SHOKUESE / Venusi lemeriset kur sheh fotot e saj nudo në internet

October 1, 2018 14:42

SHOKUESE / Venusi lemeriset kur sheh fotot e saj nudo në internet

FIRENCE, Itali – Ajo ngul këmbë sot e kësaj dite se pamjet eksplicite dhe tejet private të trupit të saj ishin taksur vetëm për sytë e partnerit të vet. Por siç mësojnë Gojët e Liga, Venusi, perëndia romake e dashurisë dhe pjellorisë nuk mund të bëjë asgjë tashmë, për mijëra imazhet e saj nudo nëpër internet dhe nëpër muret e ndërtesave më të bukura fjorentine.

“O Perëndi, dikush ka hedhur në rrjet fotot dhe pikturat e mia private dhe tani s’ka ngelur pusht në këtë dynja pa parë trupin tim gollomesh! E tmerrshme!” deklaroi Venusi, duke vrarë mendjen se cili individ do ketë dashur t’i bëjë keq dhe ta poshtërojë publikisht, duke përhapur format e saj të përkryera për sytë e gjithë botës.

 “Si e kanë hallin këta njerëz? Këto janë pikturat e mia personale!” ulëriti e tronditur vajza, e cila siç mund ta mbajnë mend të apasionuarit pas showbizit, udhëtoi nga Greqia e lashtë në botën romake dhe ndërroi emrin, nga Afërdita në Venus, pikërisht pas teprimit me imazhet e saj nudo anembanë qytet-shteteve greke.

Ndërsa po qante e shokuar dhe mendonte se cilin avokat mund të pajtonte, apo në cilin vend mund të shkonte inkonjito duke ndërruar identitet, Venusit mësohet se i erdhi një papirus inkriminues nga ish i dashuri, Vullkani, i cili i kërkonte 50 mijë euro haraç për t’ja hequr fotot nga rrjeti.

Pesë minuta më vonë, thonë burime hyjnore, Venusi vendosi ta shtyjë edhe ca ultimatumin e saj drejtuar autoriteteve të internetit për fshirjen e imazheve të saj, pasi e njoftuan se kishte fituar 3 milionë euro vetëm për një muaj, nga klikimet e fansave të pikturave dhe skulpturave të saj kompromentonjëse në Instagramafon.   

 

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike provenusiane

October 1, 2018 14:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*