Shpërdorimi i territorit: llapim për fatkeqët, por ndihmojmë barkdreqët

February 6, 2018 02:34

Shpërdorimi i territorit: llapim për fatkeqët, por ndihmojmë barkdreqët

Çapajev Gjokutaj

Rrëshqitja e tokës rrezikon shëmbje pallatesh në Gjirokastër. Kronikat televizive tregonin apartamente të mbushura me gurë e dhè.  Kishin buisur nga ballkonet. Gazetari pyeste banorët në se kishte vajtur ndonjë zyrtar t’i shihte. Pastaj shtonte se bashkia i kërkon qeverisë që të shpallë gjendjen e emergjencës.

Të dhemb në shpirt kur, fjala vjen,  ikje-ardhjet e energjisë të prishin televizorin a frigoriferin. Merre me mend ç’ndjen kur sheh të të ikij për duarsh shtëpia e katandia. Mundi e djersa e një jete të tërë. Fatkeqësia e këtyre banorëve është ulëritëse, ndaj pushtetarët, vendorë a qendrorë qofshin, duhet të venë. Jo për t’i parë, po për t’i ndihmuar.

Por opinioni publik dhe media duhet të kërkojnë me përparësi diçka tjetër: të nisë punën sa më parë prokuroria dhe ta bitisë, pa një pa dy,  drejtësia.

Gjirokastra dhe shirat atje kanë qenë në shekuj. Por kurrë nuk ka patur shembje të tilla dheu, kaq të shpeshta e kaq masive.

Nuk ka ndryshuar as territori e as moti. Ka dalë babëzia sheshit.

2.

Luzma biznesmenësh, specialistësh, pushtetarësh gëlojnë në gjithë Shqipërinë dhe bëjnë ‘studim’ të territorit, japin leje e ndërtojnë, duke injoruar ligjet e natyrës dhe ato të shtetit e duke respektuar vetëm oreksin e xhepit.

Kurse mediat dhe ne, opinioni, e vemë theksin tek fatkeqët, por lemë në hije dhe, de facto, ndihmojnë barkdreqët.

Territori nuk është mall konsumi. Eshtë pasuri e patundshme. Nuk i takon një elite pasunarësh a një bande kriminale. Eshtë pronë e të gjithëve, i takon bashkësisë. Na takon të gjithëve. Edhe mua e ty, që kemi dy gramë shkollë dhe dimë të artikulohemi në publik, edhe atyre që hera e pruri të jenë ‘memec’.

Veç kësaj, zyrat e shtetit nuk janë defter bakalli, që mbushet me shënime e zhgarravina dhe flaket më një anë. Janë e duhet të jenë edhe memorie e pronës publike, për sot e për mot. Atje janë e duhet të jenë, të shkruara e bardhë mbi të zezë, edhe studimet e territorit, edhe lejet e ndërtimeve, edhe aprovimet e mbikqyrësve. Me emër e mbiemër, me firmë e me vulë.

Ndaj drejtësia nuk e ka vështirë që, kur e do puna, të shqyrtojë fije e për pe ç’ka ndodhur me terrenin dhe të vejë para përgjegjësisë të gjithë ata që  kanë abuzuar e kanë përfituar. Jo vetëm sot, por edhe dje e pardje, edhe vitet e fundit a disa dekada më parë. Se s’qe budall i pari kur tha që shteti e kap lepurin me qerre.

3.

Ç’është kjo frymë robespierjane, kujt i hyjnë në punë arrestimet bolshevike, – çirren e do të çirren zëra politikanësh, por jo rralllë edhe intelektualësh gjasme të pavarur.

Natyrisht, ndërgjegjia dhe kultura demokratike janë si ajri për ekzistencën e shtetit të së drejtës. Por besimi se drejtësia edhe kur vonon nuk harron, si dhe frika e ndëshkimit, janë ajër e shkuar ajrit, janë okigjeni që ushqen indet e një shoqërie demokratike.

Këtë e kuptojnë më mirë ata që kanë pasur rast të punojnë me të huaj. Edhe kur vijnë nga vende të zhvilluara, me drejtësi të konsoliduar e me edukatë të lartë demokratike, nuk i rezistojnë lehtë tundimit të shpërdorimit, sa herë që ndjejnë dobësi e boshllëqe administrimi.

Shpreh një pjesë të së vërtetës  ajo anekdota, ku doganierët shqiptarë ankohen për punonjësit e ‘Crown Agents’:  Sos që na hyjnë në pjesë se e hanë ryshfetyn më keq se ne, por na prishin edhe tregun e allishverisheve, e ndyjnë dorën edhe për dyqind euro…

Drejtësia, kur është drejtësi, ndëshkon krimet e të djeshmes dhe njëkohësisht parandalon ato të së nesërmes. S’është as cinizëm, as frymë robespierjane të kërkosh shpagim. Të këmbëngulësh që ata që venë dorë mbi territorin, të vihen para drejtësisë, pavarësisht se kur e kanë bërë krimin. Territori është pjesë e memëdheut e mëmëdheu është i shenjtë, përjetshëm e i paprekshëm. Jo vetëm në retorikë.

February 6, 2018 02:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*