Shqetësimet që vijnë nga aciditeti i lartë në stomak

Pranvera Kola May 12, 2014 15:45

Shqetësimet që vijnë nga aciditeti i lartë në stomak

Janë të shumtë pacientët që ankohen se pasi kanë ngrënë u krijohet ndjesia e rikthimit të ushqimit mbrapsht nga stomaku për në ezofag. Mjekët shpjegojnë se kjo ndjesi e djegësirës vjen si pasojë e aciditetit të lartë të stomakut, që shkaktohet nga sëmundja e cila në gjuhën mjekësore njihet si refluksi ezofagal. Sëmundja është e shpeshtë si në moshat e rritura, por shfaqet edhe tek fëmijët e vegjël. Vështirësia gjendet në zbulimin e saj, për shkak të simptomave herë të dukshme, e herë të padukshme që shoqërojnë sëmundjen. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekja Ilda Xhelili tregon se sëmundja e refluksit gastro-ezofageal, është një ndër më të shpeshtat e sëmundjeve që prekin  ezofagun dhe ka të  bëjë me rikthimin e sekrecioneve të stomakut në ezofag. Pasojë e sëmundjes së zgjatur dhe të patrajtuar të refluksit gastro-ezofageal është dëmtimi i mukozës së ezofagut në trajtën e erozioneve apo ulcerave dhe me rrallë me shfaqjen e kancerit kardio-ezofageal. Prezantimi me tipik i kësaj sëmundje është djegia e kraharorit dhe rikthimi acidit në ezofag. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara këshillat që duhen ndjekur për të parandaluar sa më herët ndërlikimet që shfaqen në organizëm nga prania e kësaj sëmundje.

 

Çfarë është refluksi gastro-ezofageal, dhe si mund ta dallojmë praninë e kësaj sëmundje?

Kjo sëmundje njihet ndryshe edhe si sëmundja e refleksit gastrik ose edhe si sëmundja e refluksit acid. Kjo është një sëmundje kronike e dëmtimit të mukozës së stomakut dhe ezofagut si rezultat i kthimit mbrapsht të acideve të stomakut drejt ezofagut. Nga pikëpamja anatomike, stomaku dhe ezofagu ndahen nga një sfinkter (valvul)që hapet dhe mbyllet gjatë aktit të gëlltitjes së ushqimit dhe sigurisht që gjatë procesit të tretjes së ushqimit duhet të qëndrojë i mbyllur. Pikërisht kthimi mbrapsht i lëngjeve të stomakut ndodh për shkak të defekteve të sfinkterit (pra nuk mbyllet mirë), përfshirë këtu edhe çrregullimet e kontraksioneve (tkurrjeve) të tij muskulare. Këto ndryshime mund të jenë të përkohshme ose të përhershme. Në botën perëndimore rezultojnë të prekur nga kjo sëmundje rreth 10 – 20 % e popullsisë. Prevalenca (shpeshtësia) e kësaj sëmundjeje është e lidhur ngushtësisht edhe me moshën e njeriut. Përgjithësisht prek më tepër moshën midis 60 dhe 70 vjeç, moshë kjo kur fillojnë edhe çrregullimet e relaksimit (lëshimit) të muskulaturës. Ndërsa, përsa i përket gjinisë, preken njësoj, si femrat ashtu edhe meshkujt.

 

Por cilët janë shkaktarët kryesorë të refluksit gastro – ezofageal ?

Siç e theksova edhe më sipër, shkaku kryesor i kësaj sëmundjeje është çrregullimi i muskulaturës së valvulës që ndan ezofagun nga stomaku ose më thjesht, valvula që mbyll stomakun dhe pengon kthimin mbrapsht të ushqimit, të lëngjeve të stomakut, të enzimave dhe lëngjeve të tëmthit. Udhëtimi i këtyre lëngjeve për në ezofag shkakton djegie dhe inflamacion (infeksion) të mukozës së ezofagut. Faktor tjetër është obeziteti (mbipesha). Të qenët mbipeshë e me bark të madh, rrit presionin mekanik mbi stomakun, rrjedhimisht edhe mbi valvulën gastro – ezofageale duke çuar në çrregullime të relaksimit (lëshimit) të muskulaturës së saj. Sëmundje të tjera, si për shembull sindromi Zollinger – Ellison, hiperkalcemia (niveli i lartë i kalciumit në gjak), rrisin prodhimin e gastrinës, pra rrisin aciditetin e stomakut, pra e favorizojnë mjaft këtë sëmundje. Po ashtu sëmundja e sklerodermisësi edhe skleroza sistemime çrregullojnë funksionin e muskulaturës në përgjithësi pa përjashtuar edhe mukozën gastro – ezofageale. Ndër medikamentet që favorizojnë refluksin gastro – ezofageal mund të përmendim preparatet kortizonikë, aspirinën, ibuprofenin, vitaminën C të cilët rrisin aciditetin e stomakut duke shkaktuare dhe ulcera. Gjithashtu ka studime që mbështesin idenë e rolit negativ që luan prania në stomak e mikrobit helicobacter pilori sepse ky shkakton rritje të sekretimit acid të stomakut.

 

Cilat janë shenjat klinike më të zakonshme të refluksit gastro – ezofageal ?

Simptoma më e zakonshme klinike është urthi(ndjenja e djegësirës) si rezultat i kthimit mbrapsht të ushqimit dhe të lëngjeve acide të stomakut. Më pak të shpeshta janë dhimbjet gjatë gëlltitjes, dhimbjet e fytit, shtimi i pështymës në gojë, të përziera, dhimbje kraharori, kollitjet ë herë pas hershme. Gjithashtu mund të kemi edhe ulceracione të ezofagut gjatë të cilave kemi dhimbje më të forta si edhe pështyma të gjakosura. Mukoza e ezofagut mund të inflamohet (infektohet nga mbeturinat ushqimore) dhe në këtë rast pacienti mund të ketë edhe temperaturë, kjo në varësi edhe të shkallës së infeksionit. Nëse refleksi vazhdon për një kohë të gjatë pa u trajtuar mund të shfaqet edhe adenocarcinoma ezofageale (një lloj kanceri i ezofagut ). Ende pa pasur një sqarim të mirëfilltë, shumë pacientë që vuajnë nga refluksi gastro – ezofageal referojnë për infeksione të përsëritura të sinuseve, të veshit apo edhe të mushkërive. Mjaft i vështirë paraqitet diagnostikimi i refleksit për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, pasi ata nuk janë në gjendje të përshkruajnë atë që ndiejnë. Por simptomat mund të ndryshojnë edhe nga simptomat tipike të të rriturve. Tek fëmijët mund të kemi të vjella të shpeshta, pështymje të shpeshta, kollitje, probleme të frymëmarrjes. Fëmijët qajnë vazhdimisht, refuzojnë ushqimin, pësojnë rënie të dukshme në peshë(nga mosushqyerja), dhe fryma u vjen erë të keqe (nga kthimi mbrapsht i ushqimit ). Shumë foshnja të porsalindura sidomos ata të lindur para kohe kanë çrregullime të relaksimit të muskulaturës së stomakut dhe ezofagut. Shumica e tyre e kalojnë këtë problem kur mbushin një vjeç. Por, nuk është i paktë edhe numri i atyre që kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale për të korrigjuar defektin (kryesisht herniet).

 

Si kryhet diagnostikimi i sëmundjes ?

Diagnoza e refluksit bëhet zakonisht kur janë të pranishme simptomat tipike klinike. Prandaj mos hezitoni të konsultoheni në radhë të parë me mjekun tuaj të familjes edhe kur simptomat ologjiaklinike paraqitet e lehtë. Për vënien e diagnozës shërben skopia e stomakut, gëlltitja e sulfatit të bariumit të tretur në ujë dhe ekzaminimi më tej me rrezet X. Kjo rekomandohet më tepër për moshat e vjetra, kurse diagnoza më e saktë vendoset në përmjet fibrogastroskopisë e cila kryhet nga mjekët specialistë. Nëpërmjet këtij ekzaminimi vështrohet direkt mukoza e ezofagut dhe e stomakut. Biopsia që merret gjatë këtij manipulimi tregon për praninë e edemes së mukozës së ezofagut (ënjtje e mukozës ), inflamacion të mukozës (prania e infeksionit ).Mjaft i rëndësishëm është edhe ekzaminimi për praninë e helicobakteritpilori.

 

Si menaxhohet sëmundja ?

Menaxhimi i refluksit konsiston në medikamente, ndryshimin e stilit të jetesës dhe ndoshta edhe në kirurgji. Trajtimi fillestar fillon me përdorimin e medikamenteve që neutralizojnë aciditetin e stomakut. Kjo bëhet vetëm me konsultën e mjekëve specialist astrologë të cilët përcaktojnë saktë protokollet e duhura të mjekimit si edhe kohëzgjatjen e tyre. Mjaft pozitive kanë rezultuar ndryshimi i stilit të jetesës dhe ushqyerja e shëndetshme. Në radhë të parë ,rënia në peshë ndikon në uljen e presionit mekanik mbi stomakun dhe valvulin mbyllëse të tij. Mbajtja e kokës me jastëkë të lartë ndikon mjaft mirë për të penguar kthimin mbrapsht të ushqimit. Asnjëherë mos u shtrini në shtrat pasi të keni ngrënë. Qëndroni patjetër gjysmë ore ulur pasi keni ngrënë dhe ideale do të jetë që pas kësaj kohe qëndrimi ulur të vazhdoni për rreth dy orë shëtitje. Kështu do të ndihmoni mjaft procesin fiziologjik të tretjes dhe do të pengoni kthimin mbrapsht të ushqimit. Por jo ushtrime të fuqishme  me hedhje dhe kapërcime se pse kanë pasur efekte negative për këtë sëmundje. Ecja është ilaçi më i mirë. Ndaloni duhanin pasi edhe në këtë rast përkeqëson klinikën e sëmundjes. Ndër ushqimet që përkeqësojnë gjendjen mund të përmendim :alkoolin, kafen, çokollatat, ushqimet e yndyrshme, ëmbëlsirat, ushqimet pikante. Refluksi shfaqet shpesh gjashtë shtatzënisë për shkak të mbingarkesës dhe shtypjes fiziologjike. Edhe në këto raste do të vlenin rekomandimet e mësipërme , e në mënyrë të veçantë ngrënia e shpeshtë e në porcione të vogla si edhe shëtitjet, pa kaluar në sforcime, në ajër të pastër.

 

Dieta që rekomandohet për të rriturit me këto probleme

Ndalohet pirja e duhanit dhe alkoolit.

Ndalohet përdorimi i çamçakëzëve dhe i karameleve  me mente.

Mos u shtrini menjëherë pas ushqimit dhe shmangni darkat e vona.

Shmangni veshjen e rrobave të ngushta dhe përkuljet mbas ushqyerjes.

Hani  pak dhe shpesh.

Humbni në peshë nëse jeni mbipeshe.

Kokën e krevatit ku flini duhet ta mbani disa centimetra me te ngritur.

Ushqimet e mëposhtme rëndojnë refleksin ndaj duhen të shmangen; “Ushqimet e yndyrshme, pikantet dhe mente, çokollatat, fastfoodet.

Ushqimet e mëposhtme e irritojnë ezofagun e inflamuar dhe duhet të shmangen ose të limitohen sa më shumë që të jetë e mundur. Konkretisht po flasim për qitrot fruta dhe lëngje, agrumet (Portokalli, limona, mandarina, ananas, kafeja dhe çaji.

Ushqimet më pikante dhe më acide mund të jenë të pa tolerueshme për disa pacientë.

Nëse medikamentet dhe këshillat në dietë nuk e përmirësojnë situatën atëherë rekomandohet kirurgjia, edhe pse tek fëmijët është shumë rrallë. Nëse tek të rriturit kirurgjia është e rekomanduar kryhet fundoplikacion, ku pjesa e sipërme e stomakut rrotullohet rreth sfinkterit të poshtëm cardio-ezofageal(SPCE-se.) Kjo ndërhyrje shton presionin në të dhe redukton kthimin e lëngjeve acide.

 

Duhet të flisni me mjekun pediatër kur tek fëmija juaj ndodhin këto raste:

  • Kur rritet numri i të vjellave ose vazhdojnë të vjellat e forta.
  • Kur të vjellat janë me ngjyrë të verdhë ose jeshile ose që kanë pamjen e llumit të kafesë ose gjakut.
  • Kur fëmija shfaq vështirësi në frymëmarrje pas të vjellave ose regurgitimeve (kthimi i ushqimeve tek fëmijët në gojë në sasi të pakta).
  • Kur kanë dhimbje lidhje në lidhje me ushqyerjen.
  • Kur refuzimi i ushqimit që rezulton me humbje në peshë ose rritje e pakët e peshës.
  • Vështirësi dhe dhimbje në gëlltitje.

 

Këshillat për trajtimin e sëmundjes tek fëmijët dhe të rriturit

Mjekët sqarojnë se trajtimi i refluksit përcaktohet në varësi të shenjave që fëmijët dhe të rriturit shfaqin pas kontrollit të kryer nga një mjek specialist gatsrohepatolog. Qëllimi kryesor i trajtimit medikamentoz i refluksit është ulje e aciditetit të lëngjeve të stomakut, çka pakëson më pas edhe ndjesinë e bezdisjes dhe mungesës së rehatisë së stomakut. Përveç medikamenteve e rëndësishme është të ndiqen dhe disa këshilla praktike si për shembull tek fëmijët prindërit duhet të kenë parasysh disa këshilla të thjeshta që kanë të bëjnë me raste të tilla si : “ Të mos harrohet që fëmija duhet të ushqehet shpesh dhe në sasi të pakta ushqimi, të shmanget ushqyerja e fëmijëve 2-3 orë para gjumit. Këshillohet ngritje e kokës se krevatit disa centimetra më lart, në mënyra që koka dhe qafa e fëmijës të jetë më lart se pjesa tjetër e trupit. Shtimi i disa jastëkëve nuk e zgjidh problemin. Gjithashtu këshillohet edhe shmangia e lëngjeve me gaz, çokollatave dhe lëngjeve që përmbajnë shumë acid.

 

Simptomat më të shpeshta

Kur përmbajtjet e stomakut të kthyera në ezofag kalojnë në goje ose hyjnë në rrugët e frymëmarrjes fëmijët dhe të rriturit fillojnë të kenë zë të ngjirur ose kolle kronike. Shenja të tjera që shfaqen janë “pneumoni dhe bronkite të shpeshta (për shkak të aspirit të lëngjeve të stomakut në rrugët e frymëmarrjes), vështirësi në frymëmarrje, vështirësi ose dhimbje në gëlltitje, të vjella, dhimbje fyti, humbje në peshë, djegie kraharori (me e shprehur tek të rriturit), ndjenja e lëmshit ose te halës në fyt”

 

Pranvera Kola May 12, 2014 15:45
Komento

6 Komente

  1. Vini vini November 21, 12:57

    Shumë mire e paskeni sqaruar ,unë ka me shumë se një vit që vuaj nga kjo sëmundje dhe spo gjë shërim se di se pse ,ndoshta nga mungesa e korrektësisë se përpiktë gjate përdorimit te ilaçeve ,apo ndoshta ilacet jo cilsore që janë ne per farmacitë tona ,

    Reply to this comment
  2. Asena September 4, 18:27

    Shum mir keni sqaruar dhe un vuaj nga kjo semundje dhe kam veshtirsi ne gelltitje qka te perdorim per ket problem ?

    Reply to this comment
  3. Servet September 29, 19:39

    Ndihmon cumcakezi ne thithjen e acidit

    Reply to this comment
  4. Kostika November 27, 14:04

    Pershendetje! Lexova shkrimin tuaj. Edhe une kam nje problem te tille. Prej dy vjetesh e ndiej se kam shume sekrecione ne fyt, njelloj si gelbaza ne kohen kur jm ai semure me kolle. Kam vene re se nxjerr shume pak sekrecione nga hunda dhe ne rastek kur i nxjerr me dalin shume te thata. Me duket se shumica e sekrecioneve me kalojne ne fyt. Ndiej qe me kalojne ne fyt sekrecione te trasha qe tek fundi i qiellzes deri tek molla e adamit. Pervec se me duhet here pas here te kruaj zerin kjo gje me bezdis sepse une jam kengetar. Sa here qe dua te kap notat e larta ose ato shume te ulta qe i perkasin regjistrit te zerit tim fyti me acarrohet dhe ndiej sikur me vishet zeri. ka edhe raste qe me ngjiret por jo gjithmone. Kohe me perpara kam pasur probleme me aciditetin e stomakut, por tani nuk kam sepse kam mbajtur regjim dhe here pas here kam perdrorur Laprazol ose Omeprazol, ndaj nuk ndihej urth ose dhimje te lehta ne cipen e somakut. Gjithe problemin e kam tek sekrecionet ne fyt. Ehde ne rastet kur jam me rrufe ose kolle, ndije se nxjerr shume pak sekrecione nga hunda.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*