SHQETËSUESE / Sfidohet urtësia popullore: Rrushi sheh rrushin por nuk piqet!

November 1, 2020 10:08

SHQETËSUESE / Sfidohet urtësia popullore: Rrushi sheh rrushin por nuk piqet!

TIRANË, UNAZA e RE, POGRADEC – Duke raportuar për një zhvillim që hedh hije të forta dyshimi mbi qindra vjet urtësie të akumuluar popullore, Gojët e Liga bëjnë me dije se është zbuluar një rast unikal shqiptar, ku rrushi ka parë rrushin për vite të tëra, por nuk është pjekur.

Episodi shqetësues ka për protagonist ish-yllin në ngjitje – aktualisht kometë pezull – të Partisë Demokratikase, Lulzim Vyshkja, dhe ish deputetin, ish kryetubuesin unazor Klevis Farogllu, njëkohësisht konkurrent kokë më kokë për t’u shpallur “Nderi i pogradecarëve”, me Lasgush Poradecin, Mitrush Kutelin dhe Teto Ollgën.

***

Konkretisht, që kur Klevisi pranoi të shkojë në PD për t’i dhënë një dorë Lulzimit për të ringritur partinë e vyshkur, miqësia dhe bashkëpunimi mes të dyve ishte në shkallë të atillë saqë ata i drejtoheshin njëri-tjetrin me “rrush”, ose “rrusho”.

Kështu, komunikime informale që fillonin me “mgjes rrusho”, “rrusho, je lodh je kput, bëj pak pushim”, etj etj, shtinë në xhelozi edhe eksponentët e tjerë të partisë.

Në pamundësi për t’iu drejtuar Lulzimit me një konfidencë të këtij niveli, rrushologjia demokratike zuri të zbatohej në mënyrë të pjesshme, si të thuash, përmes projektesh pilot mes disa figurave. Rrushifikimi më i spikatur ishte ai mes Grindës dhe Sali Anjës, por pati edhe çiftime të tjera si Gazi dhe Ali Beu etj, që meritojnë një raportim më vete.

***
Për hir të së vërtetës, zilia e kolegëve ndaj Farogllusë e kishte burimin pikërisht tek fakti që teorema e njohur popullore-shkencore, “sheh rrushi rrushin dhe piqet”, do ta çonte Klevisin la e më la, në majat më të larta të karrierës. Dhe pse jo, tek e fundit?

Faroglluja organizoi dhe tuboi suksesshëm edhe protestuesit e Unazës së Re; luste policët ta arrestonin dhe ta fusnin në furgon, që ai të ngrinte dy prej shumë gishtave të tij nga dritarja. Paralajmëroi Edvin Ramën se i kishte ditët e numëruara, dhe për t’i thënë gjërat siç janë, realisht ky i fundit u alarmua.

Por pasi pyeti se kush do ta kryente numërimin dhe Klevisi ja ktheu flakë për flakë se me numrat dhe aritmetikën merrej vetë Lulzimi, Rama çuditërisht u qetësua.

Faroglluja madje iu fut edhe një kursi të përshpejtuar të shqipes së shkruar, për të botuar librin tashmë të famshëm “Luftëza ime”, që së fundi është përkthyer edhe në gjermanisht me titullin “Mein Kampfogllu”.

***

Prandaj, pas gjithë kësaj historie vreshtash, rrushash dhe fermentimesh të munguara, Klevisi u habit kur demokratët pogradecarë e refuzuan emrin e tij për listën e deputetëve. Kërkoi të dinte përsenë, por ata ja kthyen, “shko pyet tët atë se ta çpegon ay”.

Megjithatë, Faroglluja është i bindur se këtë proçkë ja ka bërë Lulzimi.
“Është ca i papjekur kryetari,” thotë së fundmi ish-kryeunazori, “u xhelozua më kot nga suksesi im. Si mund të kalojë njeriu i pjekur, nga ‘rrush’ dhe ‘rrusho’, tek një tundje e ftohtë koke?”

Ndërkohë, burime për Gojët e Liga pohojnë se vetë Lulzim Vyshkja është shprehur në mjedise të ngushta se Farogllusë i duhej dhe pak kohë për t’u pjekur.

“Nëse i ati, që është burrë i pjekur, vjen dhe më takon ashtu siç di të takojë ai, duarplot, si herën e fundit kur ia bëra atë rrushin deputet, atëherë diç do bëjmë,” paska thënë Lulzimi, “përndryshe kjo fushatë elektorale do vazhdojë edhe pa farisejtë”.

…Dhe për një rastësi të çuditshme, personi që Luli zgjodhi për ta vënë në krye të komitetit të fushatës, quhet Rrushaj, Alfred Rrushaj.

 

———

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike që përtej humorit me rrushat, ka shumë respekt, e madje frikë ndaj vreshtit. Se tek e fundit, frika e ruan vreshtin, apo jo…

November 1, 2020 10:08
Komento

4 Komente

  1. KOKEPALARI November 1, 14:33

    SHUME MIRE BENI QE TALLENI ME DJALIN E FAROS!
    po kaloni gardhin ndonjehere o debila se nuk jemi ne vitin 1980 !

    Reply to this comment
  2. edi November 8, 10:52

    Kryevepër! Sa kam qesh!

    Reply to this comment
  3. LEON November 9, 07:10

    Arifmetiken Fariut ja mesoi Llambi Gegprifti,kur numuronte pjatat ne turizmin e Pogradecit.Per te sherbyer ,sherbente mamaja Klevisit. Hajde koran,hajde.
    Ky populli Pogradecit e paska kujtesen e forte.

    Reply to this comment
  4. ceco November 9, 14:17

    hahaha, e holle shume. Po andej nga zona ime kemi nje shprehje, “mos kerko kaligrafi nga b… e Argjirose”. Te shpresosh se lexuesi shqiptar i sotem e kupton kete humor, eshte e kote

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim