SHPEJTËSIA E WHITMANIT

April 27, 2018 07:35

SHPEJTËSIA E WHITMANIT

Nga Moikom Zeqo

Mjeti më i shpejtë për të shkuar në Amerikë nuk është avioni, por Wallt Whitmani. Leximi i Whitmanit ia kalon shpejtësisë së dritës.

Whitman është shpejtësia e mendimit, më e gjithëçastëshme se gjithçka, depërtuese, e pandalshme, që nuk njeh mure në hapësirë. Mendimi është hapësi i dyerve të mbyllura të kozmosit.

Unë s’e kam zbuluar Amerikën. Unë në një farë mënyre gjej, kuptoj dhe dua Amerikën time, një kontinent personal, një revolucion personal. Që në fëmijërinë e hershme kam menduar se Mohikani i Fundit, personazhi i famshëm i Kuperit, ka qenë më i rëndësishëm dhe më botëzbulues se sa detari kokëkrisur dhe florikërkues i quajtur Kristofor Kolombi.

Mohikani i Fundit është lëkurëkuqi i madh i epokës parakolombiane. Ai përfaqëson popullin e mrekullueshëm e tragjik, që u mbiquajt gabimisht nga europianët e paditur dhe të egër me një krishterim fatal si indian. Ky emërtim është gabim i pakorrigjueshëm, sepse Kolombi mendonte se kish zbuluar me një lëvizje drejt Perëndimit Indinë e brahmanëve dhe budistëve poetë të Lindjes.

Europianët erdhën më galera të mëdha, të ngjashme me kazanët profetikë prej bronzi të Dodonës. Ata kapërcyen oqeanin, jo për të zbuluar, por për të skllavëruar. Ata i masakruan qytetërimet e lashta të popujve inkas dhe maja, rrëzuan perënditë e çuditshme të kësaj hapësire të virgjër.

Zbulimi i Amerikës qe absolutisht ngjarja më e madhe në historinë e njerëzimit më historindryshuese se sa shkelja e këmbës së Armstrongut, Njeriut të Parë në Hënë. Kontinenti i dy Amerikave qe më ekzotik dhe epshndjellës se sa Atlantida përrallore e fundosur mjerueshëm dhe dhimbshëm në thellësira.

Zbulimi i këtij kontinenti qe triumf i dhunshëm dhe paradoksal i kolonizimit, i ndryshëm nga kolonizimet kulturore të fenikasve dhe grekëve të vjetër në lashtësi. Aq më tepër që evropianët e parë që shkelën në Amerikë ndryshuan edhe vetë racat njerëzore, skllevërit e Afrikës së Zezë së bashku me ritet e magjisë vudu u zhvendosën për të modeluar më pas superfuqinë moderne amerikane, më të madhen e të gjitha kohërave.

Indianët e mrekullueshëm u fashitën, proverbat e tyre së bashku me magjistarët shamanë ushqyen shekuj më vonë mrekullitë imazhiniste të Hollivudit. Skllevërit zezakë krijuan profetin më të madh pas Budës, Krishtit dhe Muhametit, mjeshtrin e shpresëtarisë, heroin e lirisë, njeriun që kishte ëndërra dhe prandaj nuk mund të mposhtej, Martin Luter Kingun.

Këta zezakë, që u konsideruan mizorisht si nënnjerëz u hakmorën për veten dhe indianët. Në botën e sotme postindustriale dhe globale bluzet dhe repet zezake, kanë pushtuar tërë kulturën muzikore, koreografike dhe elektronike të planetit. Eminem është emri i një hyjnie të muzikës për tërë adoleshentët në planet, i bardhë nga jashtë, zezak nga shpirti.

Syri dhe veshi i çdo njeriu zotërohet nga Amerika. Prej saj vijnë kulturat e reja dhe herezitë e reja. Ajo paraprin për t’u identifikuar, ajo lëviz për të mos u plogështuar.

Planeti është i Amerikës, sepse Amerika e zotëron këtë planet, por ky zotërim nuk është lëkura e Centaurit, që mund të vishet si një këmishë fatale.

 

 

April 27, 2018 07:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*