotë se është mirë që njerëzit sovjetikë i hypën anijes ushtarake italiane dhe e sollën. Anija u soll plotësisht e rregullt. Kurse kryqëzorin e drejtonin italianët. Ata e dëmtuan atë në Detin e Zi, para se t’i dorëzohej Bashkimit Sovjetik. Shoku Stalin thekson se italianët në këtë çështje vepruan si njerëz jo të mirë. Hoxha thotë se me italianët gjithmonë kështu ngjet.

Shoku Stalin pyet se çfarë çështjesh ka Hoxha. Hoxha përgjigjet se ai, para së gjithash, do të dëshironte të bëjë një panoramë të gjendjes së krijuar në vend e në parti, pastaj të kalojë në parashtrimin e disa kërkesave të karakterit ekonomik, si dhe të tregojë për ushtrinë shqiptare dhe nevojat e saj. Përveç kësaj, ai do të donte të shtronte disa pyetje, për të cilat shokët shqiptarë do të dëshironin të merrnin sqarime nga shoku Stalin. Në përfundim, Hoxha do të donte të paraqiste shkurtimisht gjendjen në kufijtë e Shqipërisë. Shoku Stalin thotë se Hoxha mund të shtrojë çfarëdo çështjesh, pa kufizim. Hoxha thotë se letrat e partisë bolshevike drejtuar KQ të Partisë Komuniste JugosIlave dhe rezoluta e Byrosë Informative e shpëtuan Shqipërinë nga katastrofa e pashmangshme. Shoku Stalin pyet nëse mund të konsistonte kjo katastrofë. Hoxha përgjigjet se nacionalistët jugosllavë ndiqnin qëllime të caktuara që drejtoheshin kundër BRSS, kundër kampit demokratik antiimperialist, kundër vetë Shqipërisë. Shoku Stalin shton: “Edhe kundër myslimanëve”.

Hoxha bie dakord me këtë. Hoxha deklaron se nacionalistët jugosllavë të grupit të Titos e kanë zhvilluar veprimtarinë e vet minuese në Shqipëri që nga çasti i çlirimit të vendit. Komunistët shqiptarë nuk mund të mos shihnin që marrëdhëniet ekonomike dhe marrëdhënie të tjera midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë zhvilloheshin në mënyrë të pakënaqshme. Mirëpo vigjilenca revolucionare e partisë shqiptare qënkesh jo sa duhet e mprehtë. Përgjegjësia më e madhe për këtë bie mbi të, mbi Enver Hoxhën. Njëfarë roli luajti edhe fakti, që shqiptarët qenë mësuar që në kohën e luftës t’u besonin marrëdhënieve miqësore të jugosllavëve. Të gjitha këto të marra së bashku, bënë që udhëheqësit shqiptarë nuk vunë re që, siç thotë populli, peshku ishte qelbur nga koka.

Trockistët jugosllavë merreshin me gjithfarë intrigash brenda partisë shqiptare, duke u përpjekur ta përçanin atë. Në këtë veprimtari minuese ata mbështeteshin në përkrahjen e partizanëve të tyre të përfaqësuar nga Koçi Xoxe, Pandi Kristo ‘etj. . Shoku Stalin pyet nëse personat e përmendur janë sllavë. Hoxha përgjigjet pozitivisht, duke thënë se Koçi Xoxe është nga Maqedonia, kurse Pandi Kristo nga Korça. Shoku Stalin pyet se çfarë feje kanë këta njerëz. Hoxha përgjigjet që këta janë ortodoksë.

Hoxha deklaron se letrat e KQ të PK (b) të BS demaskuan qëndrimin armiqësor të trockistëve jugosllavë. Sikur të mos ishin këto letra, komunistëve të ndershëm shqiptarë do t’u duhej herët apo vonë të dilnin përsëri maleve për të bërë një luftë të re. Duke analizuar punën e saj partia shqiptare erdhi në përfundimin se gjithçka thuhet në letrat e KQ të PK(b) të BS i takon plotësisht edhe asaj, me përjashtim vetëm të faktit, që komunistët shqiptarë kurrë nuk i kanë humbur ndjenjat e dashurisë dhe të besnikërisë ndaj popullit sovjetik, partisë bolshevike dhe shokut Stalin.

Shoku Stalin thotë se në këto letra nuk janë ndriçuar të gjitha çështjet, sepse ne në atë kohë nuk i dinim të gjitha. Ne vetëm më vonë morëm vesh, për shembull, që kur jugosllavët donin të dërgonin në Shqipëri një divizion të tyre, ata kishin jo atë qëllim për të cilin flisnin, jo qëllimin mbrojtjes së Shqipërisë nga një agresion grek, por një tjetër qëllim: të përmbysnin rendin që ekziston në Shqipëri. Këtë ne e morëm vesh pastaj. Shoku Stalin thotë se jo vetëm shqiptarët nuk qenë mjaft vigjilentë, por edhe ne nuk kuptonim gjithçka.

Hoxha thotë se shqiptarët kanë qenë në lidhje të ngushta me jugosllavët dhe ishin ata që duhej të kuptonin të parët qëndrimin e jugosllavëve. Hoxha shton se kur mori vesh për planet e jugosllavëve për të dërguar në Shqipëri divizionin tyre, mendoi se këtë çështje jugosllavët e kishin koordinuar me qeverinë sovjetike. Shoku Stalin përgjigjet se jugosllavët përgatiteshin ta dërgonin divizionin e vet fshehtas nga ne, por ka shumë të ngjarë që ata t’u kenë dhënë të kuptojnë shqiptarëve që kjo është bërë me pëlqimin e BRSS. Ne morëm vesh për planin jugosllav vetëm rastësisht, nga njoftimi i Hoxhës. Kur ne i shamë jugosllavët, ata kërkuan ndjesë dhe thanë se ky qe një gabim.

Shoku Stalin pyet se çfarë përqindje zenë në përbërjen kombëtare të Shqipërisë joshqiptarët. Hoxha përgjigjet se në Shqipëri jetojnë grekë dhe hebrej, por ata janë të pakët. Përveç kësaj, në Shqipëri ka rreth 6-7 mijë maqedonas. Ata banojnë në kufirin më jugor të Shqipërisë. Shoku Stalin pyet nëse ka shumë shqiptarë në Maqedoni. Hoxha përgjigjet se në Jugosllavi jetojnë afro 1 milion shqiptarë. Shoku Stalin pyet: çfarë shqiptarësh janë këta nga pikëpamja e fesë? Hoxha përgjigjet se këta në tërësi janë myslimanë dhe pjesërisht katolikë nga rrethet veriore të Shqipërisë.

Shoku Stalin pyet nëse në Shqipëri ka shumë ortodoksë, si dhe persona që kanë fe të ndryshme nga myslimanizmi. Hoxha përgjigjet se ortodoksët në Shqipëri zenë 30-35 për qind, kurse katolikët 10-15 për qind. Katolikët në përgjithësi jetojnë në veri të vendit, ortodoksët në rrethet qendrore dhe pjesërisht në ato jugore, kurse myslimanët kryesisht në jug. Shoku Stalin pyet se ç’gjuhë flasin ortodoksët dhe katolikët në Shqipëri. Hoxha përgjigjet se të gjithë ata flasin në gjuhën shqipe.

Hoxha deklaron se pas letrave të Partisë Bolshevike dhe Rezolutës së Informbyrosë, komunistët shqiptarë kanë marrë masa të vendosura kundër nacionalizmit jugosllav si brenda partisë, ashtu edhe në fushën e jetës ekonomike. Ishte e vështirë të bëhej menjëherë një analizë e plotë e punëve në parti e në vend. Kjo shpjegohej me faktin që njëri nga partizanët kryesorë të trockistëve jugosllavë, Koçi Xoxe, bëri një qëndresë të madhe dhe fshehu shumë gjëra nga partia. U desh një kohë e konsiderueshme për të sqaruar se çfarë punë të madhe për sabotimin e ekonomisë popullore të vendit dhe çfarë veprimtarie minuese brenda partisë kishin bërë trockistët jugosllavë dhe sahanlëpirësit e tyre në Shqipëri. Vendi erdhi në Kongresin e Partisë duke pasur tani një ide për veprimtarinë e trockistëve jugosllavë në Shqipëri dhe intrigat e tyre brenda partisë. Në parti qenë bërë shumë gabime serioze. Demokracia e brendshme në parti pothuajse nuk ekzistonte. Struktura organizative e partisë, e kopjuar tërësisht nga jugosllavët, ishte difektoze. Partia ndodhej nën kontrollin e plotë të organeve të sigurimit të shtetit. Ligjet dhe dispozitat për problemet ekonomike në vend nuk zbatoheshin. Reagimi në Shqipëri lidhur me tradhtinë e klikës së Titos ishte shumë i madh. Lufta kundër trockistëve jugosllavë dhe përkrahësve të tyre doli jashtë kuadrit të partisë, dhe i gjithë populli në këtë luftë u bashkua rreth partisë. Hoxha thekson se ndjenjat e popullit shqiptar ndaj popullit jugosllav nga gjithë këto nuk u dobësuan. Për këtë u kujdes partia.

Kongresi i partisë tregoi se në luftën kundër trockistëve jugosllavë partia u shërua dhe u bë edhe më e fortë. Kongresi tregoi gjithashtu se partia, ndonëse e re, disponon forca të mëdha dhe energji në luftën për vijë të drejtë. Kritika e ashpër kundër veprimtarisë së elementëve projugosllavë u bë para syve të të gjithë popullit shqiptar. U njohën gabimet e bëra nga partia dhe u treguan rrugët për kapërcimin e tyre. Partia nuk përdori masa represive në shkallë të gjerë  dhe veproi në këtë drejtim me kujdes të madh, duke u nisur nga fakti që shumë shokë, duke ecur në rrugë të shtrembër, besonin se vija e sugjeruar nga jugosllavët ishte e drejtë. Prandaj shokëve që i njohën dhe i kritikuan gabimet e veta, iu dha mundësia të ndreqen. U arrestuan vetëm Koçi Xoxe, Pandi Kristo dhe tre të tjerë. Kristo Themelkua, njëri nga njerëzit më përgjegjës për zbatimin e vijës së dëmshme jugosllave dhe që me se një herë ka shprehur qëndrim jo dashamirës kundrejt BRSS dhe shokëve sovjetikë që punonin në Shqipëri, nuk u arrestua. Kristo Themelkua paraqiti në mbledhjen e Byrosë të gjitha faktet që kishin të bënin me veprimtarinë e tij dhe bëri një autokritikë të ashpër lidhur me qëndrimin e vet, ajo u vlerësua si mjaft e ndershme dhe objektive.

Shoku Stalin pyet se çfarë posti zinte Kristo Themelkua. Hoxha përgjigjet se ai ka qenë gjeneral dhe zinte postin e drejtorit politik të ushtrisë. Shoku Stalin pyet se ku ndodhet dhe me se merret tani Kristo Themelkua. Hoxha përgjigjet se ai ndodhet në Tiranë, është mënjanuar nga punët dhe në këtë çast nuk merret me asgjë.

Shoku Stalin pyet se çfarë kombësie ka Kristo Themelkua. Hoxha përgjigjet se Kristo Themelkua si kombësi është sllav. Hoxha shton se në kohën e vet qeveria shqiptare i është drejtuar qeverisë sovjetike, me kërkesën të lejojë Kristo Themelkon të vijë në Moskë për studime në Akademinë ushtarake “Lenin”. Shoku Stalin pyet nëse morën përgjigje shqiptarët lidhur me këtë kërkesë. Hoxha thotë se në fillim përgjigjja ishte pozitive, por pastaj çështja ngeci. Shoku Stalin pyet: a nuk duan shqiptarët, me dërgimin e Kristo Themelkos në Moskë, ta heqin qafe atë?

Hoxha përgjigjet se ata do të donin ta dërgonin Kristo Themelkon për studime në BRSS, me shpresë se ai do të mundë ta rehabilitojë veten. Shoku Stalin pyet nëse partia ka besim politik te Kristo Themelkua. Hoxha përgjigjet se partia vazhdon të shpresojë se Kristo Themelkua do të mundë të ndreqet, porse besim politik të plotë ajo nuk mund të ketë tek ai. Shoku Stalin thotë se, rrjedhimisht, Kristo Themelkua tani nuk u duhet shqiptarëve. Hoxha përgjigjet pozitivisht. Shoku Stalin deklaron se Kristo Themelkua nuk u nevojitet shqiptarëve, por ai as neve nuk na nevojitet. Shoku Stalin pyet mos vallë shqiptarët duan ta dërgojnë Kristo Themelkon në BRSS për konsiderata të sigurisë së vet. Hoxha përgjigjet se Kristo Themelkua vetë gjithmonë ka dashur të shkojë për studime në Akademinë ushtarake të BRSS.

Shoku Stalin deklaron që, nëse shqiptarët dëshirojnë, ne do ta pranojmë Kristo Themelkon në BRSS. Hoxha thotë se pas Kongresit u morën masa për pastrimin e partisë. Një grup shokësh, që e patën komprometuar veten me lidhjet me trockistët jugosllavë, u hoqën nga postet drejtuese në parti dhe në ushtri. U morën masa për forcimin e demokracisë së brendshme të partisë, u anuluan të gjitha dispozitat dhe udhëzimet e bëra nën influencën e jugosllavëve etj. Në Kongres u zgjodh një KQ, në përbërje të të cilit u futën shokë të rinj, besnikë. Përveç kësaj, u morën masa lidhur me Ministrinë e Punëve të Brendshme, në të cilën qenë lejuar shtrembërime e padrejtësira e qenë bërë shumë punë të fëlliqura. Në këtë ministri tani janë futur forca të freskëta. Tani po zhvillohen zgjedhjet në organizatat-bazë të partisë në qytete dhe në gjithë vendin, si edhe në komitetet e partisë të rretheve. Si rezultat i këtyre zgjedhjeve, në drejtimin e organizatave-bazë të partisë vijnë shokë të sprovuar dhe besnikë. Në ndreqjen e gabimeve të lejuara në ekonominë e vendit, një ndihmë shumë të mirë dhanë shokët sovjetikë që punojnë në Shqipëri.

Hoxha vë në dukje se ngjarjet që ndodhën patën edhe një ndikim negativ në gjendjen brenda partisë. Në një sërë organizatash partie vihet re një rënie e disiplinës. Midis elementëve të dobët shfaqet prirja për anarki. Veç kësaj, në momentin e tanishëm, kur është ashpërsuar lufta e klasave, janë bërë më të dukshme prirjet oportuniste tek disa anëtarë partie. Hoxha thotë se në periudhën kur partia bënte punë në luftën kundër nacionalizmit jugosllav dhe përkrahësve të tij brenda partisë, ajo deri diku u tërhoq në çështjen e luftës kundër elementëve kulakë në fshat. Kjo tërheqje u bë me qëllim që të mos ndërlikohej së tepërmi situata në vend. Mirëpo kjo bëri që shteti, për shkak të veprimtarisë së kulakërisë, nuk mundi të marrë në fshat sasinë e mjaftueshme të drithit. Në vend u krijuan vështirësi serioze ekonomike. Një tjetër shkak i këtyre vështirësive ishte kjo që, kur jugosllavët po përgatisnin atentatin e tyre kundër Shqipërisë, ata gjatë 8 muajve nuk i dhanë asgjë Shqipërisë. Në tregun shqiptar lindi kaosi ekonomik. Fshatarët pushuan së hedhuri mallrat e tyre në treg, gjë që i ngriti në mënyrë të theksuar çmimet.

Vetëm ndihma nga ana e BRSS bëri të mundur të fillohej nga lehtësimi i gjendjes së krijuar. Hoxha deklaron se, me gjithë vështirësitë, populli shqiptar ka besim të plotë në udhëheqjen e vet shtetërore. Populli shqiptar ka vuajtur kurdoherë, i kanë rënë shumë fatkeqësi mbi shpinë, por ai nuk u trembet vështirësive.

 

Stalini: Mos ngrini kolkoze në Shqipëri
Shoku Stalin vëren që shqiptarët, më duket, po krijojnë kolkoze.
Hoxha përgjigjet që në kongres u mor vendim të fillohet nga krijimi i kolkozeve, por të
mos nxitohet me këtë punë.

Shoku Stalin thotë se shokët shqiptarë nuk duhet të nxitohen të krijojnë kolkoze. Shqipëria është një vend i prapambetur, malor. Bile edhe në Bashkimin Sovjetik, në rrethet malore nuk ka kolkoze. Prandaj hëpërhë në Shqipëri nuk duhen krijuar kolkoze. Po qe se fshatarët s’kanë plehra, kafshë dhe makina, shteti mund t’u vijë në ndihmë. Për këtë duhet që shteti të ketë pikat e veta të makinave dhe traktorëve, në mënyrë që, nëse fshatarët duan të marrin ndihmë me makina, shteti t’u lërojë tokën fshatarëve me ndihmën e këtyre makinave, ndërsa gjatë vjeljes së drithrave t’i ndihmojë fshatarët t’i shijnë ato. Për këtë ndihmë shteti duhet t’u marrë fshatarëve njëfarë pagese në natyrë. Se si do ta ndajnë fshatarët midis tyre drithin dhe misrin, kjo s’i takon shtetit. Shteti do të marrë pagë në natyrë. Shteti duhet të ketë një ekonomi të veten me traktorë, makina shirëse dhe të tjera makina për të ndihmuar fshatarët po qe se ata do të kërkojnë ndihmë. Këto s’janë kolkoze, por në të njëjtën kohë kjo do t’u japë mundësi fshatarëve t’i kthejnë sytë nga teknika dhe të vlerësojnë rëndësinë e saj. Në kohën e vet kjo tek ne quhej pikë makinash dhe traktorësh. Fshatarëve u jepeshin me qera makinat, të cilat pastaj i ktheheshin përsëri
shtetit. E njëjta gjë duhet bërë edhe në Shqipëri. Për sa i përket shpërndarjes së të korrave, ata fshatarë që kanë më shumë tokë do të marrin më shumë, kurse ata që kanë më pak tokë, do të marrin më pak. Kjo s’do të thotë luftë me kulakërinë, por ama kjo do t’i mësojë fshatarët pak të kamur të veprojnë bashkarisht.

 

Nesër do të lexoni:

Porositë e Stalinit për ta ruajtur borgjezinë kombëtare shqiptare

Stalini: Rroni të qetë nga grekët! Amerikanët nuk do të lejojnë copëtimin e Shqipërisë

Cilat ishin kërkesat emergjente që Enveri i drejtoi Stalinit

 

July 22, 2014 10:56 Updated
Komento

1 Koment

  1. Thanastaqi_dr July 22, 17:33

    Ky dokument eshte perkthyer dhe botuar prej meje ne “Investigim” para 4 vjetesh.
    Me vone eshte perkthyer nga Vladimir Bregu ne Gazeta Shqiptare

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*