Shqipëri-Serbi, Platini kërcënon: Kush gabon do ta pësojë rëndë!

September 24, 2015 14:55

Shqipëri-Serbi, Platini kërcënon: Kush gabon do ta pësojë rëndë!

Ndeshja kualifikuese e 8 tetorit, mes Shqipërisë dhe Serbisë, nisur nga e shkuara e afërt e përballjes së tyre në Beograd, ka angazhuar tërë resurset ligjzbatuese dhe të sigurisë në vendin tonë.

Kjo u konfirmua edhe dje, në takimin mes presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ky i fundit tha se do të ketë monitorim të rreptë të tifozëve e të stadiumit “Elbasan Arena”, nga toka dhe nga ajri, si para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj kualifikueseje.

Vetë FSHF-ja po kryen shitje të kontrolluar të biletave, me qëllim që ato të mos bien në duart e personave, të cilët paraqesin rrezik dhe mund të krijojnë incidente.

Për çdo biletë të personalizuar e të shitur është vënë në dijeni edhe policia, e cila, nga ana e saj, do t’i çekojë e do të ketë një informacion të saktë për cilindo person, që do të jetë në shkallët e stadiumit ndaj Serbisë.

Megjithatë, ky duel ballkanik, që pritet të jetë i nxehtë, ka ngritur një sistem “alerti” edhe tek UEFA. Kjo e fundit mori masat që dihen për ndeshjen e parë, të ndërprerë në minutën e 41-të në Beograd, por u shfaq dukshëm në anën e serbëve.

U desh KAS-i që të vendoste drejtësinë në vend, t’ua jepte 3 pikët në tavolinë kuqezinjve, duke lënë në fuqi dënimet e tjera të UEFA-s për të dyja palët. Është e famshme deklarata e Mishel Platinisë, direkt pas incidenteve të rënda, që bënë xhiron e botës, e cila nënvizonte: “Po sikur në dron të kishte qenë një bombë…?!”

Kjo i detyroi tifozët shqiptarë të ndërmarrin nisma kundër kreut të UEFA-s në rrjetet sociale, por nuk munguan as protestat para zyrave të qeverisë europiane të futbollit. Nisur nga të gjitha këto zhvillime, Mishel Platini ka pasur një takim me dy krerët e federatave respektive, të Shqipërisë dhe Serbisë, gjatë mbledhjes së UEFA-s me anëtarët e vet, e mbajtur në Maltë më 13 dhe 14.

Numri një i futbollit europian ua ka bërë të qartë të dyja federatave se për ndeshjen e ardhshme në Elbasan, më 8 tetor, UEFA nuk do të tolerojë asnjë incident si ato të 14 tetorit të kaluar. Platini i ka këshilluar të dy presidentët dhe institucionet e tyre që të jenë të kujdesshëm. “Kush gabon, e pëson rëndë,” – ka qenë këshilla prej ultimatumi e francezit të mirënjohur.

Platini ka përdorur gjuhë të ashpër për të sqaruar edhe një herë se 14 tetori i vitit të kaluar duhet të jetë fundi i historisë së dhunës në futboll, në ballafaqimet e kombëtareve të dy shteteve ballkanike. Palët janë angazhuar të marrin të gjitha masat dhe të zhvillojnë një ndeshje model, sipas të gjitha rregullave të aktivitetit.

September 24, 2015 14:55
Komento

2 Komente

  1. Teli September 28, 20:22

    Ky i korruptuari te mendoje me mire per lekuren e vet sepse po i vjen fundi ashtu si Blater.

    Reply to this comment
  2. Juli October 8, 13:04

    Po po po ,po na flet ky mashtruesi qe gllaberoi nje milion e kusur euro.
    Po serbet sa te dhane ? Prit prit se do te dalin ,ne mos sot ,neser…
    Dhe ato miliona ne 2011 imore por tani te kapen. Perhere dhone ‘qe do te vij nje dite…’
    Majmun ….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*