Shpella e Haxhi Aliut

July 2, 2018 08:43

Shpella e Haxhi Aliut

Nga Moikom Zeqo

Mëngjes. Me motofllugën e vogël, të quajtur “Peshkatari”, nisemi drejt Kepit të Karaburunit. Gadishulli shkëlqen nën rrezet e diellit.

Më tej ishulli i Sazanit. Një dekor i mrekullueshëm guri dhe uji, ajri dhe drite.

Në këtë dekor ka mbijetuar një legjendë poetike shekullore, legjenda detare e Haxhi Aliut dhe e trimave të tij.

Në Karaburun, pranë Kepit të tij, është shpella ku Haxhi Aliu fuste anijen e tij, tartanën me vela.

Është varrosur në Sazan bashkë me të birin, kur u vra.

Jetën dhe vdekjen e tij heroike i ka bashkuar e i ka bërë sintezë kënga e shekujve.

I afrohemi shpellës, emri i së cilës shkëlqen në gjeografinë poetike të folklorit të detit. Fryn një fllad i lehtë dhe i freskët.

Pulëbardhat klithin duke u rrotulluar sipër. Mbi dallgët kërcen me shpejtësi një delfin.

Haxhi Aliu me të birin

Porsi mbreti me vezirin.

Këto dy vargje të mbledhura në shekullin e kaluar nga folkloristi i nderuar rilindas, Thimi Mitko, tregojnë se “mbretëria” e këtij detari dhe të birit të tij qe deti dhe brigjet.

Në kreshtën e valëvitur shkëmbore shfaqet hyrja e shpellës “Suzami” i saj i hapur. Në çastin që futemi brenda të emocionuar ndiem një fërfëllimë. Një tufë pëllumbash të egër dolën nga thellësia e shpellës.

Shpella është e jashtëzakonshme, nga më të mëdhatë e më të bukurat e Shqipërisë, një mrekulli e vërtetë e natyrës. Karaburuni ka një numër të madh shpellash detare, të quajtura karstike, por shpella e Haxhi Aliu është e pakrahasueshme.

Në kanalin e hyrjes ka thellësi. Në krahun e majtë disa shkëmbinj janë shembur, kanë rënë në det.

Futemi brenda, duke vështruar.

Shpella me kulm në lartësi afro 60 metra, të kujton një katedrale gotike. Faqet e brendshme janë plot fole pëllumbash të egër. Një vezullim i çuditshëm e pak i mugët mbush gjithçka.

Fundi i shpellës është në formën e një liqeni të vogël, me ngjyrë blu.

Veshim pajisjet e zhytjes dhe futemi. Xhami i maskës vishet shpejt si me avull të bardhë. Kjo ndodh nga ndryshimi i papritur i temperaturës. Në trup i ndiejmë një rrymë uji tepër të ftohtë: burimi i nënshpellës. Burimi është me ujë të ëmbël.

Në një thellësi afro 20 metra gjejmë një grykë amfore të lashtë të shekullit II para erës sonë. Më tej, një spirancë e vogël e shekullit tonë.

Qëndrojmë pak mbi ujë, në një sop të vogël shkëmbor, në krahun e djathtë. Na vjen të thërrasim: O Haxhi Ali, o Haxhi Ali! Detari trim u vra në gjysmën e parë të shekullit XVII. Detarët e vjetër shqiptarë sa herë kalonin pranë shpellës, hidhnin në det një shishe me vaj ulliri e një copë bukë për shpirtin e Haxhi Aliut.

Një pjesë e shpellës ka gjurmë bloze, gjurmë të zjarreve të ndezur dikur. Haxhi Aliu futej me gjithë tartanën në shpellë, prej nga u dilte me shpejtësi anijeve të huaja që donin të sulmonin dhe i fundoste.

Sipër, duket një tunel që humbet në thellësi të shkëmbit. Ku të çon vallë ky tunel? Mos ka lidhje me pjesën tjetër të Karaburunit? Ky është një motiv për spelologët.

Brenda kësaj shpelle është përherë e gjallë kënga popullore:

Haxhi Aliu – Hyri e detit!…

Reflekset lëvizin nëpër paretet e shpellës në formën e një kaleidoskopi. Para se të ikim skalitim emrat tanë në shkëmb. Ky është zakon i detarëve shqiptarë.

Në imagjinatën tonë shfaqet tartana me vela të bardha.

Pastaj, rithemi vargjet e këngës.

Përsëri fluturojnë pëllumbat.

 

July 2, 2018 08:43
Komento

2 Komente

  1. ku carin e gjeti shpellen " aziatiku Haxhi" apo e solli me vehte nga arabistani truqia ! July 2, 09:25

    te ardhurit nga dundi botes ,
    probesuan Shqiperine lol !
    ja turku me pati edhe shpellat ,mir tokat qe ja q!fSh faren
    e ndyre

    Reply to this comment
  2. anticensurë25642654 July 3, 09:06

    moikom
    nuk mora vesh asnjë gjë nga kjo që ke shkruar!!
    shpella kështu e ashtu,haxhiu e aliu trim e mbrojtës iiiiiiiiiiiiiiiiii,një zot e di!!
    dhe duke shkuar drejt fundit,me shpersë se po del ndonjë gjë,e mbyll meeeeee!?
    nuk e di çfar!!
    e mbyll me një,më fal që ta them,por budallallëk,”Para se të ikim skalitim emrat tanë në shkëmb.”,nëse kjo shpellë ka ndonjë vlerë historike a natyrale!? atëherë “Ky është zakon i detarëve shqiptarë.”i bërë nga një intelektual!?
    është shumë i gabuar!!
    sepse po të shkruajnë emrat gjithë intelektualët dhe idiotët që vizitojnë atë shpellë,një ditë do ti ndërrohet emri!do të quhet shpella e zhgaravinave të injorantëve,shkatërrues të pasurive kulturore shqiptare!!
    nuk është ndonjë gjë e veçantë,”zakon shqiptarësh”!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*