Shqipëria dhe krishtërimi i shkruar

Moikom Zeqo November 12, 2015 17:15 Updated

Shqipëria dhe krishtërimi i shkruar

Krishtërimi shqiptar dhe dëshmitë e shkruara ungjillore, që lidhen drejtpërdrejtë me truallin e Shqipërisë, janë një rrafsh që mund të dyzohet në dy syshikime kryesore: Atë të mbishkrimeve arkeologjike paleokristiane, të cilat janë të shumta, por mjerisht pak të botuara, duke mos hyrë kështu në atë që quhet qarkullim informativ shkencor; si dhe në pjesën tejet të rëndësishme të karakterit libror, të kodikëve të vjetër si dhe të dorëshkrimeve me karakter biblik.

Shkurtimisht, koleksioni i mbishkrimeve paleokristiane në Shqipëri daton që nga shekulli II mbas Krishtit. Këto mbishkrime kanë kryesisht karakter kushtimor, epitafik, por edhe të karakterit ndërtimor. Mbishkrimet janë në dy gjuhë: latinisht dhe në greqishten bizantine. Mbishkrimet në latinisht janë të pakta dhe i përkasin kryesisht qerthullit të Durrësit, si një nga vatrat më të mëdha të krishtërimit në Ballkan. Formulat e krishtera të pllakave lapidare janë të njëllojta me ato të botës romake, ku ka nisur të depërtojë krishterimi. Një korpus i madh mbishkrimesh latine paleokristiane janë zbuluar edhe në Dardani, që i ka botuar Fanula Papazogli dhe sidomos në Dalmaci, deri dhe në Panoni.

Një pjesë të këtyre mbishkrimeve i ka botuar arkeologu i madh anglez Wilkes. Kohët e fundit janë zbuluar mbishkrime të ushtarëve të legjionarëve romakë me prejardhje ilire, të cilët kanë bërë konvertimin në të krishterë edhe në Spanjë dhe Portugali. Në këto mbishkrime shënohet shpesh emri i vendlindjes së të vdekurve, toponime me emra të Ilirisë së lashtë. Mbishkrime, të marra si citate nga Bibla e Shenjtë në latinisht gati nuk kemi në Shqipëri.

Logjika të thotë se citime të tilla duhet të datojnë mbas shekullit IV pas Krishtit dhe duhet t’i referohen kryesisht një kryeburimi të madh libror,”Vulgates”, me përkthim madhështor në latinisht të Biblës së Shenjtë nga iliri i njohur me emrin Euseb Hieronimi. Hieronimi ka bërë kështu një punë titanike, duke krijuar gjuhën dhe terminologjinë universale latine të biblizmit për tërë kulturën e mëvonshme evroperëndimore. Ky fakt ka rëndësi sepse vërtetohet përfundimisht nga pikëpamja krahasimtare filologjike, që terminologjia kishtare në Shqipëri kryesisht është e formës latine. Pra kjo tregon që ungjijtë në latinisht kanë ndikuar më shumë nga ç’mund të mendohet në të tëra strukturat rituale dhe organizative të krishterimit në Shqipëri në periudhën e Antikitetit të Vonë dhe në Mesjetën e Hershme.

Për dëshmitë shkrimore biblike në Shqipëri në gjuhën e greqishtes bizantine: Dëshmia më e hershme është një kupë prej ari e gjetur në afërsi të Durrësit e shekullit III pas Krishtit, ku, me monograme të greqishtes bizantine, është skalitur vargu i parë i psallmit 22. Ky fakt është botuar për herë të parë nga Ostrogorski. Një numër shumë i madh mbishkrimesh biblike në greqishten bizantine janë zbuluar në qerthullin e qytetit të lashtë të Ballshit, ku bie në sy sidomos një cikël mbishkrimesh poetike, që i përkasin një funksionari të lartë të administratës së Justinianit të madh, strateg dhe ndërtues, me emrin Viktorin. Po aty është gjetur guri i famshëm monumental, që dëshmon se në vitin 866 pas Krishtit, car Borisi i bullgarëve pranoi zyrtarisht fenë e krishterë së bashku me gjithë popullin e tij duke marrë edhe emrin e ri Mihal.

kodiku i purpurt i BeratitFragmente dhe citime nga psalmet dhe shkrimet biblike janë gjetur edhe në bazilikën e gadishullit të Linit në Ohër, në bazilikat e Bylisit dhe në Butrint. Por dëshmitë më të rëndësishme dhe më unikale, madje dhe në rrafsh botëror, lidhen dhe me kodikët e vjetër të Shqipërisë, që sot ruhen në Arkivin e Shtetit në Tiranë. Kodiku më i vjetër quhet Kodiku i Purpurt i Beratit, i cili ka 100 faqe në pergamenë, në dy kolona dhe me germa të derdhura në argjend dhe në flori. Ky kodik i takon si kohë fillimit të shekullit VI pas Krishtit dhe është studiuar nga biblisti i njohur Batiffoli. Kodiku përmban Ungjillin sipas shën Mateut dhe Ungjillin sipas shën Markut. Si një motiv dekorativ spikat shenja heraldike e një zemre të purpurt. Është ndër kodikët më të rrallë në botë në llojin e vet. Kodiku tjetër i quajtur konvencionalisht Kodiku i Artë i Athimit përbëhet nga 420 faqe në pergamenë dhe përmban të katër ungjijtë sinoptikë. Ky dorëshkrim është gjetur në Berat dhe i takon shekullit IX. Germat korsive të dorëshkrimit janë prej ari, gjithashtu edhe kapaku është prej ari dhe me figura ikonografike të relievizuara lehtë. Një tjetër kodik po me prejardhje nga Berati përmban fragmente të ungjijve dhe ka 145 faqe në pergamenë si dhe piktura në miniaturë fetare.

Kodiku s’ka kapak, është i dëmtuar dhe gjithashtu është në greqishten bizantine; ai i takon shekullit IX. Një kodik i shekullit X po nga Berati përmban të katër ungjijtë dhe ka 238 fletë në pergamenë. Kapakët e kodikut janë prej dërrase, të veshura me lëkurë dhe pëlhurë të pikturuar. Dorëshkrim tjetër kodikësh, që i takon shekujve X-XI, i cili ka 10 fragmente nga katër ungjijtë si dhe 5 figura të punuara në pllaka argjendi është me prejardhje nga qyteti i Vlorës. Po nga Vlora dëshmohet një kodik i shekullit XI me fragmente ungjijsh, me 287 fletë në pergamenë. Vlora na ka dhënë dhe një tjetër kodik me 350 fletë në pergamenë, me plot piktura në miniaturë dhe që i takon shekujve XI-XII. Në këta kodikë ka një shënim më rëndësi të madhe. Në fletën e fundit lexohet “Këto shkrime janë të zotit Mina”. Pra, del që Minai është një artist ose kopjues i dorëshkrimeve ungjillore, mbase një shqiptar i kulturuar dhe i ditur i Mesjetës së Hershme, për të cilin nuk dimë asgjë dhe për fat të keq për të nuk është folur fare.

Kthehemi përsëri në Berat me një cikël tjetër kodikësh siç është një Libër Himnesh, me 8 tinguj me 159 fletë në pergamenë që i takon shekullit XIII. Ky kodik ka poezi kishtare me nota të sistemit bizantin kukuzelik. Në faqen e fundit të kodikut thuhet se “U shkrua me dorën time të të përvuajturit Mihail Slavopuli në vitin 1292”. I përafërt për nga koha është dhe një tjetër kodik, që përmban veprat e apostujve, me 99 faqe pergamenë, me zbukurime në miniaturë, kurse një kodik tjetër, pa emër, përmban letërsi patrologjike, jetëshkrime shenjtorësh dhe i takon shekullit XIV. Tërë këta kodikë janë ende të pastudiuar dhe të panjohur për publikun studjues dhe atë të gjerë. Ka shumë mundësi të studiohen në planin linguistik për të parë mos ka shmangie nga tekstet kanonike të pandryshueshme, që u përcaktuan më vonë.

Për tërë këto dëshmi shkrimore dua të shtoj se ka dhe disa të dhëna historike për dorëshkrime të cilat nuk janë gjetur akoma, por që citohen nga autorët e vjetër. Kemi një të dhënë të Origjenit se ai ka parë një dorëshkrim të lashtë të Testamentit të Ri në qytetin e Nikopolisit (Preveza e Sotme). Nuk dimë se ç’ka qenë ky dorëshkrim, pa dyshim më i moçëm sesa shekulli IV. Turtuliani dëshmon ekzistencën e virgjëreshave të krishtera, që, në pjesën e Epirit të Veriut dhe Ilirisë së Jugut përdorin mbulesa koke.

Në shekullin III pas Krishtit, në Lyhnid (qyteti i sotëm i Ohrit) ka qëndruar dhe vepruar shën Erazmi i Antiokisë. Këtu duhet ta kenë prejardhjen disa nga shkrimet e krijimtarisë së tij kishtare por që nuk na kanë arritur. Një letër e shën Egnatit përshkruan internimin e tij në Romë dhe kalimin e tij me anije, me sa duket, nga porti i Durrësit. Në veprën e tij “Illyricum Sacrum” Farlati thekson se apostulli Matheu ka apostuluar për t’i kthyer në krishterizëm maqedonasit, dardanët, tribalët dhe bastarnët. Kjo duket gati e pabesueshme sepse e dimë mirë historikisht se Shën Matheu ka predikuar në Mesopotaminë e largët. Edhe historiani i vjetër i kishës Eusebi, përmend se apostulli Andrea ka predikuar në Ballkan, por kjo e dhënë e tij nuk vërtetohet nga burime të tjera historike. Kodikët dhe dorëshkrimet në greqishten bizantine lidhen me sa duket me variantin greqisht të Biblës së Shenjtë të quajtur “Septuaginta”.

Illyricum_Sacrum_auctore_Danielo_FarlatoQë këto dorëshkrime kanë qenë të shumta dhe përbënin një bibliotekë të madhe kulturore të popullit shqiptar vërtetohen nga një dokument, që mban datën 8 nëntor 1399, i shkruar nga igumeni i manastirit të Pendarhondëve, në Berat, për princin Teodor Muzaka. Ky dokument flet qartë se igumeni i manastirit të shën Nikollës, me emrin Daniel, për arsye të frikës së sulmeve të turqve që kërcënonin Shqipërinë, fsheh në një vend sekret një pjesë të kodikëve dhe librave të vjetër kishtarë. Dokumenti në fjalë përmend këtë listë: ungjill i vjetër, i stolisur në mënyrë të zgjedhur me kryq prej ari dhe argjendi dhe 4 ungjij në pergamenë. Një Tetravangjel në pergamenë. Një Eksaimer në 2 pjesë; e para dhe e dyta sipas shën Matheut. Një vepër e quajtur Teologu në pergamen. Një tjetër Teolog i shkruar në letër prej kallami dhe i veshur me lëkurë të kuqe. Një libër i Anastasit në pergamenë. Një libër i Zonarës në letër prej kallami. Një libër i Efremit në letër prej kallami. Një Psalltir i interpretuar në pergamenë. Një Libër profecish në letër prej kallami.

Një Hermologji në letër prej kallami, shoqëruar me nota muzikore. Një Katekizëm në letër kallami me nota muzikore. Një Katekizëm me letër prej kallami por pa nota muzikore. Një Tipikon të Jerosolimitëve në pergamen. Një Skematologji në letër prej kallami. Një Mine të përditshëm në pergamenë për 6 muaj (d.m.th. shtator, tetor, nëntor, dhjetor, janar, shkurt) Një Eukologji në letër prej kallami etj etj. Vetvetiu bëhet pyetja: Ku u fshehën dhe ku u dërguan këta kodikë dhe dorëshkrime? Sekretin e kanë ditur vetëm kishtari Daniel dhe princi Teodor Muzaka. Mundet që disa nga këta kodikë të identifikohen me kodikët e Beratit që sot ruhen në Arkivin e Shtetit në Tiranë. Pjesa tjetër, ajo më e rëndësishmja, me sa duket ka humbur. Kanë mbetur në histori vetëm titujt, që na japin një ide të përafërt. Krishterimi i librave të shenjtë në Shqipëri është tepër i pasur dhe pllenues. Është vënë re nga studiuesi Fabian Miraj se mbishkrimet paleokristiane të shekullit III-VI, në qerthullin e Durrësit, përdorin alfabet të përzier me germa latine dhe germa greke.

Kjo është një dukuri lokale kulturologjike dhe shkrimore e klasit të parë. Kjo flet për origjinalitet vendas. Ma do mendja që me këtë alfabet latin dhe grek në Shqipëri të ketë patur shumë dorëshkrime dhe kodikë që sot për sot nuk ruhen. Krishterimi i shkruar në Shqipëri u takon gjuhëve universale të kishës perendimore dhe lindore, pra idiomave të përpunuara në shekuj, shpesh të ndryshme në koncepte kanonike, plot diversitete, madje dhe tekste, që provojnë herezi të krishtërimit, por në fund të fundit ato i përkasin të njëjtit krishterim shqiptar si pjesë esenciale jetike dhe mbijetuese e krishterimit botëror në përgjithësi.

Moikom Zeqo November 12, 2015 17:15 Updated
Komento

8 Komente

  1. Hydra November 12, 20:53

    Gjuha “greke” e tanishme ishte gjuha e patriarkanes bizantine (mbeturine e perandorise romane lindore, byzantine) ne Stamboll shume kohe para se te krijohej shteti “grek” me 1830. Edhe atekohe ajo gjuhe nuk ishte gjuha “greke” e popullit “grek” vendas. Nuk ka komb “grek” apo “helen”, nuk ka patur ndonjehere.

    Nje komb ka nje gjuhe natyrale, te lindur natyralisht, pa autor. Çfar kombi jane “grekerit” kur dy prifta bizantine vellezerit Cyril and Methodius te shekullit IX shkruajne dhe perhapin ne popullsite sllavike dhe bizantine nepermjet priftave te kishes lindore abecene e gjuhes se kishes (Glagolitic), e cila ndryshonte nga ajo e perandorise romane fetare lindore dhe perendimore.

    Reply to this comment
    • elio November 12, 22:23

      Mos u merrni me grekerit apo helenet…e gjithe bota ua njeh lashtesine…Ne duhet te kuptojme qe keto teori si puna e ketyre qe nxjerr ky Moikomi jane teori pa buke dhe thjeshtesisht hidhen pertoke nga edhe me fillestari i arkeologeve dhe historianeve…
      Me kujtohet ne vegjeli qe Ky Zequa, kishte shkruar nje liber, nje here e nje kohe me Dardanet…Tani e kujtoj si shume idiot dhe patetik. Kam menduar se “i gjori ashtu e detyruan ne ate kohe”….Po ky vazhdon te shkruaje te njejtat gjera te bazuara ne copa letrash fallco pa fillim e pa fund…me pak fjale si e ema e tij (Zeqos) maje thanes….
      Historia nuk behet me nacionalizma por me teori te provuara duke pranuar te verteten ndryshe del me keq se hyn…

      Reply to this comment
      • Agroni March 8, 23:38

        More ELIO po kaq i trashë qenke ti more, po me sa të drejtë e thua more hajvan se e gjithë Grekëve ua njeh lashtësinë, po a e din ti more idiot pro-grek se Perandoria e madhe e BIZANTIT nuk kishte asnjë shansë të mos ishte Perandori e ILIRËVE, e sqaron fare mirë këtë Historiani Francez për Greqinë Antike GUSTAVE GLOTZ, “Perandoria BIZANTINE ishte Perandori e ILIRËVE e jo e GREKËVE MESJETARË siç mbizotron mendimi, sepse në MESJETË nuk ka pasur GREKO-HELENË fare”, ai që sot quhet GADISHULLI BALLKANIK deri kah mesi i shekullit XIX, sipas Historianit Gjerman dr. ALEXANDRE LAMBERT dhe Studiuesit Amerikan GEORG FRED WILLIAMS quhej GADISHULLI ILIRIK, edhe ashtu shumica e Perandorëve të saj ishin ILIRË. GREKËT kanë filluar të njihen si GREKË tek në vitin 1831, e që pas këtij viti sipas Akademikëve Amerikan GENE HADDLEBURY dhe EMILY NGUYEN-WHITEMAN, me të madhe nisi FALSIFIKIMI I HISTORISË, në këtë drejtim edhe FALSIFIKIMI I RIBOTIMEVE TË VEPRAVE TË AUTORËVE ANTIK DHE TË ATYRE TË MËVONSHËM VETËM E VETËM PËR TU FUTUR NË TO EMRI I KËSAJ KRIJESE PLOTËSISHT TË IMAGJINUAR, ata pra u krijuan si të tillë për interesat gjeostrategjike TË TË MËDHENJËVE, edhe atë vetëm si pasojë e mistero-mizerisë së një pjese të madhe të popullit SHQIPTAR në përkatësinë e tyre fetare ISLAME, nën tendenciozitetin e SHPËRLARJEVE FETARE EUROPIANE në mbizotërimin e një feje mbi tjetrën, prandaj edhe aq falsifikueshëm u krijua kjo që tani quhet GREQI, për këtë arsye edhe u vazhdua puna në falsifikimin (kupto, shkatërrimin) e Historisë dhe qenies së SHQIPTARËVE.

        Reply to this comment
  2. xha Beqo November 12, 22:13

    Alfabeti shqiptar eshte bere ne 1908 me sa di une.

    Reply to this comment
  3. mirel November 13, 02:05

    xha Beqo, aq di aq thua, lerja Moikomit te na tregoje..

    Reply to this comment
  4. avrami November 13, 05:37

    …nuk e di dhe se kuptoj cdo te nxjeri zoti Zeqo me kete shkrim qe eshte mare nga studimi I Kodikeve te Beratit. Nje gje eshte e qarte qe shkrimet e Ferlatit jane te njeanshme dhe te dyshimta aty shume pak ka origjinale por vetem disa permbledhje qe I kane sherbyer interesave te kishes latine. Kapitulli mbi kishat e Ilirise eshte perdorur teper I deformuar…nuk gjejme sot asnje dekument kishtar latin te fillimeve te krishterizmit dhe mos te meremi me ato gure varresh dhe ndonje citat biblik qe eshte perdorur nga shkruesit mbi te vdekurit qe nuk I dihet kombesia. Kodiket e Beratit dhe te kishes lindore jane me serioze e me te vlersuarit nga bota e kulturuar…. Ne pergjithsi ne qytetet e Ilirise kristianizmi hyri dhe u mbrojt me devotshmeri kurse rajonet malore ngelen pagane dhe praktikues te disa riteve barbare sic shkruajne mjaft nga autoret e vjeter qe jane mare me ilirine…

    Reply to this comment
  5. Bariu November 13, 09:05

    Perjudhen historike te 1290-1379as e ke permendur fare bile nje nder lideret e ksaj kohe car stefan dushan qe shpetoj perandorin bizantine as e ke permendur dhe kjo shemton fytyren e historjanit dhe deformon natyrshem historin dhe ben punen e nje demagogu qe lufton realitetin e me shum se 100 vjetve!
    Kete histori po e perforcoj une duke pasqyruar realitetin,ku pjesa jugore kanina e beligradi i djeshem e berati i sotem i turqise ran nen sundimin e car stefan urosh dushan qe nga shkupi i sotem oher ku ka qen patriarkana e ksaj perandorie e deri ne igumenice e zagori ne epirin jugor!
    Ne pjesen veriore e ate te mesme balsha bile qyteti ballsh mban e mrin e tij!

    Reply to this comment
  6. ESSESI... November 13, 09:41

    Profesori, te gjitha faktet i paraqet te dokumentuara dhe te pranuara shkencerisht…Duhet patur parasysh, se duke pare rendesine e ketyre objekteve fetare, dhe fanatizmin per t’i ruajtur , ato jane fshehur nga njera ane me qellim ruajtjen , dhe nga ana tjeter ato jane grabitur nga pushtues te ndryshem, perveç te tjerash edhe per te zhdukur identitetin tone…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*