Shpallja e Pavarësisë, peripecitë e udhëtimit të Ismail Qemalit nga Durrësi në Vlorë

Hilli Veruari November 16, 2012 14:51

Shpallja e Pavarësisë, peripecitë e udhëtimit të Ismail Qemalit nga Durrësi në Vlorë

Urdhri nga Janina për ekzekutimin e Ismail Beut, bëri që të ndryshoj itinerari i rrugëtimit. Qindra banorë të zonës shoqëruan Plakun e Flamurit.

 

Nëntori i vitit 1912 qe i ashpër. Ishin ditët e fundit të këtij muaji. Nga Durrësi drejt Myzeqesë çapitej mbi kalë të bardhë  një burrë që mbante  mbi  shpinë rreth 70 vite. Ata që e shoqëronin, e kishin  vendosur në mes. Në atë sfond gri të atij dimri të egër, burri legjendë dukej si një apostull i shfaqur pas 500 vjetësh robëri mbi tokën arbërore. Ismail Qemali që zbriti në Durrës, nis rrugëtimin përmes Myzeqesë për në Vlorë ku do të ngrinte Flamurin… Gjithçka në këtë udhëtim historik, është fiksuar në rrëfimin e Qemal Karaosmanit, delegatit të Elbasanit, që shoqëroi Ismail Beun nga Durrësi në Vlorë, rrëfim i publikuar në nëntor të vitit 1936..

 

NISJA NGA DURRËSI

Sapo kalorësit kaluan lumin e Shkumbinit, u përballën me kënetën e Divjakës, ku u shfaq shtëpia e Dervish bej Biçakut, e piketuar për të kaluar atë natë. Kur mysafirët  s’kishin përfunduar ende përshëndetjet me të zotët e shtëpisë, tek porta u shfaq  kasneci, një burrë  rreth të pesëdhjetave. Ai kërceu nga arapi(kali) e u dha këmbëve në drejtim të sarajeve… Ishte një telegram që vinte nga Janina, në të cilin shkruhej: “Ismail Beun me gjithë shokë, të gjallë ose të vdekur, ta shtini në dorë!”. -Kush ta dha?– iu drejtua shoqëruesi lajmëtarit. – Komandanti  i xhandarmërisë së Lushnjes dhe Emin bej Vokopola,- sqaroi ai… Shoqëruesi komunikon me Ismail Beun: -“Pa dëgjo, unë erdha këtu për një ide që të shpëtoj Atdheun tonë prej skllavërisë së armiqve. Në qoftë se unë kthehem prej këndej dhe futem në konsullatë ose iki e shpëtoj veten time,  ideja ime për shpëtimin e Atdheut fluturon e ikën bashkë  me mua. Në qoftë se ia mbërrijmë Vlorës, dëshira jonë plotësohet. Po qe se do të vritem, le të mbetem dëshmor e theror për Atdheun e dashur. Pra, hajde nisemi!”- thotë Ismail Beu. Kështu bëhet, ndryshon rrugëtimi.

 

MYSAFIRË TEK BIÇAKAJT

Atë natë, në shtëpinë e Dervish bej Biçakut, përveç delegatëve të Durrësit e të Krujës, erdhën dhe Bexhet bej Hydi dhe Nebi Sefa… Atë natë, gjer në mbrëmje vonë, u fol për vuajtjet,  mjerimin dhe skllavërinë 500–vjeçare të popullit. U fol për qëllimet dashakeqe  të armiqve të Shqipërisë që kërkonin ta copëtonin atë dhe s’dëshironin kurrsesi mëvetësinë e saj. U fol gjithashtu për dëshirat dhe ëndrrën shekullore të popullit tonë për liri, të cilën ata donin ta bënin realitet. Jashtë era gjëmonte. Ajo përzihej me gulçimën e dallgëve të detit. Shtrëngatat e shiut, gjithë atë natë, zhurmuan pa reshtur mbi pullazet e shtëpive. Në, mëngjes kur çeli drita, vrojtuesi pa matanë oborrit të sarajeve të Dervish beut, një karvan burrash me guna të zeza e takije të bardha. Ishin vullnetarë të fshatrave përreth. Ata, kur kishin marrë vesh që Ismail Qemali gjendej në sarajet e beut të Çermës, kishin nxituar për aty, që ta siguronin nga ndonjë  e keqe. Kavaleria u bë gati dhe, nën shoqërimin e myzeqarëve, ajo çau përmes Karatoprakut për në Sulzotaj. Në këtë fshat u shfaq një degëzim uji i thellë. Fshatarët kishin sjellë aty për gjithë natën dy varka të cilat i kishin çiftuar dhe gozhduar me breza druri. Misionarët, falë gatishmërisë së fshatarëve, e kaluan këtë pengesë pa u rrezikuar.

 

DREJT VLORËS

Rruga gjarpëronte mbi shpinën e kodrës… Syri të shihte nga të dy anët vetëm ujë. Në perëndim, shtrihej laguna e Karavastasë, që ishte bërë një me detin, kurse në lindje shtrihej në pafundësi shtrati i kënetës së Tërbufit me ujë e kashtë, gjer në portat e qytetit të Lushnjes. Përjashto fshatrat Mizë, Xeng, Kryekuq, Gur, Grabian dhe Spolat, fshatrat e shpërndarë në fushë dukeshin sikur notonin mbi ujë. Suferina që kishte dy ditë që nuk pushonte, herë-herë  shoqërohej me shtrëngata shiu… Sapo kolona e delegatëve zbriti në fushë, në shtratin  e vdekur të lumit Devoll, mbushur me ujë e kashtë, kuajt u krodhën dhe nisën të turfullonin. Plaku legjendë çante para, e rast pas rasti, u jepte kurajë të pranishmëve me atë zërin e qetë: “Mos u trembni, djema! Pa mundim, asgjë nuk arrihet!”… Plaku i Vlorës kishte shkelmuar pallatet luksoze të sulltanëve dhe shëtitoret moderne të  Evropës dhe tani llapashitej në baltovinat e Myzeqesë, për të çuar në vend amanetin e popullit të vet. Pikërisht, në këto ditë të acarta me shi e furtunë, Myzeqeja e ngrohu tribunin e kombit tonë me shpirtin e saj të zjarrtë,  me besë e burrëri, me bukë e kripë e me zemër të madhe. Aty ku kodrat e Gradishtës zbuten dhe bëhen një me fushën, ku ujërat  e Tërbufit  çanin me rrëmbim drejt Karavastasë për në det, me varka dhe qerre që tërhiqeshin me buaj katana, libofshasit prisnin shpëtimtarin e kombit. Në atë pritje, kishin dalë edhe shumë luftëtarë trima që udhëhiqeshin nga komandanti i çetës së Myzeqesë, Ikonom Dhima.

 

NË LIBOFSHË

Të lodhur e të rraskapitur, në mbrëmjen e 23 nëntorit të vitit 1912, plaku i Vlorës zbriti në Libofshë. Konakët e Nedin bej Leskovikut, ku do të kalonte natën, ishin zbukuruar si për festë. Në çdo kthinë të fshatit, shihje burra, gra dhe fëmijë që prisnin të shihnin  me sytë e zemrës idhullin e lirisë. Në çdo segment rruge, përveç popullit të thjeshtë e të zhuritur për liri, qëndronin në gatishmëri të plotë dhe luftëtarët trima të çetës së Myzeqesë. Pozicioni gjeografik i Libofshës, u siguronte garanci mysafirëve. Atë natë, gju më gju me arkitektin e Shtetit të Ri Shqiptar, në atë konak,  qëndruan edhe burrat më të mençur e trima të zonës, si Jovan e Zoi Ndreko, Tuni Gjergji, Spiro Saqellari e shumë të tjerë. Atë mbrëmje, në atë kuvend,  intelektualët, patriotët dhe luftëtarët trima të Libofshës kuvenduan gjatë me Ismail beun. Ai i përgëzoi për luftën që kishin bërë me armë dhe me penë  kundër armiqve të Shqipërisë. Ai i përgëzoi, gjithashtu, edhe për hapjen  e të parës shkollë  shqipe në Myzeqe, 4 vjet më parë dhe i porositi mësuesit patriotë që të hapnin sa më shumë shkolla  shqipe dhe të luftonin për eliminimin e shkollave turke dhe greke. Lodhja e një dite më parë, grackat që i kishin ngritur gjatë rrugës armiqtë, e kishin pezmatuar atë, por, në tjetër anë, siguria që iu garantua nga populli fisnik i Myzeqesë, mikpritja, shpirti luftarak dhe entuziazmi i popullit të Libofshës, ia hoqi lodhjen dhe ia shtoi më shumë besimin  në vetvete…

 

ISMAIL BEU BËHET KUMBAR

Atë nëntor, duke u gdhirë data 24, kulmi i gëzimit arriti kur dera e odës së burrave u hap dhe brenda u fut një kolopuç rreth 4 vjeç, me opinga, brekushe dhe takije. Ai mbante në dorë një trëndafil të kuq që të ftohtët e atij nëntori s’e kishte vyshkur. Nga pas, djalin e shoqëronin prindërit, që edhe ata ishin  të veshur me kostum myzeqar. Hyrja e befasishme e fëmijës në odë ndali bisedën e burrave. Ismail Qemali, u përkul pak, shtriu duart para, e afroi vogëlushin drejt kraharorit, e përgëzoi me mollëzat e gishtave në faqe dhe e shtrëngoi fort në gjoks. – Nuk të puth, – i tha, – se kam frikë se të shpoj. Si e ke emrin? – vazhdoi më tej ai. – Lami, – iu përgjigj vogëlushi. – Edhe unë Lami e kam pasur, po ma bën Islam. Nga inati unë e ktheva Ismail. I vogli u shkul së qeshuri kur dëgjoi fjalën “inat”. – Po mbiemrin si e ke, – pyeti i vogli. – Vlora, – ia ktheu plaku. – Pse, nga Vlora je ti? – pyeti djali, duke i ngulur vështrimin. – Po, – iu përgjigj ai dhe, si Gjon Pagëzori, me një palë gërshërë që ia zgjati dikush, vazhdoi: – Tani, meqë u njohëm, unë do të bëhem kumbari yt. Me këto gërshërë do të pres dy fije floku dhe, në dasmën tënde, do të vij të mbaj kurorën. – Unë nuk martohem, – ia ktheu vogëlushi. – Unë do rri dhe pak, do shkoj në shkollë te mësues Jovani, do vij edhe në Vlorë, pastaj do martohem’. – Ke të drejtë,- ia ktheu ai-puna jote pret, ne jemi me ngut se duam t’i vëmë sa më shpejt kurorë Vlorës dhe gjithë Shqipërisë’. Dhe nisi të citojë disa vargje të cilat i improvizoi aty për aty: “Buzë detit  brenda në Vlorë,/ Shqipërisë do i vëmë kurorë,/ Do vijnë krushq, do vijnë dasmorë,/ Me flamuj të kuq në dorë”. Të pranishmit qeshën të entuziazmuar . -Ti qenke edhe mësues, -ia ktheu djali. – Po, – ia ktheu plaku dhe mori nga sipër oxhakut që bubullonte nga zjarri, një abetare, që dikush e kishte vendosur aty enkas dhe ia zgjati të voglit. I tha:’Merre! Aty ke emrin e Vlorës, të Shqipërisë, edhe emrin tënd, emra që këta burra s’do t’i harrojnë kurrë’. Djali u hodhi nga një vështrim të pranishmëve dhe u habit për dhuratën e rrallë që i bëri ky babagjysh me mjekër të bardhë..Të nesërmen, më 24 nëntor në mëngjes, i shoqëruar nga patriotët e Libofshës, me në krye Ikonom Dhimën, ai niset për në Fier. Çeta e luftëtarëve trima të Myzeqesë e shoqëroi gjatë gjithë rrugës,  me përgjegjësi dhe angazhim, gjer në Vlorë.

 

DREJT VLORËS

Plaku trimosh, kur u nis drejt Vlorës, i bindur në patriotizmin dhe etjen e këtij populli për liri, u shpreh me entuziazëm: “ Të dashur bashkë kombas, më në fund ‘farën’ e mbollëm”. Ndërkaq, aty në krye të luftëtarëve trima, mësuesi dhe patrioti Ikonom Dhima, ia kthen:

 

“Përderisa e mbollëm, ajo do të  mbijë, se toka është e begatshme. Vegjëlia është me ju!”. Atë mëngjes nëntori, era kishte pushuar… Luftëtarët e pavarësisë, që tashmë i ngjanin atij orteku që e nis rrugën me topa të vegjël dëbore, po vërshonin si një tsunam i papërmbajtshëm. Tashmë, me qindra burra, me kuaj e pa kuaj, të armatosur e të paarmatosur, çanë përmes Rreth-Libofshës për në fshatin Petovë. Armatës së luftëtarëve, tek lundra e Petovës, iu bashkëngjit dhe grupi i delegatëve të Elbasanit e Kosovës, që kryesoheshin nga Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri, Sali Xhufka, Bedri Pejani etj… Delegatët nguteshin për të mbërritur sa më parë në Fier e pastaj në Vlorë, po u përballën tanimë me një pengesë tjetër tepër të rrezikshme. Semani i tejfryrë degë më degë, të tmerronte. Lundra me vinç, kur arrinte aty nga mesi i lumit, i krijonte një hark kavos prej çeliku, sa të dukej sikur do të këputej. Të parët që e kapërcyen lumin, ishin disa fshatarë që mbanin prej kapistalli kuajt e delegatëve. Hedhja e tyre ishte dhe një garanci më shumë për të kontrolluar  situatën se si do të funksiononte hedhja e parë. Pasi u krijua bindja se kalimi i lumit bëhej, grupet e delegatëve pasuan njëri-tjetrin. Elita e autoriteteve, së bashku me Ismail beun, u la për në fund.

 

PRITA E XHANDARËVE

Kur grupi i luftëtarëve kishte kaluar plotësisht në bregun tjetër të lumit, ndodhi ajo që s’pritej. Befas, një togë xhandarësh u shfaq ndan ca bokërimave dhe nxitoi drejt grupit të delegatëve, ku ndodhej dhe Ismail Qemali. Kjo ndodhi u konsiderua për momentin jo thjesht provokim, por atentat i organizuar nga forcat antikombëtare ndaj Plakut të Vlorës dhe delegatëve të pavarësisë. Lef Nosi, delegat i Elbasanit, e nuhati situatën dhe u doli atyre, para se të mbërrinin në destinacion… Pas një bisede të shkurtër, Lefi, së bashku me xhandarët,  u drejtuan për te grumbulli i burrave, ku ndodhej dhe plaku mjekërbardhë. Ata i kërkuan leje atij, nëse mund t’u jepte dorën. E puthën atë dorë të nemitur nga lodhja dhe zverdhur nga mosha dhe përshëndetën me fjalët:”Dora jote, Ismail bej, qoftë bekim i kombit!’. Pas kësaj sjellje ekselente, sikleti kaloi. Ne, tanimë, kuptuam fort mirë, edhe pse ata mbanin  uniformën e xhandarit turk, shpirtërisht i mundonte brenga e skllavërisë së huaj”.

 

NË FIER                                 

Fieri i priti delegatët si ngadhënjimtarë. Në mes të atij grumbullimi që gumëzhinte fuqishëm në sheshin e qytetit, u përfshinë dhe delegatët e Beratit, Mallakastrës e Lushnjes. Midis tyre, binte  në sy mësuesi i palodhur i shqipes, patrioti i papërkulur, Babë Dud Karbunara me të vëllanë, si dhe mësuesi patriot nga Shën Pjetra e Fierit, Jani Minga. Nga kjo pritje, Kryetari i Shtetit të  Ri shqiptar, që pas dy ditësh do të vendoste gurin e shenjtë të pavarësisë atje në Vlorën heroike, u ngazëllye si asnjëherë. Ai, nga çasti në çast, kudo që shkelte, po bindej gjithmonë e më tepër se populli i etur për liri e pavarësi, ishte me të. Një pritje të veçantë, plakut të flamurit i rezervoi në qytetin e Fierit Ymer pashë Vrioni, i cili ngulmoi që natën e 25 nëntorit ai të qëndronte në Fier. Por punët e mëdha e të ngutshme që e prisnin në Vlorë, e detyruan Ismail Qemalin që në orën 15:00i shoqëruar nga një lumë përkrahësish, t’i drejtohej Vlorës. Sa kaloi Vjosën, dërgata e Vlorës me në krye Arshi Halilin, major Bilal Nivicën, Hamza Isën dhe qindra luftëtarë labë të armatosur, e pritën tërë gaz e hare, duke i uruar mirëseardhjen. Përmes baltovinave, mbërritën tek ullishtet e Vlorës. Ndërkohë, disa nga rojat e sigurisë së qytetit, kur panë se kolona me në krye Ismail beun dha ballë në portat e qytetit, nxituan kush e kush më parë për në qendër, ku kishte vërshuar gjithë populli i Vlorës dhe i fshatrave përreth. Luftëtarët e lirisë, nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, sapo mbërritën, përshëndetën me adhurim  atë popull heroik, që i priti siç pret toka e zhuritur ujin në vapën përvëluese të verës. Në sheshin e qytetit, drejtori i shkollës Jani Minga, kishte organizuar edhe nxënësit e shkollave për të pritur mysafirët.

 

NË VLORË

Atë natë, Ismail Qemali u strehua në shtëpinë e Hasan Sharrës, kurse delegatët e tjerë u sistemuan në shtëpitë e qytetarëve vlonjatë. Pas dy ditësh pune intensive konstitucionale, më datën 28 Nëntor 1912, në ora 11:00 (allaturka), plaku mjekërbardhë u shfaq si një legjendë mitike nga ballkoni i shtëpisë së Xhemil beut. Flamuri i kuq me shkabën e zezë dy krenare, si një dhuratë perëndie, u valëvit në duart e atij apostulli, që do të futej si legjendë në histori. Nga ai çast, shqiponja e arbrit hapi flatrat dhe fluturoi mbi trojet e të parëve. Mijëra sy u përlotën, ndërsa thirrjet: “Rroftë liria! Rroftë flamuri! Rroftë Pavarësia! Rroftë Ismail Qemali!”, oshëtinin si dallgë e papërmbajtshme në kryeqytetin e ri të Shqipërisë së pavarur. Kjo ndodhi  100 vjet të shkuara, atje në Vlorën heroike.

(Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi)

 

SOM 1

“Ismail Qemali tha:’Pa dëgjo, unë erdha këtu për një ide që të shpëtoj Atdheun tonë prej skllavërisë së armiqve. Në qoftë se unë kthehem prej këndej dhe hyj në konsullatë ose iki dhe shpëtoj veten time,  ideja ime për shpëtimin e Atdheut ikën bashkë  me mua. Në qoftë se ia mbërrijmë Vlorës, dëshira jonë plotësohet. Po qe se do të vritem, le të  mbetem dëshmor dhe theror për Atdheun e dashur”

 

SOM 2

“Fieri i priti delegatët si ngadhënjimtar. Në mes të asaj gjindjeje që gumëzhinte fuqishëm në sheshin e qytetit, u përfshinë dhe delegatët e Beratit, Mallakastrës e Lushnjes. Midis tyre, binte  në sy mësuesi i palodhur i shqipes, patrioti i papërkulur, Babë Dud Karbunara me të vëllanë, si dhe mësuesi patriot nga Shën Pjetra e Fierit, Jani Minga”

 

SOM 3

“Atë natë, Ismail Qemali u strehua në shtëpinë e Hasan Sharrës, kurse delegatët e tjerë u sistemuan në shtëpitë e qytetarëve vlonjatë. Pas dy ditësh pune intensive konstitucionale, më datën 28 Nëntor 1912, në ora 11:00 (allaturka), plaku mjekërbardhë u shfaq si një legjendë mitike nga ballkoni i shtëpisë së Xhemil beut”

Hilli Veruari November 16, 2012 14:51
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*