Shpëtimi i njerëzimit s’është i mundur

Gazeta "Dita" February 13, 2013 07:56

Shpëtimi i njerëzimit s’është i mundur

Një vit pas vdekjes, e cilësuara si Moxarti i poezisë rivjen në vëmendjen e dashamirësve të poezisë

Anida Lera

Përkujtohet Visllava Shimborska (Wislawa Szymborska), fituesja e Çmimit Nobel për Letërsinë 1996, një vit pasi ndërroi jetë në gjumë, në shtëpinë e saj në Krakov. E cilësuar si Moxarti i poezisë, poetja polake u kujtua në një mbrëmje ku u lexuan poezi në gjuhën polake dhe në gjuhën shqipe prej të pranishmëve.

Poetja e nderuar me çmimin “Nobel” për Letërsi në vitin 1996 këmbëngulte se poezia e saj ishte personale, dhe jo politike. “Në fillim të jetës sime krijuese e dashuroja njerëzimin. Doja të bëja diçka të dobishme për njerëzimin. Shpejt e kuptova se shpëtimi i njerëzimit nuk ishte i mundur”, shkruante vetë poetja.

Njëri prej përkthyesve që ka sjellë në shqip poezinë e Visllava Shimborskës, Petrit Dollani, kujton kohën kur poetja u nderua me Çmimin Nobel për Letërsinë. Në libraritë e Polonisë nuk kishte asnjë kopje të librave të saj.

“Në kohën kur Shimborska u nderua me çmimin Nobel, në libraritë e Polonisë nuk kishte asnjë kopje të librave të saj. Kjo gjë mua më bëri shumë përshtypje. Libri që e bleva rastësisht pak më vonë. Ishte “Pamje me kokërr rëre”. Kur i lexova, shumicën prej poezive nuk i kuptova. Njëra prej poezive më përfaqësuese për mua është “Asgjë nuk ndodh dy herë”. Në shqip poeten e kam përkthyer para 10 vjetësh.

“Ajo që më bëri përshtypje në poezinë e Shimborskës ishte ndjenja e thellë dhe distanca që mbante nga realiteti. Kalimi nga makrokozmosi në mikrokozmos ndodhte ta gjeje edhe brenda poezisë. Nga tërësia e poezive të saj jam përpjekur të jap mesazhin universal që ajo me shumë art e sjell në poezi. Atë që mund të quajmë absurd, ishte se në vitet ’50, ’60, ’70 ajo pothuajse nuk njihej më, pra nuk lexohej. Në kohën që fitoi Çmimin Nobel, ajo u nxor nga harresa. Ky rikthim i poezisë sa saj që do e lexonte e gjithë bota me shkëlqimin që e meritonte”.

Ndërkohë, ambasadori i Polonisë në Shqipëri, Marek Jeziorski, në një intervistë për gazetën “Dita” tregon për poezinë e Visllava Shimorskës dhe për krenarinë që në mbarë botën dhe në Shqipëri lexohet dhe admirohet poezia polake.

Zoti Ambasador, ç’ndjenja ju krijon leximi i poezisë së poetes nobeliste Visllava Shimborska?

Për mua poezia e Visllava Shiborskës është  shumë personale. Poezi që reflekton një filozofi të veçantë të poeteshës. Ajo që është shumë e rëndësishme, është se poezia e saj është e kuptueshme në të gjithë botën. Është e pakufishme, nuk është hermetike që t’i përkasë vetëm një rajoni, vendi, qytetërimi apo vetëm një kulture, është mbarëbotërore.

Prandaj poezia e Visllava Shimborskës duhet të lexohet me shumë vëmendje. Poezia e saj trasmeton një filozofi jete dhe njerëzit duket se e pëlqejnë dhe po lexohet në të gjitha kontinentet.

Sa krenarë ndihen polakët për një poete kaq të madhe si Shimborska?

Në Poloni nuk është një gjë e lehtë të jesh një poet i shquar. Polonia ka pasur shumë poetë të shquar që nga shekujt e mëparshëm. Në shekullin XIX ka pasur një sërë poetësh që kanë shkruar për popullim polak poezi kombëtare. Midis Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, rreth viteve ‘20-’30 ka pasur shumë poetë të shquar që kanë shkruar poezi shumë të mëdha, në mënyrë individuale.

Veçanërisht gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur një sërë poetësh që kanë shkruar brenda dhe jashtë vendit. Ka pasur prej tyre që kanë shkruar në emigrim. Historia e letërsisë sonë është shumë e begatë. Mes tyre, poezia e Shimborskës u shqua për karakterin polak dhe shumë origjinal, që e përcillte me nje mezazh personal. Gjithmonë poezia e saj i pëlqente brezit të ri. Në periudhën e fundit të jetës së saj poezia ishte shumë e freskët, shumë e re. E lexonte brezi i ri.

Ç’mendim keni për përkthimin në shqip të poezisë së saj?

Ka pasur shumë përkthime të poezisë së saj. Ajo është përkthyer në anglisht, italisht, frëngjisht, suedisht, në shqip, pra në shumë gjuhë të botës. Përkthimi është shumë i mirë edhe në gjuhën shqipe. Ne jemi shumë të nderuar për rëndësinë dhe për admirimin që ju keni ndaj poezisë polake. Po zbulohet interesi në mbarë botën, si edhe në Shqipëri për këtë poete të madhe. Për të mund të flitej shumë gjatë. Poezia e saj është për t’u lexuar dhe menduar.

 

 

I nevojshëm një person

Për të qarë

pleqtë, të cilët nëpër azile

vdesin. Ju lutem

kandidoni pa metrika

dhe oferta me shkrim.

Dokumentet do të grisen

pa fletë-marrje.

 

Për premtimet e bashkëshotit tim

që ju gënjeu me ngjyrat

e botës së gjalluar, zhurmën e saj,

këngën nën dritare, qenin përtej murit:

se asnjëherë nuk do të jeni të vetmuar

në errësirë, në qetësi, pa frymë,

-nuk mbaj përgjegjësi

Hëna, vejusha e Diellit.

 

 

 

Asgjë s’është dhuratë

 

Asgjë s’është dhuratë, çdo gjë është borxh.

Jam mbytur me borxhe deri në fyt,

do jem e detyruar të paguaj për veten

me vetveten,

të kthej jetën në këmbim të jetës.

 

Kështu është vendosur:

zemra duhet kthyer,

mushkëria duhet kthyer

dhe secili nga gishtat.

 

Është tepër vonë që të rrokim kontratën.

Aq sa detyrohem

do më hiqet me gjithë lëkurë.

 

Po rend nëpër botë,

mes një turme tjetër borxhlie.

Mbi dikë rëndon detyrimi,

që të paguajë krahët,

të tjerëve do u duhet,

me zor o me dashuri,

të përgjigjen për secilën gjethe.

 

Në kolonën “Dhënie”,

çdo copë që është në ne.

Asnjë qerpik, asnjë syth,

që ta ruajmë përgjithmonë.

 

Lista është e saktë

dhe me sa duket,

do na duhet të rrimë me asgjë.

 

Nuk arrij të kujtoj,

ku, kur dhe pse,

kam lejuar që të hapnin,

këtë llogari në emrin tim

dhe me sa duket,

do na duhet të rrimë me asgjë.

 

Protestën kundër kësaj

ne e quajmë shpirt.

Ky është i vetmi zë

që mungon në listë.

Gazeta "Dita" February 13, 2013 07:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*