SHOQËRI / Gabimi i tmerrshëm ndodh sërish; sasia e martesës ngatërrohet me cilësinë

March 22, 2018 17:08

SHOQËRI / Gabimi i tmerrshëm ndodh sërish; sasia e martesës ngatërrohet me cilësinë

TIRANË – Miqtë, familjarët dhe të ftuarit në përvjetorin e 30-të të martesës së çiftit Frang dhe Mexhite Kusuri, bënë të shtunën që kaloi gabimin e përbashkët, duke ngatërruar sasinë me cilësinë e kësaj lidhjeje.

Siç pohojnë burime disi të hareshme, pastaj të trishtuara e melankolike nga vendngjarja, festa e 30 vjetorit të martesës të çiftit Kusuri duket se u fokusua totalisht tek jetëgjatësia sasiore e qëndrimit së bashku të Frangut dhe Mexhites.

“Sa bukur. Plot 30 vjet së bashku! Ky numër vitesh flet qartë për lidhjen e pashkatërrueshme mes Frangut dhe Mexhites”, tha një palluqe prej të pranishmëve, duke besuar me naivitet se koha e gjatë që dy të martuarit kanë kaluar nën një çati, nënkupton edhe praninë e një lidhjeje të thellë emocionale e shpirtërore që ka pasuruar dhe u ka dhënë kuptim jetëve të tyre.

“Në kohët e sotme nuk janë shumë çiftet që mund të mburren me këtë jetëgjatësi së bashku. Padyshim Frangu dhe Mexhitja kanë diçka speciale që i mban ngjitur si me zamkë”, tha një naiv tjetër.

Burimet sqarojnë se mes pijes dhe të ngrënit, muzikës dhe vallëzimeve të ndryshme, askush nuk pati nge të thellohej në cilësinë e munguar të kësaj lidhjeje:

Psh në faktin që Mexhites i ka mbetur peng mosvazhdimi i shkollës së lartë pas fejesës me Frangun; që këtij të fundit i del gjumi natën i llahtarisur pse nuk ndenji në Gjermani në vitin 1994 por u kthye pas disa muajsh; që siç erdhën punët, çifti që ishte në prag të ndarjes disa herë, ndërroi mendje sepse dy kalamajtë ende ishin në tetëvjeçare; që secili në mënyrë të pavarur, ka menduar t’i hedhë koçifoz në kafe partnerit etj.

“30 vjet, uau! Kjo është dashuri e vërtetë!”, insistuan të mrekulluar çapaçulët e neveritshëm.

Në vijim të festës, familjarë të tjerë të çiftit Kusuri iu referuan po aq gabimisht frikës së tmerrshme ndaj vetmisë që rrjedhimisht sjell qëndrimin bashkë të dy njerëzve që s’e durojnë dot shoshoqin, si “flakë pasioni e përjetshme”.

Shënim/ Gojët e Liga është rubrikë satirike, pickonjëse por jo detyrimisht përvëlonjëse

March 22, 2018 17:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*