SHPRESËDHËNËSE / Majat e analizës gjeopolitike i bëjnë vërejtje elegante njëri-tjetrit

February 19, 2021 01:51

SHPRESËDHËNËSE / Majat e analizës gjeopolitike i bëjnë vërejtje elegante njëri-tjetrit

TIRANË, KINOSTUDIO, TRE URAT – Një tjetër episod që i mbush shqiptarët me shpresë se ky vend do të bëhet, ndodhi javën e kaluar në një studio televizive të Tiranës.

Skena zuri fill kur dy analistë i bënë njëri-tjetrit disa vërejtje kaq elegante, kaq të holla, kaq me takt, kaq galante, kaq kalorsiake, saqë lanë pa mend edhe vetë kryemjeshtrin e taktit mediatik, drejtuesin e emisionit Zonë e Liruar.

Analisti i shtëpisë, i cili do të mbetet në kujtesën televizive shqiptare që kur në përballjen e parë me ish kryeministrin Sabile Risha, i bëri këtij të fundit të fala nga mamaja e vet që kishte qenë studente e tij, i kujtoi analistit mysafir se kohë më parë kishte shitur sallatë jeshile.

Analisti mysafir, i cili ka studiuar në Amerikë (gjithmonë në studiot shqiptare nxjerr krye dikush që ka studiuar në Amerikë), i vuri në dukje bashkëfolësit (që ka studiuar në Greqi dhe rrjedhimisht, duhet të sforcohet dyfish për të luftuar stigmën e provincialit) se ky i fundit kishte 33 meshkuj në shoqërinë e Instagramit.

Në vijim, u zhvillua një debat teo-filo-psiko-meta-logjik që shpalosi gjithë bagazhin e të rinjve të plakur para kohe nga leximet, studimet dhe librat, faqet e të cilave janë mbushur me shënime me laps kopjativ anash.

Duke shtënë në punë Hegelin, Frommin, Aristotelin, Perënditë e Olimpit, Walt Whitmanin, Chomskyn dhe Sokratin (ky i fundit është doganier në pikën kufitare të Tre Urave në Përmet), dy analistët elaboruan të gjithë kombinimet e mundshme të pohimeve të tyre të mësipërme.

Debati erdhi e u zgjerua duke përfshirë 33 meshkuj që hanë sallatë jeshile, pse një shok mashkull mund të hajë 33 herë marule të përziera me rukola dhe prapë të ruajë virilitetin mashkullor, a quhesh burrë nëse ha dy herë rresht sallatë bio, e kështu me radhë.

“E paparë zonja dhe zotërinj,” deklaroi i mahnitur i Liruari i Zonës, “të ftuarit e mi në studio, sapo dhanë fjalën njëri-tjetrit se janë gati të kryejnë marrëdhënie platonike me cilëndo tufë jeshillëqesh që do ofrojë kundërshtari!”

E tepërt të themi se episodi në fjalë arriti kulmin e shikueshmërisë në Instagram, ndërsa partitë kryesore politike e lanë mënjanë hartimin e programeve elektorale, për t’u kërkuar analistëve të mësipërm të japin kontributin e tyre zarzavator para se t’ua paraqesin zgjedhësve.

Ndërkaq, Gojët e Liga kanë mësuar se pasi ka marrë vesh rastësisht për këtë episod, Albin Kurti është penduar që i fitoi zgjedhjet e Kosovës kaq shpejt, pa mundur të vjelë kontributin e kampionëve të studios televizive në fjalë.

“Çka kam ba, bre, ku-ku” psherëtiu Albini.

——

SHËNIM / Gojët e Liga është një rubrikë satirike që shpeshherë ndihet e mposhtur në misionin e vet, nga ngjarje reale të natyrës së mësipërme 

February 19, 2021 01:51
Komento

3 Komente

  1. LEON February 19, 08:46

    Po cfare majash jane ata qe shkojne tek Arian Cani?
    Jane rrugace ordinere.

    Reply to this comment
  2. Mesuesja February 19, 17:17

    Ah sa bukur,sa bukur!
    S’ka nevoje per ta shkruar skenarin e skecit askush vetem aktoret ta interpretojne…

    Reply to this comment
  3. Bob February 19, 21:00

    Kta gjenij kan vajt dem ne shqiperi, bashke me canin. Cojini ne bruksel te japin ment

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim