Shprehje fluturuese me ca bishta pas

June 7, 2018 14:40

Shprehje fluturuese me ca bishta pas

Nga Ymer Minxhozi

  1. “Bëjmë zhurmë vëllezër, bëjmë zhurmë”

Kjo frazë ka hyrë në letërsinë politike që nga shekulli i kaluar. Në vitin 1824, shkrimtari rus Gribojedov shkroi një komedi me titull : “Fatkeqësi për mend”. Këtë frazë ai e vuri në gojën e njërit prej personazheve të saj, por pati një jehonë të gjerë. Ajo doli nga skena e teatrit dhe filloi të përdoret me ironi në situatat kur njerëzit bëjnë diskutime të shumta e të zhurmshme, shqyrtojnë apo gjykojnë diçka, në vend që të bëjnë punën.

Në bazë të përhapjes së gjerë, shprehja “bëjmë zhurmë” në bisedat e zakonshme përdoret si përgjigje pyetjes: “Çfarë po bëni, me se merreni, përse bisedoni?”, në kuptimin – asgjë nuk po bëjmë, bisedojmë apo rrimë kot, merremi me hiçgjë. Kjo frazë përdoret shpesh në adresë të atyre politikanëve, të cilët flasin kot e për gjithçka, bile me fjalë të mëdha, që nuk qëndrojnë as në hava.

 

  1. Fiasko

“Fiasko” në italisht do të thotë shishe e madhe shumëlitërshe. Nga kjo vjen edhe fraza shumë e njohur: “të pësosh fjasko”. Si qëlloi që një shishe e thjeshtë të marrë një kuptim kaq të gjerë?

Ymer Minxhozi

Me pak fjalë, historia e shprehjes “të pësosh fiasko” është kjo: Komiku i njohur italian Biankonelli u përpoq të luante para publikut një pantonimë për të qeshur, me një shishe të madhe në dorë. Shishja i ra në tokë e u thye, në sytë e të gjithëve. Kështu, përpjekja për të zbavitur shikuesit dështoi. Meqenëse Biankonelli ishte i njohur si komik, dështimi i tij pati jehonë në shtyp. Gazetat botuan shkrime me tituj: “Fiasko e Biankonellit”, të cilat më vonë morën kuptimin e dështimit të një aktori. Me kalimin e kohës fjala “fiasko” filloi të përdoret për të treguar një dështim në sytë e publikut, në një kohë kur priteshin duartrokitje.

Shprehja “pësoi fiasko” tani përdoret jo rrallë edhe kur është fjala për parulla të mëdha politike, për përpjekje që reklamohen me bujë, por që përfundojnë në hiç, ose manovra të fshehta që dalin në shesh e demaskojnë autorët e tyre.

  1. Gjarpri në gji

“Të mbash gjarprin në gji” është një fjalë e urtë që haset tek shumë popuj. Origjina e saj është shumë e largët. Ajo është marrë nga një fabul e Ezopit, që mban titullin “fshatari dhe gjarpri”. Aty tregohet se si një fshatar tregoi mëshirë për një gjarpër që po ngordhte nga të ftohtit e madh dhe, pa e vrarë mendjen se çfarë po bënte, e mori gjarprin dhe e futi nën sqetull për ta ngrohur. Gjarpri, pasi u ngroh dhe erdhi në vete, filloi të lëvizë dhe puna e parë që bëri ishte të kafshonte shpëtimtarin e tij.

“Deri sa më shpëtove, unë dua dhe të ha!”, tha gjarpri.

Morali i fabulës është paralajmërimi që i bëhet njeriut për të mos qenë naiv dhe të mos besojë qorrazi në gjithçka i del përpara. Në fabulën e Ezopit stigmatizohen gjithashtu edhe ata që mirëbesimin e shpërblejnë me pabesinë. Krahasimi i këtyre lloj njerëzve bëhet me gjarprin.

P.S: Edhe popujt e tjerë kanë patur dhe kanë probleme, por mesa shohim e dëgjojmë, ato kanë më pak “gjyqtarë plepash”, “politikanë çadrash” apo banorë që i besojnë gjarprit në gji. Këto shprehje fluturuese janë shkruar kohë pas kohe dhe do të jetë rastësi nëse ndokush heq ndonjë paralele midis fabulës së tyre me zhvillime aktuale në politikën shqiptare.

 

June 7, 2018 14:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*