Shqipëria i bashkohet fushatës globale “Mbill një pemë”

April 22, 2016 14:48

Shqipëria i bashkohet fushatës globale “Mbill një pemë”

Për të shënuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Parisit për Ndryshimet Klimatike, sot në Ditën e Tokës, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe ambasada franceze në Tiranë iu bashkuan fushatës globale “Mbill një pemë”.

Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Brian Williams dhe ambasadori i Francës në Shqipëri, Bernard Fitoussi, në prani të përfaqësuesve nga qeveria dhe shoqërise civile, mbollën një pemë ulliri në territorin e ambasadës franceze për të shënuar këtë moment historik.

Një ceremoni e nivelit të lartë e mbajtur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon në Nju-Jork, do të mbledhë së bashku krerët e shteteve dhe përfaqësuesit më të lartë të 155 qeverive në mbarë botën. Zëvendëskryeministri i Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, do të nënshkruajë marrëveshjen në emër të qeverisë shqiptare.

Ftesa për nënshkrimin e marrëveshjes u është drejtuar të gjitha shteteve palë në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike. Me nënshkrimin nga shteti palë nis procesi jetik i ratifikimit në nivel kombëtar, nga i cili varet edhe hyrja finale në fuqi e marrëveshjes.

Marrëveshja e Parisit do të hyjë në fuqi 30 ditë pas datës në të cilën të paktën 55 shtete palë të Konventës, të cilët në total llogariten minimalisht në 55% të shkarkimeve të përgjithshme të gazeve me efekt serrë, të kenë depozituar pranë Depozituesit instrumentet e tyre të ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit.

Marrëveshja u miratua në Paris më 12 dhjetor 2015, nga 196 Shtete Palë në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (KKKBNK) në COP21. Në marrëveshje, të gjitha vendet u zotuan të punojnë për ta kufizuar rritjen e përgjithshme të temperaturës nën 2 gradë Celsius, dhe po punojnë për të arritur një rritje të temperaturës nën 1,5 gradë Celsius.

Ndonëse shkarkimet e gazeve me efekt serrë nga Shqipëria janë relativisht të ulëta, ndikimi i ndryshimeve klimatike është i dukshëm. Qeveria shqiptare është angazhuar që të reduktojë shkarkimet e CO2 me 11,5% brenda vitit 2030.

April 22, 2016 14:48
Komento

1 Koment

  1. lejlek April 23, 09:38

    Mbill nje peme,ide shume gjeniale per brezat,por mu duk si shume e stisur pasqyra e kesaj dite.
    Ne kopeshtet e femijeve ashtu si “shkolla model”duhet te kene nje parcele te vogel per te rritur lule te mbjella me doren e tyre,e pse jo edhe pemetore qysh nga hedhja e fares ne toke.
    Po 20 prilli dita e zogjeve pse nuk kujtohet me?
    A nuk ka erdhur koha qe te marrim kafshe te egra si lepuj, dhelpra, kaproj,etj nga vende qe i kane me shumice, ashtu si ka ndodhur ne vendet e qyteteruara te botes .Te ringrihen edhe nje here mundesite e shtimit te zogjeve kengetare si gardelina e kopeshtit zoologjik te viteve 70ta….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*