Shqipëria ime fantastike/ Fieri, qyteti mbarëshqiptar

August 27, 2014 09:39

Shqipëria ime fantastike/ Fieri, qyteti mbarëshqiptar

Po udhëtojmë drejt Fierit. Zemra e Myzeqesë dhe Qarku më i madh i vendit pas Tiranës. Zyrtarisht Fieri është një qytet në Shqipërinë e “veriut të Jugut”.  Ndodhet në jug të rrethit të Lushnjës, në perëndim të rrethit të Beratit, kufizohet gjithashtu në jug me Vlorën dhe në juglindje me rrethin e Mallakastrës, rreth i cili para ndarjeve të reja administrative të viteve ’90 bënte pjesë gjithashtu në përbërjen e rrethit të Fierit. Përsa i përket qytetit të Fierit popullsia e tij para viteve ’90 të shekullit numëronte 40 000 banorë, kurse në ditët e sotme, si rezultat i dyndjes së popullsisë vlerësohet që popullsia e qytetit të Fierit të ketë arritur në 85 000 banorë.

Pak histori…

12 km larg qytetit të Fierit, ndodhen rrënojat e qytetit antik të Apolonisë. Qyteti u themelua në vitin 558 p.e.s në një kodër pranë detit dhe afër grykëderdhjes së lumit Aoos (Vjosa) nga kolonë të ardhur nga Korinti e Korfuzi. Në lulëzimin e tij mendohet të ketë patur një popullsi prej 50 000 – 60 000 banorësh. Për rëndësinë e dikurshme ekonomike dhe kulturore dhe për hapësirën e madhe të shtrirjes së tij, Ciceroni e ka quajtur “qytet të madh dhe hijerëndë”.

Në vitin 1769 Fieri ishte një fshat me rreth 24 shtëpi prej balte dhe qerpiçi të ndërtuara nga voskopojarët që sapo ishin ngulur në Fier dhe rrethinat përreth. Qyteti modern i Fierit u themelua më 1864 nga Kahraman Pashë Vrioni dhe djali i tij, Omer Pashë Vrioni, të cilët me ndihmën e urbanistëve dhe arkitektëve francezë hodhën themelet e qytetit modern të Fierit. Fizionominë e këtij plani, qyteti i Fierit e ruan edhe sot ku ndërthuren dy sisteme; ai kuadratik dhe rrezor. Në fund të shekullit të XIX Fieri kishte 4 lagje: “Shkozë”, “Belik”, “Kishë” dhe “Pasha”. Në librin e saj “Brenga e Ballkanit” udhëtarja angleze Edit Durham kur shkruan për Fierin e vitit 1904, tregon se në të janë ngritur godina prej guri me arkitekturë çuditërisht moderne.

Monumentet më të rëndësishme arkeologjike janë: muri rrethues, biblioteka, Odeoni, Portiku dhe Kisha Bizantine e shekullit te XIII. Kërkimet e para mbi thesarin historik të Apolonisë u bënë gjatë Luftës së Parë Botërore nga arkeologët austriakë, që zbuluan dhe eksploruan muret e mëdha që rrethonin qytetin e dikurshëm. Zbulimet sistematike filluan në vitin 1924 nga Misioni Arkeologjik Francez drejtuar nga Leon Rey. Ato nxorrën në dritë kompleksin e monumenteve te qendrës së qytetit. Zbulimet kanë vazhduar nga arkeologët shqiptarë pas çlirimit.

fieriQendra të tjera të popullimit parahistorik në rrethin e Fierit kanë qenë edhe Stefanafana, Nemfeumis, kështjella Argyas, Kolkondasi, Cakrani, Margëlliçi, Portëza, Petova etj.

Gjatë fillimit të shekullit të XX-të deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore në Fier ndodhën mjaft ndryshime demografike. Aty u vendosën banorë te ardhur nga Labëria, Çamëria dhe Kosova si dhe grupe të ndryshme popullatash të ardhur nga Toskëria si nga Mallakastra, Berati, Gjirokastra etj. Ndërsa pas Luftës në qytetin e Fierit u vendos një numër i madh çamësh të dëbuar nga Greqia.

 

Klima e butë e një qyteti “të egër”…

Rrethi i Fierit ofron dhe potenciale të rëndësishme natyrore për zhvillimin e tij. Në përgjithësi kemi të bëjmë me një rajon fushor me lartësi nga 0-100 m mbi nivelin e detit dhe me toka shumë pjellore. Edhe relievet kodrinore janë përgjithësisht të buta dhe të mundshme për shfrytëzim bujqësor. Në zonat e rrafshëta zhvillohen tokat e hirta kafe. Kemi edhe lloje të veçanta tokash si aluvionale që takohen në luginat e Semanit e Vjosës, tokat e kripura që shtrihen në Hoxharë si dhe tokat moçalishte të Roskovecit. Në rrethin e Fierit shtrihet një pjesë e Myzeqesë së Madhe, Myzeqeja e Vogël dhe fushat e Frakullës e të Cakranit. Fieri ashtu si e gjithë Shqipëria bën pjesë në brezin e klimës mesdhetare, dhe dallohet për tipare më të shprehura mesdhetare, e cila karakterizohet nga vera e nxehtë dhe e thatë me shkëlqim të madh të diellit dhe dimër i butë dhe me rreshje të mëdha. Ngricat dhe dëbora janë dukuri tepër të rralla. I nxehti fillon që prej mesit të pranverës dhe vazhdon deri në fund të tetorit. Klima e Fierit është e ngrohtë sepse Fieri laget nga deti dhe është i mbrojtur nga lindja prej erërave të ftohta. Fieri dallohet për numrin e lartë të ditëve me diell, mesatarisht 2800 orë në vit. Rreshjet kanë rregjim kohor shumë të çrregullt ato janë përqendruar kryesisht në gjysmën e ftohtë të vitit, sasia mesatare e tyre arrin 980-1000 mm/vit. Vera në Fier është e thatë dhe shpesh nuk bie shi për javë të tëra. Muajt më të lagësht janë nëntori dhe janari, kurse muajt më të thatë korriku dhe gushti. Erërat fryjnë në drejtime të ndryshme por gjatë dimrit mbizotëron era e jugut, e cila sjell edhe rreshje të mëdha, ndërsa gjatë verës era fryn nga veriu dhe veriperëndimi. Afërsia me detin bën që klima të jetë e butë dhe vetëm në raste tepër të rralla temperaturat bien nën zero. Temperatura mesatare vjetore lëkundet nga 150C-160C. Klima e Fierit lejon zhvillimin e një bujqësie shumë degëshe. Gjithashtu tokat bujqësore mund të shfrytëzohen 2-3 herë në vit. Ne kuadrin e pasurive natyrore rëndësi të veçantë kanë pasuritë ujore, ku përveç detit Adriatik, rrethi përshkohet nga lumenjtë Seman, Vjosë e Gjanica. Semani – 281 km i gjatë formohet nga bashkimi i Devollit me Osumin në afërsi të Beratit. Sipërfaqja e pellgut ujëmbledhës është 5949 km2, prurja mesatare vjetore e tij arrin në 96 m3/sek. Semani është ndër lumenjtë më erozivë, duke e bërë lumin më erozivë në vend. Vjosa – 272 km i gjatë buron nga malet e Pindit në Greqi. Sipërfaqja e pellgut ujëmbledhës është 6700 km2, ndërsa prurja mesatare vjetore e tij arrin 195 m3/sek. Gjanica – 67 km buron nga burimet e Poçemit e të Kalivaçit.

Sipari…

Ndaj kurdo që kaloni tranzit nëpër Fier, ndaloni dhe kundrojeni me vëmendje qytetin i cili me historinë e tij do t’ju bëjë ta shikoni ndryshe, ta respektoni më shumë.

August 27, 2014 09:39
Komento

5 Komente

  1. lufter August 27, 13:41

    E pa degjuar deri tani qe lumi Gjanica na e paska burimin nga Pocemi dhe Kalivaci.Kjo duhet skjaruar se ben vaki nga levizjet tektonike qe mund te kene ndodhur keto vitet e demokracise te kete ndryshuar furnizimi i ujrave per Gjanicen.Deri para 20 vjeteve si ne lenden e gjeografise dhe e pare ne vend burimet e Gjanices jane ne krahun lindor te shpiragut.Ujrat e Pocemit dhe Kalvacit derdhen ne vjose, ato nuk vijne dote ne Gjanice pasi nuk i lejon vargmali i Cakranit-Ballsh e ne vazhdim drejt jugut.Sqaroeni kete se e bet lemsh gjeografin,Temperatura mesatare e Fierit nuk eshte 150-160 C por 15-16 grade celcius se ndryshe do ishte perveluar Fieri.

    Reply to this comment
  2. lili August 27, 15:50

    Shkrim gjysmak , aspak i vertete. Thjesht i paguar per reklame te dikujt .Dita , jini me te vemendshem ne perzgjedhje !

    Reply to this comment
  3. Aleksander August 27, 17:09

    Nje shkrim i pergatitur, per mendimin tim, pa asnje lloj pergjegjesie dhe dhe dashurie per Fierin. Nentituj jo te kendshem dhe nje histori e kopjuar dhe renditur pa kujdes. I(e) dashur autor kur te ulesh dhe shkruash here tjeter per Fierin, “qytetin e eger” pyet ose lerja ate pune dikujt tjeter qe e do vertet Fierin.

    Reply to this comment
  4. Ardenica August 27, 19:56

    Shkrim pa autor, pa pergjegjesi, ose i marre nga ndonje liber per te mbushur gazeten.
    Ka shume pasaktesi, Fierin nuk e themeluan voskopojaret por vendesit, myzeqaret, doemos te investuar nga te kamurit e kohes si vrionet etj te shtuar nga mijera ardhes, voskopojar, etj.
    Ku shkruhet se Kolkondasi Petova etj, jane vende parahiostorike?
    Kur nuk gjenden ne rregjistrat turke te viteve 1431, e me vone, so do ishin parahistorike?
    Gazeta “Dita”, mos e ulni nivelin.

    Reply to this comment
  5. SEKRETARJA ..me floke te palara August 27, 20:41

    Juve qe kaloni tranzit degjoni ne qe jemi ketu
    nuk merret vesh ku fillon dhe ku mbaron katundi
    cdo shtepi te tokat e zanuna ka minimumi 4 lope …kte ka dashur te thote kur flet per shtimin e popullsise
    12 vjet qe trashet vetem Baftjari dhe ne vend te tij ka shume gjasa te cojme Ben Qimen
    e kemi …qytetar nderi ..e dekoroi vete Nasip Nacua

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*