Shqipëria ‘austriake’ dhe komitët që paguheshin me flori

Dr. Marenglen Kasmi February 13, 2016 14:22

Shqipëria ‘austriake’ dhe komitët që paguheshin me flori

Shqipëria ishte një nga vendet që ndonëse gjatë Luftës së Parë Botërore nuk bënte pjesë në asnjë aleancë dhe rrjedhimisht nuk ishte pjesë e saj, u kthye në një shesh të madh lufte për shtatë ushtri të huaja. Duke përfituar nga mungesa e ekzistencës shtetërore të Shqipërisë, por edhe nga prishjet e balancave politike europiane që kishin ndikuar në krijimin e shtetit të ri shqiptar, Greqia, Mali i Zi dhe Italia shfrytëzuan menjëherë mundësinë për të kënaqur ambiciet e tyre territoriale dhe pushtuan ushtarakisht Shqipërinë. Kësisoj, Greqia pushtoi Korçën dhe Gjirokastrën, Italia në dhjetor 1914 pushtoi Vlorën dhe trupat serbo-malazeze hynë gjatë vitit 1915 në Shqipërinë Veriore dhe Qendrore. Pas disfatës së ushtrisë serbe në frontin ballkanik në fillim të vitit 1916, trupat austro-hungareze hynë në ndjekje të tyre në Shqipëri dhe pushtuan ndërkohë rreth 2/3 e Shqipërisë. Ushtritë franceze dhe italiane pushtuan Korçën dhe Shqipërinë e Jugut. Nga fillimi i Luftës së Parë Botërore e deri në fund të saj fronti ndërmjet forcave të Antantës dhe Fuqive Qendrore u shtri përafërsisht në vijën Vlorë-Berat-Pogradec.

***

Pas fillimit të Luftës së parë Botërore, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë austro-hungareze filloi të interesohej në mënyrë intensive për Shqipërinë në dhjetor të vitit 1915, kohë kur filluan bombardimet e para ndaj qytetit të Durrësit, i cili ndërkohë ishte pushtuar nga ushtria italiane. Gjatë bombardimeve të qytetit nga marina austriake u shkatërrua edhe konaku i Princ Wied-it. Në po të njëjtën kohë, Shtabi i Përgjithshëm austro-hungarez urdhëroi edhe kryerjen e fluturimeve të zbulimit mbi rajonin dhe qytetin e Shkodrës, me qëllim mbledhjen e informatave sa më të përditësuara mbi ushtrinë malazeze si edhe për forcat të ushtrisë serbe në arrati, që po ashtu ndodheshin në qytet dhe rrethinat e tij. Së bashku me kolonat serbe në arrati ishte dhe një numër i konsiderueshëm prej afro 15.000 robërish austro-hungarezë, që komanda serbe kishte urdhëruar të merreshin me vete gjatë tërheqjes së tyre nëpër Shqipëri, në drejtim të4 Greqisë.

Vendimi për të hyrë me ushtri në Shqipëri duhet vlerësuar jo i shkëputur, por në kontekst të operacionit strategjiko-operativ të Armatës së Tretë austro-hungareze ndaj Serbisë, Malit të Zi e si rrjedhim edhe ndaj forcave të tyre që tashmë kishin shkelur tokën shqiptare. Në këtë kuadër, komanda e Armatës III. austro-hungareze u urdhërua të fillonte përgatitjet për dërgimin e një detashmenti të përforcuar në rajonin jugor të liqenit të Shkodrës. Synimi kryesor i komandës austro-hungareze ishte marrja e portit të Shëngjinit, për të penguar largimin e ushtrisë serbe nga deti. Pasi ushtria malazeze dorëzoi armët, detashmenti i sipërpërmendur, nën komandën e nënkolonelit Kramer hyri më 23 janar 1916 pa luftë në qytetin e Shkodrës. Shtabi i Korpusit XIX mbërriti në Shkodër më 11 shkurt.

Sipas burimeve austriake, në qytetin e Shkodrës situata ekonomike dhe sanitare paraqitej shumë e rënduar. Qyteti ishte i mbushur me kufoma dhe kafshë të ngordhura, gjë që bëhej shkak për përhapjen e epidemive të rrezikshme. Në një raport ushtarak shkruhej: „Italianët, francezët dhe anglezët kthehen dhe vrapojnë të shpëtojnë nga pisllëku i serbëve dhe malazezëve ndërsa ne zhytemi më thellë në të. Nuk na duhet të luftojmë kundër një armiku të armatosur, por kundër një më të urryeri, epidemive. Gjithë ushtarët e papërfshirë në detyra ruajtëse dhe siguruese, janë të zënë me pastrimin e rrugëve, kampeve dhe shtëpive, ndërkohë që civilët punojnë në hapjen e llogoreve”.

Më 25 janar 1916, detashmenti ekspeditues Kramer mori urdhër të ndiqte trupat serbe, që ndodheshin vetëm një ditë marshimi larg dhe të kryente njëkohësisht përnjohjen e terrenit në drejtimin e jugut. Synimi kryesor tashmë ishte marrja e qytetit të Durrësit.

Në Shqipëri duhej të lidheshin me luftim sa më shumë trupa të kundërshtarit, me qëllim që të dobësohej presioni luftarak i trupave të Antantës në frontin e Perëndimit. Për arritjen e këtij qëllimi duhej që, fillimisht të largoheshin italianët nga Durrësi. Më pas, të shikohej edhe mundësia marrjes së qyteti të Vlorës. Gjithsesi, duke vlerësuar raportet njerëzore, rrugët e vështira të lëvizjes si edhe problemet logjistike, u arrit shpejt në përfundimin se ndaj qytetit të Vlorës, që mbahej nga italianët, nuk mund të organizohej asnjë ofensivë. Madje, një nga sfidat më të mëdha të ushtrisë austro-hungareze gjatë depërtimit në Shqipëri rezultoi pikërisht marshimi. Si pasojë e mungesës së rrugëve, moçaleve të shumta, mungesës së urave dhe përmbytjeve, çdo kompani humbiste mesatarisht gjashtë deri në nëntë kuaj për marshim. Këto vështirësi përshkruheshin nga oficerë austro-hungarezë si më poshtë: “Nëse ndërtohen shtatë ura për të bërë rrugën të kalueshme, gjashtë prej tyre i merr uji me vete. Ura e shtatë, më e forta dhe më e madhja qëndron, ndërkohë që uji ka marrë një rrjedhë tjetër”.

Pavarësisht vështirësive, brenda një kohe të shkurtër u arrit të formohej një unazë e fortë rrethuese ndaj qytetit të Durrësit. Në këtë rrethim merrnin pjesë edhe trupa vullnetare shqiptare. Sulmi ndaj qytetit të Durrësit filloi më 23 shkurt 1916. Dalja nga shtrati i lumit Erzen dhe këneta rreth qytetit, i krijuan komandantit austriak gjeneral-feldmarshallit von Sorsich bindjen se, qyteti do të duhej të mbahej për një kohë të gjatë i rrethuar. Por, për çudinë e tij, mbrojtësi i qytetit, gjenerali italian Guerrini, urdhëroi trupat e tij për t’u tërhequr nga qyteti. Tre ditë më vonë, më 26 shkurt, nga Durrësi u larguan me anije edhe trupat e fundit italiane. Konsulli grek i dorëzoi qytetin trupave austriake.

Marrja e qytetit të Durrësit ishte një hap i rëndësishëm operativo-strategjik për pushtimin e Shqipërisë. Komanda austriake vendosi që, vija e përparuar e frontit të ruhej më së shumti nga forcat vullnetare shqiptare. Si vijë ndarëse me ushtrinë italiane shërbente lumi i Vjosës. Këtë vendim e favorizonte edhe fakti se, ushtria italiane shfaqte më interes të angazhohej në frontin e Selanikut sesa të kryente fortifikime mbrojtëse në frontin me Austro-Hungarinë. Operacionet e pakta ushtarake të vitit 1916 bënë që teatri shqiptar i luftës të merrte emrin “fronti paraprak”, dmth. një front i dorës së dytë. Në vitin 1916 numri i ushtarëve të thjeshtë varionte nga 15.000 deri 20.000 burra. Duke përfshirë trupat e stacionuara në pika të veçanta, ushtarët e gradave të ulëta, trupat ndihmëse si edhe trupat dhe formacionet e punës, numri i përgjithshëm i trupave ushtarake austro-hungareze në Shqipëri kalonte mbi 100.000 burra. Zona e pushtuar nga ushtria austro-hungareze ishte rreth 16.000 km² dhe e ekspozuar ndaj kundërshtarit në dy drejtime: në frontin e jugut, me një gjatësi rreth 120 km përballe forcave italiane dhe franceze dhe në perëndim duhej të ruhej përgjatë vijës bregdetare shqiptare, me një gjatësi prej 120 km, nga anijet luftarake të Antantës. Për mbrojtjen e këtij rajoni shërbenin 24 batalione, me 84 mitralozë. Këto batalione përforcoheshin në rast nevoje edhe nga pesë grupime luftarake në forcën e një batalioni, të cilët ishin të dislokuara në pika hapje. Po ashtu, në Shqipëri operonin edhe 14 kompani malore dhe tre bateri artilerie malore.

 

Mosmarrëveshjet mes ushtarakëve dhe diplomacisë

Mosmarrëveshjet ndërmjet palës ushtarake dhe asaj diplomatike për politikën që duhej të ndiqej me Shqipërinë gjatë Luftës së Parë Botërore e kishin zanafillën kahershëm. Në qendër të këtyre mosmarrëveshjeve qëndronte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Conrad von Hötzendorf.

5Mosmarrëveshjet konsistonin më së shumti në faktin se, prej vitit 1906, kur ai mori postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, kishte tendencën që, çështjet e mirëfillta ushtarake t’i shikonte në kontekstin e politikës së jashtme. Sipas Conrad-it, gjithë shtetet e vogla ballkanike, përfshirë edhe Shqipërinë, duhet të bashkoheshin nën perandorinë austro-hungareze. Madje, gjatë krizës politike në prag të aneksimit të Bosnjes dhe Herzegovinës në vitin 1908, ai propozoi që dy kundërshtarët më të rrezikshëm të Perandorisë, Serbia dhe Mali i Zi të neutralizoheshin ushtarakisht dhe në këtë proces të merrnin pjesë edhe trupa vullnetare shqiptare. Si pjesa e parë e propozimit, ashtu edhe e dyta nuk do të pranoheshin nga Ballhausplatz-i (metonimi, nënkupton qeverinë austro-hungareze – M.K). Po ashtu, edhe perandori gjerman e kundërshtoi këtë ide. Këto kundërshti nuk e penguan Conrad-in të vazhdonte planet e tij, madje të dërgonte në Shqipëri edhe oficerë zbulimi, të cilët duhej të përgatisnin raporte për Shqipërinë, të fokusuara kryesisht mbi interesa ushtarake.

Kundërshtitë ndërmjet diplomacisë dhe Shtabit të Përgjithshëm austro-hungarez konsistonin në formën ekzistenciale që duhej të merrte Shqipëria. Conrad-i ishte i bindur se aneksimi i Shqipërisë ishte rruga e duhur për të mbrojtur interesat e Perandorisë në Ballkan. Në një bisedë me atasheun ushtarak gjerman, kontin Kagenck, më 24 prill 1913 ai shprehej: “[…] Nuk bëhet fjalë as për «kullotat e dhive» shqiptare, e as për «kumbullat serbe». Po ashtu, aq më pak bëhet fjalë edhe për «dritarëzën modeste» serbe në formën e një porti serb në Adriatik, por bëhet fjalë për pushtetin e Austro-Hungarisë në Ballkan, e gjithandej […].

Ballhausplatz-i nuk e shikonte kaq të thjeshtë zgjidhjen e këtij problemi. Politika austro-hungareze kishte vite që merrej me Shqipërinë. Së fundmi në fundvitin 1896 ishte nisur në mënyrën më energjike një aksion për Shqipërinë. Ky aksion duhej t’i kundërvihej rritjes së propagandës italiane në Veriun e Shqipërisë. Qëllimi kryesor nuk ishte pushtimi i Shqipërisë, por në rast të shpërbërjes së perandorisë turke të mbështetej ngritja e një Shqipërie të pavarur, autonome, me një princ të huaj e në çdo rast nën protektoratin austriak. Në vija të përgjithshme aksioni konsistonte në tri drejtime kryesore: Së pari, në kontaktimin e shqiptarëve me influencë, në mënyrë që ata të punonin për rritjen e ndërgjegjes kombëtare në vend, por gjithmonë në kuadër të interesave strategjike të perandorisë dhe të ndikonin rrjedhimisht në rritjen e reputacionit të perandorisë në Shqipëri.

Për këtë qëllim, si asnjëherë më parë, Vjena miratoi mjete financiare të mëdha. Për të arritur këto synime, Vjena vlerësoi si personalitetin shqiptar më të spikatur, Abatin e Oroshit, Mirditë (Abt nullius), Primo (Prend) Doçin, i cili përfitoi më së shumti nga këto subvencione. Në periudhën 1897-1911 ai do të paguhej nga Vjena, mesatarisht 20.000 Gulda (para ari austriake – M.K) çdo vit. Abati ishte i njohur për aktivitetin e tij patriotik dhe ruhej nga institucionet turke. Po ashtu, ai mbante lidhje të ngushta me Vatikanin dhe Romën, gjë që sigurisht nuk përshëndetej nga Vjena. Baroni Zwiedinek, shef i departamentit për Shqipërinë në Ministrinë e Jashtme austro-hungareze e përshkruante Abat Doçin si më poshtë, kur ky në vitin 1897 shkoi në Vjenë për të dorëzuar një Promemorje, në të cilën jepte konsideratat e tij për të ardhmen e Shqipërisë,: “[…] patriot, tregon besnikëri ndaj Austro-Hungarisë dhe është i bindur që Perandoria është e vetmja Fuqi që do të mbështesë Shqipërinë; inteligjent dhe aktiv, i pari i fisit të tij, me shumë reputacion në gjithë fiset malësore”. Më tej Zwiedinek-u shkruante se nuk kishte asnjë shqiptar tjetër, më të aftë se Abati për të kryer një propagandë efektive për bashkimin e fiseve shqiptare në kuadër të autonomisë kombëtare. Megjithatë, shpejt Vjena e pa që nga Abati nuk po kishin rezultatet e menduara dhe entuziazmi fillestar ja la vendin fillimisht mosbesimit dhe, me kalimin e viteve, marrëdhëniet ndërmjet Abatit dhe Vjenës u keqësuan. Megjithatë, subvencionet ndaj tij vazhduan deri në vitin 1911.

Drejtimi i dytë ishte revizionimi i politikës ndaj kishës, si edhe një vlerësim më i mirë i protektoratit austro-hungarez ndaj kultit katolik në Veriun e Shqipërisë, që duhej të shprehej në një mbështetje dhe financim më të mirë të shkollave e seminareve katolike. Sipas konsullit austriak në Shkodër Ippen, në 80-vitet e para të shekullit XIX, Austro-Hungaria kishte shpenzuar rreth 2 milionë Gulda për kishën shqiptare. Së treti, duhej të tregohej një kujdes i madh ndaj propagandës së huaj në Shqipëri, e kryesisht vendeve fqinje.

Pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, qëndrimi i Ballplatz-it ndaj Shqipërisë ndryshoi. Nëse Greqia do të shpallte neutralitetin e saj në luftë, atëherë qeveria austro-hungareze e merrte ne konsideratë edhe variantin e kalimit të Shqipërisë Jugore nën Greqinë. Po ashtu, ministri i jashtëm Burián duhej të respektonte edhe kërkesat e aleatëve, sidomos të atyre bullgarë, të cilët u detyruan nga Gjermania të tërhiqen nga pozitat e tyre në Fushë Kosovë e Shqipëri me argumentin se, okupimi i Shqipërisë nga trupat bullgare ishte i diktuar vetëm nga situata luftarake.

6Po ashtu, edhe Conradi mendonte në mënyrë tejet oportuniste për të ardhmen e Shqipërisë brenda perandorisë. Sipas këtij mendimi, nëse rreziku italian ishte tejet i madh, atëherë ai e shikonte Shqipërinë të ndarë ndërmjet Greqisë dhe Bullgarisë. Kjo është edhe arsyeja që Shtabi i Përgjithshëm austriak edhe në fillim të Janarit 1916 e konsideronte Durrësin si jashtë mundësisë operative të trupave austro-hungareze.

Një nga çështjet që politika do të përplasej përsëri me palën ushtarake ishte forma e administrimit të Shqipërisë pas pushtimit. Në ndryshim nga pala ushtarake, Ballhausplatz-i mendonte për ngritjen e një administrate të përshtatur në kushtet natyrore, ekonomike, dhe zhvillimin aktual të vendit. Ndryshimi ndërmjet konceptit ushtarak dhe atij politik konsistonte në faktin se, Ballhausplatz-i mendonte që, pushtimi i pjesshëm i Shqipërisë ishte më i dëmshëm se krijimi i një protektorati të plotë shqiptar. Në të dy rastet ruheshin interesat shtetërore austriake por, rasti i dytë ishte me kosto më të ulët financiare dhe njerëzore. Megjithatë, Conrad injoroi gjithë këshillat politike dhe filloi menjëherë pas hyrjes së ushtrisë austro-hungareze në Shkodër me ngritjen e një administrate etapore/ efektive, me faza dhe të pjesshme. Sipas tij, ky koncept duhej të ishte shumë i thjeshtë dhe jo tepër i kushtueshëm. Përkrah ushtarakëve austriakë, në administratën etapore duhej të shërbenin edhe shqiptarë të besuar dhe që gëzonin reputacion te bashkatdhetarët e tyre. Një nga pasojat e këtij organizimi ishte edhe ngritja e formacioneve luftarake vullnetare shqiptare.

 

Formacionet shqiptare vullnetare

Fill pas hyrjes së ushtrisë perandorake në Shkodër u diskutua në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë austro-hungareze mundësia e krijimit të formacioneve shqiptare vullnetare, të cilat do të luftonin kundër ushtrive të bllokut të Antantës. Austro-hungarezët e konsideronin të rëndësishme që, këto formacione, të ngriheshin mbi bazën e përkatësive fetare, një kriter i cili do të zbatohej me rreptësi. Kësisoj, vullnetarët e shumtë shqiptarë që u afruan me repartet austro-hungareze u ndanë në tri grupime: Grupimi i parë, nën komandën e kapitenit Hässler, përbëhej prej afro 1000 burrash të besimit mysliman që vinin nga Prishtina dhe Prizreni. Ky grupim duhej të marshonte në drejtim të Podgoricës. Grupimi i dytë, përbëhej po ashtu nga afro 1000 myslimanë që vinin nga Mitrovica dhe Peja. Ky grupim drejtohej nga inxhinieri austriak Steinmetz dhe mori detyrë të marshonte në drejtim të Shqipërisë së Mesme. Ndërsa nën drejtimin e gjeologut të njohur hungarez, togerit Baron Nopcsa, u krijua një grupim shqiptarësh katolikë prej afro 300-400 burrash nga Gjakova. Ky grupim duhej të vepronte në drejtimin Shkodër-Lezhë.

Forcat vullnetare shqiptare u furnizuan me armët që u ishin marrë kundërshtarëve. Në ndryshim nga repartet e rregullta ushtarake austro-hungareze, këto grupime duhej që të siguronin vetë ushqimin e tyre. Po ashtu, me Austro-Hungarinë u afruan edhe çeta të tjera shqiptarësh, të cilët udhëhiqeshin nga kryetarët e fiseve, ose personalitete të tjera të spikatura. Një prej tyre ishte edhe ish-kapiteni austriak Leon de Ghilardi i cili, sipas burimeve austriake të kohës, kishte nën komandën e tij rreth 4000 shqiptarë.

Drejtimi i aksioneve të koordinuara të këtyre formacioneve shqiptare vullnetare rezultoi shumë i vështirë për ushtrinë austro-hungareze. Çetat shqiptare nuk mund të përdoreshin si një trupë e vërtetë luftarake, sepse ata zbatonin vetëm urdhrat e kryetarit të zgjedhur prej tyre dhe po ashtu ishin të pastërvitur. Kështu që komanda austro-hungareze vlerësonte se këto forca ishin më të vlefshme nëse përdoreshin si formacione zbulimi. Por, ambiciet e drejtuesve të këtyre formacioneve, të cilët kërkonin me çdo kusht të reklamonin forcën e tyre, e pengonin këtë gjë. Po ashtu, ndërmjet drejtuesve të këtyre formacioneve kishte rivalitete dhe jo të gjithë ata gëzonin përkrahjen e eprorëve të tyre. Në një formë të ekzagjeruar Conrad-i e karakterizonte stereotipin e shqiptarit si më poshtë: “[…] Plotësisht i pabesueshëm, i mbytur nga zakonet, i pakulturuar, i korruptueshëm ndaj ndikimeve të huaja sidomos në Shkodër dhe rajonin bregdetar. I prishur nga pafuqia e administratës turke. Nëse arrihet kënaqësia individuale apo përfitohet personalisht, nuk merret në konsideratë përdorimi i sistemeve, të cilat i shërbejnë gjithë komunitetit. Kjo është një nga vështirësitë kryesore, kundër së cilës duhet të luftojë administrata jonë në Shqipëri. […]

Çetat shqiptare paguheshin me ar dhe argjend. Sipas dokumenteve austriake, mbajtja e formacioneve vullnetare shqiptare të gjithë kategorive i kushtonte ushtrisë austro-hungareze rreth 1 milionë korona në muaj. Përkeqësimi i gjendjes financiare në korpusin XIX në vitin 1917 e rriti rrezikun e shpërbërjes së këtyre çetave. Sipas raporteve të komisarit civil austriak në Shkodër, August Kral, drejtuar Vjenës, situatën e përkeqësonte edhe propaganda italiane dhe ajo franceze për pagesën e tyre më të mirë për çetat shqiptare që bashkëpunonin me ta. Po ashtu, një problem përbënte në raste të caktuara edhe politika që ndiqnin trupat austro-hungareze ndaj drejtuesve të këtyre formacioneve. Rastin më të spikatur e përbën konflikti ndërmjet Ahmet Zogut dhe De Ghilardi-t. Ndonëse de Ghilardi kishte treguar aftësi shumë të mira gjatë organizimit të formacioneve vullnetare shqiptare dhe me forcat e tij kishte treguar cilësi të larta luftarake, duke marrë brenda muajit mars 1916 Durrësin, Beratin edhe Fierin dhe i detyroi forcat italiane të hidheshin në bregun tjetër të lumit Vjosë, komanda e korpusit XIX e shkarkoi atë nga drejtimi i çetës, duke e bashkuar formacionin e tij me vullnetarët matjanë, nën komandën e Ahmet Zogut. Por, shumë shpejt kjo komandë e kuptoi se e kishte mbivlerësuar rolin e Ahmet Zogut dhe e rimori Ghilardi-n përsëri në shërbim në pranverën e vitit 1917 me gradën dhe pagën e majorit. Së bashku me të, hynë në shërbim të forcave austro-hungareze edhe Sali Butka, Kajo Babjeni dhe komiti me emër në gjithë Ballkanin, Malkë Zvarishti. Për të mos ngjallur te Ahmet Zogu ndonjë zemërim ndaj këtij veprimi dhe, për më tepër, për ta mbajtur atë larg zhvillimeve në Shqipëri, e sidomos ndaj ndonjë lidhje të mundshme të tij me trupat e Antantës, Ahmet Zogut ju dha grada e kolonelit dhe u ftua të qëndrojë në Vjenë, si i ftuar i veçantë i qeverisë austro-hungareze, deri në fundin e Luftës së Parë Botërore.

***

Administrata austro-hungareze e pushtimit pati një jetëgjatësi prej mëse dy vjetësh. Pavarësisht se në fillimet e saj ajo u mbështet nga shumë shqiptarë, shpejt u pa që interesat e Austro-Hungarisë në Shqipëri ishin të diktuara nga lufta. Demonstrimi më i qartë i kësaj politike ishte që, sapo pushtoi Shqipërinë, ushtria austro-hungareze pengoi mbajtjen e kuvendit kombëtar të Elbasanit në shkurt 1916, nën drejtimin e Aqif Pashë Elbasanit. Në kuvend do të trajtohej zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare. Po ashtu, vendi u shkatërrua dhe u vu në shërbim të ushtrive të huaja. Ekonomia e brishtë shqiptare nuk mund të përballonte një ngarkesë kaq të madhe njerëzore dhe në vend sundonte zija e bukës. Gjithsesi, pati edhe zhvillime pozitive. Në Shkodër u krijua këshilli administrativ i qytetit, me Luigj Gurakuqin si drejtor i arsimit dhe Fejzi Alizotin drejtor i financave. Po ashtu, në këtë periudhë u hapën shumë shkolla në gjuhën shqipe. Ndonëse për arsye ushtarake, ushtria austro-hungareze ndërtoi shumë rrugë, hapi kanale bonifikuese etj., që i vinin në ndihmë popullit shqiptar dhe ndikonin në zhvillimin e tij.

Dr. Marenglen Kasmi February 13, 2016 14:22
Komento

10 Komente

  1. spata February 13, 14:37

    Kjo foto me zgjoji kujtimet e 1997, ne sheshin e Flamurit Vlore, kur u dorzuan ushtaret mercenar te Saliut.

    Reply to this comment
  2. demo February 13, 15:14

    Ja qe e paska pushtuar edhe Austria Shqiperine!Ku ishin komunistet te bashkepunonin me serbo-greket,kunder okupatorit te vendit dhe bashkepunetoreve te tyre?

    Reply to this comment
    • mano mano February 14, 03:27

      Ne ate kohe komunistet ishin ne picke te sat’eme prandaj nuk bene dot ate qe u kerkon ti demo-shahisto-intektualo-nastradino-halja.

      Reply to this comment
  3. ZZZZZZZZZZZZZ...... February 13, 16:54

    DUKET SI NE VLORE TE ISH PREFEKTURA..

    Reply to this comment
  4. analisti February 13, 18:27

    Nje shkrim shkencore, me informacion teresisht te ri te pa publikuar me pare, me burime arkivore dhe me analiza dhe perfundime llogjike. Respekt dhe vleresim per historianin e ri e te talentuar

    Reply to this comment
  5. Arber February 13, 23:05

    Respekt per historianin e ri te talentuar dhe te pergatitur ne Gjermani, Marenglen Kasmi. Do deshoronim qe her etjeter artikujt shkencore te botohen nga gazeta me referencat e dokumenteve.

    Reply to this comment
  6. MH February 14, 01:11

    Fotoja mesa kuptoj asht pamje nga komiteti ekzekutiv i qytetit Shkoder,rruga qe te qet ne Parruce ne sfond duket pjeserisht Taraboshi.Keto vijne nga Parruca drejt komiteit ekzekutiv ku merr kthesen tek klubi Vllaznia e i drejtohesh pijaces,ku ne krah te djathet len Kafen e Madhe e gjindesh midis pijaces ne fushe Cele.

    Reply to this comment
  7. nik February 14, 09:28

    Nuk ju duket qe i ka rene pikes Conrad me perkufizimin e tij??
    Sot eshte teper aktuale.
    Perfitimi personal mbi interesin e komunitetit……
    Flm per shkrimin.

    Reply to this comment
  8. DIA February 14, 15:40

    Malka i Zvarishtit nuk ka patur famen e Kajo Babjenit si komit, por eshte bere i njohur per egerrsine e tij dhe vrasjet me pagese qe bente prej te cilave ra edhe vete viktime kur Zogu pagoi per ta vrare te nipin Nevruze e Dolanit nje tjeter komit qe u rreshtua dhe ai ne krah te austriakeve, po Kajua ka qene njeri shpirtmire dhe kapedan i vertete, gjyshi im e ka pasur shok dhe eshte i vetmi nga komitet e kohes qe nuk vdiq nga plumbi po nga vdekja natyrore, mori pjese ne clirimin e Pogradecit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin