SHPËRTHIMI / Këta janë hajdutë me çizme, thotë Mister 230 Milionëshi

March 26, 2018 17:17

SHPËRTHIMI / Këta janë hajdutë me çizme, thotë Mister 230 Milionëshi

I lemerisur nga pacipësia proverbiale me të cilën u vendos pagesa e një takse kalimi për shoferët që përdorin Rrugën e Kombit, Mister Euro 230 Milionëshi deklaroi se kjo ishte një hajdutëri e pastër nga ana e qeverisë.

“E rropën popullin e shkretë, e masakruan fare”, tha Mr 230 Milionëshi, i cili siç e dini deklaratën e parë të pasurisë e kishte 1 milion dollarë, ndërkohë që pak muaj pasi desantoi në politikën shqiptare ndërtoi një ashensor personal në pallatin ku kishte bashkuar dy apartamente për t’i shërbyer sa më mirë popullit.

“Këta janë hajdutë me çizme”, shtoi Mr 230-shi, i cili rastësisht apo jo, ndër të paktat herë që ka veshur çizme, ishte kur vizitonte punimet e Rrugës së Kombit, e cila i dhuroi edhe emrin kaq tingëllues.

Mister 230 Milionëshi sqaroi se Rruga ishte financuar nga buxheti i shtetit për t’u shërbyer qytetarëve.

“Rruga është përfunduar dhe kryer prej kohësh, ndaj nuk ka nevojë për para të tjera”, deklaroi 230-shi teksa televizionet jepnin lajmin e rrëshqitjes së një fshati drejt e në autostradë për shkak punimeve shpyllëzuese të Rrugës së Kombit, që ishin lënë në mes.

“Nëse duhen para për mirëmbajtje, shteti le t’ua marrë oligarkëve dhe ministrave që janë majmur në kurriz të këtij populli,” tha Mister 230 Milionë Euroshi.

Një moment ai u gëlltit dhe sqaroi: “E kam fjalën për ministrat e tanishëm, jo për ata të periudhës 2005-2013”.

 Ndërsa faqet e zhveshura të maleve zunë përfund dy pika karburanti dhe zhvendosën dy fshatra të tjerë buzë Rrugës së Kombit, Mister 230 Milionëshi kërcënoi se paratë e popullit do t’i kthehen sovranit një më një.

“Kush ka futur duart në xhepin e sovranit, nuk shpëton dot, herët a vonë do japë llogari. Le të jetë ai drejtor, ministër apo kryeministër,” tha Mister 230 Milionëshi.

“E kam fjalën për këta të sotmit, këta hajdutë me çizme,” u kujdes edhe një herë të pësëriste ai.

Ndërkohë një nga qehallarët iu afrua dhe e njoftoi me lezet se nëse do niseshin sërish për në Shkodër, çizmet i kishte gati.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike për kohë të lagësht dhe të thatë

March 26, 2018 17:17
Komento

1 Koment

  1. Cizmja e majte March 27, 05:42

    Ne as cizme nuk kishim kur ju futem zanatit te vjedhjes – tha zoteria ish-minister i perbrendshem i 21 janarit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*