SHQETËSUESE / Veshi i rrushit nuk bën më xhiron familjare si dikur

January 9, 2018 20:46

SHQETËSUESE / Veshi i rrushit nuk bën më xhiron familjare si dikur

 

Një testim i shoqatës kuazi-qeveritare “Ç’u mbush mali” ka zbuluar se për fat të keq, në familjen e sotme shqiptare është duke u pakësuar drastikisht përqindja e dashurisë, simpatisë, ndihmës reciproke dhe altruizmit që e ka karakterizuar në shekuj.

“Me ndihmën e një financimi prej 300 mijë eurosh nga Bashkimi Europian dhe asistencën bujare të disa vreshtarëve lokalë, shoqata ka kryer testimin klasik të veshit të rrushit në një kampion prej 200 familjesh shqiptare”, sqaron për Gojët e Liga koordinatori i projektit, sociologu Marka Gjonmark Gjon Markagjonaj.

Në fakt, testimi, efikasiteti i të cilit është provuar nga shekuj urtësie popullore, ka të bëjë me dhënien e një veshi të shijshëm e aromatik (thënë ndryshe kopan, apo vile rrushi sipas dialekteve) një prej anëtarëve të familjes, zakonisht nënës apo gjyshes, për të parë nëse ai ose ajo do ta hajë vetë, apo do t’ja japë një të afërmi tjetër që ka më shumë nevojë.

Dikur ishte e natyrshme që fruti i bekuar të bënte xhiron e plotë dhe të kthehej sërish në dorën e familjarit të parë, që rëndom përlotej i emocionuar dhe e hante rrushin i ngashëryer.

Nje gjyshe egoiste gjate testimit, teksa e konsumon gjithe rrushin vete

Nje gjyshe egoiste gjate testimit, teksa e konsumon gjithe rrushin vete

Sociologu i cili nga emri duket se vjen nga një familje shumë-anëtarëshe, detyrohet të pranojë se eksperimenti rezultoi një fiasko e vërtetë.

“Në 85 përqind të rasteve, veshi i rrushit është konsumuar në sekondë nga familjari i parë që e ka shtënë në dorë”, pohon ai.

Madje nëna, gjyshja apo babai i shtëpisë jo vetëm që e ka ngrënë rrushin, por ka parë rrotull me marifet se mos afrohej ndonjë personazh i padëshiruar.

Në disa raste, konsumuesi i rrushit ka rrudhur buzët duke thënë, “ku ma gjete kaq të vogël këtë vile”, ose “qenka i hidhur, s’ma ke dhënë me gjithë zemër”, ose “po e ha tashti, para se të më shohë ajo shtriga (vjehrra apo nusja e shtëpisë)”.

Edhe në ato raste kur veshi i rrushit ka kaluar të paktën një etapë, psh nga gjyshja te nipi, mirënjohja ka munguar totalisht. Në dhjetë raste nipërit e kanë pyetur gjyshen nëse mund ta kthenin rrushin dhe t’u jepnin ndonjë lek, ndërsa i vetmi episod kur vëllai i madh ia ka kaluar veshin të voglit, ishte në trajtë flakjeje në distancë, drejt e në fytyrë shoqëruar me shprehjen “na ore, qurrash!”.

Sociologu Markagjonaj thotë se ka patur edhe një incident nga padija, kur një nëna e re ja dha gjithë dashuri veshin e rrushit foshnjes së vet 10 muajshe që desh u mbyt.

Vetëm një vesh rrushi arriti të bëjë pjesën më të madhe të xhiros së altruizmit familjar, nga nëna tek babai, tek djali i madh, motra e mesme dhe djali i vogël, por duke qenë se fëmijët jetonin dhe punonin në kontinente të ndryshme, veshi u fermentua dhe u tha duke fluturuar tranzit nga një aeroport në tjetrin.

“Përfundimisht kohezioni i qelizës bazë të shoqërisë sonë është dëmtuar rëndë”, konkludon sociologu Marka Gjonmark Gjon Markagjonaj, “prandaj nuk ja vlente ta vazhdonim testimin. Sasinë e tepërt prej 5 kamionësh me rrush safi, u detyruam ta bënim verë dhe ta pinim vetë si staf, nga mërzia”.

 

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Por ama BE-ja është gati të ndihmojë me projekte të ngjashme, ndoshta duke përdorur fruta më rezistentë, si kungujt.     

January 9, 2018 20:46
Komento

2 Komente

  1. Kultivimi Kungujve ne Shqiperi ,ne nivele impresionuese January 9, 22:57

    Satira eshte padyshim mjaft e bukur nqs di vertete ta trajtoshe ne rubrike .

    Diku lexova rastesishte nji shkrim te nji Akademiku Turk
    se Noa kishte telefonuar djalin e tij dhe kishin pas nji bisede mbi Historine .
    Ky autore ktu i ksaj Rubrike duket te jet i te njejtit kallup si Akademiku Turqis .Nqs nuk e ka arritur ate Grade Shkencore “Akademik” s’duhet te vonohet qe ta mare ate .

    Reply to this comment
  2. Dashi January 10, 19:19

    Hahaha, po ke kuptuar gje ti o Kungull ketu lart nga ky test, u befsh byrek me kungull. Duket nga cilesia e shqipes qe shkruan. Shko shif ndonje lajm roze, pash Zotin, ose nga ato me akademike turq

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*