A mund të na bëjë të pasur një shpikje? Jo të gjithë kanë fatin e Zuckerberg

November 5, 2017 11:20

A mund të na bëjë të pasur një shpikje? Jo të gjithë kanë fatin e Zuckerberg

A mund të na bëjë të pasur një ide e mirë? Disa shpikësve u ka ndodhur diçka e tillë.

Zotëruesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, 12 vite nga shpikja e rrjeteve sociale, konsiderohet si njeriu i pestë më i pasur në botë, me një pasuri që shkon deri në 52.5 miliardë dollarë. Por jo gjithmonë punët shkojnë kaq mirë. Ka krijues të tjerë që, pavarësisht se me shpikjet e tyre kanë ndryshuar jetën tonë, prapë xhepat i kanë bosh.

Shkaqet e këtij dështimi mund të jenë që nga përtacia, çështjet politike e deri te bujaria e tyre. Më poshtë janë 7 prej tyre.

Karta e kreditit

Pa Ron Klein-in, ndoshta sot nuk do ta kishim kartën e kreditit. Pikërisht ai e shpiku metodën e kodifikimit të rripit magnetik me informacione të thjeshta, si p.sh., një numër llogarie i vendosur në pjesën e pasme të kartave të debitit dhe kreditit.

E pavarësisht rëndësisë së shpikjes së tij, kurrë nuk mundi të bënte dot para. Dhe me këtë lloj shpikjeje, fitimet do të ishin të mëdha, edhe pse ai i pasur u bë për shkak të gjetjeve të tjera, si software-t e përdorur në botën e financës dhe bursave.

Patatinat e ambalazhuara

Patatinat e skuqura të prera hollë janë ndoshta një nga shpikjet e pakta të bëra për inat të dikujt tjetër. Kur punonte si shef në “Moon Lake House” në vitin 1853, George Crum i shërbeu një pjatë me patate të skuqura një klienti që ankohej se patatet ishin shumë të buta dhe të trasha.

I inatosur, Crum-i i preu patatet aq të holla sa ato dolën si gjethe dhe i shërbeu. Më pas, kur hapi restorantin e tij, ai i quajti “Saratoga Chips” dhe e shpërndante një pjatë në çdo tavolinë. Ato u pëlqyen shumë. Metodën e tij e aplikuan edhe restorante të tjera, pa ia njohur meritat e kësaj recete.

Shkrepëset

Shpikësi dhe kimisti anglez, John Walker, krijoi shkrepëset moderne dhe nisi t’i shiste ato në 1827 në vendlindjen e tij, Stockton. Për fat të keq, ai nuk ishte i kënaqur për shpikjen e tij, që e bëri duke përzier kalium dhe antimon dhe kurrë nuk e patentoi, edhe pse shkencëtarë e miq të shumtë e nxitën ta bënte. Ai nuk mori as famë dhe para për shpikjen, ndërsa pas vdekjes së tij 1859, u mor vesh se ai ishte i pari që i krijoi dhe i shiti.

Kallashnikovi

Shpikja e armës automatike më të fuqishme në botë, nuk i solli diçka të mirë Mikhail Kalashnikov-it. Ai e krijoi AK-47 ndërsa punonte si dizajner armësh për Bashkimin Sovjetik në 1947.

Kjo pushkë automatike edhe sot vazhdon të mbahet nga ushtarë, luftëtarë të lirisë, terroristë, trafikantë dhe keqbërës në të gjithë botën. Llogaritet se në tokë gjenden rreth 100 milionë kallashnikovë.

Kalashnikov-i punonte në Bashkimin Sovjetik e për këtë kurrë nuk pati vlerësim monetar, vetëm një brengë të madhe.

Pak muaj para vdekjes së tij, më 2013, i shkroi një letër Kishës Ortodokse ruse ku kërkoi falje për shpikjen e tij, sepse ndihej përgjegjës për vdekjet e shumta nga arma.

Mausi i kompjuterit

Klikun që keni bërë për ta lexuar këtë shkrim, e keni dhuratë nga Douglas Engelbart-i. Ai e krijoi mausin në 1968, mes shpikjeve të tjera si hiperteksti, ekranet e ndara, e madje edhe video-konferenca.

Edhe pse zotëron 20 patenta për shpikjet e tij, Engelbart-i kurrë nuk pati një për mausin. Ai e konsideronte një mjet që të funksiononte më thjesht kompjuteri i tij në 1964. Por kompania për të cilën punonte, “SRI”, licencoi mausin si shpikje dhe ia shiti më pas “Apple” për rreth 40 mijë dollarë në atë kohë, e asnjë prej tyre nuk i shkoi shpikësit.

Tetris

Nëse ka një videolojë të famshme ende në ditët e sotme, ajo është Tetris. Loja ka shitur 7 milionë kopje dhe prodhoi miliarda dollarë që kur u shpik në 1984. Por ashtu si edhe Kalashnikov-i, edhe shpikësi i saj, Alexey Pajutnov, ishte shtetas i Bashkimit Sovjetik, atëherë i drejtuar nga Partia Komuniste që nuk favorizonte krijimin individual dhe i konsideronte të gjitha shpikjet si pronë të qeverisë. Loja u përhap në Perëndim nëpërmjet Game Boy, Nintendo, por Aleksei nuk pa asnjë rubël.

Qeveria sovjetike i premtoi shpërblim, por kjo nuk ndodhi pasi sistemit i erdhi fundi. Në 2004-n, ai ra në zotërim të krijimit të vet, por atëherë fiksimi për lojën kishte mbaruar.

 Web-i

Tim Berners Lee ishte një fizikan i ri që punonte te Cern në Gjenevë, kur në 1989 pati idenë për të krijuar rrjetin e gjerë botëror (ueb). Sipas tij, programi do të shërbente për të gjurmuar marrëdhëniet komplekse mes njerëzve, idetë dhe projektet kompjuterike të komunitetit të jashtëzakonshëm të shkencëtarëve. Pra, përdorimi do ishte personal.

Më pas në vitin 1989, ai propozoi të krijohej një hapësirë e përbashkët, ku informacionet të ishin në dispozicion të të gjithëve. Ai kurrë nuk e patentoi shpikjen që bëri.

n.s./dita

November 5, 2017 11:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*