SHQETËSUESE / Vogëlushet që luajnë princeshash rriten me ide të gabuara mbi rolin e Monarkisë në demokraci

May 1, 2019 22:15

SHQETËSUESE / Vogëlushet që luajnë princeshash rriten me ide të gabuara mbi rolin e Monarkisë në demokraci

TIRANË – Posesive, me prirje autoritariste, të mbushura me iluzione ruajaliste e pritshmëri të gabuara kur rriten, të paqarta për mënyrën e funksionimit të shoqërisë demokratike, janë këto disa prej tipareve që karakterizojnë ato femra në moshë madhore, të cilat kanë luajtur princeshash në moshë të vogël.

Ky përfundim ka dalë pas një studimi të Departamentit të Psikopatisë në Universitetin Polinezian të Tiranës.

“Fëmijët, sidomos vajzat, janë krijesa aq sa manipuluese, aq edhe që mund të manipulohen kollaj. Ndaj ekspozimi ndaj lojrave me kukulla princeshash, depozitojnë tek vogëlushet një perceptim totalisht të rremë dhe jorealist mbi rolin e një monarkie në shoqërinë moderne demokratike,” pohoi për mediat Prof.Dr Kontesha Markezi, drejtuese e studimit.

Sipas ekspertes, roli i vajzës së sovranit në promovimin e unitetit kombëtar dhe detyrat e saj zyrtare dinastike janë krejt të ndryshme sot, nga sa ishin shekuj më parë.

Ajo që nuk kuptuan rreth 90 vogëlushe të testuara nga studimi, teksa luanin me kukulla princeshash nga më të ndryshmet, nga Borëbardha te Barbi, nga Elsa te Princesha e Dëborës, ishte se princeshat e sotme sidomos në demokracitë e konsoliduara, nuk kanë kompetenca ekzekutive.

Aq më tepër, ato nuk mund të presin krahët, apo t’u grisin fustanet princeshave rivale, e akoma më keq, t’ua shkëpusin kokat nga trupi dhe t’ua hedhin poshtë divanit.

“Princesha e sotme ka më shumë detyra ceremoniale, si prezantimi dinjitoz i vendit në evente gala, apo roli si ambasadore e paqes në rajone të trazuara etj,” sqaroi Znj. Markezi, “por vogëlushet shqiptare nuk kanë si ta dinë. Sepse luajnë pa mbikqyrjen e prindërve dhe edukatorëve, që duhet t’u mësojnë ndarjen e pushteteve dhe fuqinë e votës në shoqërinë demokratike”.

Studimi pranon se vogëlushet shqiptare megjithë ekspozimin e rrezikshëm, gjithsesi nuk do të heqin dorë nga lojrat e kësaj natyre, sidomos pasi njëra prej fëmijëve të dikurshëm arriti të bëhet vërtet princeshë, paçka se pa oborr dhe pa mbretëri.

Nga ana tjetër, studimi bën me dije se lojrat e vogëlushëve djem me armë zjarri, me shpata, me vrasje e shtypje kokash të kundërshtarëve, përfshirë dhe versionet kompjuterike të shfarosjes së armiqve me të gjitha armët e mundshme, janë të shëndetshme dhe garantojnë breza të rinj të gatshëm për forcimin e Shqipërisë Europiane.

SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike anti-ruajaliste

May 1, 2019 22:15
Komento

1 Koment

  1. Tamam May 2, 19:24

    Vertet shqetesuese, se pastaj rriten dhe behen princesha autoritariste dhe fukaresha si Mona gjiza

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*